Përse Shërbimi Britanik kërkonte eliminimin fizik të Kapedanit të Mirditës?

0
273

Në shkrimin e sotëm të Dosierëve të Arkivave të S.O.E, që vazhdon tashmë prej disa muajsh, po sjellim disa dokumente të panjohura që hedhin disa pikëpyetje mbi ngjarjet e 1942 në Shqipëri.

Dokumenti i parë, apo me saktë telegrami i gjetur në dosjen arkivore të S.O.E, është një telegram shumë i shkurtër i dërguar nga Kajro për Zyrën e S.O.E në Stamboll. Një telegram i shkurtër me siglën “Sekret” i transmetuar në shifër, i cili në morinë e dokumenteve të shumta në dosjet aq voluminoze të S.O.E, mund të mos tërheqë vëmendjen e askujt. Megjithatë, ashtu siç mund ta lexoni me kujdes, ky telegram sugjeron, përveç përfshirjes në aktet e sabotimit në Shqipëri, për herë të parë edhe operacion për eliminime fizike. Përveç rekomandimit për të tërhequr në akte sabotimi një ish-deputet të parlamentit shqiptar si Qazim Kokoshi, i cili si anti-italian i njohur qëndronte në Beograd si emigrant politik, ajo që të bën shumë përshtypje është një frazë e telegramit, e cila rekomandon ish-konsullin jugosllav në Shkodër, si personin e duhur për të organizuar vrasjen e Gjon Marka Gjonit.
Përse Shërbimi Britanik kërkonte eliminimin fizik të Kapedanit të Mirditës? Telegrami në fjalë, i cili është autentik dhe vjen nga Dosja operative e S.O.E në Stamboll është shumë i jashtëzakonshëm, pasi për herë të parë sjell një aspekt të ri të aktivitetit të Shërbimit Britanik në Shqipëri: eliminimet politike. Deri më tani nuk është gjetur asnjë dokument në arkivin e S.O.E për të mbështetur vendimin që Zyra e Kajros ka marrë për eliminimin fizik të një personaliteti të njohur të Shqipërisë së Veriut. Por, duke parë se ky telegram vjen nga Kajro, ku deri më 1943 ishte edhe qendra e Qeverisë në Mërgim të Jugosllavisë, mund të ngrihet hipoteza se ky vendim nuk është marrë pa miratimin apo pëlqimin e Shërbimit Jugosllav. Fakti që personi që rekomandohet për këtë detyrë, shumë të rëndësishme, por edhe mjaft enigmatike është ish-konsulli jugosllav në Shkodër, e bën këtë hipotezë mjaft të besueshme. Arsyeja që britanikët kërkonin eliminimin e Gjon Marka Gjonit, Kapedanit të Mirditës është mjaft enigmatike, por që këtë eliminim ta miratonin edhe jugosllavët, e shton enigmën e këtij vendimi. Dihej në Shqipërinë e asaj kohe që Gjon Marka Gjoni (i ati), kushëriri i parë i princit të Mirditës katolike, Prengë Bibë Dodës, të vrarë në një pusi hasmërie, gëzonte mbështetjen e jugosllavëve për lidershipin e Mirditës katolike. Po kështu, është edhe fakti se ishin jugosllavët ata që e financuan dhe mbështetën edhe me armë kryengritjen e tij kundër qeverisë së Tiranës. Ky fakt theksohet edhe në Raportin e Komisionit të Kombeve të Bashkuara ku thuhet se: “Forcat e Markagjonit prej 2000 vetash, përbëheshin nga ushtarakë serbë dhe ish-esadistë”. Kjo kryengritje nuk gjeti mbështetje në Mirditë, ku Zogu me lehtësi e theu këtë përpjekje të jugosllavëve për të krijuar problem në prapashpinën e tij. Megjithatë, Gjon Marka Gjoni i ri nuk njihej për intriga politike, megjithëse gëzonte një reputacion mjaft të mirë si një personalitet pro-italian në atë kohë. Si pasardhës i derës së rëndësishme të Bajraktarëve të Mirditës, ai gëzonte mjaft famë si një njeri i fuqishëm në Veriun e Shqipërisë.
Hipoteza e vetme që mund të ngrihet për këtë vendim të S.O.E për eliminimin e tij fizik, mund të ketë të bëjë me qëndrimin e tij pro-italian, qëndrim që mund të këtë krijuar probleme për organizimin që Zbulimi britanik kishte ndërmarrë për një kryengritje të armatosur të Veriut shqiptar kundër italianëve. Dokumenti i dytë, po ashtu mjaft interesant, është një dokument i shkurtër mbi disa prej personaliteteve shqiptare që qëndronin në Stamboll dhe kishin lidhje me Zbulimin britanik. Dokumenti në fjalë tregon qartë se ish-nëpunësit e Qeverisë Mbretërore Shqiptare bashkëpunonin me Zbulimin britanik kundër italianëve, një bashkëpunim ky mjaft logjik nëse marrim parasysh që Britania tashmë ishte në luftë të deklaruar me Italinë fashiste. Në realitetin e kohës, ku nuk ekzistonte asnjë organizim zyrtar i shtetit të shqiptarëve të cilët mund të ishin në partneritet me shërbimet aleate kundër italianëve, mënyra më e mirë për të kontribuar kundër bllokut nazifashist ishte bashkëpunimi me britanikët. Gjithsesi, ajo që e bën më interesante këtë bashkëpunim është fakti se disa prej këtyre personazheve bashkëpunonin mjaft ngushtë edhe me Shërbimin jugosllav me qendër në Stamboll, bashkëpunim ky që nuk mund të justifikohet si një qëndrim pro bllokut aleat kundër fashizmit. Përse dhe çfarë qëllimi kishin disa prej personazheve të politikës shqiptare në bashkëpunimin me jugosllavët, do të shikohet nga dokumentet që do botohen në vazhdim.

[email protected]

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu