Ortaku i Diverolit rrëfen nga burgu: Çfarë ndodhi në Shqipëri

0
237
 

Gazeta “Shekulli” ka përzgjedhur për botim pjesë të një artikulli të gjatë, shkruar nga gazetari i famshëm investigativ Guy Lawson, publikuar dje në revistën amerikane “Rolling Stone”.

Artikulli rrëfen në detaj historinë e Diverolit dhe të Packouzit, dy djemve hebrej amerikanë, ëndrra e të cilëve ishte të bëheshin miliarderë përmes trafikut të armëve. Një seri ngjarjesh e ndryshuan jetën e dy djemve, të cilët arritën të preknin luksin e ëndrrave të tyre, por vetëm për pak kohë.

Dy djemtë e dhënë pas qejfeve adoleshenciale nuk mbërritën dot të kontrollonin një aferë që përfshinte njerëz shumë ëm të fuqishëm se ata, një aferë që thyente embargon e rreptë që SHBA zbaton ndaj armëve të prodhimit kinez, një aferë që përfshiu zyrtarë shqiptarë, deri edhe djalin e kryeministrit të Shqipërisë, apo ministrin e atëhershëm të mbrojtjes.

Ëndrra prej trafikanti filmash hollivudianë përfundoi keq për dy djemtë, që e mbyllën aventurën pas hekurave të qelisë, ndërkohë që të tjerëve u kushtoi edhe jetën. Një ndër ta ishte biznesmeni shqiptar, Kosta Trebicka, i pari që mori kurajon të dëshmonte për thyerjen e ligjit.

Si mbërritën dy kalamaj të droguar të hynin në pazaret e mëdha të armatimeve – gjersa i zbuloi Pentagoni?

Historia e dy djemve që u lidhën me trafikantë, mafiozë e qeveritarë shqiptarë për të mashtruar qeverinë amerikane.

Guy Lawson për revistën amerikane Rolling Stone

Pjesa më e madhe e kontratës afgane, sa i përket sasisë së transportuar, përbëhej nga municioni për AK-47 (Automatikë Kallashnikov).

Packouz kishte gjetur çmime shumë të leverdishme furnitorë hungarezë e çekë, por Diveroli këmbëngulte që duhet të vinin në përdorim lidhjet e nivelit të lartë që kishte në Shqipëri trafikanti zviceran Heinrich Thomet. Në fakt kjo qe e logjikshme. Shqiptarët nuk kërkonin depozitimin e ndonjë shume të madhe parash si garanci, dhe kjo e bënte më të lehtë punën për AEY, që kish ndërmend të blinte sasi të mëdha.

Dhe qeveria shqiptare kishte mundësi ta përballonte volumin e kërkesës: udhëheqësit e tyre paranojakë komunistë paskëshin qenë aq të bindur se do sulmoheshin nga fuqitë e huaja, sa që praktikisht e kishin shndërruar vendin në një magazinë të madhe ushtarake, me bunkerë të shpërndarë gjithandej.

Aq shumë municion për AK-47 kishte në Shqipëri, sa që vetë presidenti shqiptar asokohe kishte shkuar në Bagdad e i kishte premtuar gjeneral Petraeus-it se do t’i dhuronte miliona arka me fishekë.

Struktura përmes së cilës AEY blinte municionet shqiptare përmbushte standardet e botës së trafikimit të paligjshëm të armëve, ku gjithë çështja është të fshihet burimi origjinal i mallit, si dhe përdoruesi përfundimtar. Procedura qe tërësisht legale, vetëm se shtoheshin hallkat e procedimit.

Municionin kompania eksportuese shqiptare MEICO ia shiste një kompanie që e kish ngritur aty për aty sekseri zviceran Thomet, që quhej Evdin e që bazën e kishte në Qipro. Më pas Evdin i shiste fishekët tek AEY. Kështu edhe Thomet merrte pjesën që i takonte si sekser, po edhe AEY dhe qeveria e SHBA-ve shmangte implikimet që mund të rridhnin prej biznesit me një vend kaq të famshëm për korrupsionin e vet, dhe kaq të paparashikueshëm sa Shqipëria.

Kishte vetëm një problem: Kur Diveroli kishte bërë llogaritë e kishte bërë ofertën për tenderin, nuk kishte arritur të parashikonte kostot e transportit, sepse nuk e kishte parashikuar rritjen e çmimit të naftës.

Ushtria amerikane i kishte dhënë leje që t’i paketonte fishekët në kuti kartoni, po kjo s’qe e lehtë të bëhej në një vend aq disfunksional siç është Shqipëria. Kështu që, Diveroli, mori një tjetër shok nga sinagoga e vet, Alex Podrizki, dhe e çoi në Tiranë që të mbikëqyrte në detaj punën që po bëhej.

Po shenjat e rrezikut nuk u zvogëluan as nga mbikëqyrja në terren. Kur Podrizki shkoi në Shqipëri i ra në sy se shqiptarët qenë ca si tepër kurajozë kur vinte puna te respektimi i kushteve të sigurisë.

Ai pa se municioni magazinohej në një bunker, ndërkohë që punëtorët përdornin sëpata për të hapur kutitë me fishekë, pa e hequr nga buza cigaren e ndezur edhe pse dhoma qe e mbushur me barut. Vetë municioni, edhe pse i prodhuar para disa dekadave, dukej në gjendje pune, ama fishekët ishin të paketuar në ca teneqe të ndryshkura e të stivosura në arka druri që po kalbej.

Ç’qe më e keqja, Podrizki vuri re se kutitë e teneqesë ku mbaheshin fishekët – që njiheshin prej vendasve si “kuti sardelesh” – ishin të mbuluara nga germa kineze. Podrizki atëherë mori në telefon Packouz që ndodhej në Miami.

“E kontrollova municionin, dhe më duket i mirë”, i tha Podrizki.


“Po ti e di që ky është municion kinez, apo jo shoku?”


“S’po të marr vesh?” iu përgjigj Packouz


“Municioni është kinez.”


“Si e di ti që qenka kinez?”


“Se të gjitha kutitë kanë germa kineze.”

Aty Packouz-it sa nuk i ra pika. Jo vetëm që ishte e ndaluar të shiteshin armë të prodhuar në Kinë, po kjo ishte specifikisht e shkruar në kontratën afgane, nuk lejohej furnizimi me municione kineze.

Dakord, ndoshta AEY mund ta vinte në diskutim këtë pikë, sepse municioni ndoshta nuk e shkelte embargon, sepse qe importuar në Shqipëri shumë vjet para se kjo embargo të hynte në fuqi, në kohët kur qeverisja komuniste shqiptare kishte hyrë në aleancë me Maon. Kishte dhe precedentë për një argument të tillë, sepse vetëm 1 vit më parë ushtria amerikane kishte pranuar me shumë kënaqësi municionin kinez që kishte transportuar prej Shqipërisë AEY.

Po kësaj radhe, kur Diveroli i shkroi këshilltarit ligjor të Departamentit të Shtetit për ta pyetur nëse mund të përdorte fishekë kinezë të prodhuara para embargos, mori një përgjigje të prerë: jo pa dekret presidencial. Mirëpo duke patur parasysh afatet e kontratës, tani nuk kishte më kohë që të gjendej një tjetër furnitor.

Hungarezët mund të gjenin gjysmën e sasisë së kërkuar, po gjithsesi municioni i tyre nuk do të qe gati deri në vjeshtë, çekët mund ta gjenin të gjithë sasinë por kërkonin 1 milion dollarë. Çdo vonesë rrezikonte kontratën. “Ushtria amerikane po na bënte presion për municionet”, thotë Packouz. “Atyre u duhej sa më shpejt që të qe e mundur.”

Kështu që dy miqtë gjetën një rrugë të tretë. Si trafikantë armësh ata s’e kishin problem anashkalimin e ligjit – përkundrazi kjo qe rutinë e përditshme për dy djemtë. Madje kishin shpikur edhe një fjalë kod për anashkalimin e ligjit, e quanin “synetllëk”. Kështu Packouz i dërgoi një email Podrizkit që ndodhej ende në Shqipëri dhe e instruktoi t’i paketonte fishekët nga e para, me kuti që nuk kishin shkronja kineze. Kish ardhur koha për “synetllëk”.

I gjendur vetëm në një qytet të huaj Podrizki bëri atë që mundi. Mori një libër telefonash dhe gjeti një prodhues kutish kartoni që quhej Kosta Trebicka. Dy burrat lanë takim në një lokal pranë Sky Tower në qendër të qytetit.

Trebicka ishte një burrë hollak e energjik pranë të pesëdhjetave, me duar të ashpra prej punëtori. Ai i tha Podrizkit që mund t’i ofronte kuti kartoni aq të forta sa të mbanin municionet, e në të njëjtën kohë mund të gjente dhe punëtorë për paketimin.

Një javë më vonë Podrizki e mori në telefon për ta pyetur nëse Trebicka mund të gjente aq punëtorë sa duhen për të paketuar 100 milion kuti me municion, për t’i nxjerrë nga “kutitë e sardeleve” prej teneqeje dhe për t’i mbyllur në kartonat e reja të sapoporositura. Trebickës kjo kërkesë iu duk tepër e çuditshme. Pse duhej gjithë kjo punë e kotë? Podrizki i dredhoi pyetjes, duke u përgjigjur se paketimi me kartona ishte i nevojshëm për ta bërë ngarkesën më të lehtë në peshë, e për të kursyer para në transportin ajror.

Pas një pazari të zgjatur ku u përfshi dhe Diveroli që nga Miami, Trebicka ra dakord që të bënte punën për 280000 dollarë dhe mori një skuadër me burra që filluan të ripaketonin fishekët.

Ndërkohë që vazhdonte punën në magazinën e municioneve, Trebickës filluan t’i rriteshin dyshimet. I merakosur se mos po ndodhte ndonjë gjë e çuditshme, ai mori në telefon ambasadën amerikane dhe u takua me atasheun ekonomik. Ndërkohë që pinin kafe në një bar të quajtur “Chocolate”

Trebicka i tha në mirëbesim atasheut që kutitë e municioneve bartnin shenja kineze. Mos vallë qe problem ky? Po zyrtari amerikan i tha që të mos kishte merak.

Ambasada kishte kohë që po kërkonte para për të shkatërruar municionin, kështu që dërgimi i tij në Afganistan do ua lehtësonte punën. AEY deri më tani s’paraqitej si problem.

Mirëpo Diveroli nuk e përmbajti dot tahmanë e vet. Në një telefonatë nga Miami ai i kërkoi Trebickës që të përdorte kontaktet e veta në qeveri për të marrë vesh se sa e blinte municionin në të vërtetë sekseri Thomet. AEY i blinte fishekët nga Thomet për diçka më tepër se katër cent pakon, e pastaj ia shiste Pentagonit për 10 cent. Mirëpo Diveroli dyshonte që Thomet po përfitonte më shumë se ç’duhej nga ky muhabet.

Doli që kishte të drejtë. Ca ditë më vonë Trebicka raportoi që Thomet po i paguante qeverisë shqiptare vetëm 2 cent për pako – domethënë po merrte nga AEY dyfishin e çmimit, thjesht duke qenë sekser. Kjo e nxehu Diverolin që i kërkoi Trebickës të vihej në kontakt me lidhjet e tij në Shqipëri e të gjente një mënyrë që ta nxirrte krejt jashtë loje Thomet-në.

Trebicka e dha ndihmën e vet me kënaqësi. Ai mendoi se shqiptarët do përfitonin më shumë po të vendoseshin në kontakt drejtpërdrejt me AEY. Në fund të fundit po të nxirrej jashtë loje Thomet, do kishte më shumë para për të gjithë.

Mirëpo kur Trebicka mori takim me ministrin e mbrojtjes së Shqipërisë (Fatmir Mediu sh.r.), veprimet e tij patën efektin e kundërt: pala shqiptare nxori jashtë loje vetë Kosta Trebickën duke informuar AEY që punën e paketimit do ta bënte një shok i djalit të kryeministrit (Shkëlzen Berisha sh.r.).

Ajo që nuk ishte kuptuar nga Kosta Trebicka ishte fakti se Thomet paguante ryshfet për shqiptarët një pjesë të fitimit të madh që nxirrte nga ky pazar. Kështu që ishte e pamundur të nxirrje nga loja Thomet-në, sepse pikërisht përmes tij fitonin para nën dorë dhe shqiptarët.

Diveroli shkoi vetë në Shqipëri dhe u përpoq që të ndërhynte për të mbajtur në punë Trebickën, po nuk pati aq fuqi sa të kthente pas vendimin e marrë.

Trebicka kështu duhej të përballonte vetë pagesat për punëtorët, si dhe kostot për gjithë ato paketime që kishte prodhuar për municionet. I nxehur për këtë fakt ai mori në telefon Diverolin, ndërkohë që fshehtazi vendosi ta regjistronte bisedën. Në atë telefonatë Trebicka kërcënoi se do tregonte gjithçka tek CIA. “Nëse shqiptarët duan të vazhdojmë bashkëpunimin, unë nuk e hap gojën”, premtoi Trebicka. “Do bëj ç’të më thuash ti”.

Diveroli i sugjeroi Trebickës të përpiqej të korruptonte Ylli Pinarin, drejtorin e agjensisë eksportuese të armëve në Shqipëri, e cila ishte dhe furnitorja. “Pse s’ia puth b**** edhe një herë” i tha Diveroli. “Merre në telefon. Lute. Puthe. Çoji ndonjë vajzë ta q***. Bëje të lumtur. Ndoshta mund ta trembim. Ose jepi ndonjë shumë të vogël, pare xhepi. S’ka për të të kushtuar shumë, 20000 dollarë.”

Kur Trebicka u ankuapër faktin që po e nxirrnin jashte pazarit me forcë, Diveroli i tha se s’kishte më mundësi të bënte asgjë. Kishte shumë garipë të përfshirë tek pala shqiptare, dhe kjo e bënte punën shumë të rrezikshme. “Muhabeti shkon gjer te kryeministri e te i biri,” tha në telefon Diveroli. “Kjo mafia është tepër e fortë për mua. S’e luftoj dot këtë mafia. Ka shkuar lart muhabeti. Kafshët kanë dalë jashtë kontrolli”.

Ndërsa gjërat në Shqipëri ishin thuajse zbuluar, hallet s’kishin të mbaruar për Diverolin. Marrja e kontratës afgane i kishte krijuar shumë armiq AEY-së.

Një shitës armësh në SHBA ishte ankuar deri në Departament të Shtetit duke pretenduar që AEY po blinte kallashnikovë kinezë për t’i çuar në Irak. Pretendimi qe i rremë, mirëpo gjithsesi Pentagoni kishte nisur hetimet.

Në 23 gusht 2007, pikërisht në ditën kur Packouz dhe Diveroli po ndanin kompaninë në dy pjesë – zyrat e AEY në plazhin e Miamit u sulmuan nga FBI. Pasi i urdhëruan djemtë të largoheshin, ata sekuestruan gjithë dosjet elektronike e dokumentat e kompanisë.

Ky kontroll nxori në dritë emailet për shenjat kineze në kutitë e municionit që vinte nga Shqipëria, si dhe komplotin e ripaketimit. “Emailet ishin tepër inkriminues – se nxirrnin gjithçka në shesh”, rrëfen Packouz. “Që kur i zbuluan emailet e mora vesh që mbaroi gjithçka. Qemë treguar budall
enj.Po të mos kishim dërguar email, ndoshta mund ta kishim mohuar të gjithë akuzën.

Po aty ishin emrat edhe datat. S’mohonim dot gjë. E mora vesh që do na kapnin, pavarësisht gjithçkaje, kështu që u dorëzova vetë. Kur agjentët erdhën në zyrën time po talleshin me mua, aq të lehtë e patën të lexonin gjithë emailet dhe shënimet. Ishte qesharake.”

Që të mos dënohej rëndë Packouz vendosi të bashkëpunonte, po kështu edhe Podrizki. Mirëpo Diveroli vazhdoi të dërgonte municion në Afganistan, ndërkohë që ushtria amerikane vazhdonte ta pranonte.

Por tanimë procesi i ripaketimit në Shqipëri ishte gjithnjë e më difektoz. Ca nga arkat e drunjta ishin mbushur me milingona, dhe një pjesë e municionit qe dëmtuar nga uji. Ndërkohë Nju Jork Tajms, e informuar nga një avokat i Kosta Trebickës, në mars 2008 botoi një shkrim të titulluar “Nën hetim furnizuesi i armëve për Afganistanin”.

Para se të publikohej shkrimi Packouzit i kishin thënë që nuk do dënohej për tregtimin e municioneve të prodhuara në kohën para embargos, mirëpo me të dalë artikulli në Tajms, të tre njerëzit e përfshirë në këtë Pazar, Packouz, Podrizki dhe Diveroli u vendosën përballë 71 akuzave për mashtrim.

Të ballafaquar me një seri provash, të tre u shpallën fajtorë. Sekseri zviceran Heinrich Thomet ndërkohë u zhduk nga skena, dhe ca zëra thonë që është parë së fundmi në Bosnje.

Pasi u publikua gjithë historia Kosta Trebicka udhëtoi për në SHBA për të folur me hetuesit e kongresit si dhe me prokurorët federalë. Shumë shpejt e zuri frika se mos qeveria amerikane e arrestonte dhe atë vetë. Ndërkohë, sapo u kthye në Shqipëri u gjend i përfshirë si dëshmitar kyç në një çështje që përfshinte gangsterë e mafiozë të lidhur me kryeministrin (Sali Berisha sh.r.).

Por një pasdite të shtatorit 2008 Trebicka u gjet i vrarë në një “aksident” misterioz, ku makina e tij s’dihet se si, ia doli mbanë të rrotullohej mbi veten e vet në një rrugë të drejtë në Shqipërinë e jugut. U gjet i gjallë nga fshatarët, por mjekët dhe policia nuk mbërritën aq shpejt sa duhet në zonë. Në fakt, një nga zyrtarët e parë që arriti në vendngjarje, qe një ish-truprojë i kryeministrit shqiptar…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu