Ohri, dikur i shqiptarëve, që sot janë minoritet

0
365

Ohri, i cili ka qenë një ndër qytetet, më të lashta shqiptare, është qytet i cili ndodhet në pjesën jug-perëndimore të Maqedonisë pranë liqenit me të njëjtin emër dhe ka diku rreth 50 000 banorë. Ohri, dikur shqiptar është ndërtuar nga ilirët, më drejt enkelejtët, që banonin ne këtë rajon. Sipas deponimeve historike, thuhet se në vitin 1462 Skënderbeu me ushtrinë e tij zotëronte edhe Ohrin dhe rrethinat e tij si qytet. Ohri sipas statistikave më të fundit si qytet pa rrethinat ka 50.033 banorë (2012), prej tyre 80,39 % ose 33.791 Maqedonas dhe 7,02 % ose 2.959 Shqiptarë. Emra të fshatrave të Ohrit – dhe shenjat e sinjalikistikës , dokumentet zyrtare, tabelat e shitoreve , emrat e rrugëve, guida turistike, librat shkollor, shërbimi social me përjashtim te lagjes se shqiptareve ne pazarin e vjetër ku flitet shqip, janë të gjitha Maqedonisht, kryesisht në alfabetin cirilik.

Ky është një qytet karakteristik shqiptar i ndërtuar më shumë se 2/3 sipas modelit të disa qyteteve shqiptare. Ohri ka ngjashmëri strukturore dhe arkitoteknetike të qyteteve tona, si Berati, Gjirokastra apo Kruja.  Ohri ndodhet në pjesën jugperëndimore te Republikës së Maqedonisë, rreth 176 kilometra larg kryeqytetit të Maqedonisë – Shkupit. Ai është një nga vendet më të bukura turistike në vend, me një numër shumë të madh vizitorësh sidomos gjatë sezonit veror. Nuk është qytet shumë i madh se me rreth 70 000 banorë me gjithë fshatrat përreth tij.

Pjesën më të madhe të popullsisë sot e përbëjnë sllavo maqedonasit, mandej shqiptarë, turq, por ka edhe  romë e pakica të tjerë. Deri në Luftën e Parë Ballkanike Ohri ishte një qytet i banuar kryesisht me shqiptarë, ku pjesën më të madhe të popullsisë e përbënin myslimanët. Sipas Edit Durham, një shkrimtare angleze, në vitin 1904 Ohri ishte një qytet mysliman gjegjësisht shqiptarë. Pas ngjarjeve te fillim shekullit të kaluar, pas copëtimit të shumë territoreve shqiptare edhe Ohri mbeti nën administrimin e shteteve sllave, të cilët si në shumë qytete të tjera ushtruan politikën asimiluese ndaj shqiptarëve. Sidomos pas vitit 1945 në kohë e ish-Jugosllavisë, kohen famëkeqe te Rankoviqit thuhet se nga qyteti i Ohrit, u largua një pjesë e madhe e popullatës shqiptare në drejtim të Turqis. Në qytetin e Ohrit kanë jetuar fiset ilire të gropajve. Por, sipas nji ciceroni shqiptar qe na shoqëronte ne këtë udhëtim Maqedonasit e shfrytëzojnë sot Ohrin para te huajve si vendorigjina e popujve sllavo-maqedonas. Statujat me te larta për rreth liqenit ne qendër te qytetit i janë dedikuar figurave te njohura fetare sllavo – maqedonase.

Historia

Për here të pare Ohri përmendet qysh në shekullin e III para erës sonë, me emrin Ilir Lyhnida. Më vonë mbas pushtimit romak Lyhnida u bë një ndër vendbanimet më të rëndësishme të rrugës më kryesore në Ballkan “Via Egnatia” në sipërfaqen e Epirit të Ri. Prej vitit 976 deri në vitin 1014 ishte i pushtuar nga mbreti bullgar Car Samuili. Nga fundi i shekullit XI u sulmua nga Normanët nga Italia, mandej u pushtua përsëri nga bullgarët dhe më vonë përsëri nga Bizanti.

Në shekullin e XII ishte një qendër e rëndësishme tregtare, ndërsa në shekullin XIII e kishte kolonin tregtare të Armenëve. Më pas si i gjithë Gadishulli Ballkanik edhe Ohri u pushtua nga turqit. Në vitin 1941 dhe gjatë Luftës së Parë Botërore Ohri si disa qytete tjera shqiptare në Maqedoni dhe një pjesë e Kosovës ju bashkuan Republikës së Shqipërisë. Pas mbarimit të luftës këto territore ju shkëputen përsëri Shqipërisë dhe ju bashkuan shteteve sllave.

Ohri i dikurshëm

Dikur Ohri ishte qytet i rëndësishëm për shqiptarët, si për nga prezenca ashtu edhe për ndikimin e madh të banorëve të tij për kauzën shqiptare. Madje, në momente të caktuara të Rilindjes Kombëtare në shekullin XIX, Ohri nga patriotët shqiptar propagandohej edhe si kryeqytet i Shqipërisë së pavarur nga perandoria osmane. Mbi 80 % e banorëve të Ohrit kanë qenë shqiptarë. Por, sot pas njëqind vitesh gjërat kanë ndryshuar shumë. Tashmë, edhe prezenca shqiptare këtu është simbolike dhe e papërfillshme dhe padyshim shpërnguljet në drejtim të Turqisë dhe migrimet më të vonshme drejt Evropës dhe Amerikës kanë bërë të vetën në boshatisjen e këtij qyteti. Qyteti i cili në mesjetë qeverisej nga familja fisnike shqiptare Gropa, qyteti nga ku kanë dalë luftëtarët e mëdhenj të pavarësisë shqiptare si Dervish Hima, Hamdi bej Ohri dhe figura të tjera, sipas regjistrimit të fundit numëron rreth 3600 banorë shqiptarë ose rreth 6 % të numrit të përgjithshëm të banorëve të Komunës së Ohrit. Nga vitin 1930 deri në vitin 1945 midis Pogradecit dhe Ohrit ka pasur një linjë komunikimi nëpërmjet një vapori i cili vinte çdo ditë nga Ohri në Pogradec duke transportuar njerëz në të dy anët e kufirit dhe mallra ushqimore dhe industriale.

Ohrit sot

Sot qytetarët shqiptarë të Ohrit në masë të madhe ndjehen nën hijen e atyre të Strugës sepse gjithçka i lidh me Strugën, duke filluar nga biznesi, shkollimi apo edhe punësimi në disa raste pasi në Strugë jetojnë mbi 65 % shqiptarë. Struga është shfrytëzuar si një oazë për ata shqiptarë që nuk kanë ikur në emigrim janë afruar në qytetin e Strugës vetëm 11 km larg qytetit të Ohrit.

“Kjo situatë ka ndikuar që disa edhe të shpërngulen në drejtim të Strugës”, thotë ish-kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko.

Ai thekson se, pothuajse se shqiptarët po braktisin Ohrin si rezultat i paperspektivës dhe mospasjes së vendeve të punës, respektivisht diskriminimit në këtë aspekt.

Le të marrim një shembull konkret për të ilustruar mendimin e mësipërm: Në qytetin e Ohrit ka një shkollë fillore ku mësohet në gjuhën shqipe “Vëllazërim Bashkimi”, ku numri i nxënësve shqiptar është reduktuar në masë të madhe. Para disa viteve funksiononin katër klasë të para me nga tridhjetë nxënës, ndërsa sot zhvillojnë mësimin vetëm dy klasë me nga pesëmbëdhjetë nxënës, ky shembull nuk ka shumë nevojë për koment për shqiptarë të Ohrit.

Nedim Pollozhani, veprimtar politik nga Ohri, thekson se pavarësisht ecurisë pozitive që është bërë në disa drejtime viteve të fundit, shqiptarëve të Ohrit iu mbetet të vazhdojnë me përpjekjet për përmirësimin e gjendjes se tyre.

I vetmi përfaqësues i shqiptarëve në Këshillin Komunar të Ohrit, Kujtim Hyseni na thotë se nëse duam të përmendim për faktorët që kanë ndikuar për braktisjen e shqiptarëve nga Ohri të shqiptarëve është emigrimi, dëbimin apo degdisjen e shqiptarëve nga këto troje si rezultat i një trysnie sistematike.

Kështu në 100 vjetët e shkuara në Ohër jetonin rreth 80% shqiptarë, ndërsa tani, kur takon ndonjë bashkëkombës nga diku tjetër, të pyet: ‘Paska shqiptarë në Ohër?’. Këshilltari shqiptar Hyseni thekson se problematike është çështja e punësimit sidomos nëpër institucionet e nivelit qendror.

Marrëdhëniet e Ohrit me Pogradecin

Ndonëse kanë qenë kaq afër njëri-tjetrit për 50 vjet këto dy qytete fqinje kanë qenë krejtësisht të izoluara nga diktatura dhe shihnin në mbrëmje vetëm drita të ndezura buzë liqenit. Me ardhjen e demokracisë u shemb muri ndarës. Etapat evoluuan me shpejtësi nga një vizë që mund ta merrje në Tiranë për të kaluar në Maqedoni më pas vizat merreshin në kufi, më pas u vendos një pasaportë kufitare që futeshe në Maqedoni pa lekë dhe më pas nga dita e djeshme kalimi i kufirit në Maqedoni ka filluar për të gjithë shqiptarët me karta identiteti. Prej më shumë se 10 vjetësh është vendosur festa e Liqenit që festohet çdo 21 qershor me rotacion një vit në Pogradec, një vit në Ohër dhe vitin tjetër në Strugë. Së bashku të dy shtetet festojnë festën fetare të Shën Naumit në çdo 3 korrik. Prej më shumë se 5 vjetësh është përcaktuar që të vendoset një traget midis Ohrit – Pogradecit dhe Strugës por kjo ka ngelur një ëndërr vere. (INA)

 

Beqir Sina, Ohër

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu