Pejën që e kanë bërë çerdhe të krimit, ne do ta ribëjmë lule të Dukagjinit

0
320

Të shtunën, më 12 tetor, Lëvizja VETËVENDOSJE! në Pejë mbajti tubimin elektoral në Palestrën e Sporteve “Karagaqi”.

 

Kandidati për Kryetar të Komunës, Hivzi Muharremi, tha se VETËVENDOSJE! vjen para qytetareve te saj me vizionin se si duhet te udhëhiqet komuna dhe vendi në përgjithësi, përmes Alternativës Qeverisëse ku ndërlidhen shteti i së drejtës, shteti zhvillimor dhe shteti social. “Në qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s, pas 3 nëntorit, prioritet do të jetë bujqësia, për dallim nga pushteti aktual qe bujqësinë nuk e konsideron fare me rendësi duke u nisur nga fakti se nga buxheti komunal ndan vetëm 0.79% të buxhetit. Lëvizja VETËVENDOSJE! vetëm në vitin e parë të qeverisjes, nga buxheti komunal do të ndajë 3% të mjeteve, në vitin e dytë do të ndajë 6%, në të tretin 8% kurse në të katërtin 10%”, tha Muharremi. Ai mes tjerash tha se VETËVENDOSJE! do të jetë shumë e përgjegjshme para qytetarëve, e jo si pushteti aktual që është sjellë sikur Komuna është pronë e tyre. dhe nuk e kanë parë të nevojshme të japin përgjegjësi qytetarëve të Komunës së Pejës.

 

Mevlyde Idrizi, kandidate për Kuvendin Komunal, tha mes tjerash se VETËVENDOSJE! udhëhiqet nga parimi dhe synimi se “jeta e vlefshme, është jeta e dinjitetshme. “Ajo që i duhet sot pejanëve është një Komunë që institucionalizon solidaritetin, mundëson mbrojtjen sociale, nxitë punësimin, lehtëson dhe subvencionon prodhimin vendor, asiston në ekonomi në drejtim të zhvillimit”, tha Idrizi. Ajo tha se sot Peja është e tjetërsuar si territor, hapësirë, si pushtet dhe si administratë. “Sot Pejën na e kanë lidhur pas interesit privat dhe politikës së korruptuar. Ky pushtet ka marrë karakter privat. Qëllimi kryesor i këtyre pushtetarëve është pasurimi i vetvetes”, theksoi Idrizi.

 

I pranishëm në këtë tubim ishte edhe nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e VETËVENDOSJE!-s, Glauk Konjufca. Ai tha se ka qenë një kohë kur Peja i mbushte faqet e para të gazetave si qytet i ekonomisë me fabrika të shumta, kurse sot ky lloj i qeverisjes komunale e ka shndërruar Pejën në një qytet për të cilin më së shpeshti në gazetë mund të lexosh te kronika e zezë. “Peja është kthyer në vend të qërimit të hesapeve mes grupeve kriminale. Të jesh biznesmen i suksesshëm në Pejë, është njëlloj mallkimi, sepse duhet që ta paguash haraçin. Krimi i organizuar e ka ngulfatur këtë komunë. Në vend se ndërmarrjet të orientohen dhe të ndihmohen për rritjen e prodhimit, nje pjesë e konsiderueshme e tyre shtrëngohen të japin përqindje të caktuar për bandat e afërta me pushtetin komunal. Me VETËVENDOSJE!-n në Pejë, haraçi dhe krimi i organizuar do të çrrënjosen. Askush nuk guxon t’i kërkojë dikujt më shumë se ç’parashihet në ligje e tatime. Ky çlirim, do e lulëzojë sërish biznesin dhe ekonominë e Pejës”, tha ndër të tjera Konjufca.

 

Pas tij, fjalën e mori bartësi i listës së kandidatëve të VETËVENDOSJE!-s për Kuvendin Komunal, Avdi Shkreli. Ai para të pranishmëve prezantoi me radhë të gjithë kandidatët, dhe u bëri thirrje qytetarëve të Pejës që ta votojnë VETËVENDOSJE!-s në mënyrë që ta ndryshojmë së bashku Pejën.

 

Kryetari i VETËVENDOSJE!-s, Albin Kurti, tha se nuk kemi pasur Pejë të qeverisur nga AAK-ja, por Pejë të sunduar nga AAK-ja. “Njerëzve që e duan Pejën nuk iu është dhënë rasti, dhe shansin e kanë marrë njerëzit që e kanë dashur veten e tyre dhe për këtë qëllim e kanë shfrytëzuar Pejën. Për dallim prej të gjithë atyre, ne jemi krejtësisht ndryshe, sepse ne i duam qytetarët, ne e duam Komunën, ne e duam qytetin, qytetarët e duan ndryshimin dhe ne duam që bashkë me qytetarët të sjellim ndryshimin në Komunën e Pejës dhe në krejt Kosovën”, u shpreh Kurti.

 

Duke folur për shkollën e mesme të mjekësisë, nxënësit e së cilës vazhdojnë të mësojnë në objekt të shkollës fillore, Kurti tha: “Biznesmeni i njohur nga Peja, i cili është i mirënjohur për AAK-në por famëkeq në pjesën tjetër të Kosovës, ka thënë se do të investojë në këtë shkollë, ka filluar një gjë të tillë, por me një kusht: që shkolla ta marr emrin e babait të tij. Me Lëvizjen VETËVENDOSJE! ne nuk do të lejojmë as mallra të Serbisë në Kosovë e as biznesmen të cilët dëshirojnë që emrat e baballarëve të tyre t’i përdorin për ta stërkequr jo vetëm të tashmen në Kosovë, por për ta shpërfytyruar edhe të kaluarën, teksa vazhdojnë ta ngulfasin Kosovën me produkte nga Serbia”, tha Kurti.

 

Ai në vijim tregoi se si AAK-ja, parti që i ka në qejf lojërat e fatit, tashmë e ka bërë lojën e fatit me vetveten. “Para gati një viti Thaçi ia shtroi qilimin e kuq Ramushit, dhe në atë moment Ramushi e nxori AAK-në në pazar, tha ‘AAK-ja është mall, e çmimi është Kryeministria’. Ja ku jemi gati një vit më vonë. PDK-ja ia ka marr mallin, e nuk ja ka paguar paret”, tha Kurti, duke shtuar se AAK-ja edhe në aspektin konceptual, edhe politik, edhe organizativ, AAK i është nënshtruar dhe i është dorëzuar PDK-së, dhe se ajo nuk është kurrfarë alternative më as në Pejë, as në gjithë Kosovën. Kurto shtoi se krimi i madh në Pejë, nuk mund të luftohet nga ky pushtet, i cili dihet se edhe brenda hapësirës së tij ka krijuar folenë e krimit e cila edhe është zgjeruar edhe brenda vetë institucioneve që shtiren kinse po e luftojnë krimin. Me këtë Aleancë të Ardhmërisë së Kosovës, Kosova nuk ka aleancë me qytetarët e vetë, dhe nuk është e ardhmërisë por e së kaluarës. “Është njëlloj sekreti publik në Pejë marrja e haraçit prej AAK-së për bizneset vendore. Qytetarët e Pejës e pëshpëritin marrjen e haraçit, por nuk e flasin publikisht, nuk e flasin zëshëm, për shkak të frikës nga hakmarrja”. Në fund, Kurti tha se edhe LDK-ja, që ka qeverisur 7 vite me këtë Komunë, nuk është më pak fajtore sesa AAK-ja. “Edhe në nivelin qendror, edhe në atë lokal, të gjithë të tjerët përveç VETËVENDOSJE!-s janë bërë bashkë kundër popullit. Ne duam të bëhemi bashkë me popullin, kundër këtyre. Ata i bashkon krimi, kurse neve na bashkon VETËVENDOSJA!. Më 3 nëntor, ne duhet të fitojmë, dhe duhet ta mbrojmë fitoren tonë”.

 

 

 

12 tetor 2013

Lëvizja VETËVENDOSJE!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu