Plas zemërimi i Lindjes kundër Perëndimit; sulmohen masivisht ambasadat

0
142

Protesta të dhunshme në Libi, Tunizi, Egjipt, Sudan, Afganistan, Indi, Marok, Jemen, Gaza, Stamboll, Afganistan, Nigeri, Iran, Izrael.

Sipas inteligjencës amerikane, CIA, filmi anti-islamist ka qenë vetëm preteksti për të vënë në jetë ‘një sulm të planifikuar’.

Tension i lartë protestash kundër filmit të cilësuar si ‘blasfemik’. Përveç ambasadave amerikane në shumë qytete islamike, manifestues të shumtë kanë protestuar edhe ndaj selisë së Ambasadës gjermane në Khartum të Sudanit, duke e djegur atë dhe duke ngritur flamurin islamist. Është sulmuar edhe ambasada britanike. Në vendngjarje ka ndërhyrë policia, e cila ka kërkuar të largojë 5000 manifestuesit me gaz lotsjellës. Flakë janë parë nga dëshmitarët përpara ambasadës gjermane në Sudan. Demonstruesit kanë thyer edhe xhamat e dritareve të ambasadave.
Ndërsa personeli i Ambasadës gjermane në Sudan është i siguruar. E ka thënë këtë ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle. Ndërkohë, mijëra manifestues kanë mbërritur në ambasadën amerikane në Khartoum të Sudanit. Policia është duke përdorur gaz lotsjellës për t’i mbajtur ata larg. E referojnë këtë dëshmitarë në vendngjarje. Ndërkohë, ambasada amerikane në Tunizi është evakuuar ‘me veshtirësi të mëdha’. Protesta edhe në Indi, Marok, Jemen, Gaza, Stamboll, Afganistan, Nigeri, Iran, Izrael.

Sudan, një i vdekur në përleshje

Një manifestues është vrarë në Khartoum gjatë ndërhyrjes së forcave të sigurisë sudaneze, për të shpërndarë turmën protestuese tek ambasada amerikane në kryeqytet. Viktima ka përfunduar nën rrotat e një makine policie. E referojnë këtë dëshmitarët.

Egjipt, gaz lakrimogjen në Kajro

Shpërthen tensioni në Kajro, ku po zhvillohet  përleshje mes manifestuesve dhe forcave të rendit përballë ambasadës amerikane. Qindra vetë protestojnë përpara ambasadës, ku forcat e sigurisë kanë krijuar një mur prej blloku çimentosh, 3 metra të lartë. Policia përgjigjet me hedhje gazi lotsjellës. Përleshjet mes forcave të rendit dhe manifestuesve po zhvillohen në arterien pranë Nilit në lartësinë e ambasadës amerikane.
Autoblinda të policisë bllokojnë ‘arterien’ dhe janë duke përparuar e duke qëlluar dhe përdorur gaz lotsjellës.

Libi, në Tripoli një i vdekur

Disa qindra vetë kanë hapur zjarr në një lokal, që gjendet në një rrjet restorantesh amerikane “Kentucky Fried Chicken (Kfc)” në Tripoli, porti kryesor në veri të Libisë, në shenjë proteste për realizimin e një filmi të konsideruar ofensiv ndaj islamit dhe profetit Muhamed. E referon këtë televizioni libanez, Lbc. Një person ka vdekur dhe 25 të tjerë janë plagosur në Tripoli, veri të Libisë, gjatë përleshjeve mes policisë dhe manifestuesve. E referon këtë televizioni panarab, Al Arabiya.

Ndërkohë, Libia ka mbyllur përkohësisht hapësirën ajrore të saj mbi rajonin e qytetit Bengazi për shkaqe sigurie. Zëvendësministri i Transportit, Favzi Beltamr, ka thënë se të gjitha fluturimet për dhe nga qyteti lindor u pezulluan të premten, për shkak të të shtënave, që u dëgjuan në afërsi të aeroportit. Ai tha se fluturimet rifilluan, pasi zona përreth e aeroportit u sigurua.

Tensione në Tunizi

Tension i lartë në Tunizi, ku përpara ambsadës amerikane u zhvillua një protestë kundër filmit që ofendon Muhamedin. Manifestimi u paratha në rrjetet sociale dhe gojë më gojë mes fondamentalistëve. Duke marrë zemër nga protestat e dy ditëve më parë, tensionin e rrit nga fakti se pati mjaft pjesëmarrës të xhihadizmit në Tunizi. Nga sa mësohet, forcat e sigurisë kanë krijuar një mur të fortë mbrojtës rreth selive diplomatike, që prisnin të sumoheshin. Ambasada amerikane nuk ka ndërtesa afër dhe është e hapur nga tre sheshpamje. Protesta ndodhi pas përfundimit të lutjes së të premtes. Turma e manifestuesve ka shpërthyer murin e policisë dhe policia është kundërpërgjigjur duke qëlluar. Nga larg dukeshin agjentë policie që qëllojnë.

Protesta në Pakistan

ISLAMABAD – Qindra demonstrues pakistanezë kanë protestuar kundër filmit anti Islam, prodhuar në SHBA. Në Islamabad, në Lahore dhe në Peshawar ka pasur turma massive me slogane anti-amerikane pas lutjes tradicionale të së premtes. Në kryeqytet, dhjetëra manifestues janë përleshur me policinë, ndërsa kërkonin të mbërrinin në Ambasadën Amerikane.
Disa janë arrestuar nga forcat e rendit.

Marinsat amerikanë drejt Jemenit

Marinsat amerikanë janë nisur drejt Jemenit, për të mbrojtur ambasadën dhe trupin diplomatik. E bën të ditur këtë Cnn, duke cituar disa burime, sipas të cilave janë rreth 50 marinsa në udhëtim drejt Jemenit.

Kontaktet e Obamës

Presidenti egjiptian Mossi ka marrë sot një telefonatë nga presidenti amerikan, Obama, për të diskutuar mbi bashkëpunimin në fushën e sigurisë, por dhe për të kërkuar mbrojtje më të madhe të ambasadës amerikane në Kajro, ku edhe sot ka pasur mbi 200 vetë duke u përleshur ndaj të cilëve është hedhur gaz lotsjellës. Presidenti afganistanas, Hamid Karzai, ka anuluar një udhëtim  në Norvegji nga frika se mos ndodhnin manifestime të dhunshme. Këtë mëngjes, presidenti Obama ka folur në telefon me kryeministrin e ri libian, Mustafa Abu Shagur, duke rënë në ujdi që të kryejnë hetime mbi shpërthimet në Bengazi, që shkaktuan vdekjen e ambasadorit Stevens. Në mbrëmje, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka përsëritur se “asnjë akt terrori nuk do mbetet pa dënuar’, ndërsa në Tripoli konfirmohen arrestimet e disa të dyshuarve, pa saktësuar numrin apo praninë e grupeve terroriste. “Deri tani nuk kemi prova për praninë e Al Qaida-s në Libi. Ekstremistët islamikë janë minorancë”, ka nënvizuar kryeministri libian. Por Al Qaida apo më mirë aktivistët e tij lokalë mbeten të dyshuarit kryesorë.

CIA: Filmi anti-Islam, vetëm preteksti

Sipas inteligjencës amerikane, CIA, filmi anti-islamist ka qenë vetëm preteksti për të vënë në jetë ‘një sulm të planifikuar’. Një sulm i kryer në dy faza: e para në konsullatën ku ambasadori Stevens mbeti në kurth, e dyta në një shtëpi sekrete, e quajtur ‘e sigurt’, ku stafi amerikan ishte transferuar, por që islamikët e armatosur e arritën, duke provokuar të shtëna dhe vdekjen e dy marinsave. Sipas burimeve libiane, shpërthimi i konsullatës kishte qëllimin e saktë të evakuuonte personelin diplomatik – duke përfshirë edhe Stevens – drejt shtëpisë sekrete, ku iu kishin zënë pritë të gjithëve.

ANSA/Përgatiti: M.Alla

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu