Një i shenjtë shqiptaro-amerikan

0
297

Huffingtonpost boton portretin e një kleriku bektashi shqiptar arratisur në 1944 dhe flet me shumë vlerësim për komunitetin bektashi të Shqipërisë

Ai jetoi në kampet e refugjatëve në Itali para se të shkonte në Kajro në 1948.

Në 1952 ai erdhi në Shtetet e Bashkuara dhe në vitin 1954, themeloi teqenë e parë shqiptaro-amerikane të Bektashinjve, në Taylor, rreth 20 km nga Detroiti.

Huffingtonpost është një nga mediat më të mëdha amerikane të ditëve tona. Dje, aty ishte botuar portreti i një kleriku shqiptar, Rexhep Beqirit. Autori Stefën Shvarc (Stephen Schwartz) shkruan: Në periferi të Detroitit Taylor, Mich, e diela e Fiter Bajramit solli një përkujtim të veçantë të natyrës shpirtërore të fesë islame. Rasti ishte nderimi i një bektashiu të lindur në Shqipëri i cili emigroi në Amerikë dhe themeloi një shtëpi të madhe takimi dhe një kompleks në Taylor, e njohur si teqe. Qindra shqiptaro-amerikanë dhe të tjerë u mblodhën në këtë teqe për një darkë që përkujton këtë bektashi të shenjtë, ballkanas dhe amerikan. Z.Beqiri (baba Rexhep Beqiri, – në terma klerikalë) është lindur në vitin 1901 në qytetin jugor shqiptar të Gjirokastrës dhe hyri në Urdhrin Bektashian Sufi në moshën 16-vjeçare. Në vitin 1925 atij iu dha një diplomë si mësues i islamit.

Një nga 12 urdhërat sufistë

Bektashinjtë ishin një shtyllë e gjatë e Perandorisë Osmane, si një nga 12 urdhrat Sufiste, të njohura zyrtarisht. Megjithatë, historia e tyre është heterodoksi dhe kundër-intuitive për vëzhguesit perëndimorë. Ata janë të ndryshëm nga shumë sufistë në marrjen e një roli udhëheqës qytetar duke kultivuar ndërkohë tradita metafizike. Identiteti i tyre është paradoksal; mësimet e tyre mistike janë të fshehta, por këngët e tyre devocionale dhe patriotike janë shumë të njohura nga shqiptarët. Bektashinjtë sufitë përbëjnë një element kryesor në jetën fetare dhe shoqërore shqiptare, duke përbërë rreth 2 milionë të besimtarëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore. Në të vërtetë, tokat shqip-folëse janë të vetmet rajone evropiane (jashtë territorit të mbetur turk në kufi me Greqinë dhe Bullgarinë) në të cilat Sufizmi është ende një fenomen i gjallë dhe popullor.

I rritur nën pushtimin osman

Kur z.Beqiri lindi, Shqipëria ishte nën pushtimin osman. Ajo arriti pavarësinë një shekull më parë, në vitin 1912. Sistemi osman në Turqi u zëvendësua në vitin 1923 nga një republikë laike. Urdhrat Sufiste u shtypën zyrtarisht në Turqi dy vjet më vonë dhe bektashinjtë e zhvendosën selinë e tyre botërore në Tiranë. Konflikti mes autoriteteve laike në Turqi dhe bektashinjve u komplikua për faktin që bektashinjtë favorizonin qeverisjen sekulare dhe edukimin publik. Në të njëjtën mënyrë si Sufistët në Turqi dhe Iran, ata mbështesin barazinë gjinore. Ata u bënë të shquar si “iluminantët” shqiptarë në shekullin e 19-të, duke botuar në gjuhën shqipe vepra letrare që nuk gëzonin miratimin e sunduesve Osmanë dhe duke bashkëpunuar me katolikët shqiptar dhe të krishterët ortodoksë shqiptarë në një përpjekje të përbashkët kombëtare për avancimin kulturor dhe pavarësinë e këtij vendi të Ballkanit. Gjithashtu, bektashinjtë në Turqi mbrojtën myslimanët disidentë dhe u përshkruan si “sekt liberal i Islamit” në kuadër të traditës Shiite.

Porosia për hebrejtë

Sipas Haxhi Dedë Reshat Bardhit (1935-2011 udhëheqës suprem i urdhrit), kur ushtritë e Hitlerit morën kontrollin e Shqipërisë nga Italia në vitin 1943, gjatë Luftës së Dytë Botërore, bektashinjtë u porositën të shpëtonin komunitetin e vogël të hebrenjve shqiptarë dhe disa mijëra hebrenj që kishin shkuar atje nga vende të tjera në Evropë. Dihet tashmë që hebrenjtë u fshehën me sukses dhe Shqipëria ishte i vetmi shtet i pushtuar nga Gjermanët, me më shumë banorë hebrenj në fund të luftës sesa në fillim të saj. Shumica e hebrenjve të cilët u shpëtuan në Shqipëri, emigruan më pas në Izrael dhe vende të tjera. Në 1944, pas ardhjes në pushtet të komunistëve të Hoxhës, z.Beqiri e la tokën e tij mëmë. Ai jetoi në kampet e refugjatëve në Itali para se të shkonte në Kajro në 1948. Në 1952 ai erdhi në Shtetet e Bashkuara dhe në vitin 1954, themeloi teqenë e parë shqiptaro-amerikane të Bektashinjve, në Taylor, rreth 20 km nga Detroiti. U ble një fermë dhe kompleksi i bektashinjve u zgjerua me shtimin e dhomave të pritjes, një sallë takimi, një bibliotekë, një hapësirë për festimet e shenjta dhe shumë ndërtesa të tjera në vitet më pas. Me vdekjen e baba Rexhepit në 1995, teqeja bektashiane në Taylor u bë një vend i shenjtë, duke përfshirë edhe varrin e tij.

Idhulli i tij, Naim Frashëri

Pas 1944-s, sunizmi shqiptar, Krishtërimi Orthodhoks shqiptar dhe Bektashizmi u mbajtën të gjallë në Shtetet e Bashkuara. Baba Rexhepi ka mbajtur marrëdhënie të mira me anëtarët dhe udhëheqësit e të gjitha besimeve. Në 1964, në përvjetorin e 10-të të themelimit të qendrës së tij sufiste në Michigan, vlerësoi Amerikën si “një vend që siguroi emigrantët shqiptarë jo vetëm një jetë të mirë, por edhe mundësi të luftojnë për lirinë dhe mbrojtjen e vendit të lindjes së tyre. Sot Bektashinjtë janë të lirë për të praktikuar bindjet e tyre në Shqipëri dhe Kosovë, megjithatë janë të shtypur në Maqedoni. Një libër i z.Beqiri u ribotua në Shqipëri dhe është lexuar gjerësisht. Në Amerikë, ai ka dhënë një kontribut të veçantë në jetën fetare dhe meriton vëmendje dhe studim më të madh. Gjatë përvojës së tij, ai respektoi parimin e cituar nga Naim Frashëri (1846- 1900), një bektashi Sufi dhe një nga poetët kombëtarë të Shqipërisë: “Gjithçka është atje dhe s’ka tjetër veç Zotit.”

Përgatiti Ardit Rada

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu