Një sprovë e re për Izraelin

0
179

Në vizitën e tij në Tiranë, ministri i Jashtëm i Izraelit, Lieberman, tha që vendi i tij ndodhet në rajonin më të turbullt në botë, atë të Lindjes së Mesme. Nuk vonoi të vërtetohej. Gjashtëmbëdhjetë ushtarë egjiptianë të vrarë në prag të iftarit në kufi, janë mjaft për një krizë midis vendit më të fuqishëm të rajonit, Izraelit, dhe atij më influent të botës arabe, Egjiptit. Dhe janë gjithë përbërësit që gjella të bëhet pikante dhe të djegë të gjithë rreth tryezës. Izraeli ka kohë që përgatitet për përplasje me Iranin, dhe mban gishtin në këmbëz. Vetëm kërkesa e Obamës për maturi në prag të zgjedhjeve amerikane e ka përmbajtur që mos ta tërheqë. Beniamin Netanjahut, i cili ndjen mungesën e karrierës ushtarake në biografi, mund t’i duhet një luftë. Është rruga që të mbesë në histori. Mungesa e eksperiencës luftarake, kompensohet me pasjen në qeveri të Ehud Barak, ushtari më i dekoruar në historinë e Izraelit. Gjithë ai testosteron i grumbulluar për Iranin, rrezikon shpërthim, qoftë edhe në drejtim tjetër. Egjipti përballë është në krizë konstitucionale dhe boshllëk pushtetesh. Presidenti i ri islamik ka deklaruar mbledhjen e parlamentit, i cili është shpërndarë nga Gjykata Kushtetuese nën ndikimin e ushtarakëve. Vendi ka mbi një vit në troshitje sociale, dhe shpesh lufta është rrugëdalje nga krizat. Një eksperiencë që Egjipti e njeh me Naserin dhe pastaj Sadatin. Fajësimi i Izraelit, është një “Causus Beli” e sprovuar.

Por për fat, në Izrael mbizotëroi maturia. Vizita e kryeministrit Netanjahu në vendin e atentatit, dha mesazhe qetësie. Në Jerusalem, kanë filluar ta shohin ndryshimin që po ndodh në rajon. Izraeli nuk ka qenë kurrë më i sigurtë se sot. Shtetet kufitare, ose janë në kaos politik, ose të frikësuar mos sherri iu plas brenda. Vështirë se ndonjëri do t’i hynte aventurës ushtarake. Pavarësisht fitores islamike, Egjipti me ngjarjet e fundit tregoi se nuk është shoqëri uniforme sipas modelit fondamentalist. Përkundrazi, u evidentuan larmishmëri shtresëzimesh, dhe islami i tij politik, ka ndjeshmëri ndaj diversitetit të shoqërisë dhe përgjegjësi ndaj votës e cila nuk ishte në mazhorancë absolute në favor të tij. Ndjehet në elitën e Kajros dëshira për imitim të Turqisë, dhe futjen e fesë në kornizën e institucioneve sekulare, sipas shembullit demokristian në shoqëritë evropianoperëndimore, siç e dinë që njerëzit që dolën në sheshin “Tahrir”, nuk janë gati të veshin uniformën ushtarake. Aspiruan për liri e prosperitet, dhe jo për luftë. Ushtarakët në vetvete, nuk janë kompaktë. Kaq vite aleancë me Shtetet e Bashkuara, kanë influencuar në mentalitetin e trupës së oficerëve. Vendi i dytë për sa i takon ndihmave nga SHBA, e ka të qartë që Uashingtoni nuk do jetë aspak i kënaqur që armatimet e tij të përdoren kundër aleatit më të ngushtë të tij, Izraelit. Dhe sa i takon këtij të fundit, nuk është subjekti me të cilin mund të mprehësh brirët për arsye politike të brendshme, dhe të dalësh pa u lagur në fund. Herën e fundit që e provuan, kolonat tankiste të Ariel Sharon, – ato mote, komandant ushtarak në terren, – u ndalën vetëm disa kilometra larg portave të Kajros, dhe jo për shkak të meritave të ushtrisë egjiptiane, por të presionit të Shtëpisë së Bardhë. Arabët po fillojnë ta kuptojnë se njëzet mijë kilometra katrorë tokë gjysmë e shkretë, e banuar nga hebrenjtë, nuk janë shkaku i varfërisë së tyre, por abuzimi i klasave politike vendase. Izraeli nga ana e tij, nuk ka asnjë arsye pse ta zhvendosë vëmendjen e opinionit publik arab.

Atëherë kush mund të jetë kjo dorë e fshehtë? Cilit i intereson një përplasje në rajon? E para që vjen në mend, është Siria. Një përplasje izraelito-egjiptiane, do ta zhvendoste vëmendjen e botës nga lufta civile siriane. Në këtë mënyrë Asad do ishte i lirë për të masakruar kryengritësit. Inteligjenca e Damaskut është e ngathët jashtë vendit, por shërbimi mund të bëhet me komision. Nuk përjashtohet Irani, i cili gjendet gjithmonë në shënjestrën e aviacionit izraelit. Një Lindje e Mesme në flakë ku Izraeli i ka të zëna duart me Egjiptin, ndërsa bota me Sirinë, do i jepte dorë në zhvillimin e programit të tij bërthamor. Logjika e ftohtë shtetërore, nuk do e këshillonte këtë hap, por duket se në republikën e ajatollahëve, ka disa rryma pushteti, të cilat mund të ndërmarrin një hap të tillë, pa parashikuar pasojat, ku një sulm i përbashkët amerikano-izraelit, do ta fshinte klasën politike aktuale nga faqja e dheut. Fati i Bin Ladenit në arratinë dhe fundin e tij, nuk frymëzon askënd, por shpesh izolimi, të humbet ndjenjën e masës në politikën e jashtme. Nëse vërtetohet që kjo është iniciativë e Teheranit, do sillte si pasojë humbje mbështetjeje në botën arabe. Alternativë e mundshme, mund të jetë edhe një segment i Al Qaedës. Por është e vështirë që kjo të veprojë në territorin e Gazës. Nëse ka ndodhur, atëherë është një risi.

Nga kjo ngjarje, do testohet lideri i ri egjiptian, dhe pjekuria e tij. Gjithashtu është prova e parë reale e Izraelit në një rajon tashmë me fqinjë që kanë klasë politike të ndryshuar, ose në evolucion. Me shpresën se ndoshta “Pranvera Arabe”, ndryshe nga frikërat e justifikuara të një vale fondamentaliste, ka sjellë filizat e demokracisë, me pasoja një shpresë e re për një paqe afatgjatë në rajonin më të trazuar të botës.

 

Nga Dritan Hila

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu