Një President “Drama Queen” dhe Filmat për Shitje-Blerje Votash

0
93

Presidenti Hashim Thaçi ka shkaktuar një debat të ri në procesin e krijimit të institucioneve të Kosovës pas rezultatit të zgjedhjeve, me një ftesë të dërguar dy ditë më parë në adresë të të gjitha partive anëtare të Kuvendit të ri të Kosovës.

Një ndikim të tillë ai e ka krijuar herë pas here qysh prej kohës kur u zgjodh president, duke e përdorur si taktikë për të qenë në qendër të vëmendjes por duke mos arritur finalizimin e asnjë procesi për të cilin vetëm është folur shumë.

Prej nismave të tija për pajtim, tek letrat “urdhëruese” ndaj Prokurorisë e deri tek “krijimi i ushtrisë” bashkë me ftesën e fundit për një “takim konsultativ” me partitë që nuk pranojnë as të diskutojnë me njëra-tjetrën, presidenti i vendit ka treguar se Hashim Thaçi si president është një “drama queen”.

“drama queen” –një person i cili vazhdimisht i përgjigjet situatave në mënyrë melodramatike

Presidenti nuk ka qenë i aftë as t’u qëndroj vendimeve të tija të prera deri në “dorëheqje në rast dështimi” për ushtrinë e as për vendime tepër të lehta që i takojnë me ligj e rregullore sikurse “caktimi i seancës së parë të një Kuvendi”.

Gati të gjitha “situatave” përfshirë dhe kësaj të fundit, presidenti u është “përgjigjur në mënyrë melodramatike”.

Por të ndalemi tek “situata” e fundit.

E enjtja është dita e dytë që kur koalicionet dhe partitë që kanë arritur të futen në Kuvend kanë marrë një ftesë nga presidenti.

Në atë ftesë presidenti i fton partitë në një takim konsultativ. Për një datë. Një datë për të mbajtur seancën e parë të një Kuvendi i cili është mbledhur kësisoj nja pesë herë. Caktimi i një date për një seancë konsultative për legjislaturën e gjashtë të Kuvendit nuk është se luan ndonjë rol tek partitë politike.

Koalicioni fitues PAN dhe “koalicioni” tashmë paszgjedhor LAA-VV, të dyja që nga certifikimi i rezultateve kanë deklaruar se i kanë numrat. Pra me këtë logjikë, caktimi i një date nuk është se luan ndonjë rol për koalicionet që i kanë numrat. Ata janë gati të formojnë Qeverinë. I kanë numrat. E kanë thënë me qindra herë deri më tash.

Për këtë arsye, presidenti nuk është se ka thirrur ndonjë takim për të unifikuar partitë rreth diçkaje që nuk ka pajtueshmëri, sepse data nuk është problem. Problem janë numrat.

“Mbledhja konstituive e legjislaturës së Kuvendit Mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit e thërret Presidenti i Republikës së Kosovës brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve”, thuhet në kreun III (Konstituimi i Legjislaturës së Kuvendit, Neni 7)- Rregullore e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Presidenti do të duhej të thërriste partitë në një takim të tillë nëse ai pas konsultimit me to do të vërente se ka dallime andaj edhe ftesa e kur e tregon qëllimin e takimit del qesharak dhe melodramatike.

“Ju ftoj që të merrni pjesë në takimin konsultativ për caktimin e datës për mbajtjen e mbledhjes së parë të Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me qëllim të konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura me 11 qershor”, ftesa e presidentit dërguar partive.

Në këtë mënyrë presidenti thirri partitë për një takim që nuk ka ndonjë rëndësi se në cilën datë do të konstituohet por në cilën formë dhe çka do të prodhoj qysh në seancën e parë.

Pra çfarë kryetari do të votojë dhe cilën Qeveri do ta krijojë.

Por presidenti e di fare mirë krejt këtë por në këtë mënyrë ai është në qendër të vëmendjes. Të gjitha partitë duhet ti përgjigjen për një takim që nuk është i rëndësishëm për probleme reale që i ka vendi në “qëllimin për konstituim të institucioneve të Republikës së Kosovës”: Kush do ta bëjë Qeverinë?

E partitë, të cilat gjithashtu e dinë se debati mbi këtë takim, apo pjesëmarrja në të nuk është se do të luaj ndonjë rol përderisa ato ballafaqohen me faktin se i kanë apo nuk i kanë numrat për të krijuar Qeverinë, e shfrytëzojnë këtë periudhë për të akuzuar njëra –tjetrën dhe presidentin.

Kryefjala: blerje kohe që përkthehet si vota.

Pra nga nja proces kur partitë politike në Kosovë akuzojnë njëra tjetrën se po blejnë vota të qytetarëve gjatë ditës së zgjedhjeve kanë kaluar në një periudhë tjetër ku akuzojnë njëra-tjetrën se po blejnë të zgjedhurit nga votat e shitura-blera.

Në fakt të gjitha partitë po blejnë kohë dhe po sheshin kohë. Këtë ua ka mundësuar presidenti i cili del si faktor kyç për të caktuar një datë të Kuvendit.

Për me qenë më turpëruese për neve që i kemi zgjedhur,  të zgjedhurit i referohen vetës si numra.

Është fyes fakti se të zgjedhurit të pajtohen t’i referohen vetës dhe të tjerëve të zgjedhur si numra që shërbejnë për dikë që të bëhet kryeministër.

Pra ata, nga të zgjedhurit për të qenë faktor në zhvillim të vendit degradohen qysh në fillim duke u bërë numra që vihen në funksion të një posti. Dhe përvojat nga legjislaturat e tjera na e kanë treguar se të zgjedhurit qysh prej kohës kur e votojnë një Qeveri mbesin peng të saj. Ata që nuk e votojnë Qeverinë mbesin peng të kundërshtimit të përjetshëm.

Një shprehje e re në sllangun kosovar që e përdor fjalën “film” për të shpjeguar një situatë reale e cila ngjason me ngjarjet nëpër filma, i shkon më së miri realitetit politik kosovar.

Ngjanë sikur të ishte Festivali i Filmave Politik ku secila parti garon me “filmin” e saj bazuar në histori a fakte të vërteta, triller a komedi.

Por filmin dramatik, padyshim e luan presidenti, dhe si për rastësi, ai të enjten, është takuar me regjisorin dhe skenaristin e njohur botëror, fitues i çmimit “Oscar” e “Bafta”, Paul Haggis i njohur për filmat të zhanrit drama.

Nga: Vullnet Krasniqi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu