Nënkryetari i Gjilanit merr përqindje nga kompanitë private

0
101

Për ta pranuar një projekt në Komunën e Gjilanit, kompania private e cila i ka kryer punimet, do të duhet të paguajë edhe 1 për qind të vlerës së tenderit, për anëtarët e komisionit që janë punëtorë të Kuvendit Komunal. Kjo formë e pagesës e cilësuar si e paligjshme nga Auditori Gjeneral i Kosovës, vlerësohet si legjitime nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa.

Ai thotë se në këtë rast pagesën që e ka marrë nënkryetari i tij, Omer Daku, është plotësisht e ligjshme dhe e rregulluar me vendim të komunës së Gjilanit.

“Asnjë parregullsi nuk ka në këtë rast. Gjithçka është e rregulluar me vendim të komunës. Unë e kam parë raportin e auditorit dhe po mendoj se nuk është e drejtë mënyra se si ata e kanë prezantuar. Pagesa është simbolike 1 për qind e vlerës së tenderit. Nëse një punë ka kushtuar 100 mijë euro, kompania do të duhet të paguaj edhe 1 mijë euro, që në këtë rast secili anëtar i komisionit i bjen të marrë nga 300 euro”, tha Mustafa për gazetën “Zëri”.

Në raportin e tij, për Komunën e Gjilanit, auditori ka gjetur se sipas Vendimit 01 Nr. 5465 të datës 05.06.2008, të marrë nga Kuvendi Komunal, organet mbikëqyrëse dhe komisionet për pranim teknik do të paguhen nga Operatorët Ekonomikë, ndërsa kjo kosto i shtohet vlerës së kontratës.

“Auditimi i vitit paraprak kishte rekomanduar që ky fenomen të ndërpritet. Gjatë testimit të pagesave për punë, që janë kontraktuar në vitet e kaluara, kemi vërejtur që kjo dukuri nuk është ndërprerë. Për më tepër, kemi vërejtur një rast ku njëri anëtar i komisionit, i cili njëkohësisht ka pozitën e nënkryetarit të komunës, favorizohet me përqindje më të lartë se anëtarët tjerë”thuhet në raportin e auditorit për këtë komunë.

Sipas auditorit vazhdimi i pagesës së organeve mbikëqyrëse dhe komisioneve për pranim teknik nga operatorët, paraqet konflikt interesi dhe mund të ndikojë në objektivitetin e tyre gjatë mbikëqyrjes, gjegjësisht pranimit të punëve nga operatorët ekonomik.

Auditori më tej shton se kryetari i Komunës duhet të sigurojë që sa më parë të anulohet vendimi për kompensimin e mbikëqyrjes dhe pranimit teknik të punëve përmes operatorëve ekonomik. Në këtë komunë auditorit ka gjetur raste kur komuna që drejtohet nga Mustafa ka bërë tejkalim të kontratës për furnizim.

“E gjetura Komuna e Gjilanit me 05.10.2011 kishte lidhur kontratë një-vjeçare me OE ‘Ballkania’ për furnizim me ushqim dhe pije për nevoja të çerdheve, shkollave dhe komunës. Shuma e kontratës ishte 90,432€. Ne kemi vërejtur që komuna kishte tejkaluar vlerën e kontraktuar të furnizimeve për 8,645€”, thuhet në raport.

Por, sipas auditorit tejkalimi i shumës së kontraktuar tregon mungesë të kontrollit të shpenzimeve. Po ashtu, kjo rrit rrezikun që të ndodhin devijime buxhetore në krahasim me ndarjet fillestare, dhe rrjedhimisht edhe shmangie nga objektivat paraprake.

Auditori i ka rekomanduar kryetari te Komunës se duhet të forcojë kontrollet e brendshme dhe të sigurojë që të gjitha shpenzimet të bëhen brenda limiteve të përcaktuara me kontratë. Sipas tij, vlerësimet fillestare të nevojave duhet të trajtohen më hollësisht.

Po ashtu, auditori në disa raste ka gjetur vonesa në përfundimin e punëve. Auditori ka gjetur se Komuna e Gjilanit kishte paguar faturën e datës 17.01.2012 në vlerë 100,000 euro ndaj OE ‘Bass-Com’ për situacionin e IV-të të punëve për projektin

“Asfaltimi i rrugëve në fshatin Livoq i Ulët”. Por, në këtë rast auditori ka vërejtur një mungesë të konsistencës së dokumenteve për këtë pagesë.

“Situacioni i punëve ishte i datës 21.12.2010 ndërsa rekapitullimi për këtë situacion ishte i datës 12.12.2011. Kontrata për këtë projekt ishte lidhur më 23.11.2009 në vlerë 314,219€. Sipas Planit Dinamik ky projekt ishte paraparë të përfundojë për 48 ditë pune. Përveç vonesave në planin dinamik, punët janë ndërprerë dhe projekti nuk ka përfunduar për shkak të mungesës së fondeve për përmbushjen e obligimeve ndaj OE”thuhet në raport.

Po ashtu edhe për projektin “Asfaltimi i rrugëve në lagjen Dardania” në vlerë 525,675 euro auditori ka vërejtur vonesa në kryerjen e punimeve. Kontrata ishte lidhur me 07.12.2009 dhe plani dinamik për përfundimin e punëve ishte 56 ditë pune. Komuna kishte paguar situacionin e shtatë të datës 19.01.2012 në shumë 100,000 euro dhe situacionin e tetë të datës 14.05.2012 në shumë 72,544 euro.

Por, ky projekt ende nuk është përfunduar për shkak të mungesës së fondeve. Vonesa janë vërejtur edhe për projektin “Rregullimi i infrastrukturës publike në fshatin Shillovë” në vlerë 381,390 euro, sipas kontratës nga data 09.12.2010. Komuna kishte paguar faturën e datës 18.04.2012 në shumë 70,170 euro. Por, punimet ende nuk janë përfunduar për shkak të mungesës së fondeve.

“Rreziku Komuna ka kontrolle të dobëta në menaxhimin e kontratave në fushën e investimeve kapitale. Vonesa për kohë të gjatë në përfundimin e projekteve mund të rezultojë në situata ku investimet amortizohen ende pa përfunduar. Kësisoj vonesat e tej zgjatura në realizimin e punëve humbin vlerën për para të investimeve komunale dhe vështirësojnë kushtet jetësore për qytetarët”thuhet në raport.

Edhe në këtë rast auditori i rekomandon kryetari Mustafa qe të sigurojë që punët kapitale të përfundojnë brenda afateve optimale dhe objektivisht të arritshme. Po ashtu, menaxhmenti duhet të analizojë në hollësi afatet kontraktuese dhe arsyet e vonesave.

S’ka dëshmi për drekën

Në raportin e auditorit më tej thuhet se Komuna e Gjilanit kishte paguar faturën në shumë 2,023 euro për ushqim dhe akomodim të një delegacioni. Por, përveç faturës, auditori nuk ka parë dëshmi mbi numrin e pjesëmarrësve apo qëllimin e organizimit.

Sipas tyre, mungesa e dëshmive shtesë në rastet e shpenzimeve për dreka zyrtare rrezikon që komuna të shpenzojë fondet publike pa justifikimet e duhura.

“Kryetari i Komunës duhet të sigurojë që të gjitha faturat për dreka zyrtare të mbështeten me dëshmi shtesë mbi qëllimin e organizimit dhe numrin e pjesëmarrësve”, thuhet në raport.

 

Nga: Enis Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu