Nuk ndalen – Edhe sonte nisen 5 autobusë (Foto + Video)

0
339

Ikja e madhe

Biletat i mbanin në duar mirëpo, nuk patën vend që të hipnin në autobusin e linjës Prishtinë – Beograd të orës 21:00.

E kjo gjë, i bëri ata që të revoltohen e të drejtojnë fjalë fyese për ngasësit e autobusëve dhe ndaj punëtorëve të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.

Edhe për kundër kësaj, gjatë natës së sotme, nga Stacioni i Autobusëve të Prishtinës u nisën 5 autobusë në drejtim të Beogradit.

Sipas punëtorëve të Stacionit, arsyeja përse disa qytetarë kanë mbetur pa shkuar në Beograd edhe pse i kanë biletat, është se tani kompania “Fjolla” dhe “Erhan”, për 15 ditë nuk do të operojnë në këtë linjë.

[youtube url=”http://www.youtube.com/watch?v=vLCxet84moU” width=”560″ height=”315″]

Një punëtorë i Stacionit të Autobusëve, ka thënë për “Zëri”, se tani nuk kanë mundësi që t’ua kthejnë prapa paratë pasagjerëve dhe prandaj edhe po krijohet kjo tollovi. Sipas këtij punëtori, vetëm gjatë natës së sotme në Stacionin e Autobusëve janë shitur 214 bileta.

Mirëpo, shumë prej tyre gra, pleq, fëmijë e të rinj ia mësynë edhe sonte Evropës.

Një grua nga Prishtina rreth të 60-tave, së bashku me njërin djalë ia kishte mësyrë Gjermanisë, jo nga qejfi, por nga halli, pasi që ajo vuan nga një sëmundje.

Djali i saj, i cili deshi që të flas vetëm në kushte anonimiteti, ka thënë për “Zëri”, se ka dalë në stacion që ta përcjellë nënën e tij për në gjermani.

“ Kam dalë me e përcjellë nanën për në Gjermani se është e sëmurë dhe po shkon atje që të kërkoj shërim. Nëna u nis me vëllain tjetër për në Gjermani. Ishalla mundet me dalë e me gjet shërim në Gjermani, se këtu asnjë herë nuk ka mundur ta marrë vizën që të dalë në Gjermani e të shërohet”, tha ai për “Zëri”.

Edhe një 27 vjeçar nga Mitrovica, u nis sonte për në Beograd. Ndonëse thotë se nuk e di se çfarë mund ta pres në Suboticë e në Hungari, ai thotë se do të dalë për një jetë më të mirë.

“ I kam bërë 27 vjet edhe s’po mundem me gjet punë. Boll vështirë do ta kem, por s’kam çka me bo, po dalë për një jetë më të mirë”, tha mitrovicasi.

Ikja e madhe 1

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu