Nisreen Mansour al Forgani, vajza seksi dhe vrasëse e Gadafit

0
8

Gjëja e parë që të bie në sy janë buzët e saj ngjyrë trëndafili dhe sytë e saj të mëdhenj kaf, tipare të fytyrës këto të mbështjellë nga një shami. Më pas skena vazhdon me këmbët e saj të lidhura fortë me zinxhirë si të ishte një bishë e kapur për së gjalli nga gjahtarët. E në fakt, masakra që Nisreen Mansour al Forgani ka kryer, është më e madhe se ajo e bishave të egra. 19-vjeçarja e cila mbahet e burgosur në spitalin ushtarak të Tripolit, është një prej qindra vajzave të stërvitura nga koloneli Muamar Gadafi për të vrarë. Rebelët e konsiderojnë atë si një vrasëse seriale pasi në betejat për të marrë kryeqytetin libian, Nisreen ka vrarë plot 11 burra të forcave rebele me gjakftohtësi të plotë. E stërvitur për të qenë një snajper dhe për të luftuar deri në vdekje për pushtetin e Gadafit, tashmë ajo gjendet në duart e rebelëve dhe pritet të marrë dënimin e saj që nuk ka dyshim se do jetë ai kapital, me vdekje. Nisreen është një nga mijëra vajzat e rekrutuara nga milicia për të cilat doktorët si dhe vetë rebelët janë të bindur se mbi to është ushtruar një presion dhe “lavash truri” e vazhdueshme. Sipas saj, ushtarakë të lartë pranë Muamar Gadafit kanë abuzuar seksualisht me të dhe shoqet e saj ndërkohë që kriter për të hyrë në ushtri ka qenë virgjëria. “Unë ua tregova rebelëve vetë se kam vrarë 11 prej tyre. Ata janë të zemëruar me mua dhe unë nuk e di se çfarë do ndodhë në vazhdim”, shprehet Nisreen në ditën e saj të dytë të qëndrimit në spitalin Matiga.

 

Por si mundet një vajzë 19-vjeçare të bëhet pjesë e një skuadre vdekjeprurëse?

Nisreen tregon se familja e saj nuk ka qenë kurrë mbështetëse e regjimit të Gadafit. Prindërit e saj u ndanë kur ajo ishte e vogël dhe Nisreen nuk pranoi të jetonte me gruan e re të të atit. Kështu, një shoqe e së ëmës e cila ishte Shefe e Degës Popullore të Femrave, e mori për ta stërvitur në pretendimin se do i gjente një vend pune. “Mikesha e shtëpisë” e udhëzoi Nisreen që nëse dëgjon të ëmën të flasë kundër Gadafit, duhet ta vrasë menjëherë. Vitin e kaluar, Nisreen la kolegjin ku studionte për tu kujdesur për nënën e saj por ajo i përmbushte të gjitha kriteret për tu rekrutuar. Ishte e re, e bukur, e virgjër dhe me një tufë hallesh. Sipas saj, në vendin ku ajo u dërgua të stërvitej, ndodheshin dhe 1000 vajza të tjera. Njësia e tyre ndodhej në Brigadën 77, shumë pranë bunkerit famëkeq Bab Al Azizija. Pikërisht në Brigadën 77, Nisreen u përball me përdhunimet e para. Sipas saj, djali i komandantit të repartit, Mansour Dau, vinte në bazë dhe kërkonte çdo vizitë nga një vajzë të ndryshme.

Si i vrau 11 burra, 19-vjeçarja?

“Më mbyllën në një dhomë në lagjen Boslem të Tripolit. Më pas një grua me uniformë ushtarake ngjyrë blu më dha një pushkë automatike model AK47.”, shpjegon Nisreen. Sipas saj, aty ndodhi masakra ku u detyruar të qëllojë 11 rebelë të arrestuar nga forcat pro regjimit. Vajza-vrasëse tregon se ajo u detyruar të zgjidhte mes jetës së saj dhe të rebelëve. “Në të kundërt do më vrisnin mua. Kështu unë qëllova 10, ndoshta 11 rebelët e lidhur. Nuk ua mbaj mend fytyrat dhe mbi të gjitha ata nuk thanë asnjë fjalë. I përkisnin të njëjtit brez dhe disa prej tyre ishin të plagosur kur mi sollën në dhomë.”, tregon Nisreen Mansour al Forgani. Më pas një grua doktoreshë i hapi derën e dhomës, dhe kur pa masakrën shpërtheu në lotë. Sipas Nisreen, ajo nuk e kuptonte se si një vajzë 19-vjeçare mund të vrasë për Gadafin aq shumë njerëz. Në fakt as vetë Nisreen nuk e kupton këtë gjë.

 

Arrestimi i Nisreen nga rebelët.

Pasi ajo la dhomën ku kreu masakrën, një prej rebelëve që kishin rrethuar Tripolin, i qëlloi në shpatull duke e lënë të plagosur. Rebelët e shtruan atë në spital dhe presin që shëndeti i saj të përmirësohet për t’iu nënshtruar gjykimit. Frika e vetme e Nisreen është që të mos dënohet me vdekje dhe familja e saj të mos mësojë gjë. Sipas rebelëve, ka shumë vajza të tjera që kanë vrarë me gjakftohtësi dhe nën presion. Duke iu referuar dëshmive por dhe fakteve, të gjitha vajzat që bënin pjesë në Rojën Popullorë të Grave janë përdhunuar dhe torturuar rregullisht. Ndërkohë që doktorët dhe rebelët po debatojnë se çdo bëhet me këtë kontingjent. Sipas psikologëve, vajzat e reja të ndodhura nën “shock” nuk kanë qenë të vetëdijshme dhe ato duhen trajtuar, jo vrarë. Në fakt, vetëm një vendim i tillë me mirëkuptimin e rebelëve mund të shpëtojë Nisreen dhe shoqet e saj nga vdekja.

 

JETA

Mosha: 19 vjeç

Profesioni: Ushtarake

Vendbanimi: Tripoli

Jeta: Ka lënë studimet përgjysmë pasi u rekrutua në Rojën Popullorë të Grave. Ushtarakë të lartë e kanë përdhunuar sistematikisht ndërkohë që është ndodhur përpara presioneve dhe doktrinave të ndryshme. Pak ditë më parë, u detyrua të vriste 11 kryengritës, gjë kjo që ja komplikon të ardhmen.

 

ARDIT RADA, Gazeta Shekulli

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu