Papa Kristo Negovani

0
253

Lindi ne Negovan afër Follorinës në Greqinë veriore, një fshat që, bashkë me Bellkamenin fqinjë, kishte qenë banuar në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë nga shqiptarë të Plikatit të krahinës së Kolonjës.

Shkollën e bëri në Athinë, ku e dërgoi i ati Harallamb Çali, që ishte tregtar. Shkrimtar dhe klerik patriot. Luftoi kundër synimeve shkombëtarizuese të kishës e të qarqeve shoviniste të borgjezisë greke. Propagandoi idenë e bashkimit të forcave patriotike në luftën kundër lakmive të shteteve shoviniste fqinje. Vdiq i masakruar barbarisht nga andartët grekë.

Vdekja e të atit, të cilin e vranë banditët më 1891, e shtrëngoi Kristo Negovanin të braktisë studimet e të punojë si mësues në një shkollë fillore greke në Leskovik për të mbajtur familjen. Më 1894 emigroi në Braila të Rumanisë ku punoi tre vjet si marangoz. Po këtu ra në kontakt me lëvizjen kombëtare dhe mësoi të shkruajë shqip (me alfabetin e Stambollit). Më 1897u kthye në fshatin e lindjes, u shugurua prift dhe vazhdoi punën si mësues. Shtëpinë e vet Negovani e ktheu në shkollë dhe u mësoi shkrim e këndim shqip mbi njëqind fëmijëve e të rriturve. Ai edhe meshën e mbante shqip, gjë që nuk i pëlqeu aspak hierarkisë ortodokse greke.

Më 10 shkurt 1905 Negovani mbajti një shërbesë kishtare shqip në prani të Karavangjelisit, peshkop i Kosturit, i cili duke dalë nga kisha, flitet se tha ato fjalë fatale, “Mos të gjettë viti tjetër ndër të gjallët“. Pas dy ditësh, të shtunën, 12 shkurt1905, fshati u rrethua nga banditë që e detyruan tridhjetëvjeçarin Negovani të vetëdijshëm për fundin që e priste, të dilte jashtë shtëpisë në mes të natës për ta masakruar pastaj me sëpatë bashkë me pesë të tjerë, ndër ta edhe i vëllai. Për të marrë hak për këtë akt që hierarkia ortodokse greke ua veshi shqiptarëve, komiti shqiptar Bajo Topulli (1868-1930) i zuri pritë dhe vrau Fotin, peshkopin e Korçës, në shtator 1906.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu