Nuk heqin dorë, duan të ikin nga Kosova

0
115

ikja

Shumë të rinj, të cilët shpresë të vetme e kanë ikjen në vendet e Perëndimit, nuk e kanë ndërmend të heqin dorë në realizimin e dëshirës së tyre, për një jetë më të mirë.

Megjithëse një gjë e tillë është vështirësuar ata thonë se nuk do të presin më dhe se çdo mundësi do ta shfrytëzojnë për t’u larguar. E të shqetësuar me këtë gjendje , Komuna e Ferizajt dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, u kanë bërë thirrje institucioneve të vendit që të ndalojnë trendin në rritje, të ikjes së qytetarëve, raporton KTV.

Sh. K. rreth të tridhjetave nga fshati Greme e Ferizajt një vit më parë u largua nga Kosova me shpresë se do të gjente një jetë më të mirë.

Ai prej kampit të shtetit hungarez doli ilegalisht në Austri, ku qëndroi për rreth dy muaj.

Atje nuk mundi të bëjë asgjë, për çka vullnetarisht u kthye në vendlindje.

Pavarësisht kësaj ai thotë se nuk është kthyer me dëshirë, por vetëm për t’i marrë me vete edhe familjen e tij 8 anëtarësh. Thotë se mundësia e parë nëse i vjen ai do të largohet me gjithë familjen.

Skenat e ikjes masive nga Kosova janë kthyer në javën e fundit, ndërsa Ferizaj është qyteti i radhës nga ku qytetarë të shumtë po ikin drejt Evropës.

E, shqetësuar me këtë gjendje të krijuar Komuna e Ferizajt u ka bërë thirrje banorëve të saj që të mos e lëshojnë vendin.

Kreu i kësaj komune, Muharrem Svarça, u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore dhe agjencive të sigurisë që të merren më seriozisht me këtë çështje, për të penguar mashtrimet dhe manipulimet me qytetarët e dëshpëruar.

“Duke qenë i vetëdijshëm për kushtet e vështira ekonomike, në të cilat jeton një pjesë e konsiderueshme e popullatës së Ferizajt, megjithatë nuk e konsideroj zgjidhje më të mirë statusin e refugjatit, të cilin e synojnë shumica e atyre që po vendosin të dalin jashtë vendit”, thuhet në një komunikatë për media të kësaj komune, transmeton Koha.net.

Ka reaguar edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovë, e cila ka shprehur shqetësim, pas valës së fundit të ikjes së qytetarëve për Evropë.

“Është shumë e dhimbshme dhe e papranueshme t’i shohësh të rinjtë duke “ikur” nga vendi i tyre, si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike në vend dhe ende nuk po shohim hapa konkretë në përmirësimin e kësaj gjendje, ku shumë të rinj, pasi përfundojnë studimet e tyre, nuk po arrijnë të punësohen dhe po bredhin rrugëve”, thuhet në reagimin e BSPK-së.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu