O’Railly: Ramushi do të lirohet brenda 3-4 muajsh

0
329

Koordinatori i ekipit të mbrojtësve të Ramush Haradinajt, Michael O’Railly është i bindur se lideri i AAK’së do të shpallet i pafajshëm dhe rigjykimi do të përfundojë brenda 3-4 muajsh.

“Ramush Haradinaj do te shpallet i pafajshëm”, ka thënë O’Railly, të dielën për Express, në një prononcim përmes telefonit.

Edhe partia e Haradinajt beson në pafajësi të liderit të saj.

“Ne besojmë në drejtësi dhe duke besuar në të, jemi të bindur se Ramush Haradinaj do të shpallet i pafajshëm”, ka thënë Besnik Tahiri, anëtar i Kryesisë së AAK’së.
Avokati Michael O’Railly thotë se nuk ka asnjë fakt që implikon Ramush Haradinaj në akuzat për të cilat pretendon Prokuroria e Tribunalit.

“Nuk besoj se ka ndonjë fakt kundër tij, për shkak se të gjitha faktet në gjykimin e parë kanë treguar se nuk ka fakte kundër tij dhe se sjellja e tij gjatë gjithë kohës ka qenë shembullore, jashtëzakonisht e mirë. Nuk ka asnjë fakt të vetëm që ai është sjellë keq lidhur me ndonjë nga incidentet që përmenden në aktakuzë”, ka thënë ai.
Ish’Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për Zonën Operative të Dukagjinit do të rigjykohet sërish në Tribunalin e Hagës.

Seanca e parë e procesit gjyqësor mbahet këtë të enjte. Një ditë më herët, të mërkurën, mbahet e ashtuquajtura konferencë paragjyqësore, në të cilën mund të jepen hollësi për numrin e dëshmitarëve që mund t’i sjellë Prokuroria.

Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarët e tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj do të gjykohen në Hagë për herë të dytë, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë rast tjetër në Tribunalin e themeluar nga Kombet e Bashkuara.

Rreth dy vjet e gjysmë pasi ishte shpallur i pafajshëm nga gjitha akuzat për krime lufte, Haradinaj sërish ka udhëtuar vullnetarisht në Hagë, për rigjykim. Ai ndodhet në qendrën e paraburgimit që nga 21 korriku 2010. Rigjykimi i pjesshëm ndaj tre luftëtarëve të UÇK’së u shpall një ditë para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Për dallim nga gjykimi i parë, Tribunali kësaj here ka qenë i ashpër ndaj Haradinajt. Pavarësisht garancive nga institucione ndërkombëtare, etj, atij nuk iu lejua asnjë ditë të kthehet përkohësisht në shtëpinë e tij në Prishtinë, madje as kur i lindi fëmija, në janar të këtij viti.

Sidoqoftë, avokatët presin që Haradinaj të kthehet i pafajshëm në familjen e tij brenda disa muajve.

Michael O’Railly shpreson se rigjykimi “do të përfundojë goxha shpejt”, megjithëse pritet të ketë mjaft procedura lidhur me dëshmi të dëshmitarëve të caktuar. Pastaj Gjykata duhet të vendosë nëse janë relevante disa dëshmi me shkrim.

Një tjetër padrejtësi ndaj Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij janë vonesat në procedimin e këtij rasti për shkak të mungesave të karakterit teknik në Tribunalin e Hagës. Seancat nuk mund të mbahen për çdo ditë për shkak se gjykatësit që do të ndajnë drejtësinë në këtë rast janë të angazhuar edhe në procese të tjera gjyqësore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu