PDK rrugës së LDK-së

0
129

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), pa dy figurat kryesore Jakup Krasniqin e Fatmir Limajn, do të jetë e hendikepuar në zgjedhjet nacionale të vitit 2014, me ç’rast do të shkojë hapave të LDK-së, kur partia ishte ndarë në dysh dhe si pasojë humbi zgjedhjet parlamentare të vitit 2007.

Ky është vlerësimi i analistëve politikë, të cilët analizojnë zhvillimet në partinë më të madhe në vend, pas paralajmërimit të Krasniqit dhe Limajt se do të formojnë subjekt të ri politik, duke i dhënë fund kështu kontributit në PDK.

Megjithatë, kryeministri Hashim Thaçi, nëpërmjet profilit personal në “Facebook”, është shprehur i bindur se partia e tij do të dalë fituese e zgjedhjeve nacionale të këtij viti.

Analisti Halil Matoshi thotë se është në logjikën politike që secila nga partitë që garojnë për pushtet qendror në Kosovë të shpresojë në fitore në zgjedhjet nacionale. Dhe këtë tashmë, sipas tij, janë duke e bërë shumica nga partitë kryesore të vendit.

“Në një garë fer zgjedhore kjo mbase do të ishte e kuptueshme, mirëpo sa i përket PDK-së kjo parti gjendet në një situatë kur nga ajo tashmë ka dalë një fraksion (Iniciativa Qytetare) e ideuar nga Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi e cila ka marrë pjesë në zgjedhjet e fundit dhe ky fraksion e sjell PDK-në në situatën e LDK-së, pas kuvendit të ‘karrigeve’”, ka thënë Matoshi. Sipas tij, kreu i PDK-së edhe pse po deklaron se do të fitojë, ai pret zhvillime të reja se si do t’i vejnë punët brenda partisë, a do të dalë iniciativa si subjekt i formësuar politik, apo se çfarë do të ndodhë me taborin tjetër.

Ai ka thënë se në këtë situatë që është PDK-ja gjasat për fitore të një shumice relevante të saj janë mjaft të vogla.

“Hashim Thaçi po shprehet se nuk po i bëhet vonë për Fatmir Limajn e Jakup Krasniqin, por unë mendoj që nuk ka vend për injorim për faktin se ata tashmë janë një fraksion i madh i pjesës që veten e quan trashëgimtarja më e denjë e krahut të luftës së UÇK-së, prandaj objektivisht PDK është e dëmtuar, e përçarë dhe kësisoj nëse nuk bën ndonjë koalicion parazgjedhor qoftë me subjektin e ri që ka dalë me PDK qoftë me AAK mendoj që PDK nuk mund t’i fitoj zgjedhjet e sivjetme”, ka thënë Matoshi.

Ndërsa, analisti Ardian Arifaj ka thënë se çelësi për të fituar zgjedhjet nacionale do të jetë një reformë e mirëfilltë e të gjitha partive politike në vend.

Sipas tij, partitë duhet të nxjerrin fytyra të reja, emra të pëlqyeshëm për votuesit, sepse në këto zgjedhjet e fundit u pa që kandidatët dolën më të fortë se partitë në disa qytete.

 

Nga: Fadil Sertolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu