Partitë s’kanë ide si të veprojnë ndaj ‘Deputetëve Tradhtarë’

0
62

Mungesa e deputetëve të mjaftueshëm për ta votuar ‘Qeverinë Haradinaj’ ka bërë që koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) të vihet në lëvizje. Zyrtarë nga ky koalicion vazhdimisht po deklarojnë se i kanë siguruar edhe votat e deputetëve nga partitë tjera për krijimin e qeverisë.

Deputetët më të përfolur, kanë thënë ata, vijnë nga partitë tjera, si koalicioni LDK-AKR-Alterbativa, por edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ajo që mundem me konfirmua sot është që ne votë kemi për Qeverinë, 61 + e kemi me votë të dakordume, të konfirmume me pakicat dhe deputetë të tjerë të zgjedhur”, kishte thënë kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj në fund të muajit të kaluar.

Këto dy parti e kanë mohuar kategorikisht se deputetët e tyre do ta votojnë ‘Qeverinë Haradianaj’. Madje këtë e kanë mohuar edhe deputetët, të cilët me emër janë përmendur në media.

Nuk dihen masat që do të merren ndaj deputetëve nëse e votojnë ‘Qeverinë Haradinaj’

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje thotë se është e pavërtetë se koalicioni PAN i ka numrat, ndërsa thotë që PAN në mungesë të numrave po mundohet të blejë deputetë sikurse në të kaluarën.

“Është e pavërtetë që koalicioni PAN i ka numrat për krijimin e Qeverisë, po t’i kishin, do ta krijonin Qeverinë dhe nuk do ta mbanin peng konstituimin e Kuvendit. Duke qenë që e kanë të vështirë bërjen e numrave, këta po mundohen t’i bëjnë numrat me anë të blerjes së deputetëve, sikur në të kaluarën”, ka thënë Haxhiu për Insajderin.

Haxhiu u shpreh e bindur se asnjë deputet nga Vetëvendosje nuk do ta votojë koalicionin PAN, ndërsa nuk ka pranuar të flasë për masat ndaj deputetëve të VV-së nëse e votojnë koalicionin PAN.

“Unë jam e sigurt që asnjëri nga ta nuk do ta përdhosë besimin që i është dhënë. Pra, në asnjë mënyrë nuk e voton PAN-in. Prandaj, nuk mund të flas për veprime që do të ndërmerreshin në një situatë që është hipotetike”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkohë, situatë e paparashikueshme është edhe në LDK nëse ndonjë nga deputetët e kësaj parti voton pro PAN-it.

Nënkryetari i saj, Haki Rugova, është i bindur se kjo nuk do të ndodhë.

“Unë e kam bindjen që asnjë prej deputetëve tonë nuk do ta votojnë. Këtë bindje e kam. Por çka bëhet nëse dikush e voton, nuk dihet”, ka thënë Rugova për Gazetën Insajderi.

Por, Arben Gashi nga LDK, ditë më parë ka thënë se, nëse ndonjë deputet i LDK-së voton pro qeverisë së PAN-it, nuk do të kishte më vend në LDK.

Analistët vlerësojnë se, ndonëse mandati i deputetëve është i pavarur, dhe rrjedhimisht edhe vota e tyre, por në rast se e ‘tradhtojnë’ elektoratin dhe partinë, do të jetë në qendër të përfoljes.

“Por, kushdo qoftë prej këtyre deputetëve të partive jashtë PAN-it që e voton Haradinajn kryeministër, ka me qenë në njëfarë forme shumë i targetuar apo shënjuar edhe nga opinioni publik edhe prej vetë partive të tyre. Kushdo qoftë që e bën këtë akt, unë besoj që nuk e ka të lehtë. Është shumë më vështirë tash të votohet qeveria sesa në vitin 2014”, ka thënë Mushkolaj./Insajderi.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu