Pacolli: e vrau mafia

0
485

Behxhet pacolli

Behgjet Pacolli ka reaguar pas vdekjes së një djali 28 vjeçar nga Prishtina, për të cilin u tha se u helmua nga mishi i pulës. Zv.kryeministri në detyrë, thotë se djalin që vdiq, e kishte bashkëpunëtor, dhe sipas tij, ai u vra nga mafia ekonomike.

Pacolli në një shkrim të gjatë në profilin e tij në Facebook, thotë se fajin për vdekjen e Valonit 28 vjeçar, por edhe të helmimit të të gjithë qytetarëve të Kosovës, që u bëhet nga ushqimi i pakontrolluar, e kanë mafiozët që janë të mbështetur nga politikanët.

Komenti i plotë i liderit të AKR’së Behgjet Pacolli

Para disa ditësh në qendrën infektive në Prishtinë ndërroi jetë Valon Xhambazi, një djalë i ri, 28 vjeçar. Shkaku i vdekjes së Valonit, ishte helmimi nga mishi i pulës (kaqikat), ndërsa gjithashtu të helmuar janë edhe gjithë familja e tij e ngushtë. Sinqerisht, një lajm i tillë ishte tronditës për mua, që vetëm një ditë para vdekjes e takova Valonin i cili ishte një bashkpunëtor i imi këtu në Prishtinë. E dhimbshme qe vdekja e këtij të riu 28 vjeçar. Por, tronditëse dhe alarmante është arsyeja e kësaj vdekjeje. Sipas fakteve, ai u helmua nga mishi i pulës, produkt i cili nga qytetarët e vendit tonë konsumohet shumë.

E kam ngritur zërin në vazhdimësi kundër mënyrave mafioze të udhëheqjes së shtetit. Është për keqardhje se si politikanët tanë garojnë për poste e ofiqe, dhe mbajnë peng gjendjen qe 5 muaj, ndërsa në anën tjetër, qytetarët vdesin sepse mungon forca e ligjit.

Mafiozët dirigjojnë gjithçka, normalisht me mbështetjen e politikanëve që garën për të marrë pozicione e konsiderojnë jetike. Mafiozët mbajnë peng edhe kontrollin e ushqimit, kushtit elementar për jetesë. Qytetarët sot nuk e dinë se çka të zgjedhin si ushqim, sepse mbeturinat janë të përziera me produktet ushqimore. Mekanizmat shtetëror të kontrollit të sigurisë dhe cilësisë së ushqimit nuk funksionojnë. Për këtë, dikush është fajtor. Unë mendoj se kjo klasë politike, këta udhëheqës të sotëm janë përgjegjës për tërë këtë gjendje të keqe.

Po. Pikërisht këta, individë që ëndërr e kanë mirëqenien personale, janë përgjegjës për vdekjen e Valonit. Sepse nuk kanë lidhje me mënyrën se si menaxhohet ushqimi i qytetarit. Se si menaxhohet kontrolli i ushqimit. Kush dhe si e kontrollon cilësinë e ushqimit? Kush i kontrollon ushqimet që ngrihen e shkrihen disa herë dhe ashtu të kontaminuara u servohen qytetarëve për tu konsumuar. Kush e kontrollon higjienën e gjellëtoreve, restoranteve, e depove ku qëndron ushqimi?

Edhe sa njerëz duhet të vdesin që të alarmohen qytetarët dhe mos të bëjnë gabimet që bënë deri tani, duke ua dhënë besimin njerëzve që brengosen vetëm për interesin personal. Këta njerëz, janë përgjegjës për të gjitha dëmet që i janë bërë Kosovës dhe qytetarit të saj. Janë përgjegjës për dëmtimin e perspektivës ekonomike duke e keqtrajtuar shtetin dhe pronën shoqërore. Kosova duhet të çlirohet nga kjo kastë e politikanëve me mentalitet egoist dhe aspak human. Dhe papërgjegjësia e tyre është duke e dërguar Kosovën në greminë. Pikërisht në atë gjendje që e përmendi edhe ambasadorja e nderuar Jacobson.

Nuk mjafton të jesh i dhunshëm, nuk mjafton të jesh i fortë, i pasur(me pasuri të fituar për një natë), nuk mjafton të jesh ish komandant i luftës, i pashëm, i veshur me kollare dhe me rroba të modës së fundit, ose me diploma të universiteteve ballkanike, për të udhëhequr shtet.

Të udhëheqësh shtet do të thotë të menaxhosh një shoqëri të tërë, në mënyrë dinjitoze, në mënyrë të sinqertë, transparente etj, të bazuara krejt këto në eksperiencë, vizion dhe ajo që është më se e rëndësishme të rrish në mënyrë vertikale para çdo problemi. Para së gjithësh nevojitetet korrektësi, transparencë që të mos kesh nevojë për të vjedhur. Të kesh eksperiencë, vizion traditë prirje për të menaxhuar.

Qytetarët e Kosovës e kanë shansin që ta kuptojnë se ata janë vetë përgjegjës se kënd e zgjedhin për të udhëhequr me shtetin. Zgjedhja e njerëzve dinjitozë nuk duhet të niset as nga inatet as nga interesat e ngushta personale por nga atributet që i përmenda më lart.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu