Paradoksi i EULEX-it!

0
326

Kapja spektakulare nëpër zyra, nëpër shtëpi, me duar të lidhura të zyrtarëve më të lartë të shtetit nga ana e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, nuk janë barometër se ky mision po kryen punën me sukses në luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Madje, vlerësohet se EULEX edhe pas katër vitesh të ardhjes në Kosovë dhe arrestimeve të dhjetëra rasteve të “peshqve” të mëdhenj, dhe ngritjes së një numri të vogël të akuzave ka dështuar në luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Pothuajse në të gjitha rastet, ku personat zyrtarë janë arrestuar me shumë zhurmë e nën praninë e kamerave televizive për afera korruptive, pamje këto që më shumë iu ngjasonin filmave, ata sot ose janë shpallur të pafajshëm, ose edhe janë dënuar me kush.

Momente të tilla gjatë arrestimeve të “peshqve” të mëdhenj opinioni në Kosovë ka mundur t’i shohë si në rastin e ish-ministrit të Transportit Fatmir Limaj,ish-guvernatorit të Bankës Qendrore Hashim Rexhepit, pastaj drejtorit të Aeroportit të Prishtinës Afrim Haziri, kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamitit, ish- sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajt,…etj, të cilat raste janë shpallur të pafajshëm ose janë dënuar me kusht.

Viktimizimi i Hashim Rexhepit

Njëri nga rastet më të mëdha që ka trajtuar EULEX është ai i guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepit,i cili fillimisht u akuzua rëndë, pastaj akuzat ndaj tij u zbutën dhe në fund, ai doli të jetë i pafajshëm. Sigurisht se opinionit i kujtohet kur në mëngjesin e hershëm të 23 korrikut 2010, Rexhepi u nxor në mënyrë spektakulare me duar të lidhura nga vendi i punës nën praninë e madhe policore nën dyshimin për përfshirja në afera korruptive.

Ish-guvernatori i bankës dyshohej se ishte aksionar i një firme që përfitonte nga kontratat e lidhura me Bankën Qendrore, i cili ishte akuzuar nga shefi i Task-Forcës Kundër Korrupsion, Nazmi Mustafi se kishte një banesë në Shqipëri, të cilën pretendohej se e kishte marrë si ryshfet nga kompania e sigurimeve “Dardania”.

Por, në fund gjykata nuk mundi të vërtetojë fajësinë mbi Rexhepin, i cili edhe pas një viti e gjysmë të përballjes më drejtësinë, ai u lirua si i pafajshëm.
Vetë Rexhepi thotë se prangosja e tij në mënyrë spektakulare nën e praninë e madhe të kamerave televizive me duar të lidhura e ka dëmtuar rëndë imazhin e tij.“Dëmet janë të pakompensueshme dhe ato vërehen në çdo segment të jetës.

Ajo çka ka ndodhur me mua, vërtetë ka qenë një proces i montuar dhe motivuar politikisht”, ka thënë ai pë gazetën “Zëri”. EULEX nuk e ka lënë “rehat”edhe shefin e Aeroportit të Prishtinës dhe atë të Doganave, ku në të dyja rastet të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm.

Ish-drejtori i Aeroportit, Afrim Aziri në vitin 2008 qe kapur nga policia në zyrën e tij dhe ishte sjellë në gjykatë i prangosur. Pas një përballje katërvjeçare me drejtësinë, ai së fundmi është liruar i pafajshëm nga të gjitha akuzat, i cili edhe ka filluar punën e tij në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës,por jo në pozitë të njëjtë.

Kapja spektakulare e tij nën praninë e kamerave televizive thotë se e ka dëmtuar imazhin dhe reputacionin e tij.

Paradoksi i aktakuzave

I pafajshëm nga gjyqtarët e EULEX është shpallur edhe drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica së bashku me drejtorin e zyrës ligjore, Lulzim Rafuna. Edhe drejtori i Doganave, Naim Hurglucia thotë se pretendimet për fajësinë e tij sigurisht se kanë dëmtuar imazhin e tij.

Ai tregon se ka qenë e mundshme përballja dyvjeçare me drejtësinë, por që në fund, tha ai u dëshmua pafajësia.

“Nuk është lehtë kur një zyrtar i lartë gjendet nëpër artikujt kryesorë të gazetave nën dyshimin se po hetohet për keqpërdorime apo korrupsion. Vërtet edhe pse në fund drejtësia dëshmoi pafajësinë time, megjithatë dëmet në aspektin e dëmtimit të reputacionit dhe emrit personal kanë qenë të pariparueshme”, ka thënë Hurglica.

“Fatin” që të përballet me drejtësinë ndërkombëtare e ka pasur edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi, i cili në fund megjithatë u shpall i pafajshëm. Ai thotë se ky është çmimi i të qenit në jetën publike në Kosovë, ku nganjëherë të lëvdojnë dhe mbulojnë me dafina, e ndonjë herë të akuzojnë dhe të ndjekin prokurorët.

“Kjo është kostoja e sistemit juridik në Kosovë që ende nuk është konsoliduar”, ka thënë ai,duke e pranuar se përballja me drejtësisë ka qenë e mundshme.

“Në dasmë me të thirr 20-30 herë, dikur lodheni nga dasmat, e lërë më të shkosh nëpër seanca gjyqësore, kur je i sigurt se je i pastër”, ka thënë zëvendëskryeministri Bukoshi.

Spektakle të tilla mediale kemi parë edhe gjatë arrestimit të ish-ministrit të Transportit Fatmir Limaj, që edhe pas sa vitesh vazhdon të përballet me drejtësinë ndaj të cilit së fundmi është ngritur aktakuzë për katër vepra penale, ndër to krim i organizuar, korrupsion, keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndërsa i janë hequr tri vepra.

Ngjashëm është vepruar edhe në rastin e arrestimit të kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamitit, mbi të cilin rendojnë dyshimet për zhvatje dhe korrupsion, proces ky që është mbyllur, sikurse edhe me rastin e arrestimit të sekretarit të MSH-së, Ilir Tolajt.

Show media i EULEX-it

Kapja e figurave të ndryshme politike dhe institucionale nën praninë e forcave të mëdha policore nga ana e EULEX-it që merret ekskluzivisht me rastet e profilit të lartë, sipas shoqërisë civile tregon se ky mision pa zhvilluar hetime të mirëfillta ka arrestuar zyrtarët e lartë duke bërë shou medial.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se misioni i EULEX-it në Kosovë ka dështuar që të ofrojë rezultate konkrete në sferën e drejtësisë në luftimin e krimeve të luftës, krimit të organizuar dhe korrupsionit për të cilat ka mandate ekskluziv.

“Rezultatet dhe praktikat e ndërtuara nga këta prokuror dhe gjykatës ndërkombëtar kanë qenë të mbrapshta në disa raste, pasi kanë zhvilluar spektakle, duke prangosur figura të ndryshme politike e institucionale, pa zhvilluar hetime të mirëfillta, të cilat në fund kanë rezultuar si raste të dështuara. Këto dështime kanë zbehur edhe besimin tek EULEX-i, pasi pritjet kanë qenë të mëdha, ndërsa dështimet e tyre të vazhdueshme kanë ndikuar që grupet e organizuara kriminale mos të marrin goditjen e duhur nga organet e drejtësisë as vendore e as ndërkombëtare”, ka thënë Musliu.

E në anën tjetër, zyrtarë të EULEX-it paralajmërojnë se së shpejti një hetim i thellë për korrupsion të lartë do të nisë për Ministrinë e Transportit dhe Postë- Telekomunikacionit.

Shefi i Zyrës për Informim në EULEX, Anne Blenksma, thotë se raste të mëdha janë dhe do nisin së hetuari, por që sqaron se rastet që kryesisht kanë të bëjnë me korrupsionin janë shumë komplekse dhe mund të marrin kohë të gjatë për t’u hetuar. Ai deklaron se ka shumë njerëz të pushtetit që janë hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar, përfshirë ministra, gjykatës, prokurorë, njerëz të biznesit, etj.

EULEX vazhdon hetimet

“Në rastet ku është përfshirë EULEX, janë marrë 42 vendime vetëm për korrupsion, dhe janë 39 raste të tjera që po hetohen pikërisht për korrupsion. Ka disa hetime të profilit të lartë të vazhdueshme që lidhen me korrupsionin, siç është rasti i pasaportës. Disa raste të profilit të lartë janë aktualisht në fazën e gjykimit, ku EULEX-i është i përfshirë, ku njëri prej tyre është edhe gjykimi për kryetarin e Prizrenit”, tha Blanksma.

Sipas tij,45 për qind e rasteve që trajton EULEX-i kanë të bëjnë me krime financiare, dhe në këtë drejtim ka thënë ai, numri i rasteve që trajton EULEX është rritur mbi 35 për qind në vitin 2012 krahasuar me vitin 2011.

Sidoqoftë, EULEX shqyrton rastet e profilit të lartë, kryesisht që kanë të bëjnë me krime lufte, afera korruptive, e krim të organizuar, ndonëse deri më tash ky mision ka ngritur disa aktakuza ndaj “peshqve të mëdhenj”, ndërsa hetimet po i zhvillon edhe për disa zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit.

 

Nga: Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu