Njëri nga pronarët e kompanisë që u shpërblye nga Qeveria për bileta të aeroplanëve, i përfshirë në tregti droge në Zvicër

0
77

Shteti i Kosovës i ka dhënë një tender në vlerë disa milionëshe kompanisë “MALËSIA Reisen”, në pronësi të Dashurije Aliaj e Rrustem Aliaj. Në degën e kësaj kompanie në Zvicër të quajtur me emrin ‘MALËSIA Reisen” gmbH, pronarët në menaxhment të firmës e kanë të përfshirë edhe djalin e tyre, Avni Aliajn, për të cilin shteti zviceran ka marrë vendim që ta dëbojë pas 40 vjetësh qëndrimi atje, për shkak të dënimit të tij për vjedhje, falsifikim dokumentesh e përfshirjes në tregti droge.

Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë shpërblyer me një tender mbi pesë milionë euro kompaninë ‘MALËSIA Reisen’, për mbulimin e të gjitha shërbimeve të transportit ajror. Ky vendim ishte finalizuar me vendim të Agjencisë Qendrore të Prokurimit të cilin e kishte nënshkruar më 3 tetor të vitit 2018, zyrtari i Prokurimit, Ekrem Rexha.

“Agjencia Shtetërore e Prokurimit Shpërblen me kontratë “MALËSIA Reisen” në vlerë totale të ofertës 5.037.500,00 Euro”, shkruhet në dokumentin e dhënies së tenderit.

Ndërkohë kontrata mes shtetit dhe kompanisë “MALËSIA Reisen” ishte nënshkruar një muaj më pas nga dy zyrtarët e AQP’së, Ekrem Rexha e Behxhet Rrukiqi dhe nga drejtoresha e “MALËSIA Reisen”, Dashurije Aliaj.

Në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit të Republikës së Kosovës, si hisedar i kompanisë “MALËSIA Reisen” figuron edhe Rrustem Aliaj, të cilët sipas informacioneve të Gazetës Express, janë burrë e grua. Familja Aliaj ndërkohë një degë të kompanisë së tyre e kanë edhe në Zvicër, të quajtur “MALËSIA Reisen” Gmbh, e kanë të regjistruar në çështje menaxheriale edhe djalin e tyre, Avni Aliajn. Një informacion i tillë figuron në të dhënat zyrtare të “Schweizerisches Handelsamtsblatt”.

Por pikërisht Avni Aliajn, kompaninë familjare të së cilit Qeveria e Kosovës e shpërbleu me 5 milionë euro, Shteti Zviceran ka vendosur ta dëbojë, pas më shumë se 40 vjet qëndrimi atje. Një vendim i tillë kishte ardhur edhe përkundër ankesave të Avni Aliajt nëpër të gjitha gjykatat e mundshme në Zvicër.

Kjo për shkak Avni Aliaj për disa herë kishte rënë ndesh me ligjin atje; ishte dënuar me burg për vite me radhë, madje ai ishte përfshirë edhe në tregti droge që kaptë sasinë e 53 kilogramëve dhe për vjedhje të mjeteve ndërtimore (skele) në vlerë prej 230 mijë frangave dhe gjithashtu edhe për shitje të pajisjeve shtëpiake të vjedhura në Kosovë.

Vendimi i Gjykatës Federale të Zvicrës për refuzimin e ankesës së Avni Aliajt rreth dëbimit.

Nga tregtia me drogë në vendimin e Gjykatës Federale thuhet se Avni Aliaj ka përfituar 32 mijë e 500 franga, ndërkohë fitimi i përgjithshëm ishte 221 mijë e 500 franga. Djali i pronarëve të “MALËSIA Reisen” në Kosovë, Avni Aliaj, ishte dënuar me burg na shtetin zviceran në prillin e vitit 2005 me pesë muaj e gjysmë dhe në gusht të vitit 2014 më katër vjet e nëntë muaj.

Lidhja familjare e bashkëpronarëve të “MALËSIA Reisen” dhe sqarimi i familjes

Në vendimin e datës 3 shtator 2019 të Gjykatës Federale të Zvicrës në të cilin Avni Aliajt i refuzohet kërkesa kundër vendimit të Gjykatës së Administrative të Kantonit të Argaut, vërtetohet edhe lidhja familjare në mes të Avniut dhe Rrustem e Dashurije Aliajt.

Vendimi i Gjykatës Federale të Zvicrës ku vërtetohet lidhja familjare me Avni Aliajt dhe Dashurije e Rrustem Aliajt

Sipas asaj që shkruhet në vendimin e kësaj Gjykate me numër të dosjes “2C_456 / 2019”, thuhet se familja e Avni Aliajt (gruaja dhe fëmijët) kanë kushte të mira socio-ekonomike, duke qenë se prindërit e Avniut (Rrustemi dhe Dashurija) kanë një agjenci të udhëtimit.

Tutje jepen shpjegime se ankuesi në këtë rast Avni Aliaj ka të përfunduar edhe një kurs themelor “Turizmi” në Zvicër, që sipas gjykatës mund t’i hyjë në punë në vendlindje. Ndër të tjera thuhet se “bashkëpunimi i mëtejshëm me prindërit si pjesë e kompanisë së udhëtimit, tashmë duhet t’i sigurojë atij një jetesë me kushte te caktuara ekonomike në vendlindje”.

Pronarja e “Malësia Reisen”, Dashurije Aliaj, për Gazetën Express ka sqaruar lidhur me këtë rast. Ajo ka thënë se Avni Aliaj është djali i saj dhe se për gabimet e bëra duhet ndëshkuar. Ndërkohë ka mohuar se ai ka pasur ndonjë funksion në kompaninë “MALËSIA Reisen” Gmbh.

“Po vetë. Ju duheni me ditë se shteti zviceran çfarë është. Normal çdo njeri që bënë gabime, ai që bënë gabime, duhet me u ndëshkuar. Nuk do me thanë asgjë për atë punë”, ka thënë Dashurije Aliaj për Gazetën Express.

Tutje ajo ka thënë se asnjë prej fëmijëve nuk kanë kurrfarë pozite në kompani.

“Asnjë prej fëmijëve nuk është. Vetëm unë e shoku im. Na e kemi formuar, e deri të vdesim…” ka shtuar tutje ajo.

E pyetur se pse gjendet edhe emri i Avni Aliajt në fletën e regjistrimit të bizneseve në Zvicër, Dashurije Aliaj ka thënë se ai ka qenë i caktuar t’i pranojë letrat zyrtare atëherë kur vetë ajo dhe burri i saj s’kanë qenë në Zvicër.

“Nëse p.sh ne nuk jemi qenë në Zvicër, atëherë ai mundet me e pranu një letër zyrtare, që mos me u kthy prapa. Nëse vjen një letër me postë, ka qenë njëri prej fëmijëve që ai me i pranu. Absolutisht ne i kemi katër fëmijë, nuk mundemi me i nda. Letra dhe dokumente që mos me u kthy prapë ,janë gjëra për postë”, ka thënë ajo për Express.

Tutje pronarja e “Malësia Reisen”, ka thënë se aksionet në kompani i ndajnë vetëm më burrin e saj, dhe nëse do të vendosin t’iu lënë diçka fëmijëve do ta bëjnë përmes testamentit.

“Na jemi 50/50 me burrin, e ato ia lëmë me testament se sa me marrë”, ka thënë tutje ajo.

Ndërsa për tenderin e marrë nga Qeveria e Kosovës thotë se e ka marrë si “Malësia Reisen” në Kosovë, dhe se nuk ka ndërlidhje fare me degën që e kanë në Zvicër.

“Unë jo që s’e kam problem. Po ai është i ndarë së pari. Nuk jeton me mue. I ka 42 vjet. Secili fëmijë, që banë gabime. Po ai s’ka lidhje me biznesin. Se me pas lidhje me biznesin, zviceranët janë ma të fortë në atë aspekt. S’ka lidhje ai me biznesin tonë. Ai është i rritun i ka 42 vjet, s’jeton me mue. Kështu që çka kam unë me i bo. Po tenderin të lutem mos e përzini”, ka thënë ajo, teksa ka sqaruar raportin me djalin e saj.

Në këtë prononcim, përveç tjerash, ajo ka thënë se Avniu një kohë edhe ka punuar në kompani, por që për arsye të veta është larguar më pas.

“Unë të garantoj me çka të duash që ai s’ka të boj. Ai është fëmijë imi. Por nuk ka të bëjë asgjë më kompaninë. Ai ka qenë punëtorë ma herët, edhe vajzat”, ka shtuar tutje ajo, duke ripërsëritur se Avni Aliaj s’ka kurrfarë lidhje me biznesin e saj “Malësia Reisen”, megjithatë thotë se ai është pjesë e familjes.

Emri i Avni Aliajt në regjistrin zviceran të bizneseve ku jepen të dhëna për “Malësia Reisen” gmbH

Rekordi i veprave penale i Avni Aliajt në Zvicër që evidentohet në vendimin e Gjykatës Federale të datës 3 shtator 2019.

Më 7 prill të vitit 2005, Gjykata e rrethit të Badenit (Kantoni Argau) e kishte dënuar atë për një lëndim të lehtë, vjedhje të shumëfishtë, falsifikim të dokumenteve, dhe shkelje të ligjit të armëve. Gjithashtu ishte paraparë dënim shtesë dhe një gjobë prej 500 frangave.

Më 12 gusht të vitit 2014, Gjykata e Rrethit të Badenit gjithashtu e kishte dënuar A. Për përfshirje në një grup kriminal, për blerje, posedim dhe shitje të marijuanës ( të kryer nga fundi i tetorit të vitit 2011 deri në 14 nëntor të vitit 2011). Vjedhje ( e kryer midis tetorit 2011 dhe 14 nëntorit 2011). Mashtrim i shumëfishtë ( të kryera në shtator/tetor 2011).

Rekordi me vepra penale i Avni Aliajt sipas Gjykatës Federale të Zvicrës

Bashkëpunimi në mes të Avni Aliajt dhe Rrustem Aliajt edhe në firmën “Albfix” Gmbh , akuzat për vjedhje të skeleve

Përveç degës “MALËSIA Airlines”, në Zvicër, babë e bir, Avni e Rrustem Aliaj janë bashkëpunëtorë edhe në firmën ndërtimore “Albfix” Gmbh që operon në Zvicër.

Një gjë e tillë konfirmohet edhe në Gazetën Zyrtare të Zvicrës për Tregti. Ndërkohë se Avni Aliaj se ka pozitë menaxheriale në “Albfix” Gmbh, vërtetohet edhe në profilin e tij në ‘facebook’ me emrin “Marshall Tita”.

Në vendimin e Gjykatës Federale të Zvicrës gjithashtu tregohet edhe për një vjedhje që Avni Aliaj në bashkëpunim me disa bashkatdhetarë kishte organizuar një vjedhje të skeleve me vlerë prej 229 mijë e 122 frangave, të cilat thuhet se i ka shfrytëzuar pjesërisht në favor të kompanisë së tij.

Përveç kësaj Avni Aliaj thuhet se ka shitur në Kosovë pajisje shtëpiake të vjedhura në vlerë prej 100 mijë frangave.

Profili në facebook i Avni Aliajt:

Avni Aliaj në rrjetin social ‘facebook’ është i regjistruar me emrin “Marshall Tito”. Në profilin e tij figuron si menaxher në firmën “Albfix”, ndërkohë vërehen edhe fotografi të ngarkuara të “Malësia Reisen”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu