Një shtatore për Rugovën në Tiranë

0
172

Dilaver Goxhai

Më 21 janar 2016, Partia Demokratike i kërkoi Parlamentit tonë të miratonte ngritjen e një shtatoreje të Ibrahim Rugovës, në qendër të Titranës.

Nuk është hera e parë që PD-ja e shtron këtë kërkesë, pasi ajo, disa kohë më herët shkoi a larg sa, e krahasoi Rugovën edhe me Skënderbeun! Me sa duket, motivacioni që paraqiti PD-ja, nuk e ka bindur mazhorancën. Edhe unë si qytetar i thjeshtë dhe si pjesmarrës në luftën për çlirimin  e Kosovës, në këtë rast përkrah vendin e mazhorancës sonë parlamentare.

Dhe ja pse: Së pari, lufta në Kosovë, gjatë viteve 998-1999 mori karakter kombëtar, se dhe vetë UÇK-ja mori tiparet e një ushtrie kombëtare, si në asnjë rast tjetër historik, përveç ushtrisë së Skënderbeut dhe asaj të Lidhjes së Prizrenit. Por, krahas karakterit kombëtar që mori UÇK-ja, fatkeqësisht, populli shqiptar në Kosovë, në shumicën e tij u mashtrua nga politika pacifiste e Ibrahim Rugovës, duke u bindur se lirinë do t’ia dhuronin serbët nën presionin e Evropës dhe të tjerëve. A mund të presësh shërim nga ai që të shkakton plagën? Si rrjedhojë e kësaj propagande pacifiste, populli shqiptar në Kosovë përgjithësisht u bë i pavendosur dhe dyshues ndaj luftës me armë. Si rjedhojë, një pjesë e madhe e tij zgjodhi rrugën e mesme, indiferentizmin. Mirëpo, indiferenti nuk ndjen detyrim moral para shoqërisë. Dhe këtë e ka shprehur artistikisht Bertolt Breht: “Ai që rri në shtëpi kur fillon lufta / dhe i lë të tjerët të luftojnë për çështjen e tij, / ai le të ketë mëndjen: sepse / kush nuk e ndau luftën me shokët, / ai me armikun do të ndai disfatën./ Ai që luftën kërkon ta mënjanojë, / s’e mënjanon dot’ kurrë: sepse / për çështjen e armikut do të luftojë / ai që s’luftoi për popullin e tij”. Këto vargje të Brehtit përkojnë me atë që pat thënë dikur Presidenti Uillson, për angazhimin e SHBA në Luftën I Botërore: “Lufta do të jetë më e rrezikshme për ne, në rast se mbyllim dyert e dritaret, se sa po të dalim në rrugë e të ndeshemi me armikun”.

Që mazhoranca parlamentare e 21 janarit 2016 ka marrë vendim të drejtë, është edhe për faktin se Ibrahim Rugova dhe partia e tij, LDK-ja, ishin ata që e akuzonin UÇK-në si një ushtri e udhëhequr nga ideologji marksiste, komuniste, enveriste etj., dhe, çuditërisht, nuk e akuzuan për titiste!. Çfarë ishin këto akuza? Jo vetëm mosmirënjohje ndaj atyre që derdhnin gjakun për lirinë edhe të pacifistëve, por treguan edhe mediokritetin e tyre, pasi historikisht asnjë luftë nuk është zhvilluar për interesa ideologjike, por thjeshtë për interesa jetike. “Përsa i përket ideologjisë, ajo i arsyeton interesat jetike të luftës, shpjegon Ukshin Hoti, por nuk mund të jetë zevendësimi i atyre interesave”. Madje, lufta e jonë në Kosovë pati edhe një veçori specifike: ojektivi final i saj ishte deri në kufijtë e çlirimit të Kosovës nga pushtimi Serbisë dhe nuk u shtri në sferën e çlirimit shoqëror, si dhe ishte një luftë edhe pa një program ekonomik. Vetëm këto dy fakte e bindin cilindo skeptik që ajo luftë nuk mund të akuzohej kurrësesi për tipare ideologjike, e cila shprehej edhe në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: “Ne luftojmë për shtet dhe jo për pushtet”.

Duke qenë se ky ishte objektivi ynë politik, prandaj nuk u angazhuam fare për objektivin për marrjen ose përmbysjen e pushteit paralel ekzistus të LDK-së së Rugovës. Dhe këtë nuk e vumë aspak në program, ndryshe do t’i kishim dhënë asaj lufte edhe tipare të një lufte civile, e cila u provokua nga LDK-ja, përmes ngritjes të të ashtuquajturës, Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës” (FARK), duke angazhuar Tahir Zemën me gjashtëmbëdhjetë oficerë të tjerë. Madje pse Tahir Zema mori atë guxim për ta devijuar nga shtrati çlirimtar luftën që bënte UÇK-ja, prandaj Ibrahim Rugova e shpalli atë pas lufte “Legjendë e luftës”. Si mund të shpallej hero një komandant, i cili u largua nga lufta, duke marrë me vete mijëra ushtarë, dhe me të mbritur në Bjeshkët e Nëmuna u tha: “UÇK-ja mori fund, tashti ikni në Evropë dhe mendoni për veten tuaj”, ndërkohë që në Himnin tonë Kombëtar thuhet: “Nga lufta veç ai largohet, që ka lindur tradhëtor”. Edhe vetë Rugova u largua nga lufta, edhe pse në Kushtetutën e Kaçanikut ai e kish emëruar veten Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kosovës. Ajo çka e rëndon edhe më shumë Rugovën, me atë ikje nga lufta, është edhe fakti se ai kish rënë dakort dhe e kishnënshkruar krijimin e Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës për drejtimin e luftës, maje në prezencën e zonjës Ollbrajt. Mos harrojmë edhe faktin tjetër që as Rugova dhe asnjë prej udhëheqësve të LDK-së nuk është përkulur para një varri të dëshmorëve të asaj lufte,si dhe faktin tjetër që Rugova, gjatë qëndriit në Itali, në gusht 1999 deklaronte: “Unë do të kthehem në Kosovë kur të jetë çarmatosur edhe ushtari i fundit i UÇK-së”. A ka fyerje më të madhe për atë ushtri çlirimtare? Dhe ne duam t’i ngremë shtatore!

E veçanta qëndron se, po t’i marrësh si individë të gjithë intelektualët e Kosovës, që e akuzuan dhe e akuzojnë UÇK-në, si enveriste apo marksiste, ishin dhe janë ndër titistët më të thekur! Ndërsa intelektualët kritizerë të shtetit amë, si ata që e heqin veten kozmopolitë, edhe ata që e heqin veten patriotë të mirëfilltë, ishin të parët që e kritikuan metodën e fitores së lirisë nëpërmjet luftës së armatosur, pasi lufta e armatosur, atyre iu duket jashtë mode. Kësaj lloj inteligjence i mungon vetëdija mbi realitetin, i mungon aftësia analizuese, ngaqë kanë dije të deformuara mbi realitetin e luftës sonë dhe të kombit tonë. Në këtë mënyrë ata u shndërruan në armiqtë për lirinë e Kosovës. Është fakt që ata luftuan më shumë kundër UÇK-së, se sa kundër propagandës dhe luftës së padrejtë të serbëve, të mbështetur nga të gjithë sllavët dhe fqinjët tanë. Do t’ua falnim atë qëndrim nëse sot do të kishin ndryshuar qëndrim. Pse nuk kërkon PD-ja dhe partitë e tjera të ngrenë të paktën një obelisk, për UÇK-në dhe vullnetarët nga Shqipëria, që shkuan për të dhënë gjithçka, edhe jetën, për çlirimin e Kosovës, por propozojnë për ata që e anatemuan atë luftë e atë ushtri çlirimtare?! Intelektualët, PD-ja dhe gjithë forcat e tjera politike të Tiranës, që mbështesnin dhe mbështesin Rugovën, e dinin mjaft mirë, se UÇK-ja luftonte kundër një shteti sllavo-komunist. Atëhere si mundet që UÇK-ja “komuniste” do të bënte luftë, duke u udhëhequr nga botkuptimi komunist, kundër një armiku me bindje të njëjta komuniste, nëse do të pranojmë se lufta jonë ishte luftë ideologjike?!

Dihet gjithashtu që Rugova shkoi deri tek Presidenti Bill Klinton,më 28 maj 1998, i shoqëruar prej Fehmi Aganit, Bujar Bukoshit dhe Veton Surroi, për t’i kundërvënë  UÇK-së edhe Amerikën, duke i thënë: “Grupet e armatosura në Kosovë, përgjithësishtë kanë pikpamje të majta, pra janë nga ata që kanë patur ide të majta, drejtohen nga njerëz që edhe sot e kësaj dite kanë nostalgji për ish figura të njohura komuniste, si për shëmbëll për Enver Hoxhën, i cili ka qënë diktator i madh komunist. Ka tani një lidhje sepse grupe të armatosura shpërthyen pikërisht me shumicë kur socialistët erdhën në pushtet në Shqipëri. Qeveria e Shqipërisë, pra kjo qeveri që është sot, është krejtësishtë në krahun e grupeve të armatosura. Ajo edhe mund të jetë frymëzuese e tyre, ndoshta edhe organizatore…. Kur në pushtetin shqiptar ishin forcat e djathta, me të cilat ne kemi bashkëpunuar që nga fillimi, edhe në Kosovë kishte gjëndje tjetër...Nga Shqipëria janë futur armë dhe mjete të tjera. Futen njerëz, futen gjithçka. Kjo e radikalizoi gjëndjen dhe mund të shkoi edhe më tutje drejt eskalimit. Prandaj edhe mardhëniet tona me zotin Nano, marëdhëniet e mia me të, janë ngrirë”.

Kjo ligjëratë e Rugovës, nuk ka kuptim tjetër veç asaj që Rugova dhe udhëheqja e LDK-së nuk kishin tendencë për ta çliruar Kosovën nga Serbia.

Mirëpo Presidenti Klinton e kundërshton haptas Rugovën, duke i thënë: “Pra,(qeveria socialiste e Tiranës, D.G.), është në krah të kundërt me qëndrimin sërb dhe unë këtë e gjej të mirë… Përse e keni këtë mendim? Të dhënat tona dhe burimet e tjera nuk e tregojnë këtë.”, (se luftën në Kosovë e nxiste qeveria socialiste e Tiranës, D.G.). Dhe më poshtë, Presidenti Klinton i përgjigjet Rugovës në favor të luftës që bënte UÇK-ja dhe kundër politikës nënshtruese të Rugovës, duke i thënë shprehimisht: “Ne kemi mendimin se në Shqipëri po punohet mirë për problemin e Kosovës… Ju duhet të takoheni me Nanon. Në se qeveria e tanishme në Shqipëri ndihmon aktivisht luftën që zhvillohet në Kosovë, nuk bën mirë…., por mundësitë e saj janë të pakta për gjëndjen që është atje… Ne do t’i përkrahim ata, sidomos për vizionin e qartë për problemin e Kosovës”.

Ky dialog midis Presidentit Klinton dhe Rugovës tregon fare qartë që Klinton e njihte më mirë se Rugova situatën në Kosovë dhe ishte plotësisht i mendimit se vetëm me luftë të armatosur mund të fitohej lirija dhe jo me pacifizmin e Rugovës. Si ua merr mendia këtyre që i ngrenë shtatore Rugovës, se ky i fundit nuk e dinte atë që dinte Presidenti Amerikës? Edhe intelektuali i “pavarur” i Kosovës që e pat marrë me vete Rugova në takimin me z. Klinton, Veton Surroi, edhe ai e mbështeti Rugovën në atë takim, duke i thënë z. Klintonit, se: “Veshja e jashtme e politikës së Nanos është moderne, thelbi është nacionalist”.

Shpifjet e Rugovës dhe e mbështetësve të tij kunër UÇK-së e bënë punën e tyre, ato u pëlqyen dhe u morrën si të vërteta nga disa polikanë të NATO-s, (ndoshta u pëlqeu ashtu), ndaj dhe këta të fundit janë shprehur disa herë se nuk e kanë patur dhe ende nuk e kanë të qartë se cili ka qënë programi politik i UÇK-së. Ky gjoja dyshim i tyre u konkretizua jo vetëm në mos deklarimin zyrtar të UÇK-së si aleate e tyre, kuptohet pas luftës, por edhe në mos pranimin e saj si palë fituese në bisedimet e Kumanovës, ndaj dhe vitin e kaluar ngritën Gjykatën Speciale, veçant kundër pjestarëve të UÇK-së dhe aspak kundër serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës që vranë shqiptarë dhe dogjën Kosovën. Dhe,çuditërisht, për ngritjen e kësaj gjykate u shprehën dakort jo vetëm LDK-ja tërësisht, por edhe PDK-ja e udhëhequr nga Hashim Thaçi!

Përgjigjia e z.Klinton, nuk ishte gjë tjetër veçse kursi politik i SHBA, e përcaktuar nga Doktrina Monro, doktrinë e cila është vënë në jetë në Amerikë, për herë të tretë nga zoti Klinton, ndaj dhe u quajt Doktrina Klinton, e cila pak a shumë përcaktohet kështu: Kudo që shpaloset flamuri i lirisë apo i pavarësisë, atje do të jetë zemra e Amerikës. Ndaj dhe ai deklaroi në fund të atij takimi, duke thënë: “Nuk do të lejojmë që Kosova të shndërrohej në një Bosnjë të dytë, që tregon se po ia bënte të qartë Rugovës:  Ju filloni luftën, se ne nuk do ta lëmë Sërbinë të përsërisi masakrat si në Bosnjë.

Le të na thonë këta që i bëjnë hosanara Rugovës, se si do ta justifikonte Amerika ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, në rast se nuk do të kishte luftë, në rast se nuk do të kishim UÇK? Pse nuk ndërhyri ushtarakisht NATO-ja në Kosovë të nesërmen e takimit të Rugovës me z.Klinton, ose pas tre a gjashtë muajsh? Kush duhej ta bënte luftën? Ata që pajiseshin me viza europiane nga ato agjensitë shqiptaro-serbe, që vepronin me dijeninë e udhëheqjes së LDK-së dhe të Rugovës e nën hundën e tyre, në të gjitha lagjet e Prishtinës?

Le ta shohim atë takim të Rogovës me z.Klinton edhe në një kënd tjetër. Në Kosovë kish të paktën tre muaj që bëhej luftë e armatosur, kur Rogova shkoi në Pentagon. Në atë moment kohor, për të cilin po flasim, personi dhe faktori politik më i njohur në Kosovë nga ndërkombëtarët ishin Rugova dhe partia e tij. Klintoni, duke i qëndruar besnik Doktrinës Monro, e priti Rugovën, pasi në atë kohë, Rugova dhe partia e tij ishin i vetmi faktor politik dhe e vetmia rezistencë politike në Kosovë, në rast se do ta quajmë rezistencë. Mirëpo, po të analizojmë kronologjinë e ngjarjeve të mëpasme, (pas atij takimi), del se pritja e Rugovës dhe e Bukoshit nga Klintoni, nuk duhet kuptuar se SHBA përkrahnin politikën e Rugovës. Për këtë po i marrim ngjarjet me radhë. E para, atë ditë të takimit, më 29 maj, Sërbia filloi një operacionin të gjerë ushtarako-policore kundër forcave të UÇK-së, në Dukagjin dhe në Drenicë. UÇK-ja iu kundërpërgjigj me një rezistencë të konsiderueshme, gjë që Sërbisë iu desh të angazhonte edhe aviacionin ushtarak. Kjo bëri që luftimet të zgjateshin me ditë të tëra.E dyta, ai operacion dhe zgjatja e tij për meritë të UÇK-së, tërhoqi vëmëndjen e gjithë botës demokratike, ndaj dhe ajo e anulloi mbledhjen e G-8, e cila ishte parashikuar të mbahej në 3 Qershor. E treata, duke mos e pritur atë kundërveprimin të fuqishëm të UÇK-së, Serbia, pa dëshirën e saj, e prezantoi UÇK-në si faktori kyç në zgjidhjen e fatit të Kosovës dhe automatikisht e devalvoi, në sytë e Amerikës dhe diplomacisë ndërkombëtare, pozicionin pacifist indiferent për çlirimin e Kosovës të Rugovës dhe LDK-së.

Millosheviçi, si i zgjuar e i djallëzuar që ishte, e kuptoi shpejt që me atë operacin bëri tre gabime: i pari, bëri autogol; i dyti, nxorri nga skena politike Rugovën;i treti, nxorri në plan të parë UÇK-në. Kjo është arsyeja pse Milloshi në 3 Qershor kërkoi me urgjencë, përmes mediave, takim me Rugovën, duke premtuar se do të ndryshonte Kushtetutën dhe se Kosova do të fitonte statusin e njësisë së tretë federative. Këto janë arsyet kryesore pse u fut në lojë edhe Vatikani, për atë takim të Rugovës me Millosheviçin.

E katërta, Amerika, duke e parë nga afër rezistencën e UÇK-së në atë operacion, përmes të dërguarve të saj, bëri analizën e situatës dhe doli në përfundimin se ajo ishte dizinformuar për UÇK-në, ndaj i kërkoi  ambasadorit Gellbard, i cili lëvizte sa në Beograd në Prishtinë, të jepte informacion se çfarë po ndodhte aktualisht në Kosovë. Dhe, z. Gellbard, në 5 qershor i jep intervistë gazetës sërbe “Europea”, ku thotë: “UÇK-ja nuk është terroriste dhe se në Kosovë kemi kryengritje të armatosur”. Ç’farë duhet të kupojmë nga kjo deklaratë? Kuptojmë se Rugova duhet t’i ketë thënë të kundërtën Klintonit për UÇK-në, pasi s’kish pse e theksonte z. Gellbard, në mënyrë të veçantë: “UÇK-ja nuk është organizatë terroriste por është një ushtri çlirimtare”.

E pesta, një ditë më vonë, në 6 qershor, Drejtori Politik i Ministrisë së Jashtme Gjermane, i cili kish ardhur në Prishtinë, deklaron: mos u shkoi ndërmend ju shqiptarëve se Perëndimi do të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë. Kjo deklaratë diplomatike, për ata që kanë tru, është shumë e qartë: “Shqiptarë, rrëmbeni armët si e vetmja rrugë që u ka mbetur, meqënëse kini filluar kryengritjen e armatosur, çojeni atë deri në fund, nuk ka rrugë tjetër. Mos prisni që t’u çlirojmë ne”. Në diplomaci më shumë rëndësi ka mënyra si e thua dhe jo çfarë thua. Diplomatët lexohen midis rreshtave.

E gjashta, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e patur të qartë, se për momentin ishte e pamundur të ftonin në Shtëpinë e Bardhë një përfaqësues të UÇK-së, për t’u qartësuar më tej rreth saj, prandaj Presidenti Klinton, në 8 Qershor, nis në Junik  ambasadorin Hill, i cili, pasi vizitoi zonat e luftës në Dukagjin u kthye në Prishtinë dhe deklaroi: “nuk mund të ketë negociata të suksesëshme  për Kosovën pa riorganizuar faktorin politik shqiptar të saj në përputhje me rrethanat e reja politike dhe ushtarake në Kosovë”. Kjo deklaratë amerikane e shpallte këtej e tutje Rugovën si të padobishëm për Kosovën dhe Amerikanët.

E shtata, z. Klinton, për t’u bindur përfundimisht se Rugovës i kish ikur koha dhe se lufta me armë në Kosovë ishte serioze dhe e organizuar, Ai, pasi kalojnë dy javë, nisi në Kosovë ambasadorin Hollbruk, me porosi që të takohet me çdo kusht me përfaqësuesit e UÇK-së, në terren. Dhe Hollbruk, në 24 qershor, i shoqëruar edhe nga ambasadori Hill, duke marrë me vete edhe shumë gazetarë të huaj dhe vendas, shkon në Junik dhe takohet  me Lum Haxhinë, zëdhënësi i UÇK-së për nënzonën operative të Rekës së Keqe. Kush ishte Lum Haxhia? Një shkrimtar dhe gazetar shqiptar, i dënuar politik, që vinte nga Perëndimi. Ishte i pari diplomat i lartë amerikan, që takohet në front dhe shtrëngon duart me komandantët e UÇK-së. Atë takim e dhanë gjithë TV-të e botës. Ai takim i tregoi Rugovës dhe gjithë Evropës se, Amerika pozicionohet zyrtarisht dhe botërisht në krah të veprimtarisë së UÇK-së dhe e shpallte drejtpërsëdrejti atë si faktorin kyç dhe luftën, si rrugën e vetme në zgjidhjen e problemit të Kosovës. Me atë veprim diplomatik, Amerika i thoshte popullit shqiptar: Rrëmbeni amët se, vetëm kështu na keni në krah!

Serbia, duke e parë se UÇK-ja po merrte mbështetje ndërkombëtare dhe kjo po shtonte radhët e saj, në fund të korrikut, pasi sjell në Kosovë shumë forca të ushtrisë, ndërmorri një operacion të gjerë ushtarak kundër UÇK-së në gjitha territoret që deri atëhere kontrolloheshin prej saj, operacion i pabarabartë, i cili gati e shpërbëri UÇK-në. Pse e bëri këtë sakrificë Milloshi? Që të shpëtonte Rugovën, ta linte atë të vetmin faktor politik në Kosovë. Mirëpo, pas një periudhe disa mujore, dhe këtu merita të veçanta duhen dhënë Bislim Zyrapit, UÇK-ja u ringrit përsëri dhe u bë më e fuqishme se ç’kish qënë më parë.

Gjatë kësaj periudhe SHBA vazhdonin të mbanin kontakt edhe me Rugovën edhe me UÇK-në, duke vepruar me zgjuarsi, për të mos lënë të kuptohej se SHBA përkrahnin njërën apo tjetrën. Kjo politikë bëhej nga Amerika, pasi ende nuk ishte bindur se do ta merrte apo jo veten UÇK-ja, e cila varej nga ne shqiptarët. Amerika ndjek politikën e përkrahjes të atij që është më i forti në terren, për këtë arsye UÇK-në ajo e kish në plan të parë. Pse?, do të pyes dikush. Sepse fundi i vitit ’98 e gjeti UÇK-në të riorganizuar dhe, si e tillë, ajo e përballoi me sukses ofensivën dimërore të ushtrisë sërbe dhe, nuk ndodhi ajo që pat ndodhur me të në korrik-gusht 1998. Ky fakt e shndërroi UÇK-në në forcën politike dhe ushtarake kryesore dhe më të rëndësishmen në Kosovë. Me këtë veprim UÇK-ja fitoi provimin para SHBA dhe diplomacisë ndërkombëtare. Vetëm pas këtij momenti, kur UÇK-ja u bë zonjë e vetes, diplomacia ndërkombëtare doli me idenë e thirrjes së një koference ndërkombëtare,Rambujenë.

Pra, në prag të ndërhyrjes së NATO-s ushtarakisht, kemi mbështetje të UÇK-së dhe jo të Rugovës, sepse ishte UÇK-ja tashmë ajo që përcaktonte politikën në Kosovë.

Hoqi dorë Amerika nga Rugova, hoqën edhe të tjerët, përveç italianëve dhe francezëve, duke kaluar në krahun e UÇK-së, si faktori i vetëm i brendëshëm dhe kryesor.

Për këtë përfundim kemi një fakt tjerë shumë më kokfort: në 30 Mars 1999, Shtabi i NATO-s deklaroi: “Ne po sulmojmë me aviacion, por edhe shqiptarët duhet të organizohen e të vetëmbrohen”.

Për mos u zgjatur më tej me faktet që Rugova ia mohoi vetes ato merita që pati me themelimin e Republikës së Kosovës, mendoj ta ilustroj me shkuarjen e tij në TV e Beogradit, pasi Qeveria e Përkohëshme dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishin shpallur mobilizimin e përgjithshëm, dhe i bën thirrje NATO-s dhe SHBA që të ndërpriteshin bombardimet ndaj Serbisë! “E kam pyetur Rugovën disa herë, -shkruan ish-Përfaqësuesi Special i OKB në Kosovë, Kushner,- se pse e bëri atë veprim, dhe asnjëherë nuk më ktheu përgjigje”. Nëse do ta kishin çuar në Beograd me detyrim, Rugova nuk kish pse shfaqej gjithë buzëqeshje kur bëri atë thirrje.

Është interesant, pasi kemi edhe një rast tjetër të ngjashëm në histori si ky i Rugovës me Millosheviçin. Është rasti i gjeneralit frances Peten, Heroit më të math tëFrancës në Luftën e Parë Botërore, i cili, me pretendimin për të shpëtuar Francën, iu nënshtrua presionit të Hitlerit, duke pranuar të drejtonte gjysmën e Franvës, atë nën Gjermani, në vitet 1940- 44. Për atë veprim të tij, Gjykata e Lartë e Francës e dënoi me pushkatim gjeneralin Peten, në moshën 84 vjeçare, por që De Goli ia ktheu në burgim të përjetshëm. Meritat që kish patur dikur Peten i hodhi poshtë me nënshtrimin që ai bëri karshi Hitlerit. Edhe Rugova, me atë veprim që bëri, jo vetëm që humbi përkrahjen e Amerikës, por ai humbi respektin e shumicës së shqiptarëve dhe autoritetin moral që kish fituar vitet para se të niste lufta.

Por, nuk përiashtohet mundësia që dikush të shtroi pyetjen: Kur Rugova ka gjithë këto gabime politike e atdhetare, si mund të shpjegohet që respektohet kaq shumë nga Kosova dhe nga vetë Hashim Thaçi, të cilët shkojnë çdo 21 janar e përulen para varrit të tij? LDK-ja dhe të gjithë ata që i kanë justifikuar ato veprime të Rugovës veprojë në këtë mënyrë, për të mohuar atë që thotë Brehti: “kush nuk e ndau luftën me shokët, ai me armikun do të ndajë disfatën”; ndërsa Hashim Thaçi dhe përkrahësit e tij e bëjnë thjesht për t’u pasuruar nëpërmjet pushtetit të tyre palavdi.

Tirane: 22.1.2016

Nga: Dilaver Goxhaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu