“Një Land Rover na goditi, të zbulohet automjeti”

0
283

ELBASAN- “Autobusi u godit nga një mjet fuoristradë, në krahun e majtë të tij, ndërsa mjeti që goditi autobusin u largua me shpejtësi. Unë humba kontrollin, u mundova të reagoj, por nuk mbaj mend më”. Kështu tha dje për “Shekullin”, Mitat Biçaku, ndërsa ndodhej i shtruar në katin e tretë të spitalit kirurgjik të Elbasanit. Ky është versioni i tij, që është mbështetur edhe thuajse nga të gjithë pasagjerët e plagosur që ndodheshin në autobusin e Aleancës Kuq e Zi (AK), dje pasdite kur rreth orës 16:30, kur mjeti me targa LB 31 56A, i drejtuar nga Mitat Biçaku, rrëshqiti jashtë rrugës duke dalë në një distancë prej rreth 30- 40 metra. Ngjarja ndodhi në segmentin Tiranë- Elbasan në zbritje të Krrabës, në afërsi të vendit të njohur me emrin Qershitë. Me këtë autobus udhëtonin drejt Librazhdit 35 aktivistë të Aleancës Kuq e Zi, të cilët kishin marrë pjesë në Kongresin e Parë të AK-së, e zhvilluar dje në mesditë në Tiranë. Nga aksidenti mbetën të plagosur rëndë 17 persona, ndërsa në spital u shoqëruan 32 vetë që morën mjekim. Nga të plagosurit dy prej tyre ishin në gjendje të rëndë shëndetësore, pikërisht Artan Kojku dhe Antonio Faqolli.

Mes të plagosurve ndodhej edhe kreu i degës së Librazhdit për Aleancën Kuq e Zi, Fatmir Brazhda si dhe vëllai i tij, Dritan Brazhda. Dy të plagosurit që po vëzhgohen në reanimacionit e kirurgjisë, por sipas mjekut anestezist reanimator, Behar Gjevori gjendja e tyre paraqitet jashtë rrezikut për jetën dhe nuk kanë nevojë për ndonjë ndërhyrje kirurgjikale.

Skena e ngjarjes

Menjëherë pas marrjes së informacionit mbi aksidentin e rëndë në drejtim të vendit të ngjarjes u nisën efektivë të policisë së Elbasanit si dhe disa autoambulanca për të kryer transportimin e të plagosurve. Aksidenti ndodhi në një rrugë të drejtë, ndërsa në mes të segmentit rreth 300 metra të gjatë, kur autobusi dukej të ishte zhvendosur nga krahu i djathtë i rrugës, që ishte korsia e tij në krahun e majtë. Në rrugë dukeshin gjurmë gomash të cilat sipas ekspertëve, janë gjurmë të një frenimi të mundshëm të mjetit për të shmangur rrezikun, apo e një tendosje apo shtrëngim të gomave, (streçim). Ky veprim mund të ketë ndodhur për shkak të tentativës së drejtuesit të mjetit për të shmangur një rrezik, ndërkohë që gomat, sipas ekspertëve, mund të kenë pësuar tendosje, duke sjellë më pas edhe rrëshqitjen e autobusit jashtë rrugës. Më pas mjeti është përmbysur dhe rrotulluar së paku 4 herë, në një distancë prej rreth 30 metrash një në një ambient të mbjellë me dru frutorë.

Pas kësaj tendosje të gomave, autobusi 45-vendësh, ka përshkruar një distancë prej rreth 15 metrash, në të cilën dukej më e fortë gjurma e gomës së majtë dhe më pak e fortë ajo e gomës së djathtë.

Në vendin e ngjarjes dukej që gjurma e mjetit kishte arritur një distancë prej rreth 10 metra afërsisht. Më pas gjurmët e gomave dukeshin që mbërrinin drejt në mënyrë diagonale jashtë rrugës duke dalë fillimisht goma e majtë dhe më pas ajo e djathta pak metra më tej. Në këtë kohë disa prej mjeteve të pasagjerëve si fugonë, apo edhe vetura që kalonin pranë vendit të ngjarjes ndaluan duke iu dhënë ndihmën e parë të dëmtuarve deri në mbërritjen e autoambulancave.

Nga hetimet e para, policia ka ngritur dyshimet se shoferi i mjetit, mund të ketë humbur drejtimin për shkak të mungesës së vëmendjes. Hetuesit verifikuan edhe gjendjen e alkoolit në gjak të drejtuesit të mjetit dhe konstatuan se ai nuk kishte konsumuar asnjë mililitër alkool. Po kështu sipas burimeve të policisë, ai ishte drejtues mjeti me eksperiencë për këtë kategori, pasi punon prej më tepër se 12 vitesh në linjën Librazhd- Tiranë e anasjelltas, ose Librazhd- Durrës, e cila ishte edhe linja që ai kryente kohët e fundit. Këto teste të policisë, bënë që të kërkoheshin ekspertë autoteknikë të pavarur për të hetuar aksidentin në fjalë. Konkluzionet paraprake të policisë flisnin për një gabim të drejtuesit të mjetit që vjen nga shpërqendrimi i vëmendjes së tij. Për kundër këtij fakti, ky i fundit ka mohuar këtë version, duke u mbrojtur me faktin se atë e kishte goditur një mjet tjetër që ishte larguar nga vendi i ngjarjes me shpejtësi.

Mjekët

Menjëherë i gjithë ekipi mjekësor është angazhuar në përballimin e situatës. Janë shfrytëzuar të gjithë shtretërit, janë lajmëruar mjekët në pushim duke bërë të mundur që t’i vihet në ndihmë të gjithë të plagosurve të cilët sa vinin e shtoheshin. Janë shfrytëzuar dhomat e reanimacionit dhe i janë nënshtruar regjistrimit dhe mjekimit të gjithë ata që kishin plagë të dukshme në trup.

Drejtori Rajonal i Shëndetit, njëkohësisht kirurg, Bujar Kllogjeri tha se nga gjendja e paraqitur deri tani nuk ka nevojë transportimi drejt Tiranës të të plagosurve rëndë. Kryesisht janë politrauma, thyerje dhe plagë të lehta. Fatmirësisht pjesa më e madhe e të plagosurve janë të rinj dhe nuk kanë shfaqur probleme shëndetësore shtesë,-shtoi ai.

Mjeku reanimator Behar Gjevori tha se janë duke u bërë ekzaminimet për rastet që paraqiten më rëndë për trauma të toraskut apo hemoragji të barkut. Të gjithë janë të stabilizuar dhe nuk përbëjnë shqetësim për jetën e tyre.

 

Emrat e të dëmtuarve

 

Për ekzamimine në ambientet spitalore janë dërguar shtetasit:

 

1.    Mitat Biçaku 48 vjeç drejtuesi i automjetit

 

2.    Shqipe Sula 35 vjeç

 

3.    Meti Hysa 32 vjeç

 

4.    Olti Ozuni 17 vjeç

 

5.    Refik Karai 29

 

6.    Latif Kojku 24 vjeç

 

7. Artan Kojku 24 vjeç

 

8.    Antonio Faqolli 37 vjeç

 

9.    Ymer Hoxha 18 vjeç

 

10.    Oltion Xhela 21 vjeç

 

11.   Andi Koxha 20 vjeç

 

12. Dritan Lalushi 20 vjeç

 

13. Hamit Dosku 24 vjeç

 

14. Florian Shkurti 20 vjeç

 

15.  Pranvera Sallaku 25 vjeç

 

16.  Dritan Brazhda 25 vjeç

 

17.  Taulant Muça 24 vjeç

 

18. Endri Shkurti 23 vjeç

 

19.   Ari Kojku 22 vjeç

 

20.  Albert Stafa 26 vjeç

 

21.  Mehmet Dosku 19 vjeç

 

22. Bledi Gështenja 24

 

23. Jetmir Disha 22

 

24. Abedin Kojku 66 vjeç

 

25. Astrit Komici 27 vjeç

 

26. Artemis Koçi 13 vjeç

 

27. Syrja Kurti 24 vjeç

 

28. Edmond Kurti 35 vjeç

 

29. Albina Hysa 23 vjeç

 

30. Altin Alla 23 vjeç

 

31. Emiljano Çota 19 vjeç

 

32. Fatmir Dosku 41 vjeç

 

Nga këta, 6 janë plagosur, ndërkohë që të tjerët që kryesisht kanë pësuar dëmtime më të lehta, si gërvishtje etj. Deri në këto momente janë larguar nga ambientet spitalore 25 të dëmtuar lehtë dhe vazhdojnë të qëndrojnë në ambientet spitalore:

Refik Karaj

Jetmir Disha

Taulant Muça

Artan Kojku

Antonio Fraholli

Mit’hat Biçaku

 

 

 

Dëshmitë

Shoferi: Një makinë na goditi te goma

Shoferi i mjetit Mit’hat Biçaku ka marrë mjekim nën shoqërimin e forcave të policisë në katin e tretë të spitalit kirurgjik, pikërisht në dhomën ku mbahen të burgosurit. Vetëm me ardhjen e kryetarit të Aleancës u bë e mundur kontakti me të. “Një makinë na goditi. Nuk di të them nëse e bëri qëllimisht, por me goditjen te pjesa e gomës nuk munda ta kontrolloj dot më. E bëj përditë atë rrugë. S’më ka ndodhur kurrë ndonjë gjë e tillë. Ndjehem mjaft keq. Është e tmerrshme”.

“Ja si doli autobusi nga rruga”

 

Fatmir Brazhda, kryetar i Aleancës Kuq e Zi për Librazhdin ka pësuar gjithashtu dëmtime të lehta në duar dhe në pjesë të trupit, por është ai që ka mbajtur kontaktet me familjarët dhe me pjesën tjetër duke qetësuar ankthin e tyre dhe duke kontrolluar që të gjithë të ishin mirë. Ai tha se “udhëtimi po ecte mjaft mirë vetëm kur në një moment një automjet fuoristradë e zezë po parakalonte. Ajo i ka rënë me një lëvizje në një pjesë të rrotës dhe e ka bërë këtë veprim dy herë. Autobusi u mundua ta mbronte se po të shkonte nga drejtimi i saj do ta përplaste. Për shkak të përplasjes humb kontrollin dhe futemi në anësore. Drejtuesi i mjetit me gjithë përpjekjet nuk ka arritur të mbajë brenda rrugës për shkak të dëmtimit dhe jemi rrokullisur”.

 

Andi Koxha: “Fuoristrada na goditi qëllimisht”

 

Andi Koxha me një dorë të qepur dhe plagë në fytyrë thotë se autobuzi nuk do kishte dalë nga rruga nëse nuk do t’i ishte afruar fuoristrada. “Ne u nisëm nga Tirana pas orës 2. gjithçka ishte normale vetëm kur na afrohet fuoristrada. Unë isha në anën e saj dhe e pashë me vëmendje. Ishte një Range Rover i zi nga këto të rejat me targë AA.  Fillimisht menduam se kjo ndodhi aksidentalisht, por kur tentoi sërish atëherë autobusi humbi kontrollin dhe u rrokullisëm. Nuk mbaj mend më gjë tjetër”.

 

Endri Shkurti: Më nxorën nga dritarja

23-vjeçari ka një dëmtim në kokë dhe në trup. I riu ndodhet në një nga dhomat e reanimacionit në katin e parë, pasi ka marrë mjekimin thotë se të gjithë kanë shpëtuar mrekullisht. “Më nxorën nga dritarja e autobusit të rrokullisur. Ishte një makinë që tentoi të na parakalonte dhe ceku autobusin, na nxori nga rruga. Faleminderit Zotit, që nuk ka vdekur njeri”.

 

Pranvera Sallaku: Për fat na mbajtën pemët e qershive

 

“Nuk e kuptuam si ndodhi aksidenti. Vetëm në një moment autobusi u lëkund, humbi drejtimin. Gjërat kishin shkuar shumë normalisht, ecte ngadalë dhe ne ishim duke diskutuar mbi kongresin, vetëm kur e gjetëm veten poshtë. Mendoj se e penguan qershitë të mos binte më poshtë pasi në të kundërt nuk e di çfarë do të kishte ndodhur me ne.

 

 

Refik Karaj: Dëgjova një goditje

 

“Një moment dëgjova një goditje. Më pas pashë që autobusi po dilte nga rruga dhe u rrokullis. Unë ndodhesha në sediljet e autobusit në të djathtë në mes të tij. Pak momente pas goditjes ai doli nga rruga dhe u rrokullis tatëpjetë disa herë. Fillimisht arrita të mbahesha, por më pas rrëshqita. Pashë që pasi doli nga rruga autobusi u rrokullis disa herë. Më nxori nga dritarja. Në këtë moment nxori edhe një person tjetër dhe mu duk sikur ishte Artan Kojku. Pastaj zbritën edhe të tjerët. Unë ndihmova një vajzë që nuk dilte dot nga autobusi”

 

 

 

Spahiu:

“Policia tëhetojëRangeRover-in, ndryshe do të hetojmë vetë”

 

Kreshnik Spahiu ka mbërritur në spitalin kirurgjik të Elbasanit i shoqëruar nga anëtarë të kryesisë dhe aktivistë të kësaj force politike. Ai ka vizituar të gjithë të dëmtuarit në dhomat e kirurgjikut duke u përballur gjatë vizitave edhe me deputetin e PD të Librazhdit Rrahim Çota. Ky i fundit i tha se vjen vonë dhe me kollare të kuqe bashkë me mediat me vete. Spahiu nuk ka dashur të diskutojë me Çotën edhe pse ky i fundit ka vazhduar debatin me anëtarë të tjerë të Aleancës të ndodhur në dhomë. “Jemi në pritje që policia e shtetit të zbulojë makinën range i zi që ka goditur autobusin me delegatë.

Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe dëshirojmë që të jetë thjesht një aksident me shkelje të rregullave të qarkullimit. I kërkojmë policisë të hetojë me përparësi këtë ngjarje, në të kundërt do ta bëjmë vetë”-tha Spahiu.

 

 

Policia:Pohetohet mundësia e pranisë së një mjeti tjetër

 

Policia rrugore me ekspertët e saj është duke hetuar shkaqet e aksidentit. Drejtori i Policisë Emri Vata tha se hetimet janë në fazën fillestare dhe se nuk mund të ketë asnjë konkluzion ende për praninë e një mjeti “Range rover”, sipas pretendimeve të anëtarëve të Aleancës.Popunohet në vendin e ngjarjes, nëse ka dëshmi të tjera do të ballafaqohen për të dalë në përfundime. Ndërkohë, sipas ekspertizës paraprake të policisë, në rastin e prezencës së një mjeti tjetër, autobusi do të kishte devijuar në anën shkëmbore të rrugës dhe jo nga ana e greminës. Mbeten për t’u vërtetuar dëshmitë si dhe do të hetohen shenjat që mund të ketë lënë mjeti tjetër nëse ka ekzistuar vërtet, në autobus. Gjithçka do t’i mbetet hetimeve në vijim, përfundon Vata.

Opinion

Mungojnë barrierat

 

Artur Sulçe

Inxhinier komunikacioni

 

Në rast se do të shohim background-in e aksidenteve rrugore të autobusëve në këto vitet e fundit, të gjithë kanë të njëjtën arsye të pësimit të aksidentit. Konkretisht autobusi i linjës greke në rrugën “Ballsh-Tepelenë” ka rënë për mungesë të elementëve të sigurisë rrugore (mungesa e barrierave për veprat e artit) si edhe mangësive të projektimit të kthesave të rrugëve. Dy autobusët e rënë në zonën e Pukës, për të njëjtën arsye, po kështu në këtë zonë ka ndodhur dhe rënia e një trajleri afër Dardhës së Pukës për mungesë të elementeve të sigurisë rrugore. Aksidentet me dalje nga rruga të cilat janë bërë të shpeshta në rrugën Burrel – Peshkopi, janë për mangësi të elementeve të sigurisë rrugore (mungesa e gardreilit (mburojave anash). Autobusi i Himarës ra se gardreili nuk ishte për automjetin i cili doli jashtë rruge duke mos i dhënë asnjë mundësi drejtuesit të mjetit të futej në rrugë përsëri. Po kështu edhe autobusi që ra sot (dje) nga pamjet filmike dukej se nuk kishte gardreil, po kështu mungonte edhe sinjalistika vertikale dhe horizontale e ndalimit të mjeteve të cilat nuk duhet të kalojnë në këto segmente rrugore.

 

Dashamir Biçaku/Bardha Ndregjoni/Foto: Franc Zhurda

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu