PDK ia “jep” postin e Kryeministrit Isës veç nëse Jahjaga jep dorëheqje?

0
325

Atifeti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe partia e tij duket se e kanë një arsye të fortë përse ende nuk po u del nga goja se posti i kryeministrit i takon Isa Mustafës dhe LDK-së. Burime nga PDK i kanë thënë Gazetës Blic se Hashim Thaçi nuk mund ta “dorëzoj” postin e Kryeministrit LDK-së, pa e marrë ai postin e presidentit.

“Nuk mund të mbesë Thaçi me gishta në gojë, dhe të pres më shumë se një vjet e gjysmë për të ardhur në krye të shtetit, ngase gjërat deri atëherë mund të ndryshojnë. Në këtë formë Thaçi dhe PDK po bëjnë presion tek e para e vendit, Atifete Jahjaga që kjo e fundit të japë dorëheqje, dhe që në seancën konstituive të votohet kryetari i Kuvendit, Presidenti dhe kryeministri”, ka thënë ky burim brenda PDK-së.

Sipas burimeve të PDK-së, kjo është edhe arsyeja kryesore se përse edhe një javë pas arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje, askush nga PDK nuk e ka thënë që qeverinë do ta udhëheq LDK.

Mirëpo, PDKdhe Hashim Thaçi duket se do ta kenë shumë problem që ta realizojnë këtë mision. Atifete Jahjaga do të vazhdoj të jetë e paprekur për shkak të mbështetjes që ajo ka nga Ambasada Amerikane që nga ardhja e saj në krye të shtetit që më shumë se tre vjet.

Edhe vetë kreu i PDK-së para pak ditësh e tha publikisht se ai e pretendon postin e presidentit, mirëpo duke mnos sqaruar se si do të arrij ta marrë atë.

Se ende nuk janë ndarë postet ndërmjet LDK-së dhe PDK-së sot e tha edhe njeriu i dytë i PDK-së për Gazetën Blic, Hajredin Kuçi. Ai ka thënë se janë në konsultime të vazhdueshme me LDK-në. Mirëpo, Kuçi thekson se nuk ka kurrfarë mosmarrëveshjesh ndërmjet dy partnerëve të koalicionit.

Edhe nënkryetari i PDK-së, Arsim Bajrami thotë se ende nuk është vendosur për kryeministrin. Ai në “Rubikon” të KTV-së ka thënë se për të gjitha detajet e marrëveshjes për koalicion mes PDK-së dhe LDK-së do të bëhen të ditura në vazhdim. Ai nuk e ka pohuar e as nuk e ka mohuar atë se a do ta ketë PDK’ja postin e Kryeministrit në këtë marrëveshje.

“Ta shohim. Mundësitë janë të gjëra. Nuk them se është e kryer, them se ka marrëveshje politike dhe do të bëhen publike të gjitha detalet”, ka thënë Bajrami.

Ndërkohë, Gazeta Blic ka provuar që të marë përgjigje në PDK nëse presidenti është arsyeja kryesore se përse ende nuk janë konstituar institucionet, mirëpo askush nuk ka shprehur gatishmëri të flas publikisht për këtë çështje.

Ndërkohë, në LDK janë mëse të bindur se Isa Mustafa do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit. Është edhe vetë lideri i LDK-së, ai i cili tha dje se do të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit.

Ndryshe, sot një javë është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. Marrëveshja ishte arritur vetëm pak orë pasi Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së i dha vizën parisë së LDK-së që të negociojnë edhe me PDK-në.

Vendi ka hyrë në muajin e gjashtë që prej se janë mbajtur zgjedhjet dhe ende nuk ka institucione funksionale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu