PAN ia pranon kushtin Listës serbe, provojnë themelimin e Qeverisë?

0
62

Koalicioni PDK-AAK-Nisma, i cili i pari do të provoj themelimin e institucioneve, nuk do të mund ta arrij qëllimin e saj pa votat e listës serbe. Kandidati për Kryeministër i koalicionit PAN Ramush Haradinaj, ka deklaruar se do të bisedojnë edhe me listën serbe dhe pakicat e tjera si kategori kushtetuese,

për themelimin e institucioneve. Në anën tjetër, serbët po vazhdojnë të jenë insistues që Listës serbe t`i takoj ndonjëri nga postet udhëheqëse si kushtëzim për bërjen e numrave për formimin e qeverisë.

Muharrem Nitaj anëtar i Kryesisë së AAK-së ka thënë për gazetën “Bota sot”, Lista serbe është kategori kushtetuese dhe se nuk ka kushtëzime lidhur me këtë çështje.

Muharrem Nitaj
Sipas tij, serbet duhet të jenë pjesë e Qeverisë, dhe këtu nuk ka kurrfarë patriotizmi.

“Kjo gjë është kaq e thjeshtë dhe kaq e panevojshme që të kalkulohet me një farë lloj patriotizmi e nacionalizmi politik. Ata do të jenë pjesë e qeverisë së Kosovës, për aq sa kanë edhe hapësirë. Këtu nuk mund të ketë kurrfarë kushtëzimi nga askush i nominuari për kryeministër Ramush Haradinaj, meqë tashmë është veç janë duke u zhvilluar bisedimet për krijimin e Qeverisë. Dhe sigurisht se marrëveshjet  e tilla, do të finalizohen pas certifikimit të rezultateve dhe besoj se kjo do të bëhet deri kah fundi i kësaj jave”, ka thënë Nitaj.

Pantina: Lista serbe dhe PDK të papranueshme

Kurse, Deputetja e VV-së Shqipe Pantina, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se me PDK-në dhe Listën serbe nuk do të bëjnë koalicion.

Shqipe Pantina

“Qëndrimi ynë është që të mos bëjmë koalicion me PDK-në dhe Listën Serpska në asnjë variant, prandaj çfarëdo kushte që ata vënë për ne janë të papranueshme”, është shprehur deputetja Pantina.

Ish deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi ka vlerësuar se Lista Serbe si subjekt politik legjitim ne Kosovë, ka të drejtë të kërkojë poste udhëheqëse, mirëpo subjektet politike të Kosovës duhet të bëjnë çmos që ajo dëshirë mos t`i realizohet.

Shpejtim Bulliqi

“Partitë shqiptare të Kosovës, duhet ta afrojnë listën serbe por për momentin vetëm sa për të përmbushur obligimin kushtetues, dhe nuk duhet që të krijojnë qeveri të varur nga lista serbe, derisa ata ta ndryshojnë qasjen-ata duhet ti përfaqësojnë interesat e serbeve të Kosovës, jo të Beogradit zyrtar. Megjithatë unë nuk jam në dijeni për kombinimet rreth koalicioneve për qeveri, por një gjë e them me bindje të plotë: se në asnjë formë qeveri jo-stabile me listën serbe si partnere e cila e shantazhon Kosovën. Ata duhet të jenë në qeveri sa për ta përmbushur Kosova obligimin por assesi partner vendimtar i cili do ti dëmtonte interesat e Kosovës siç kanë bërë mandatin e kaluar( bllokimi i transformimit të FSK në ushtri, qasja dhe nënshtrimi ndaj Beogradit zyrtar etj(serbet e Kosovës janë pjesë e Kosovës , ata duhet të përfaqësojnë veten e tyre në Kosovë, jo te Vuçiqit e Daçiqit”, ka thënë Bulliqi.

Shembulli i Maqedonisë

Ndërsa analisti politik Faton Mehmeti ka vlerësuar se Beogradi është i trishtuar nga faktorizimi i shqiptarëve në Maqedoni, derisa gazetat atje shkruajnë se shumë shpejt do të bëhen tri shtete shqiptare në Ballkan, duke iu referuar Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

Faton Mehmeti

“E gjithë kjo bëhet si përpjekje për të relativizuar rritjen e ndikimit të shqiptarëve në Ballkan, kjo për faktin se serbët po përdorin çdo mundësi për të ndaluar një gjë të tillë. Dhe gjatë gjithë historisë së tyre si komb, serbët kanë garuar me shqiptarët pikërisht nga eposi si ardhje dhe forcë për të rritur qëndrimin e tyre. Pra këtu asgjë nuk është e rastësishme, dhe një faj të madh e ka edhe Bashkësia Ndërkombëtare e cila duke ledhatuar ‘ujkun’ asnjëherë nuk  ia shkurtoj dhëmbët . Dhe kjo gjë natyrisht se e sjellë në pozitë të vështirë PAN, e cila nga votuesit e tyre mund ta trajtojnë si tradhtar, nëse veç lejojnë ndonjë serb që të bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Mehmeti.

Për më tepër sipas tij, pas kësaj PDK-së nuk do ti mbetet asgjë, përveç posti i presidentit, madje edhe ai mjaft i rezervuar nga pushteti.

“Do të thosha se ekziston një mundësi e tillë që serbët të marrin postin e kreut të Kuvendit të Kosovës, me insistimin e Thaçit i cili servilizmin e tij ndaj ndërkombëtareve për t’i ikur Gjykatës Speciale, do mund të përdorë edhe një ndikim të tillë. Gjithsesi me qëndrimet e serbëve të Kosovës duke mos njohur shtetin, është non -sens që të bëhesh kryetar i Kuvendit të një shteti që nuk e njeh. Pra kjo krijon konfuzion dhe non -sens të llojit të vet. Përcaktues do të jetë roli i ndërkombëtarë, nëse ata e shohin të dobishëm për interesat e tyre dhe kjo sigurisht se do të ndodhë, sepse në të kundërtën do të mbetet vetëm dëshirë e serbëve”, është shprehur analisti Faton Mehmeti.

PDK e gatshme për kompromise

Njohësi i çështjeve politike Zudi Xhelili ka vlerësuar se Lista Serbe duhet të veprojë si të gjithë partitë tjera në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe njëherë e përgjithmonë ta kuptojnë realitetin e ri në Kosovë.

Zudi Xhelili

“Duhet të punojnë edhe ata për të mirën e Republikës së Kosovës, të heqin dorë nga politika destruktive dhe paralelizmat dhe ta njohin shtetin e Kosovës. Tashmë është e qartë se partitë që janë krahu i luftës më mirë bashkëpunojnë me Listën Serbe se sa me partitë tjera. Dhe kjo do të thotë që ekziston mundësia që koalicioni PAN të ketë bërë marrëveshje paraprake. PDK është humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve, prandaj edhe janë të gatshme për kompromise të mëdha dhe mendoj se e gjithë kjo ndodhë vetëm për shkak se krerët e kësaj partie, duan të shpëtojnë kokat e tyre nga krimet e bëra”, është shprehur njohësi i çështjeve politike Zudi Xhelili.

Nga ana tjetër analisti politik Blerim Burjani duke folur rreth kësaj çështje ka nënvizuar  ka thënë se serbet janë pakicë dhe kjo temë tashmë ka përfunduar.

Blerim Burjani

“Nuk ka poste të kohës së komunizmit dhe kjo çështje është e kryer, dhe mendoj se as që duhet kush të merret me këtë problem. Pra partitë shqiptare duhet të merren vesh për të formuar institucionet, vota kanë mjaftueshëm dhe po ashtu janë të gjitha parametrat për të pasur mundësi që të themelojnë institucione, dhe nuk duhet më të varet nga institucionet e pakicave”, ka thënë Burjani.

Të mos pranohet kushti

Ndërsa njohësi i çështjeve juridike, profesor Muhamet Kelmendi ka pohuar se kjo është e kuptueshme se Listës Serbe dhe Beogradi po luajnë në dy drejtime të cilat e kanë një vëllim.

Muahmet Kelmendi

“Së pari, në mos lejimin e funksionimit të shtetit, duke e cilësuar Kosovën në vend serb dhe së dyti, në kapjen e pushtetit brenda në Kosovë për të mos e lejuar funksionimin e shtetit tonë. Andaj nuk besoj se do ketë koalicion, sepse ka parti politike që pranojnë një kërkesë të tillë dhe aq një subjekt. Pra, askush nuk dëshiron lidhje të tilla të dëmshme për vendin tonë”, është shprehur njohësi i çështjeve juridike Kelmendi.

Serbia të njoh Kosovën

Ndërsa njohësi i çështjeve politike dhe juridike Ilir Vata ka thënë se ka ardhur koha që Serbia do ta njohë vetë Kosovën, çdo manovër për ndikim të Beogradit në politikën shqiptarë është një tërheqje vëmendje ndaj BE-së dhe vënë atë nën presion.

Ilir Vata

“Insistimi i Beogradit që Listës serbe t’i takoj njëri nga postet udhëheqëse, përderisa ata nuk e njohin Kosovën si shtet, është absurd, pasi Kosova është shtet i pavarur dhe në të gjithë kontekstin e saj juridik dhe faktik të pavarësisë se saj politike dhe territoriale dhe Beogradi nuk ka asnjë pakt në politikën e Kosovës dhe nuk ka asnjë të drejtë të bëjë manovra të tilla qesharake, sepse një botë e mbarë e dinë se manovra e Beogradit është një lojë qesharake, pasi Serbia nuk ka asnjë të drejtë të fusë hundët në punët e brendshme të shtetit të Kosovës, dhjetëshet bëjnë interesantin në politikën ndërkombëtare, por që s’ka asnjë vlerë “, ka pohuar Vata.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu