Plani i përbashkët i CIA-s dhe UBD-së për rrëzimin e Hoxhës

0
93

Dokumenti që zbardhim më poshtë i përket pjesës së dytë të protokollit të takimit të zyrtarëve të CIA-s dhe UDB-së në vitin 1951 për operacionet e përbashkëta për rrëzimin e Hoxhës. Në numrin e kaluar zbardhëm pjesën e parë, që bënte fjalë për çështjet kryesore të konsumuara në atë takim. Përveç faktit që amerikanët po bashkëpunonin me shërbimet e fshehta të Jugosllavisë për një projekt të përbashkët për përmbysjen e qeverisë komuniste të Tiranës, në dokumentin në fjalë zbulohet se UDB-ja njihte mirë rolin e komitetit “Shqipëria e Lirë”, një front politik ky i krijuar nga amerikanët me idenë e një qeverie në emigracion dhe qasjet e ndryshme të dy shërbimeve respektive për rrëzimin e Hoxhës. Ndërsa CIA shpresonte te një ndërhyrje nga jashtë e emigracionit politik shqiptar, konfirmohet aty, jugosllavët e Titos mendonin se qeveria e Tiranës mund të përmbysej vetëm nga brenda, duke investuar fort tek të pakënaqurit e Partisë Komuniste shqiptare. Pjesa në vijim zbulon të tjera fakte e dëshmi që lidhen me projektin amerikanojugosllav. Një dëshmi me shumë interes është fakti se UDB-ja ishte e bindur se vrasja e Ceno bej Kryeziut, kunatit të dikurshëm të Zogut, ishte bërë nga ky i fundit. Po kështu, dëshmia e një zyrtari të lartë se familja e Kryezinjve me mjaft influencë në malësitë e Gjakovës ishte mbajtur si një as në mëngën e Mbretit Aleksandër për t’i vendosur ata në fronin e Shqipërisë, nëse do të binte Zogu, na jep një ide më të qartë mbi prapaskenat politike shqiptaro-jugosllave të kohës. Roli i Kryezinjve në politikën shqiptare ka qenë me shumë ndikim deri në momentin kur Ceno Beu, kunati i pushtetshëm i Zogut, u vra në Pragë. Pas kësaj, Kryezinjtë, me një influencë të reduktuar tashmë në Shqipërinë zogiste, kanë pasur përkrahjen e qarqeve shumë të larta jugosllave. Fakti që drejtuesit e pasluftës së Shërbimeve Inteligjente jugosllave i njihnin ata shumë mirë, tregon për një marrëdhënie të ngushtë të kësaj familjeje me shërbimet jugosllave, të cilat duket se i kanë monitoruar ata vazhdimisht, edhe pasi janë larguar në Perëndim. Roli i qartë i Kryezinjve në historinë shqiptare akoma edhe sot është mjaft i mjegullt. Një tjetër dëshmi shumë interesante e dokumentit që po botojmë sot është këndvështrimi i UDB-së jugosllave mbi rolin e Ballit Kombëtar dhe një pjese të lidershpit komunist, asokohe bashkëpunëtorë të Enverit, si Themelko, Tuk Jakova etj.

DOKUMENTI TOP SEKRET

Komentet e FPBERM (emri i koduar i UDB-së) për diskutimet e KUBARK (emri i koduar i CIA-s) për faktorët më të rëndësishëm të jashtëm që influencojnë Shqipërinë.

KOMENTET E ZOTIT C MBI KOMITETIN E PRIZRENIT

Për sa i përket Komitetit të Prizrenit, jugosllavët nuk e konsiderojnë si të aftë në këtë kohë për të qenë faktor në çlirimin e Shqipërisë apo, edhe nëse, për zhvillimin e vendit. Megjithatë, Komiteti i Prizrenit mund dhe duhet të shërbejë si një front i gjerë popullor, i cili mund të drejtojë luftën kundër Rusisë, apo çdo grupi tjetër të huaj që kërkon të ndërhyjë në çështjet shqiptare. Komiteti i Prizrenit pranon në të gjithë elementët e përfshirë, edhe ata të Bllokut Indipendent apo të pavarur. Në komitet nuk ka asnjë që e përfaqëson bazuar në anëtarësi partie, por vetëm si një lëvizje nacionalçlirimtare. Komiteti i Prizrenit nuk ndërmerr aktivitet kundër komitetit “Shqipëria e Lirë” apo grupimeve të tjera, por vetëm kur ata, tani apo me vonë, mund të kërkojnë ndërhyrje të influencave të huaja. Përshtypja e CIA -s se Komiteti i Prizrenit nuk ka lider të rëndësishëm apo me influencë, vjen ndoshta nga burime të dyshimta, të cilat flasin nga interesi personal. Në fakt, në Komitetin e Prizrenit janë liderë me shumë influencë, si Lutfi Spahiu, Nik Sokoli, Ndue Gjonmarkaj, si dhe të tjerë të cilët kanë reputacion shumë të mirë si dhe kontakte ekselente me figura të rëndësishme brenda vendit apo edhe në brendësi të Partisë Komuniste shqiptare. Nëse do t’i rikthemi çështjes së dobësisë së madhe të komitetit “Shqipëria e Lirë”, slogani i tyre bie në kundërshtim me 100 mijë shqiptarë, të cilët luftuan për çlirimin e vendit të tyre, të cilët do të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë përsëri. Nuk duhet harruar se minoriteti shqiptar në Jugosllavi ka një efekt shumë të madh në Shqipëri, si dhe është një faktor i rëndësishëm për të mbajtur lidhje të ngushta me të. Nëpërmjet këtyre njerëzve (minoritetit shqiptar i Jugosllavisë) është bërë e mundur që UDB-ja të rekrutonte disa individë, të cilët janë shumë pranë Mehmet Shehut. I Për të gjithë faktorët e mësipërm, zoti C tha: Duhet të konsiderojmë një vijë të përbashkët, me qëllim rrëzimin e Hoxhës si dhe bashkëpunim me CIA-n.

DISKUTIME DHE PYETJE

1. Pas një ndërprerjeje për ngrënien e drekës, takimi rifilloi në orën 14:10 të 17 shkurtit me (emri i fshirë shën. ynë), i cili pyeti nëse përfaqësuesit e UDB-së mendojnë se edhe nëse sovjetiket nuk mund të shkojnë në luftë për Shqipërinë, a do ta përdorin ata çdo aktivitet kundër Shqipërisë, si një shkak për deklarimin e luftës me Jugosllavinë si një agresor, si dhe marrjen e masave në një formë apo një tjetër. (Përgjigja për këtë pyetje ishte konfirmim). 2. Zoti B deklaroi se nga prezantimi i bërë nga përfaqësuesit e CIA-s, përfaqësuesit e UDB-së dalin me mendimin se CIA e konsideron komitetin “Shqipëria e Lirë” si forcën kryesore për rrëzimin e regjimit të Hoxhës. Ai donte të dinte se si do të kryhej konkretisht ky rrëzim. 3. Në përgjigje të kësaj pyetjeje Z (emri i fshirë) deklaroi se çdo gjë që ai tha në  këtë kontekst duhet marrë si mundësi teorike. Ai vazhdoi duke thënë se nuk ka pasur bisedime midis CIAs dhe komitetit “Shqipëria e Lirë”, apo grupe të tjera të interesuara mbi datën apo planin ekzakt për çlirimin e Shqipërisë. Ai i shpreh këto pikëpamje, ku këto aksione të ndërmarra, përfshirë edhe një plan veprimi, të duken si një lëvizje spontane revolucioni, të iniciuara nga brenda vendit dhe në këtë mënyre të mundet që të mbrohen vendet që do të ndihmojnë nga akuzat për agresion. 4. Zoti S pyeti nëse në këtë mënyrë a mund të konsiderohen vendet fqinje si një bazë operative për rrëzimin e regjimit të Hoxhës. 5. ( Emri i fshirë) u përgjigj se meqenëse ky lloj aksioni nuk mund të bazohej nga brenda vendit, atëherë duhej të merrte mbështetjen e vendeve fqinje. Komiteti “Shqipëria e Lirë” do të shërbente si një pikë grumbullimi, e cila do të udhëhiqte dhe inkurajonte shqiptarët për rezistencë, si dhe do të përdorte të gjitha burimet e propagandës për këtë qëllim. Çfarëdolloj force tjetër, e cila mund të përdorej, do të mobilizohej për këtë qëllim. 6. Zoti S pyeti nëse CIA i konsideronte këto aksione në kohë paqeje, duke shtuar se UDB nuk mendonte kështu. 7. Në përgjigje të kësaj pike, zoti ( ) tha se mundet që këto operacione të ndodhin në kohë paqeje, por duhej përgatitje në terren, si dhe koordinim me vendet fqinje, që këto aksione të ndërmerreshin me shpejtësi dhe që Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera të vendoseshin përpara një fakti të kryer. 8. Zoti S shprehu opinionin e UDB-së se të tilla aksione në kohë paqeje do t’i shërbenin Bashkimit Sovjetik, pasi do t’i jepnin atyre mundësinë që në vend që të mbronin Shqipërinë, ta përdornin këtë si një politikë agresive kundër Jugosllavisë, mundet edhe nga drejtime të tjera… Kjo lëvizje do të provokonte aksione të forta nga sovjetikët në vende të tjera ku ata do të shtonin kontrollin dhe ku të ndërmerrnin aksione për të eliminuar të gjithë elementët, të cilët mund të përdoreshin për çlirimin e vendit në një kohë të caktuar. Zoti S beson se sovjetikët nuk do ta injoronin çdo lloj aksioni kundër Shqipërisë, por ai tha se nuk kishte siguri se si do të reagonin ata. 9 Zoti B. deklaroi se duke pasur në mendje dëshirën për të përmbushur synimin për rrëzimin e regjimit të Hoxhës, UDB-ja beson se metoda më e mirë është forcimi i të gjithë elementëve opozitarë brenda Shqipërisë, me qëllim krijimin e një force brenda vendit. Propaganda jashtë vendit duhet të zhvillohet me këtë synim në mendje dhe të gjithë faktorët e jashtë duhen drejtuar drejt këtij qëllimi. Mosdurimi – nënvizoi ai- mund të sjellë pasoja katastrofike dhe emigrantët në përgjithësi janë të padurueshëm. Duke pasur një koncept të një lëvizjeje të shpejtë emigracioni politik shqiptar, mund të dëmtojë qëllimin dhe objektivat tona.  10. Zoti S. përmendi faktin se kur Zogu marshoi për në Shqipëri nga Jugosllavia me tri kolona të vogla të armatosura, ai duhej të përballej me 8000 forca të armatosura në të gjithë vendin, ndërsa sot Shqipërinë e mbron një forcë prej 45 mijë personash, së bashku me forcat e armatosura. 11. Zoti B vëzhgon se çështja e Shqipërisë është diskutuar pa referenca të mjaftueshme të interesit të Gani Kryeziu, i paguar nga UDB Gani bej Kryeziu, sipas dosjes së SIS, me material të mbledhur nga Zbulimi italian, rezulton “ish- kapiten i Ushtrisë jugosllave, i kthyer në Shqipëri në 1924-n me Zogun, më pas i emëruar prefekt i Kukësit. Mbante lidhje të vazhdueshme me autoritetet serbe. Pas vrasjes së të vëllait, Ceno Bej, rekrutohet nga Shërbimet jugosllave. Gjithmonë një pro-serb ka dëmtuar interesat shqiptare me aktivitetin e tij. Është rekrutuar nga ‘Intelligent Service’ anglez dhe ka organizuar një bandë prej 300 vetash në bashkëpunim me një oficer anglez, duke penetruar në Shqipëri, deri në Shalë. Ka informacion se për këtë aktivitet ka marrë 12 milionë dinarë… Jeton tashmë në Beograd me të vëllanë, Hasanin dhe me vëllanë e vogël, Said, një komunist i ri që ka studiuar në Paris”. Dosja WO204/9559 SIS ka bashkangjitur dëshminë e saj të verifikimit: “Sipas burimeve tona në Ministrinë e Jashtme jugosllave, Gani Beu merrte 10 mijë dinarë në muaj nga burime sekrete të kësaj Ministrie” (Arkivi britanik, TNA Dosja HS 7/212). Gani Kryeziu vet shqiptarëve. Çdo lloj aktiviteti i këtij kalibri – tha aido të sillte një luftë civile, si dhe shumë gjak do të derdhej. Kjo situatë në Shqipëri do të shoqërohej edhe me revansh dhe hakmarrje ndërmjet komunistëve dhe jokomunistëve, pronarëve të tokave dhe fshatarëve, si dhe midis Veriut dhe Jugut. 12. Zoti S. komentoi se një operacion i këtij lloji mundet që të përshkruhet si një agresion nga jashtë, veçanërisht nëse situata brenda Shqipërisë është e tillë që aksione të tilla nuk mund të ekzekutohen me shpejtësi dhe efikasitet. 13. (Emri i fshirë) kërkoi sqarime të mëtejshme të pozicionit që do t’i jepej Partisë Komuniste shqiptare gjatë kësaj periudhe të aksionit. 14. Në përgjigje zoti S deklaroi se në Partinë Komuniste shqiptare ka faktorë të cilët e forcojnë regjimin e Hoxhës dhe faktorë të tjerë, të cilët e dobësojnë atë. Një nga dobësitë është ndarja në fraksionin Hoxha dhe fraksionin Shehu. Gjatë pastrimeve të Partisë, disa elementë të cilët kanë marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare dhe kishin treguar një qëndrim anti- sovjetik, si Kristo Themelko, janë larguar nga Partia. Njerëz si Themelko, apo Tuk Jakova, mund të përfaqësojnë një kërcënim shumë më të fortë për regjimin e Hoxhës se i gjithë emigracioni politik jashtë Shqipërisë. 15. Zoti C parashtroi faktin se nëse ky operacion duhet të ketë sukses, atëherë ai duhet të paraqitet përballë Kombeve të Bashkuara si një çështje e brendshme e Shqipërisë. Nëse kjo do të arrihet nga regjimi i sotëm – tha ai- atëherë do të duket si një rrëzim i qeverisë nga brenda Shqipërisë dhe jo si një lëvizje për të risjellë kushtet e paraluftës. 16. Zoti S vazhdoi duke thënë se ne na duhen si aleatë brenda Shqipërisë njerëz si Tuk Jakova, për të cilin edhe nga Blloku Indipendent Kombëtar thuhet se ai është me më shumë influencë në popull edhe se sa Princi Markagjoni vetë. Shumë njerëz të cilët janë larguar nga Partia apo janë ulur në detyrë, janë asete të rëndësishme, të cilat duhen mbrojtur dhe zhvilluar. Ata përfaqësojnë një dobësim të Partisë, e cila duhet përdorur për qëllimin tone. Megjithatë, kjo dobësi nuk është e mjaftueshme në vetvete për të shkatërruar Partinë. Po e përsëris që pika e fortë e Hoxhës është Partia që e çliroi Shqipërinë.

Nga AURON TARE

vijon të dielën tjetër

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu