Pasardhësit e Skënderbeut në Itali

0
243

Jam në dijeni të diskutimit interesant të zhvilluar gjatë muajit korrik në suplementin “Milosao”, të “Gazetës Shqiptare”, me pjesmarrje të Dr. Gjikës, të Dr. Polovinës dhe të Prof. K. Frashëri, dekani i historianëve shqiptarë. Ky diskutim është për mua i rëndësishëm. Dhe është i tillë vetëm për arsye shkencore, sepse të paktën ç’prej tridhjetë vjetësh një ndër interesat e mia studimore ka të bëjë pikërisht me historinë sociale të mërgatës shqiptare në Itali, si edhe me historinë e disa familjeve të mërguara, si për shembull, me atë të pasardhësve të heroit Skënderbe, apo të pasardhësve të gjeneralit Kont Urani, e mjaft të tjerë. Natyrisht, flitet për një histori italiane, e cila mendoj, për shumë arsye morale, për të cilat do të flas më poshtë, mund të paraqesë interes edhe për lexuesin shqiptar.
Dua të vë në dukje se nje studim i gjatë imi, Castriota Scanderbeg und Granai Castriota in Italien (në vëllimin: The living Scanderbeg. The Albanian Hero between Myth and History, e botuar në 2010 në Hamburg nga shtëpia botuese Kova?, nën kujdesin e kolegëve M.Genesin dhe J. Matzinger) akoma e pabotuar ne gjuhën italiane, përmban të gjitha dokumentat dhe studimet e njohura nga unë, dhe ndoshta mund të jetë i dobishëm për të sqaruar ndonjë dyshim. Mësova, për shembull, për interesimin e madh që ka ngjallur tek lexuesit shqiptarë lajmi i një vajze të heroit me emrin Vojsava. Por a është ky një lajm i besueshëm? Ka shumë pak të ngjarë të jetë i tillë. Nuk njoh asnjë dokument mbi këtë person; autori i parë që flet, për aq sa di unë, është Orbini (Il Regno degli Slavi, 1601, f. 388), në një pjesë me lajme konfuze, nga ku autori kalon tek Ducange e më tej zgjerohet duke sjellë referenca italiane: a mund ta marrim në konsideratë, kur bëhet fjalë për një pemë gjenealogjike? Do të thoja, jo. Për vetë natyrën e saj, një gjenealogji duhet të mbështetet vetëm në dokumente të sigurta e absolutisht autentike, dhe asnjëherë mbi rrëfime ose hamendje, që shpesh përfundojnë në krijime e, pra, në gabime ose në falsifikime. Pra, e miratoj qëndrimin skeptik që ka mbajtur Prof. Frashëri dhe distancimin e tij nga falsifikatorë joshës e shpikës gjenealogjish, si Andrea Anxhelo. Por është gjithashtu e vërtetë, që studimet gjenealogjike mbi familjen dhe pasardhësit e heroit, dhe mbi familje të tjera shqiptare të mërguara, janë të shumta në Itali (ku dokumentacioni është i pasur) dhe shumë shpesh të besueshme nga ana shkencore, dhe për këtë arsye mbështes ftesën e matur të zotit Gjika për ta zgjeruar horizontin e bibliografisë përtej veprave të zakonshme që përmenden gjithmonë. Por ka edhe diçka tjetër. Një pemë gjenealogjike e vërtetë duhet të shkruajë përherë historinë e lidhjes së gjakut dhe jo vetem historinë e pretendimeve dinastike, qofshin ato të vërteta ose të sajuara.
Me konceptin “pemë gjenealogjike e vërtetë e gjakut” unë kuptoj shpalosjen e një “gjenealogjie në vijë atërore” (pra, që buron nga i pari i fisit, dhe pastaj vazhdon nga ati tek i biri: kjo shprehet, ndoshta, në mbiemrin “gjenetik”). Por është esenciale, që një gjenealogji e tillë të gjejë mbështetje në prova dokumentare për çdo brezni. Prof. Frashëri ka të drejtë: familja e ligjshme e të madhit Skënderbe u shua me “Irenën” (Erina), një nga gratë më të bukura dhe më të pasura të Italisë së shek. XVI, bashkëshortja e princit Sanseverino, dhe bija e ligjshme e Ferrante Kastriot Skënderbeut, dukë i Shën Pjetrit në Galatinë (“San Pietro in Galatina”), i fundit ndër meshkujt e ligjshëm të asaj familjeje. Por gjaku dhe pasardhësit e Skënderbeut nuk shuhen me Erinën, sepse duka Ferrante, një njeri me shumë të dashura, pati të paktën 12 fëmijë, meshkuj dhe femra, të lindur jashtë martese; edhe këtë e di mirë prof. Frashëri, dhe siç besoj, e ka mësuar nga Paolo Petta, i cili, nga ana e tij, e ka nxjerrë nga një shkrimi im i vitit 1989, para të cilit njihej me siguri një numër shumë më i vogël fëmijësh. Por, duhet pranuar se figura e dukës Ferrante është pak e studiuar, pavarësisht se Marin Barleti ia dedikoi pikërisht atij veprën e tij madhore, dhe shpesh herë ai ngatërrohet me një pasardhës të Kont Uranit, markezin e Civita Sant’Anxhelos, Ferrante Kastriotin që përdorte mbiemrin Kastrioti (ashtu si dhe Granai) por që me familjen e Skënderbeut nuk kishte as lidhje farefisnore (megjithëse K. Hopf e mendonte ndryshe).
Ai ishte një luftëtar i madh që, sipas një rrëfimi, në vitin 1525 mbeti i vrarë në betejen e Pavias nga dora e vetë Fransuait Irë, mbret i Francës. Për këtë markez, dhe jo për dukën, e ka fjalën Paolo Xhovio, i cili e përshkruan me një pamje madhështore. Por, edhe duka i Galatinës ishte dukshëm shtatlartë: një dëshmitar që e kishte parë, e përshkruan me këto fjalë: “era un homo alto come un gigante”, pikërisht si stërgjyshi i tij, famëmadhi Gjergj. Do të ishte interesante të dinim se si i trajtonte fëmijët e tij të paligjshëm ky njeri me një trup gjiganti, që i kallte frikën kujtdo dhe që në pallatin ku jetonte bashkë me motrën Marië, një grua e ditur e besimtare që i ngjante aq shumë stërgjyshes së saj hijerëndë, Donikës, mblidhte një rreth poetik: kompozimet e tij janë ruajtur dhe ato i ka studiuar i paharruari im atë. Për këtë çështje nuk kemi mjaft të dhëna, por duket se duka Ferrante i çmonte shumë këta fëmijë të paligjshëm. Ndoshta edhe i donte. Sidomos përfillte më shumë ata të cilët kishin lindur nga gra që u përkisnin shtresave të larta shoqërore, dhe kjo nuk duhet të na habisë: atë kohë, fëmijët e paligjshëm ndiqnin gjendjen juridike (status) të nënës. Por ka një përjashtim: Federiku ishte djali i një gruaje të thjeshtë nga Galatina, por i ati e donte dhe e vlerësonte, ndoshta sepse ishte i pari fëmijë mashkull, apo ndoshta për arsye të tjera; kështu duka, në vitin 1548, organizoi martesën e tij me një grua nga një familje e rëndësishme feudale e provincës, dhe pasardhësit e tij, sot të shuar, kanë qenë për një kohë të gjatë zotër të Galjanos. Fëmijët e tjerë jashtë martese kishin lindur nga gra fisnike të vendit; për shembull Pardo, pasardhësit e të cilit bënin pjesë në parinë (“patrizi”) e Leçes dhe u bënë edhe kryebashkiakë të qytetit. Në vitin 1549 duka i dhuroi Federikut një shtëpi të madhe në sheshin e Galatinës, dhe për habinë tonë, në dokumentin përkatës, origjinali i të cilit ruhet në një arkiv publik, e përcakton atë “eius filium bone indolis”, dmth. “djalë me karakter të mirë”. Janë fjalë që na lënë të kuptojme disa gjëra. Dy vajzave, pa dyshim nga një nënë e shtresës së lartë, duka u dha nga një pajë të madhe dhe i martoi me feudalë vendas: quheshin Lukrecia dhe Andronika, ky i fundit emër i njohur në atë familje. Fëmijët e tjerë nuk patën këtë fat, me siguri për shkak të prejardhjes modeste të nënave dhe e u larguan shpejt nga Galatina për të shkuar në Kalabri, tek motra e gjakut Irena. Bëhet fjalë për një femër, Porcian e, të paktën, dy meshkuj: Akilin dhe Qezarin. Në Kalabri që të dy këta arritën të bëjnë përpara dhe qoftë ata, qoftë bijtë e tyre u bënë zotër feudalë të vendeve të ndryshme. Pasardhësit e Akilit jetojnë ende në Napoli.
Do të doja të vë në dukje se të gjithë atyre duka Ferrante u lejoi të mbanin mbiemrin e tij, Kastriot Skën-derbeu. Dua gjithashtu të theksoj se disa prej tyre u shpërblyen prej tij me prona e pasuri, ndërkohë që të gjithë, kush më shumë e kush më pak, e patën ndihmën ose të dukës, ose të Irenës, ose të Maries së ditur, e cila në testamentin e saj, që fatkeqësisht ka humbur, u la pasuri të mëdha Federikut, Pardit e ndoshta edhe të tjerëve.
Tani është vendi të pyes: e gjithë kjo mund t’i shndërrojë fëmijët e paligjshëm në fëmijë të ligjshëm? Sigurisht që jo. Do të shtoj një hollësi me rëndësi të madhe; nga Pardo dhe Akili rrjedhin dy linja gjenealogjike të vërtetuara në çdo brezni nga dokumente të sigurta; flitet për gjenealogji të vërteta dhe jo të sajuara, mjafton të lexohet studimi im i vitit 2010 për ta kuptuar. Por, në çdo rast, në u dashtë, jemi në gjendje ta provojmë përsëri.
Megjithatë, dhe këtu Prof.Frasheri ka përsëri të drejtë, nuk ekzistojnë vetëm gjenealogji të vërteta, por edhe gjenealogji të sajuara, ose të paktën “të përshtatura”. Fjala është për librin e vogël të Karlo Padiljones (që përndryshe është një libër i mirinformuar) i cili, siç thotë Frashëri, është frymëzuar nga një qëllim i rremë: të shndërrojë Akilin në një fëmijë të ligjshëm të dukës Ferrante. Kjo, në një kohë kur Akili ishte fëmijë i Dianorës, një grua nga Korona e Moresë, të cilën duka e kishte liruar me të holla nga një anije piratësh (“a quadam navi”) dhe më pas kishte rënë në dashuri me të. Këtë gjë e dëshmon një dokument i vitit 1545 i botuar nga unë në vitin 1989, marrë pastaj nga Petta i cili është, sipas mendimit tim, burimi i Prof. Frashërit. Pra është e drejtë të dyshosh para se të besosh, por në të njëjtën kohë, ka disa dallime që është mirë të bëhen. Po bëj atëherë një pyetje tjetër: fakti që këta Kastriotët e sotëm rrjedhin në vijë mashkullore jashtë martesës, dhe në mënyrë të sigurt dhe nga babai tek i biri prej të madhit Skënderbe u lejon këtyre Kastriotëve të sotëm të paraqesin ndonjë kërkesë, të fitojnë ndonjë pikë nga Shqipëria ose, më keq, mbi Shqipërinë. Sigurisht që jo. I jap plotësisht të drejtë prof. Frashërit, madje shkoj edhe më tej: edhe sikur të dilte një pasardhës ligjshëm i Skënderbeut, as ai vetë nuk mund të paraqiste kërkesa e pretendime të tilla. E megjithatë, a kanë të drejtë këta pasardhës natyralë “të vërtetë” të jenë krenarë që rrjedhin nga heroi shqiptar? Mendoj se po, dhe dyshoj që ndonjë mund ta mohojë.
Prof. Frashëri nuk e mohon, por, në qoftë se e kam kuptuar mirë, shquan disa kategori “pretenduesish” si i quan ai, të cilët ndoshta pretendojnë vetëm të rrjedhin nga heroi: ata që përdorin emrin Kastriot dhe që nuk janë aspak pasardhësit e heroit (për shembull në Itali pasardhësit e Kontit Uran); pasardhësit e vërtetë ose të rremë nga Skënderbeu në vijë femërore (ndër këta më vjen ndër mend aventurieri Stefano Zannovich, miku i Xhakomo Kazanovës), në fund ata që rrjedhin ose pretendojnë të rrjedhin nga fëmijët jashtë martesës të dukë Ferrantes. Por, pavarësisht nga çfarë pretendojnë ata, është e drejtë të vësh në të njëjtin plan gjithë këta “pretendues”? Do të thoja jo: ka disa dallime që duhen bërë. Ndoshta familjet Kastriota të cilat pretendojnë se rrjedhin nga Skenderbeu janë me “dhjetëra”. Ndër këto njoh shumë pak që mund të japin prova shkencore për prejardhjen e tyre nga babai tek i biri prej heroit.
Pyes përsëri: është e drejtë që shqiptarët ta njohin historinë e këtyre? Do të thoja po, e jo vetëm për arsye sentimentale (shqiptarët mund të kenë kuriozitet ta njohin), por sepse ekziston një histori e shqiptarëve edhe jashtë Shqipërisë që nuk është vetëm një histori familjesh fisnike dhe gjenealogjish të larta; unë në fund të fundit nuk jam nje lëvrues i Almanakut të Gotës; e gjithsesi e dimë, dhe prof. Frashëri gjithashtu, se këto familje “fisnike” shqiptare kanë pasur në Itali një rol të rëndësishëm për mijëra e mijëra bashkatdhetarë, që, të paktën deri në fund të shekullit të XVII dhe më pas, erdhën në brigjet italiane për t’u shpëtuar turqve ose për shkaqe të tjera. Kastriotët, Granajt, Muzakat e të tjerë, në Itali ishin zotërinj feudalë, ishin aristokratë (“patrizi”) dhe si shumë italianë autoktonë, i prisnin shqiptarët e mërguar, i organizonin, i udhëhiqnin – shpesh – drejt integrimit me popullsinë italiane. Kjo gjë ka ndodhur në Galatinë, në Kopertino, në Galjano, në Leçe, në Kalabri dhe në shumë vende të tjera. Ishte një gjë e mirë, mendoj unë, dhe kështu mund të mendojnë edhe lexuesit e sotëm shqiptarë. Sigurisht, as kjo nuk mund të quhet një meritë personale e Kastriotëve “të vërtetë” që vijnë sot në Shqipëri dhe nuk u jep atyre asnjë bazë për pretendime dhe të drejta. Po atëherë, përse vijnë në Shqipëri? Nuk e di, e do të duhej ta kuptonim rast për rast, por ndonjëherë, dhe këtë e di ose e marr me mend, vijnë sepse duan të shikojnë tokën e tyre të lashtë, sepse e dinë që rrjedhin nga kjo tokë dhe ndoshta janë edhe krenarë të jenë pasardhësit e Skënderbeut e të njihen si të tillë.
Deri këtu nuk ka asgjë që të shihen si miq të rremë të Shqipërisë. Kam dijeni për një baron napoletan, Del Balzo, i cili deshi të martohej në rrënojat e kështjellës në Provencë, andej nga u nisën parardhësit e tij për në Napoli 700 vjet më parë. Përse e bëri këtë?
Napoleoni, gjatë luftës në Itali, në vitin 1796 gjeti kohën të shkonte të takonte pasardhësin e fundit të degës toskane të Bonapartëve: një prift të moshuar, që sigurisht nuk ishte farefis i tij. Përse e bëri? E kush mund ta dijë? Zemra, ashtu si dhe gjaku, ka arsyet e veta që jo gjithmonë arsyeja i kupton.

Prof. Giancarlo Vallone (*)

(*) Universiteti
i Salentos, Itali
Përktheu nga italishtja në shqip: Margarita Franja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu