Nepotizmi ka lëshuar “rrënjë” në Kosovë

0
374

(E plotësuar)Është pothuajse e paimagjinueshme që një person, pavarësisht vlerave dhe shkollimit, të gjejë një vend të punës në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, nëse nuk e ka dikë të afërt në qeveri. Ndërsa, nëse e ka ndonjë dajë, kushëri, nip apo ndonjë “dost” të fortë në Qeveri apo Kuvend, ai edhe po të jetë “çoban i dhive” mund t’i krijohen predispozitat për t’u bërë ministër, kryetar komune apo shef i ndonjë departamenti.

Nepotizmi në institucionet e Kosovës, nga opozita dhe shoqëria civile, konsiderohet si vrasje e vlerave të mirëfillta kombëtare. Madje, sipas tyre, që ka nepotizëm kjo është vërtetuar edhe me përgjimet e publikuara ditë më parë. Ata vlerësojnë se nepotizmi në Kosovë është dukuri masive dhe e gjithëpranishme nëpër institucionet lokale dhe qëndrore, madje këto janë shndërruar në kriter të punësimit dhe vlerësimit në vendin tonë.

Nënkryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka thënë se nepotizmi në Kosovë është dukuri masive dhe e gjithëpranishme nëpër institucionet vendore. “Nepotizmi është shndërruar në kriter të punësimit dhe vlerësimit në vendin tonë. Kjo dukuri ka pasoja negative largvajtëse për demokracinë dhe qeverisjen e drejtë në shërbim të qytetarit”, ka thënë Konjufca, duke shtuar se pasojat e këqija të nepotizmit janë të shumta.

Nepotizmi, antivlera e shoqërisë

“Njerëzit nuk pranohen në punë dhe nuk vlerësohen sipas performancës së tyre profesionale, por sipas përkatësisë familjare apo afërsisë personale me punëdhënësin (në këtë rast Qeverinë, krerët e qeverisjes lokale, zyrtarët institucionalë etj.). Duke qenë kriteri kryesor i punësimit afërsia familjare, përkatësia politike apo dëgjueshmëria partiake, punësimi ndodh në të mirën e të paaftëve dhe servilëve dhe në kurriz të njerëzve të aftë profesionalisht, por që nuk kanë afërsi familjare me krerët institucionalë, në këtë kuptim, nepotizmi është edhe diskriminim”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, institucionalizimi i nepotizmit si praktikë e punësimit dhe vlerësimit përcakton dhe etablon vlera negative në shoqëri, sepse inkurajohet familjarizimi dhe dekurajohet profesionalizmi, prandaj nepotizmi, siç tha ai, instalon antivlera në shoqëri.

“Nepotizmi, në fund të fundit është edhe praktikë negative, pasojat përfundimtare të së cilës i vuan qytetari i thjeshtë, sepse duke u vendosur nëpër pozita të shërbimeve publike njerëz të cilët janë aty më tepër për shkak të afërsisë familjare sesa të bagazhit dhe zotësisë profesionale, na krijohet një rrjet joefektiv i kryerjes së shërbimeve tona publike të cilat janë jetike për qytetarin. Në këtë mënyrë ne si taksapagues paguajmë njerëz të paaftë”, ka thënë Konjufca.

Nepotizmi është vërtetuar edhe nga përgjimet e telefonatave të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Aty janë apostrofuar edhe kryeministri Hashim Thaçi edhe ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku.

Kjo e fundit ka thënë se ministria që ajo drejton ka një nga shërbimet më të mira edhe në Ballkan. “Niveli akademik i stafit të ministrisë është ndër më të mirët në tërë Ballkanin. Nga 59 shërbyes civilë, mbi 65 për qind kanë grada akademike post-diplomike, 30 për qind janë të diplomuar dhe më pak se 5 për qind me shkollë të mesme”, ka thënë ajo. Madje, sipas saj, shkollimi i stafit është bërë në universitetet më prestigjioze evropiane. “Mbi 85 për qind e stafit flasin dy gjuhë”, ka thënë ajo. Madje, ajo ka thënë se të vetmin të afërm që e ka gjetur në këtë ministri e ka shkarkuar në emrin e saj. “Sa për informata të vetmin të afërm që e kam gjetur në këtë ministri e kam shkarkuar pas disa ditësh në emrin e tim”, ka thënë Çitaku.

Sektori publik është kthyer në “kamp dajallarësh”

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, shprehet se nepotizmi është një prej elementeve të këqija të qeverisjes dhe si i tillë është i dënueshëm edhe në bazë të kritereve për agjendën e integrimeve evropiane të Kosovës. “Definitivisht, nepotizmi është shumë i zhvilluar në Kosovë dhe kjo po ndikon keq sidomos në administratën publike, e cila duhet të jetë më efikase dhe efektive”, ka thënë Ramadani.

Ylli Hoxha nga Klubi për Politike të Jashtme ka thënë se nepotizmi është një gjendje e turpshme dhe tragjike njëkohësisht. “Kur Ministria e Integrimeve Evropiane, e cila hiperbolizohet me lëvdata nga raporti i progresit, shndërrohet në byro punësimi për dajallarët dhe axhallarët e politikanëve, imagjinoni si është gjendja në ministritë tjera”, ka thënë ai. Me këtë shkallë të përfshirjes së lidershipit më të lartë qeverisës në nepotizëm, Hoxha ka thënë se nuk e sheh se si mund të flitet për përmbushje të vlerave evropiane të qeverisjes.

Menaxherja e programit të Institutit Demokratikë të Kosovës (KDI), Merita Mustafa, tha se nepotizmi fatkeqësisht është një fenomen shumë prezent në Kosovë, dhe më e keqja, sipas saj, është se ai është prezent në institucionet dhe pozitat kyçe. “Është një problem që është duke na përcjellë për një kohë të gjatë, duke penguar kështu zhvillimin e vendit tonë në shumë fusha. Madje, për shkak të këtij fenomeni edhe lufta kundër korrupsionit nuk po mund të realizohet, duke e ditur se gati të gjithë ata të cilët janë në pozita kyçe në institucionet publike nuk kanë marrë një vend të punës në bazë meritore por në bazë të të afërmve apo relacioneve, qoftë familjare, farefisnore apo edhe miqësore”, ka thënë Mustafa.

Edhe analisti, Avni Zogiani, vlerëson se sektori publik është kthyer në një kamp të dajëve, kushërinjve e bashkëshortëve. Ky nuk është një shtet modern, porse, sipas tij, kjo është një krijesë e ngjashme me principatat që bënin fiset dikur.

“Kjo ka shkatërruar jo vetëm mundësitë e Kosovës për zhvillim, por ka cenuar rënd mundësinë e njerëzve që dinë për të dhënë kontributin për vendin. Ata që janë më të mirë, edhe nëse kanë pasur ndonjë mundësi për të kontribuar për shtetin e ri, janë refuzuar nga vrazhdësia e mungesës se çfarëdo niveli të prijësve institucionalë”, ka thënë Zogiani. Ndërkaq, drejtori i Qendrës për Studime Ballkanike në Prishtinë, Fadil Lepaja, ka thënë se tash është mbështjellë lëmshi, vështirë se mund të dëshmohet diçka pa u ndërruar kjo qeveri.

 

Nga Fadil Sertolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu