Nuk po falet prona private, por edhe ajo shtetërore

0
64

Rexhep Kurtbogaj, përfaqësues i bashkësisë territoriale të shtatë fshatrave përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi, ka thënë për “Zërin” se nuk pajtohen assesi me versionin që ka bërë Komisioni Qeveritar për Demarkacionin.

Ai thotë se kanë shpresuar që Qeveria, por edhe Kuvendi të mos përkrahin këtë punë të Komisionit. “Banorët e Rugovës në vazhdimësi e kundërshtojnë versionin për Demarkacion. Kurse tani krejt shpresën e kemi tek deputetët e Kuvendit të mos shkojë ky version e të mos miratohet” .

Kurtbogaj thotë se kanë dërguar mjaft apel tek deputetët dhe beson se nuk do të kalojë ky version në seancën që do të dalë në Kuvend.

Ai thotë se komuniteti rugovas ka mbajtur disa herë takime dhe asnjëherë nuk ka thyeshmëri në betimin e tyre për të mos u lejuar ky demarkacion.

Ai thotë se do të vazhdojnë ta kundërshtojnë Demarkacionin dhe madje, sipas tij, as që do duhej të diskutohej nga institucionet të ndodhë kjo. “Ne përmes formave paqësore, protestave kemi kundërshtuar por është përgjegjësi e deputetëve, e organeve të shtetit të mos lejojnë që të kalojë ky Demarkacion”. Ai thotë se pjesa më e madhe është pronë e shtetit, shkruan “Zeri.info”.

“Ka edhe prona private, edhe pronë të shtetit në pjesën që tentohet t’i falet Malit të Zi”.

Ai shpjegon se prona shtetërore ka qenë më parë pronë private që, sipas tij, i është marrë banorëve gjatë regjimit të pushteteve të kaluar.

“Sidoqoftë, kjo është pjesë e territorit të shtetit të Kosovës, jo vetëm e banorëve të Rugovës. Nuk dëmtohen vetëm banorët e Rugovës, është përgjegjësi e gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Ai thotë se banorët e Rugovës kanë paguar dhe tatim për këtë tokë, për shfrytëzim të kullosave, duke u bazuar në disa të dhëna dhe tani, sipas tij, pagesat e kullosave nuk janë marrë si bazë nëse kanë qenë pjesë e Malit të Zi.

“Sepse ka qenë koha e ish-Jugosllavisë dhe prona shoqërore ishte e përbashkët, nuk ka luajtur rol nëse është paguar në Rozhajë apo në Pejë. Ndonëse sipas dokumentacionit më shumë ka dokumente që janë paguar kullosat në Pejë sesa në Rozhajë apo në Plavë, në qytete të Malit të Zi”.

Kurtbogaj thotë se pjesa kryesore e Lumbardhit, burimit kryesor të ujit që kalon në Pejë, është në pjesën e Bjelluhës dhe burimi tjetër i dytë i rëndësishëm në fshatin Haxhaj, burim që bashkon masën kryesore të lumit.

“Të dyja këto burime me demarkacionin që po duan ta bëjnë i takojnë Malit të Zi. Dhe ne humbim në aspektin hidroekonomik, së pari mbetet ajo pjesë e Malit të Zi dhe në atë ardhmen mund të kemi probleme me ujë, mosmarrëveshje ndoshta me Malin e Zi që mund të bëjë ndonjë plan apo strategji t’i shfrytëzojë vetë ato burime. Dhe si pasojë e kësaj ne mund të kemi mangësi për burime të ujit dhe ujë të pijshëm”, thotë ai.

Kurtbogaj rrëfen sesi të parët kanë treguar, por që dhe tani është e njëjta klimë që në Rugovë nuk prodhohet gruri.

“Është rritur vetëm elb dhe tërshërë, jo dhe grurë, madje as pemë e perime të mbjella nuk rriten, por rugovasit s’e lëshuan vendin edhe kur mbahet mend në kohën e Turqisë që për shkak të presionit turk për t’u nënshtruar popullata nuk u lejua të shitej kripa në këtë zonë”, thotë Kurtbogaj, duke treguar dhe histori të tjera të djegies së pronave, vrasjeve, përndjekjeve të banorëve që ta lëshonin këtë territor dhe më parë./ZERI/.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu