Pirro Andoni: U shokova kur në ’86 mësova për dokumentin e CIA-s mbi Shqipërinë

0
194

Zoti Andoni. Folëm gjatë në lidhje me historikun e emërimit tuaj në vitin 1984 si ambasador i Shqipërisë në Argjentinë, Peru dhe Brazil, ku më së shumti ka qenë shansi i suksesit tuaj në vendin e largët të një botimi analitik mbi konfliktin në ishujt Malvine që ka tunduar personalisht Enver Hoxhën për të vënë gishtin pikërisht mbi emrin tuaj për detyrën e lartë diplomatike në vendet e Perëndimit. Ajo që doja t’ju kujtoja për interes të lexuesit, ndërsa do vijoj pyetjet, është fakti që ju keni shtirë në dorë një dokument shumë interesant me logon e CIA-s, i cili ka futur në diskutime jo vetëm politikanë dhe analistë, por edhe qytetarë të thjeshtë, mbi atë histori sa të çuditshme, aq dhe interesante. Ajo për të cilin doja t’ju pyesja është pikërisht dokumenti në fjalë, zhurma e të cilit ka mbërritur deri në ditët tona.

Megjithëse flet nga numri i kaluar edhe për personin që jua mundësoi, unë do të doja të më rikujtoni sërish dhe të vijojmë më tej atë histori aq të çuditshme. Pra, kur dhe si e morët informacionin për të?

Ka qenë viti 1986 kur unë, si kisha dy vjet në detyrën e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Argjentinë, mësova për ekzistencën e një materiali me karakter tepër sekret për punët e CIA-s, dhe që ishte ndërkohë me tepër rëndësi për çështjet e brendshme të vendit tonë. Këtë dokument, pas shumë peripecish dhe sforcimesh, arritëm ta shtinim në dorë sipas urdhrit që kishim marrë nga zyrtarët më të lartë të Shqipërisë së atyre viteve. Pastaj, nën një konspiracion të jashtëzakonshëm, e mora shkresën e shkruar në spanjisht dhe, si e përktheva duke punuar vetë me makinën e shkrimit që kisha në tavolinën e zyrës, e vendosa në valixhen diplomatike dhe e solla dorazi personalisht te ish-ministri i Jashtëm, Reiz Malile.
Në fillim u pa me dyshim vërtetësia e saj, por pas dy ditësh, që siç duket i janë dashur udhëheqjes për balancim faktesh, unë u thirra nga autoritetet më të larta dhe u falënderova me fjalët dhe respektin më të madh për shërbimin që i kisha kryer atdheut. Megjithëse, për ta arritur këtë gjë, nuk ishte dhe aq shumë kontributi im direkt, sesa ai i miqve tanë në Argjentinë, ku unë kryeja detyrën e lartë diplomatike, të cilët e kishin treguar jo vetëm me fjalë se ishin “miq të Shqipërisë”.

Megjithëse ma përmendët nga numri i kaluar, gjithsesi unë sërish do t’ju pyesja edhe për këtë person, të cilin ju e cilësoni “mik të Shqipërisë”. Si quhej ai që ju ndihmoi?

Ky ishte Gerardo Farrani, i cili ishte pikërisht ai që na ndihmoi për dokumentin shokues të përpiluar nga strukturat e CIA-s që mbulonin Ballkanin.
Ai ishte një tregtar i suksesshëm, por që kishte një respekt të veçantë për vendin tonë. Për këtë, edhe para se unë të merrja detyrën e ambasadorit, ai kishte shkuar rregullisht në ambasadën tonë dhe kishte krijuar prej kohësh një shoqëri tepër të afërt dhe konfidenciale me të gjithë punonjësit. Jo vetëm kaq, por ai kishte ndihmuar që ambasada jonë të krijonte lidhje me qarqe të ndryshme tregtarësh argjentinas për interesa të shtetit tonë. Mirëpo në atë kohë, duke u shtuar numri i miqve, ne krijuam një shoqatë, që quhej Shoqata e Miqësisë Argjentinë-Shqipëri. Pastaj vetë shoqata propozoi që kryetar i saj të ishte ky Gerardo Farrani.
Folët nga numri i kaluar për detyrën tuaj parësore si ambasadë, ku megjithëse me pesë vetë personel në organikë, duhej të bënit propagandimin e sukseseve të zhvillimit të Shqipërisë. Ishte ky fakt dhe ky mision, më treguat, që ju kishit mundur të mbanit

kontakt me shumë njerëz vendës, duke filluar që nga emigrantët me origjinë shqiptare të ikur prej kohësh e deri te argjentinasit që po rrëfeni?
Në ç’mënyrë e kryenit një veprim të tillë parësor për punën tuaj do të thosha?

Për shembull, në atë kohë ne përkthyem një nga veprat e Ismail Kadaresë, të titulluar “Dasma”.

Ju si ambasadë e bënit këtë punë?

Pikërisht këtë punë e bënim në bashkëpunim me shoqatën, madje më mirë mund të them se merrej shoqata që ju fola më sipër. Shoqata organizonte takime me qarqe intelektualësh dhe bënte të njohur Shqipërinë në rrethet e tyre. Në këtë mënyrë flitej për letërsinë shqiptare. Në këtë mënyrë propagandohej dhe suksesi i politikës komuniste në Shqipëri, që sërish i bënte të njohura vetë Shoqata e Miqësisë, me kryetar argjentinasin Farrani, për të cilin ju fola aq shumë sa s’besoj se keni më nevojë të informoheni. Mjafton fakti se ai kishte qenë njeri shumë i afërt dhe i njohur me ambasadën, shumë herët si të shkoja unë në detyrën e ambasadorit.

Po pse, nga i kishte lindur atij ky pasion kaq i madh për të dashuruar Shqipërinë? Si ta kuptojmë faktin që bëni prezent, që ishte kaq i lidhur me ambasadën ky person?

Në çdo vend ku ka ambasada, politika krijon simpatizantët e saj. Kështu kishin vepruar dhe diplomatët e ambasadës sonë në Argjentinë, por për hir të së vërtetës sistemi socialist aty, pra në Argjentinë, nuk kishte shumë simpatizantë. Ndryshe ishte Brazili.

Nuk njihej shumë sistemi socialist në Argjentinë?

Sistemi socialist në Argjentinë mezi njihej. Kishte gjithsej një deputet socialist në parlamentin e tyre, megjithatë edhe ai deputet nuk erdhi ndonjëherë në ambasadën tonë. Prandaj këta miqtë e Shqipërisë ne i shikonim me një simpati të veçantë, se realizonim dhe funksionet tona propagandistike.

Prandaj ky Farrani u lidh shumë me ty personalisht si ambasador, siç kishte bërë me të tjerët më parë, se e mbanit shumë afër?

Nga njëra anë ashtu është, ndërsa nga ana tjetër është se miqësia me të kishte të bënte dhe me personalitetin e tij, pasi Farrani ishte burrë serioz.
Le të vijojmë me ngjarjen që kemi në shqyrtim.

Si ju vuri në dijeni ky Gerardo Farrani për ekzistencën e një dokumenti për Shqipërinë në zyrat sekrete të ambasadës sonë aty në Buenos Aires?

Ishte një prej mbrëmjeve të vitit 1986. Sa kishte rënë muzgu. Më merr në telefon Farrani dhe më thotë:

– A ka mundësi të takohemi tani menjëherë, pasi kam për të konsumuar një bisedë që është tepër urgjente?

Nuk kisha ndërmend të takohesha në atë orë nëse nuk do më kishte paraqitur alternativën se takimi ishte për një problem tepër urgjent, gjë që nuk më linte mëdyshje, ndaj e pyeta:

– Ku mendon të takohemi, në ambasadë apo në ndonjë kafe, që mund të ishte në ndonjë vend të sigurt?

– Jo, – më tha, – do të takohemi në një park të qytetit, pra të Buenos Airesit.

Dhe dolët?

Buenos Airesi ka shumë parqe, por ne dolëm në një që na u duk shumë i përshtatshëm, që të ishim larg syve të ndonjë zyrtari të njohur të paktën.

Po, dhe?

Nuk kaloi fare pak sa u ulëm dhe porositëm, kur Farrani e hapi vetë bisedën.
– Kam diçka për të të thënë, por që për ju shqiptarët mendoj se ka një rëndësi tepër të madhe.
– Po të dëgjoj, – ia ktheva, duke përqendruar tërë qenien time drejt tij.
– Unë para disa ditësh isha në ambasadën amerikane, pasi ata shpesh marrin kontakte me tregtarë, biznesmenë etj. Kështu që unë gjeta mundësinë dhe u takova me një mikun tim që është në administratën e saj. Gjatë bisedës me mikun tim të ambasadës së Uashingtonit, ndër të tjera ai më pyeti: “Çfarë të lidh ty me Shqipërinë, me ambasadën e të cilës ke krijuar marrëdhënie aq të nxehta?”
Unë ia ktheva që: “Jam biznesmen dhe më interesojnë marrëdhëniet me ambasadat ku unë bëj tregti, por nga ana tjetër, edhe nga bindjet politike unë në natyrë jam socialist, ndaj dhe me këtë ambasadë kam më shumë marrëdhënie shpirtërore.
Miku im e mbylli aty bisedën, për ta hapur sot, ku unë shkova sërish për takim me të.

– Çfarë të tha sot?,

– e pyeta mikun tonë Farrani, jo pak i çuditur që këtej kishte kontakte me neve si ambasadë, dhe nga ana tjetër bënte kontakte të përzemërta me një ambasadë të një vendi armik, siç konsiderohej për vendin tonë në atë kohë Amerika.
– Sot, – vazhdoi ai në përgjigje të pyetjes që unë i bëra, – teksa miku im i ambasadës më hapi sërish bisedën për miqësinë me juve shqiptarët, më tregoi një sekret të tillë, duke më thënë: “Këtu në ambasadën tonë ndodhet një dokument sekret që ka të bëjë me Shqipërinë”.
Pastaj Farrani vijoi duke më thënë:
– Në qoftë se të intereson ky dokument, i cili bën fjalë për një nga udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë, mund të bëj përpjekje ta siguroj.

Çfarë i thatë juve, pas kësaj rezymeje që ju bëri për kontaktet me njeriun e ambasadës së vendit më të fuqishëm të globit?

Unë sigurisht e dëgjova tërë vëmendje, pa i ndërhyrë fare në atë bisedë, vetëm duke menduar akuzat që i ishin bërë Mehmet Shehut nga shoku i tij i luftës dhe i jetës, vetë Enver Hoxha, gjashtë vite më parë kur kishte dhënë jetë. Dhe ja tani, në një mbrëmje të vonë të vitit 1986, ku dhe kur nuk e priste më askush, kur edhe vetë Enver Hoxha kishte vdekur, ndërsa ngjarja qe mbyllur me kohë, ai dokument i shumëdëshiruar për të mbështetur akuzat e dikurshme të tij ishte shfaqur papritur. Jo vetëm kaq, por ai ishte afruar në një mënyrë të tillë saqë edhe mund të shtihej në dorë.
Gjithsesi, kur miku im argjentinas mbaroi rrëfimin, unë sigurisht u interesova për hollësi.

Për shembull?

– Si e quajnë amerikanin? – i thashë.
– Quhet Mendes. Është argjentinas, – u përgjigj.
Ra heshtja, duke përtypur në mendjen time tërë këtë situatë që m’u prezantua, ndërkohë që edhe miku ishte në heshtje të vijimit të bisedës sime.

E çfarë i thatë pas atij meditimi që ju imponoi ajo ngjarje, që fliste për ish-kryeministrin e vdekur, – që kushedi ku kishte varrin dhe të shpallur armik, – që ju rrëfehej aq papritur dhe pa kujtuar matanë kontinentit?

Unë sigurisht do të vijoja bisedën, por duhej të tregohesha i matur për sa bisedohej, se bëhej fjalë për një temë me shumë rëndësi, ku mund të kishin dorë shumë elementë të tjerë veç CIA-s, e cila e kishte përpiluar, prandaj iu drejtova tepër ngadalë dhe mendueshëm bashkëbiseduesit, që ishte ngutur kaq shumë për të më ardhur menjëherë pas mbarimit të takimit në ambasadën e Perëndimit.
– Mendoj, i dashur Farrani, se gjithë kjo që po më thoni mund të jetë edhe një lojë e panjohur.

Ju kundërshtoi?

Pas asaj që i thashë unë, ai nuk reagoi, por gjithsesi vijonte edhe vetë të ishte i përhumbur në mendime.

Pse nuk reagoi pas pyetjes që ju i bëtë?

Në të vërtetë, ai e dalloi se ajo nuk qe një pyetje e drejtpërdrejtë për të, sesa më shumë një meditim për veten time për të mbërritur në një konkluzion.

Po me veten tuaj, për eksperiencën e gjatë që kishit si diplomat, mund të besonit se në të vërtetë mund të ekzistonte mundësia që të ishte një dokument i tillë në një ambasadë të rëndësishme siç ishte ajo amerikane, aq më shumë të kishte mundësi edhe që mund të të servirej?

Gjithfarë mendjesh të vinin në kokë. Një herë mendoja mos ishte lojë, por mendoja edhe se mund të ishte e vërtetë, pra të ekzistonte dokumenti. Por e vërteta është se kur i kemi shkuar mbrapa kësaj çështjeje me durim dhe sakrificë, ku sigurisht edhe me nerva të tendosura dhe duke qenë në kontakt me Tiranën, konstatuam që dokumenti jo vetëm ekzistonte, por ne arritëm ta shtinim në dorë, dhe ky është fakt, pavarësisht aludimeve dhe shumë diskutimeve hamendësuese.

A mund të ndodhë që një punonjës i ambasadës të ketë një dokument që administrohet në arkivat e saj?

Po, mund të ndodhë, dhe në rastin konkret unë ju thashë se edhe emri i personit madje që e ka thënë këtë quhej Mendes, dhe ishte pikërisht punonjësi i arkivit.
Të ishte çfarë të donte ai punonjës, por unë do vija në dyshim faktin se a ka mundësi ai punonjës të shtinte në dorë një dokument sekret të arkivit, pavarësisht se atë e administronte vetë?

Pra a e lejonte ligji?

Sipas rregullave që kanë arkivat, dokumentet sekrete ruhen deri 25 vjet dhe pasi të kalojë ky afat kohor prej 25 vjetësh, dokumentin mund ta shikojë kushdo. Kështu, në rastin konkret të dokumentit tonë kish kaluar 25 vjet nga përpilimi dhe protokollimi i tij, se fliste për vitet ’60 ndërsa ne ishim në ’86-ën.

Ju dha sqarim juve Farrani më tepër, kur ju vuri në dijeni për domethënien e dokumentit?

Ai më tha se një punonjës i arkivit ka një dokument për një nga punonjësit kryesorë të Shqipërisë.

Mjaftonte kaq për t’ju vënë në lëvizje?

Ky ishte takimi i parë, që mjaftonte për të vijuar dhe dhjetëra takime, për të diskutuar me orë të tëra dhe duke u përpjekur me nerva të tendosura, me javë madje dhe me muaj, derisa të mbërrinim në destinacion për ta shtirë në dorë atë. Por ai takim dhe informacion i parë do të mjaftonte për të vënë në dijeni Ministrinë e Jashtme nga varesha, madje për vetë rëndësinë që kishte informacioni i marrë, do angazhoja në përgjigje drejtpërsëdrejti ministrin e Jashtëm Reiz Malile.

Pse me patjetër ministrin, kur mund ta vinit në dijeni pasi të mbërrinit në saktësinë e informacionit, madje si të shtinit në dorë dhe dokumentin?

Nuk mund të vijoje më tej pa marrë miratimin e ministrit dhe orientimet madje se si duhej të vijoje, pasi nuk bëhej shaka me situata të kësaj natyre, se mund të ishin në lojë agjentura të tëra dhe flitej për situata tepër të mprehta shtetërore.

Po takimin tjetër, kur e vijuat me Gerardo Farranin, pas asaj që ju tha në atë muzg teksa u takuat me urgjencë?

Unë, sa u ndava me të, pas takimit që më vuri në dijeni të dokumentit misterioz që ndodhej në ambasadën amerikane, u ktheva në selinë e ambasadës dhe që atë mbrëmje i nisa ministrit një teletekst të shifruar, ku i shpjegova gjithçka sa mësova, duke i kërkuar udhëzime se si të veproja më tej.

Po me të, vijuat takimet, apo ndenjët një herë në pritje?

Me Farranin u ritakuam të nesërmen. Por sigurisht, nuk biseduam për çështjen në fjalë. Unë aty e kisha mendjen dhe isha shumë i tendosur, por bëja si mospërfillës, që të mos prezantohej ai padurimi dhe kërshëria, por megjithatë nuk kisha të drejtë të vijoja më tej pa pritur ‘OK’-ejin e ministrit Malile.

Nuk e hapët fare bisedën?

Unë absolutisht nuk e hapa bisedën, por edhe kur miku im Farrani ma rikujtoi, unë të shpjegova që ia nisa një bisede tepër menefrego, madje më shumë sikur nuk më interesonte, por gjithsesi, sikur po meditoja apo sikur e përfshija padashur në një bisedë të thjeshtë, iu drejtova:
– Çfarë e ka shtyrë Mendesin që na vë në dijeni për këtë material? Mos është ndonjë sajesë kushedi?

Dhe çfarë përgjigjeje morët?

Pyetja ime Farranit i shkoi shumë befasisht, pikërisht kur si kishim një orë bisedë dhe teksa ishim gati të ndaheshim, por që gjithsesi ai ishte zhytur në mendime.
Megjithatë u përgjigj në çast:
– Jo.
Gjithsesi nuk hezitoi të shtojë me sinqeritet:
– Këtë pyetje ia kam bërë edhe vetes. Cili motiv e ka shtyrë?

Po ju, ia bëtë pyetje vetes se përse ai zyrtar amerikan të mund të bënte një bisedë të tillë, që kishte të bënte me veprime agjenturore, me një njeri si Farrani, që ishte në kontakt me ambasadën e Shqipërisë dhe me vetë juve si ambasador?

Patjetër ia bëra, dhe konkluzioni ishte i qartë, pa mëdyshje, se, nëse një veprim i tillë nuk ishte manovër përfitimi privat, atëherë kishte shumë të ngjarë që Farrani, pa e ditur as vetë, qe zgjedhur nga CIA të dërgonte në Shqipëri një mesazh. Doemos, për të parin e shtetit, Ramiz Alinë. Ndoshta qe shenja e një grishjeje për t’u afruar.

Ju, nuk e vutë në dijeni mikun tuaj për informacionin që kishit nisur drejt Tiranës?

Absolutisht jo. Gerardo Farrani as që i dinte strategjinë dhe mënyrat tona të funksionimit, se ne do të vijonim veprimet e mëtejshme vetëm nëse do të vinte leja nga Tirana, madje edhe pas kësaj do të vijonim mbi orientimet dhe porositë e saj.
Por megjithatë, kur u ndamë, pas më shumë se një ore bisedë të lirë dhe tepër miqësore, i lashë të kuptojë se ndërkohë, po të ndodhte që Mendesi t’i shfaqej sërish dhe t’ia hapte të njëjtën temë bisede, ai nuk duhej ta refuzonte.
Vetëm pas kësaj u ndamë, duke i shtrënguar fort duart njëri-tjetrit.

Nuk latë takim të radhës?

Absolutisht jo. Ju shpjegova se tashmë unë isha nën ethet dhe stresin e përgjigjes që do të më vinte nga vetë ministri i Jashtëm, Reiz Malile, të cilit i kisha adresuar personalisht informacionin e shifruar.

Përshkruhet plani i CIA-s
për eliminimin e Enverit

Teletekst nr.321-40-60, Nëntor 1975.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Buenos
Aires – Argjentinë
Objekti:
Për t’uvendosur në biblotekën e ambasadës.
Shumë sekret.
Vetëm për njohje të zotit Ambasador.
Çështja:
Shqipëria.
Në shtatorin që porsa kaloi, u zhvillua në Nju Jork një mbledhje me një mik, të cilin po e quajmë M-008, udhëheqës i qeverisë shqiptare. Me atë u arritën një sërë përfundimesh:
M-008 u zotua të marrë pushtetin, të zëvendësojë plotësisht Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Agjenti ynë ka vetëm një pjesë të pushtetit.
Propozon të veprojë kështu:
Të ftojë për drekë Hoxhën dhe t’i hedhë në pije helm me veprim të vonuar për të shkaktuar vdekjen e tij. Agjenti ynë na tha se kjo është e vetmja rrugë. Për më tepër, është e domosdoshme të bëhet, sepse Hoxha jeton duke pasur një dashuri të madhe nga masat, të njëjtë si ajo e Gandit. Miku ynë, e konsideron plotësisht të mundshme se do të zgjidhet për të vazhduar Hoxhën, dhe me kohë, afërsisht një vit, do të fillojë të zëvendësojë vazhduesit e Hoxhës, duke vendosur në vend të tyre njerëzit e tij të besuar. Në rast se do të fitojë lëvizja, kemi diskutuar një program minimum, i cili vazhdon si më poshtë:
1. Vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me të gjitha vendet më të rëndësishme të Perëndimit: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglinë. Konflikti i arit shqiptar do të zgjidhet nga gjyqi ndërkombëtar i Hagës.
2. Shqipëria do të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare të ekonomisë: Fondit Ndërkombëtar dhe organeve të tjera të krijuara me këtë qëllim.
3. Të bëjë paqe me fqinjët e tij (Jugosllavinë dhe Greqinë), për të zhdukur me të parën të gjitha kundërshtimet e ardhura nga lufta personale dhe ideologjike e Enver Hoxhës dhe e grupit të tij, dhe duke firmosur me të dytën një traktat të paqes, miqësisë e kooperimit, që hap nëpër të gjitha rastet kufijtë e vendit.
4. Qeveria do të jetë socialiste, nuk do të kthehet në regjimin e mëparshëm. Nuk do të njihen dëmshpërblimet e pronarëve të mëparshëm të tokave, por Shqipëria do të braktisë politikën e saj të izolimit ndërkombëtar.
5. Qeveria e re do të zgjidhet brenda një kohe prej 3/5 vjetësh, duke pranuar rilindjen e të gjitha partive politike, në formë të gjerë. Në qoftë se do të dështojë në tentativën e tij e do të zbulohet, agjenti ka kërkuar dhe për këtë është siguruar se do t’i jepet strehim politik në SHBA; në mungesë të këtij, në ndonjë vend mik. Për këtë ai ka kërkuar dhe është siguruar se do t’i jepen 3.000.000 dollarë amerikanë.
Me këtë rast është zotuar të denoncojë të gjitha llojet e krimeve që ai parashikon se do të zhvillohen në Shqipëri nga ana e Hoxhës e vazhduesve të tij.
Po japim një shpjegim mbi agjentin, për ta pasur në kujtesë në të ardhmen:
Bëhet fjalë për një njeri shumë ambicioz. I tillë është edhe plani i tij. Nuk ka ndryshuar në ideologjinë e tij. Ai vetëm na bashkohet me çështjen e bashkekzistencës me Perëndimin dhe me fqinjët e tij. I kemi sugjeruar që, derisa të kryhen veprimet, të jetë i bindur ndaj Hoxhës dhe vazhduesve të tij. Në rast të kundërt, mund të zbulohet. Kjo do të ishte fatale për suksesin e planit. Të gjitha këto duhet të mbahen parasysh, në funksion të suksesit të planit. Duhet të përgatitemi të kemi marrëdhënie diplomatike të plota. Tema është e një karakteri shumë sekret. Nuk do t’u jepet ambasadave të tjera. Ambasadori i Buenos Airesit (për këtë njoftoheni nëpërmjet këtij) do të jetë i caktuar ambasador në Tiranë, në rast suksesi. Buenos Aires, 1960

 

 

Nga Fatos Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu