Për herë të parë

0
418

Gjatë dhe pas mbarimit të luftës së UÇK, jam frikuar tri herë për fatin e kombit.

  1. 1. Marrëveshja e Rambuiles
  2. 2. Stacionimi i forcave franceze të NATO – së në veri të Kosovës
  3. 3. Bisedimet në Vjenë

Shumë herë e kam ngritur zërin për këto, me të vetmin qëllim, që të ndërgjegjësohet kombi, përmes subjekteve politike dhe të ndali këto të këqija që na binin mbi kokë, e që nesër pas nesër të mos mbetën probleme edhe për gjeneratat që do të vijnë. Në një moment, në shenjë revolte, kam thënë se jemi i vetmi komb, me vetëdëshirë, që i lëmë trashëgimi luftën, gjeneratave që do të vijnë, se deri sot, këtë e kishim dhuratë nga të huajt.

 

1. Marrëveshja e Rambulles

 

Në marrëveshjen e Rambuiles, parashihej, që gjithë ato përpjekje shekullore, që kishte bërë kombi ynë dhe pas gjithë asaj lufte që përjetoi për afro dy vite, të shuheshin si flluskë sapuni, por, tash nga vetë shqiptarët. Ndodhi fati në fatkeqësi, sepse Serbia e verbëruar, nga propaganda e krijuar për tokën e shenjët – Kosovën, e trimëruar nga miqtë, që paraqiteshin edhe si miq tanë, e mbështetur te vëllai i madh – Rusi, nuk e nënshkroi marrëveshjen. Ajo do të pendohej më vonë, por gjithnjë në heshtje vepronte dhe kërkonte ndihmën e miqve, të cilët i kishin premtuar, se do të merrte hisen e vet në Kosovë.

 

2. Stacionimi i forcave franceze të NATO – së në veri të Kosovës

 

Aleatja shekullore e Serbisë, e cila u dëshmua edhe gjatë bombardimeve të NATO –së, Franca, i stacionoi forcat e veta ushtarake në veri të Kosovës, aty ku dikur ishin marrë vesh fashizmi italian dhe nazizmi gjerman, në vitin dyzetë, vetëm kjo jep për të kuptuar mjaftë, por nuk është edhe e rastësishme që Kushneri francez të jetë në krye të forcave ndërkombëtar, në cilësinë  e protektorit (lexo: diktatorit). Nuk duhet lodhur mendjen shumë për këto veprime, sepse Franca dhe Serbia, pas dështimit në Rambuile, u morën vesh të shkëputin veriun e Kosovës, ku atje janë pasurit nëntokësore dhe uji, që për këtë të dytën egjiptasit edhe pse Nilin e quanin kamxhik, megjithatë e adhuronin, se u siguronte jetën, prandaj edhe liqeni në veri, siguron jetën e pjesës tjetër të Kosovës.

Kushneri paraqitet demagog, në librin e tij, sepse në kohën e tij, pra në paqen që siguronte ai në emër të Këshillit të Sigurimit të OKB, ndodhin vrasje dhe largim të dhunshëm të shqiptarëve nga pjesa e veriut të Kosovës dhe ai si një spektator anemik, mundohet të arsyetohet për mos veprim. Ai përmbush marrëveshjen e Francës me Serbinë.

 

3. Bisedimet në Vjen

 

Edhe për këto bisedime kam pasur frikë. Frika ka lindur nga njohja e politikës dhe politikanëve të tri niveleve a. Shqiptare, b. Serbe dhe c. Ndërkombëtare

  1. a. Niveli shqiptarë kishte treguar lojalitet edhe para e pas Rambuiles, duke përçmuar faktorin vendor, pozitën gjeostrategjike e gjeopolitike, potenciale për të parashtruar kushte e jo për të qenë të kushtëzuar.
  2. b. Në serbi, gjoja se kishin ardhur forca demokratike në pushtet dhe lenin për të kuptuar para faktorin ndërkombëtar, se ishin për zgjidhjet të problemit me shqiptarët dhe të krijon fqinjësi të mirë.
  3. c. Ndërkombëtarët, në emër të demokratizimit të Serbisë, pranuan të mbështesin atë dhe presioni ndaj shqiptarëve filloi të rritej. Duke e ditur se ku qëndronte thelbi i problemit dhe si mund t’i ndihmonin Serbisë, iu deshtë të gjenin personin që njihte apetitet serbe dhe deriçka nëpër të cilën do të nxirrej përfitimi pa u diktuar, emëruan Ahtisarin, një ish udhëheqës i shoqatës ortodokse. Ky e mbushi pakon mirë dhe e qëndisi nga jashtë, për të mos u vërejtur marifeti. Iu dha hapësirë gjeografike kishave ortodokse, duke i trajtuar vetëm serbe, sa do ta ketë lakmi edhe Vatikani – Shtet, se nuk ka territor sa ka, ta zëmë, kisha e Deçanit. Iu sigurua eks territore serbeve, nëpër vendbanime që i mbanin nën okupim dhe nxori të drejta në nivel më të lartë të Kosovës, si shtet formues dhe i humbi karakterin e shumicës së banorëve të saj – shqiptarëve, pra Kosova morri trajtim multietnik

Për secilën nga këto kam reaguar, por kundër kësaj të fundit i kam trajtuar në librin publicistikë “Meditime”, të publikuar nga faqja e internetit “Albaniapress” në fund të vitit të kaluar.

Kam pasur të drejtë apo jo, këtë e dëshmoi marrëveshja e fundit në mes dy kryeministrave (Kosovës dhe Serbisë). Edhe në fillimin e bisedimeve teknike, kam ngritur zërin, sepse në bazë të analizave të bëra dikur, e sot  shihen në realitet, mirëpo zëri ynë është mbuluar nga dështakët, butakët, pakurrizorrët, rrahagjoksët, sharllantanët, narcisoidët, analistët oborrtar, e shumë kategori tjera të pushtetarëve.

Ky veprim i djeshëm/sotëm, por edhe proceset që janë bërë për  shqiptarë, kanë vënë në pah, se kemi në qendrat e vendosjes, brenda e jashtë, edhe në kohën e historisë më të re, njerëz të pa emancipuar politikisht, të cilët nuk çajnë kokën për fatet e kombeve, por përdorin trysni të nduarndurt, pa kritere morale, te ne shqiptarët, vetëm për të krijuar një “paqe” sa janë vet në pushtet. kjo na kujton vjershën e “Taranta Babus” të Nazim Hikmetit, i cili shpreh mllefin e vet për paralajmërimin e pushtimit fashist italian, të Abisinisë, që nuk i lidhte asgjë në mes tyre, pos dhive të majme, ndërsa te ne janë ari dhe argjendi, plumbi e zinku, fushat, liqet dhe malet. Gjitha këto do të thonë jeta, dhe secila nga këto nëse na merret, na varfëron për diçka jetësore.

 

Nuk kemi forcë

 

Një filozofi politike rugovjabne, e dominuar para lufte, na u paraqit edhe mbrëmë nga pinjollët rugovjan, por tash të rreshtuar në një krah tjetër politik, se shqiptarët nuk kanë forcë, prandaj duhet pranuar ajo që të ofrohet. Ka turp më të madh se të merret mostër një politik e turpit, e cila u mposht po nga vet shqiptarët, me daljen në skenë të UÇK – së. Ajo i hoqi dilemat e frikës së një Serbie gjigante, të pa thyeshme etj., në kohën kur kishte rikrijuar miq përmes frikës që përcillte si mesazh te faktori vendosë ndërkombëtar,se gjakderdhja do të ndodh, nëse nuk mbështesin paqësimin e shqiptarëve në Kosovë (kuptohet edhe të asaj Lindore) dhe ishin shtuar trysnit për pranimin e një autonomie nga shqiptarët.

“Burrështetasi” dhe “Profesori”, kujdestar rugovjan, e i shumë ndikimeve nga jashtë e brenda, mundohet të vë në gjumë masën dhe kërkon që të tjerët të mendojnë, ashtu siç preferon ky, për të paraqitur edhe njëherë gogolin për shqiptarët – Serbin, si përbindësh dhe pranon se i nënshtrohet  pushtetit të tyre për rregullimin e brendshëm të shtetit të Kosovës, duke anashkaluar Kushtetutën, edhe ashtu të mjerë. Edhe ky është në kategorinë e të pa emancipuarve politik, sepse nuk njeh kohën kur jeton, nuk njeh vendin ku jeton, nuk njeh kombin të cilit i përket, apo ndoshta ka pranuar të marri si komb të vetin atë të kosovarit dhe në këtë ka të drejtë, se kosovarët nuk kanë forcë të përballën as me serbët, as me shqiptarët.

 

Për herë të parë

Mbrëmë, për herë të parë, VV, ka ditur të komunikojë me masat, qoftë brenda, qoftë jashtë parlamentit, edhe pse jashtë në vend të fjalës “hajna” ka qenë dashtë të brohoritet “tradhtar”, sepse marrëveshja nuk ngërthen në vete hajnin, por ka elemente tradhtie. Nëse ky subjekt politik, edhe më tej di për të komunikuar me masat, ka gjasa reale të jetë në ballë të proceseve, të kundërtën, edhe kjo e djeshmja/sotmja mund të shkojë dushk për gogla, siç e kam thënë para dy vjetësh.

Hapat në politik duhet të jenë të matur e të mençur, se kur të ecësh në tehun e shpatës, vështirë e ke të mban baraspeshën dhe një gabim krejt i vogël të pret gjymtyrët. Pa gjymtyrë nuk ecët e punohet, forconi këto, për të qenë vertikal në veprime të mëtejme, gjithnjë duke pasur parasysh bashkëbisedimin me masat, po me gjuhën e tyre dhe ilustrimin të bëhet po në gjuhën e tyre, për të ju kuptuar më mirë e më drejtë, se dorën në zemër, njëri nga kuvendarët, nuk arriti të thotë atë që duhej thënë, sepse nuk kishte zgjedhur gjuhën e masës, prandaj doli i varfër e nuk arriti edhe ta thotë qëllimin që duhej thënë.

 

Prishtinë, 22.04.2013

 

Shkruan: Afrim Morina

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu