Përfaqësuesit jodiplomatikë të Greqisë

0
465

Nëse do kishte një konkurs për sjellje të papërshtatshme të diplomatëve të akredituar në një vend, me siguri ata grekë që bujtin në Shqipëri do zinin vendet e para. Kryesimin e mban ai i Korçës. Por kush mendon se me largimin e konsullit grek nga Korça, mori fund ndërhyrja flagrante në punët e brendshme tonat, do zhgënjehet. Konsulli e mba-roi mandatin pa e prishur gjakun nga protestat e shoqërisë civile shqiptare. Pas tij, ai i Gjirokastrës, nuk vonoi të marrte flamurin.

Në deklaratat e fundmit, konsulli grek në Gjirokastër nuk ka munguar të shfaqë agresivitetin dhe paditurinë lidhur me censusin e fundit. Nuk dihet ku dhe për çfarë ka mbaruar studimet, por kur e nisën konsull duhet t’i kishin thënë se regjistrimi i kombësisë në rastin e një censusi, nuk bëhet me vetëdeklarim, por në bazë të dokumenteve që provojnë prejardhjen e deklaruesit kur ai pretendon se ndryshon nga ajo e etnisë bazë që formon shtetin. Praktikat e agjencisë së statistikave të Bashkimit Europian, e quajtur “Eurostat”, janë mëse të qarta në këtë pikë. Shqipëria mund të kritikohet se nuk e ka zbatuar standardin europian në këtë fushë, dhe ka ndjekur dëshirat greke. Por ja që grekë në Shqipëri, nuk janë aq sa pretendon Athina. Pse konsulli grek hap një çështje, kur shteti shqiptar ia realizoi dëshirën Athinës zyrtare? Me siguri për të lënë të hapura probleme inekzistente për kauza të ardhshme të shovinizmit grek. Nuk do ishte çudi që përfaqësuesi i Greqisë në Gjirokastër, mos t’i njohi ligjet europiane. Kjo me sa duket vlen për shumë fusha për elitën drejtuese greke, përndryshe nuk do ishin ku janë. Por minimalisht një diplomat grek duhet të dijë se thëniet delirante të Eleftero Venizelosit në fillimshekullin e njëzetë se, “kushdo që deklarohet grek, është i tillë”, i njohur si principi i shovinizmit grek, nuk është standardi i statistikës së shekullit të 21-të.

Megalomania e dytë e konsullit grek, ishte mësimi mbi kujdesin që duhet të tregojnë shqiptarët ndaj Aleancës Kuq e Zi, si formacion ekstremist. Shihet qartë dëshira për të ngatërruar kartat. Nëse ka një formacion që i vjen era myk nazist në Ballkan, ky është “Agimi i Artë”. Është formacion tipik fashist për format e organizimit, simbolika që përdor, racizmi, ideologjia, dhe ekspansioni territorial që kërkon. Megjithatë, asnjë përfaqësues diplomatik i akredituar në Athinë, nuk është shprehur ndaj këtij formacioni, dhe nuk ka si të ndodhë, pasi diplomatët e botës e dinë që nuk janë aty për të mësuar grekët. Në të kundërt me risinë e fundit greke, Aleanca Kuq e Zi, as njihet për sulme ndaj kombësive apo racave të tjera, dhe as pretendon tokat shqiptare jashtë kufirit, që për hir të së vërtetës janë me shumicë. Është parti e cila ka mbushur një boshllëk të spektrit politik shqiptar, i cili vuan nga kozmopolitizmi, është formacion i cili kërkon të mbrojë kufijtë e vendit. Ndaj ka dallim të madh midis shovinizmit të “Agimit të Artë”, dhe patriotizmit të Aleancës Kuq e Zi. Diplomati grek e di mirë diferencën, por në ndryshim nga kolegët e tij të kombeve të tjera të akredituara në Athinë, përpiqet të ngrejë çështje të paqena aty ku nuk janë, dhe duke shkelur në mënyrë flagrante statusin e tij, merr të drejtën t’u japë shqiptarëve këshilla! Është e vërtetë se Shqipëria është një shtet me probleme të mëdha në funksionimin e saj, duke nisur që nga politika, dhe deri tek diplomacia. Por po aq e vërtetë është se Greqia apo përfaqësuesit e saj nuk mund t’i japin mend Shqipërisë.

Për njëzet vjet, Bashkimi Europian i la Greqisë detyrën e emancipimit të vendeve të rajonit dhe përgatitjen e tyre për hyrje në të, por ajo e shfrytëzoi në mënyrën më individualiste të mundshme, duke përfituar fonde, dhe përdorur ato për ekspansionin e saj politik, ekonomik dhe pse jo territorial. Kushdo që ka kufij me Greqinë, ka probleme me të. E reklamon veten si mbartëse e parimeve europiane në Ballkan, por është e sëmurë si dhe vendet që e rrethojnë. Ka ndërhyrje kapilare të kishës në shtet, sa edhe Papati i periudhës paranapoleonike do ta kishte zili. Administrata është e rekrutuar sipas kritereve feudale. Ekonomia e bazuar mbi përvetësimin e fondeve europiane për zhvillimin dhe strukturë me drejtim të njëanshëm. Ushtri e paçliruar nga mitet e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Polici e cila voton fashistët. Sa u takon diplomatëve grekë në Shqipëri, pak prej tyre mund të gëzojnë titullin e mesazherit të miqësisë. Zyrtarisht kanë qenë përfaqësues të zellshëm të politikës së shtetit të tyre, e cila për fat të keq ka qenë gjithmonë e drejtuar nga interesi i saj i ngushtë nacional. Individualisht, shumë prej tyre kanë qenë mbartës të megallomanisë raciale. Diplomatët grekë kanë çfarë të mësojnë nga populli i tyre, dhe kjo është një këshillë që nuk ka aspak hipokrizi brenda. Grekët e thjeshtë e kanë treguar zemërbardhësinë e tyre me pritjen që iu bënë shqiptarëve kur u hapën kufijtë. Janë po këta grekë që kanë tre vjet që i japin shembull botës e veçanërisht ballkanasve se si ndëshkohet një qeveri kur gënjen dhe vret popullin e saj. Por diplomacia greke nuk ka dëshmuar ndonjëherë se ka erz për të dhënë mend. Jo dhe për shumë kohë.

 

Nga Dritan Hila

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu