Për një fjalë goje, vriten dy vëllezër

0
392

Në lokalin e fqinjëve të tyre, vëllezërit Pajtim dhe Petrit Elshani kanë kërkuar të sqarohen për një ngatërresë të mëhershme. Pas konfliktit verbal, dy vëllezërit tjerë, Nazmi e Shpëtim Arllati, i lanë të vrarë dy vëllezërit Elshani. Vrasja e dyfishtë ndodhi në fshatin Brestovc të Rahovecit. Policia ka arrestuar dorasit.

Nga Lirita Halili më 10 tetor 2010 në ora 12:19

Ishin nisur për të kërkuar sqarim lidhur me një problem që kishin pas në orët e hershme të mëngjesit, por kanë gjetur vdekjen.

Derisa në lokalin e fqinjëve të tyre dy vëllezërit Pajtim dhe Petrit Elshani kanë kërkuar të sqarohen për një ngatërresë të mëhershëm, dy vëllezërit tjerë, Nazmi e Shpëtim Arllati kanë vrarë me armë zjarri dy vëllezërit e familjes Elshani. Kjo vrasje e dyfishtë ka ndodhur në fshatin Brestovc të Rahovecit.
E gjithë ngjarja që ka çuar në këtë vrasje të dyfishtë, kishte nisur në orët e hershme të mëngjesit gjatë ditës së premte, teksa dy vëllezërit Petriti (24) dhe Pajtimi(20) ishin nisur për në punë.

Rrugës ata ishin ndalur te dyqani ushqimor “Lumi”, pronar i të cilit ishin Nazmiu bashkë me Shpëtimin.

Sipas familjarëve të viktimave, pas një mosmarrëveshjeje, vëllezërit Elshani kishin filluar të grindeshin me fjalë me dy vëllezërit e tjerë. Por, zënkën e mëngjesit e kishin lënë aty dhe të dy vëllezërit Elshani ishin nisur drejt punës së tyre.

Por, derisa tashmë viktimat ishin larguar nga dyqani vetëm pas një konflikt verbal, Nazmiu dhe Shpëtimi kishin lajmëruar zyrtarët policorë për konfliktin me vëllezërit Elshani.

Familjet tashmë të hasmuara mes tyre janë vetëm disa metra larg njëra-tjetrës me shtëpi në fshatin Brestovc.

Afër vendin ku është kryer kjo vrasje e dyfishtë qëndronte një patrullë e policisë së Kosovës, por jo edhe afër shtëpive të dy familjeve. Në shtëpinë e familjes Arllati nuk shihej e as dëgjohej askush, edhe dera ishte e mbyllur.
Por, përkundër tyre, në shtëpinë e familjes Elshani kishte ditë zie. Ishin hapur të gjitha dyert për gratë e burrat e katundit, të cilët shkonin për kryeshnosh.
Familjarët e dy vëllezërve të vrarë kanë rrëfyer ngjarjen për Express. Besim Elshani, axha i viktimave, ka treguar se nipat e tij nuk kanë pasur asnjë telashe me fqinjët e tyre. Sipas tij, gjithçka mes nipërve të tij dhe vëllezërve Arllati kishte përfunduar me një konflikt verbal në dyqanin e këtyre të fundit. Ai kurrë nuk ka besuar se një konflikt i tillë mund të shndërrohej në një tragjedi.

“Në mramje i kemi dëgjuar disa krisma, pas 10 minutash ka ardh vëllai im i cili e ka dyqanin shumë afër me familjen Arllati dhe ka treguar se Shpëtimi dhe Pajtimi ishin vrarë me armë zjarri nga fqinjët.”

Që të dy viktimat, axha i tij tregon se i ka rritur me duart e veta për shkak se babai i tyre ishte vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

“Babai i Pajtimit dhe Shpëtimit ishte vrarë në luftë. Tash na i morën edhe këta dy djemtë. Në shtëpinë e tyre kanë mbetur vetëm nëna dhe një motër e tyre invalidë”, rrëfen ai, përderisa vërehej jashtëzakonisht mërzia e rëndë.

Ai thotë se familjarët e kryesve të veprës kanë kërkuar të shkojnë aty për ngushëllim. Por, ai dhe familja Elshani nuk i kanë pranuar.

“Qysh me i pranu, kur na i morën djemtë në kohën më të mirë. Veç nëna e tyre e shkretë e di se çka po përjeton. Ja kanë mbyllë derën e shtëpisë, e lanë pa asnjë mashkull në shtëpi”, tregon Besimi i cili nuk e di se çfarë do të bëjë në të ardhmen për punën e hasmërisë.

“Po presim derisa të përfundojë e pamja, e të qetësohemi ne, pastaj shohim e bëjmë”, u shpreh axha i viktimave, Besim Elshani.

Megjithatë, ai ka edhe një shpresë. “Unë po shpresoj te policia në drejtësi. Ata le të merren me rastin, e atyre le t’u japin dënimin e merituar”, u shpreh i bindur ai.

Express ka tentuar të flasë edhe me familjarët e Nazmiut dhe Shpëtimit, por një gjë e tillë ishte e pamundur. Familja Arllati e kishte mbyllur derën.
Njëri ndër të afërmit, që ishte edhe fqinj me familjen Arllati, tha se asnjëri nga familjarët që dinte diçka më shumë për rastin, nuk ishte në shtëpi.

“Burrat janë në polici duke dhënë deklarata, kurse gratë janë këtu. Por, ato edhe janë mërzitë, edhe besa nuk dinë asgjë më shumë përpos që Nazmiu e Shpëtimi kanë gjuajt në ata”, tha i bindur ai për Express.

Menjëherë pas rastit, në vendin e ngjarjes ka dalë policia e Kosovës bashkë me hetuesinë. Vesel Gashi, zëdhënës i policisë për rajonin e Prizrenit, thotë se rasti është shënuar të ketë ndodhur në orët e mbrëmjes gjatë ditës së premte.

“Rreth orës 20:00 kemi marrë një informacion se në dyqanin ushqimor “Lumi”, në fshatin Brestovc, ka ndodhur një vrasje e dyfishtë, ku dyshohet se pronarët e dyqanit kanë qëlluar për vdekje dy bashkëfshatarë të tyre”, u shpreh Gashi për Express.

Sipas tij, policia ka arrestuar dy persona si të dyshuar për këtë vrasje të dyfishtë. “Gjatë kontrollit te tyre u janë gjetur një revole TT dhe një revole cal. 7.65mm. Dy të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje, kurse trupat e pajetë janë dërguar në mjekësinë ligjore për autopsi”, pohon zëdhënësi Vesel Gashi.

Familja Elshani i kishte bërë gati dy arkivol për dy djemtë e tyre, Petritin e Pajtimin, trupat e të cilëve po i prisnin t’u vinin pas autopsisë, që u ishte bërë në Prishtinë. Varrimi i tyre u bë në varrezat e fshatit Brestovc në orën 17:00.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu