NUK DUAN EKIP

0
112

Partitë opozitare kundërshtojnë krijimin e një Ekipi të Unitetit për bisedimet me Serbinë. Por LDK’ja dhe AAK’ja thonë se për këtë proces duhet të ketë konsensus në Parlamentin e Kosovës. Qëndrim të kundërt ka Lëvizja Vetëvendosje, e cila thotë se nëse nuk plotësohen kërkesat e saj për procesin e bisedimeve, do të organizojë protesta.

Partitë opozitare në Kosovë e kundërshtojnë idenë e krijimit të një Ekipi të Unitetit për bisedimet politike me Serbinë, që pritet të nisin në tetor të këtij viti.

Mirëpo përfaqësuesit e tyre thonë se për dialogun dhe temat që do të trajtohen në të duhet të ketë konsensus në skenën politike të vendit.

Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish – Ministrit të Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, konsensusi politik për çështjet shtetërore do të sillte rezultate pozitive.

“Për çdo çështje madhore nacionale duhet të ketë një konsensus sa më të fortë, edhe politik, edhe social në shkallë nacionale, sepse konsensusi krijon ato kushte për sukses të një ndërmarrjeje qoftë në politikë, qoftë në dialog, qoftë në çfarëdo qoftë”, ka thënë Hyseni të mërkurën për Express.

Mirëpo Hyseni e sheh të panevojshme që në kuadër të konsensusit të krijohet një trup mbi institucionet e Kosovës për dialogun me Serbinë.

“Të kërkosh konsensus nuk do të thotë të krijosh trupa mbiinstitucionalë, sepse sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe ka institucionet e veta dhe ka organet që marrin vendime. Ka qenë çështje tjetër para shpalljes së pavarësisë, kur Kosovës i është dashur një trup mbipartiak përtej ambicieve individuale politike dhe është bërë si është bërë”, ka thënë ish-Ministri i Jashtëm i Kosovës.

Çështja kyçe, që sipas tij duhet të definohet para se të hyhet në bisedimet me Serbinë, është ajo si po hyhet në dialog. “Deri më tani ka pasur dialog ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por jo Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë, edhe në dokumentet e ndërmjetësitë të BE’së e kemi çdokund, pra bisedime mes Prishtinës dhe Beogradit, e kjo duhet të definohet qartë”, ka thënë ai.

“Unë shpresoj që Qeveria e Kosovës do të jetë mbushur mend dhe do të ulet ta rishikojë komplet çështjen e dialogut me Republikën e Serbisë dhe do t’i bëjë përgatitjet e duhura që në rast se detyrohet të vazhdojë këtë dialog, atëherë pastaj ky dialog të jetë dialog mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane”, shtoi Hyseni.

Sipas Hysenit, përvojat e deritanishme me bartësit e dialogut me Beogradin kanë bërë që të humbet besimi te mënyra e tyre e dialogimit.

“Unë dëshiroj të besoj fuqishëm që Qeveria e Republikës së Kosovës në asnjë rrethanë nuk do të pranojë të rinegociojë statusin e Kosovës, sepse rinegocimi i Kosovës do të thotë heqje dorë nga pavarësia dhe sovraniteti ynë”, ka thënë Hyseni.

Ndryshe, të gatshëm për konsensus politik janë shfaqur edhe zyrtarë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas Burim Ramadanit, vendi më i përshtatshëm për arritjen e këtij konsensusi është Kuvendi i Kosovës.

“AAK’ja është e bindjes që duhet të arrihet një konsensus politik në Kuvend për temat që do të diskutohen në bisedime, në rast se ato vazhdojnë. Ne duhet të dimë se për çka do të diskutohet me shtetin serb dhe çfarë marrëveshjesh do të arrihen më të, sepse është çështje mbi interesat partiake. E në rast të tillë, AAK’ja normalisht që është e gatshme të japë kontributin e saj”, ka thënë Ramadani.

Por opozitarët nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit kanë një qëndrim krejt ndryshe.

Ata kanë dhjetë parakushte për hyrjen në dialog me Serbinë, pa plotësimin e së cilave VV’ja nuk dëshiron të bëhet pjesë e ndonjë konsensusi.

Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i kësaj partie, Xhelal Sveçla, të parën ndër kërkesat e VV’së e ka radhitur njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

“Ndryshimi i Kushtetutës serbe në pjesën ku thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë, kërkim falje Kosovës për krimet ndaj shqiptarëve përgjatë gjithë shekullit XIX e XX. Serbia duhet të na i dorëzojë kriminelët serbë të luftës, të na i kthejë trupat e rreth 1800 të pagjeturve, të na i paguajë dëmet e luftës dhe të okupimit, ta ndërpresë dhunën sistematike, diskriminimin, shtypjen dhe terrorin ndaj shqiptarëve autoktonë në Luginë të Preshevës, ta pushojë financimin e strukturave të saj në Kosovë, t’i kthejë depozitat bankare të qytetarëve të Kosovës, fondin pensional, librat kadastralë dhe ata të amzës, artefaktet kulturore, që të gjitha këto të plaçkitura, si dhe t’i kapë ata dhjetëra mijëra kriminelë serbë të luftërave të viteve ´90 që shëtitën të lirë e të pacenuar nga prokuroria e shtetit”, ka thënë Sveçla, derisa ka numëruar kërkesat e VV’së.

Në rast të mosplotësimit të tyre, ky i fundit ka paralajmëruar kundërshtime të ashpra të bisedimeve me Serbinë.

“Ne këto bisedime të paralajmëruara do t’i kundërshtojmë fuqishëm, si në rrugë institucionale, ashtu edhe me institucionin e protestës”, ka thënë Sveçla.

 

Nga Leonora Aliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu