Pleqtë e diktaturave

0
423

Demokraci të vjetra me liderë të rinj në moshë dhe popuj të rinj me liderë të moshuar. Diktatorë mbi të gjashtëdhjetat që janë prej vitesh në pushtet dhe janë gati të japin shpirtin, por pa e lëshuar atë.


Ranglista botërore e autokratëve që drejtojnë diktaturat me grusht të hekurt. Ikja e Mubarakut dhe Ben Alisë dhe vendi i 67-vjeçarit Sali Berisha në plejadën e “ndritur” të autokratëve të botës

Sa më të forta demokracitë aq më të rinj liderët. Sa më të moshuar liderët aq më shumë autokraci janë këto regjime. Në edicionin online të tre ditëve më parë të prestigjiozes “The Economist”, në artikullin me titull “Gerontocracy” (Gerontokracia simbolizon një rend qeverisës ku mosha e liderit që udhëheq një vend është shumë më e madhe se sa mosha mesatare e popullsisë), bëhet një ranglistë interesante me popuj dhe liderë.

Hendeku është i thellë dhe ajo që i ndan vendet demokratike nga regjimet autokratike, përveç demokracisë, zhvillimit dhe lirive dhe të drejtave njerëzore, është edhe mosha e liderëve. Në të parat liderët janë të rinj dhe të zgjedhur në mënyrë demokratike, me votime të lira dhe të ndershme.

Në të dytat liderët janë me një këmbë në varr dhe ose janë monarkë absolutë që lejojnë pak liri demokratike, duke sunduar me dorë të hekurt, ose janë presidentë që bëjnë zgjedhje duke fituar në “mënyrë” peblishitare, sepse kundërshtarët i kanë futur në burgje, ose i përdorin si fasada për votime të ndershme.

Sipas grafikut të hartuar bazuar në të dhënat e OKB-së dhe të Enciklopedisë Britanike, me përjashtim të Italisë, ku ende është në pushtet mbi skandalet e përhershme kryeministri 75-vjeçar Silvio Berluksoni, demokracitë perëndimore kanë liderë të rinj në moshë.

Në SHBA është presidenti Barak Obama, afër të 50-ave, në Britani, David Cameron, 44 vjeç, të cilët janë zgjedhur me vota të lira dhe demokratike për të udhëhequr kombe që kanë një traditë qindravjeçare në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

“The Economist” shtron pyetjen nëse ka të bëjë diferenca mes moshës mesatare të popullit dhe moshës së liderëve. Sipas saj, një nga rastet më diskutuara nga revolucioni i “Jaseminit” në Botën Arabe, është mosha e re e popullsisë dhe vjetërsia e liderëve.

Mosha mesatare në Egjipt është 24 vjeç, ndërsa ish-presidenti Hosni Mubarak ishte lideri më i vjetër në botë, para se të jepte dorëheqjen pak ditë më parë, në moshën 82 vjeç.

Sipas tabelës së vendeve, popujve dhe liderëve të tyre, kjo ndodh edhe në vendet e tjera me regjime autokratike si Arabia Saudite, Jemeni, Algjeria, Kuba apo Korea e Veriut (ku lideri supreme Kim Jong Il dje festoi 70-vjetorin). Vendet demokratike, në kontrast me këtë, duket se preferojnë udhëheqës të rinj më moshë, siç janë presidenti Barak Obama në SHBA apo David Kameron në Britaninë e Madhe.

Udhëheqësi shqiptar

Që në fillim të këtij viti, duke bërë paralelizmat me furtunën demokratike në botën që shtypet nga sundimtarët, është përmendur edhe rasti i kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

67-vjeçari është gati-gati vërsnik me presidentin e Jemenit, Ali Abdullah Saleh, 65 vjeç, liderin suprem të Koresë së Veriut, Kim Jong-il, 70 vjeç, presidentin e Kinës, Hu Jintao, 69 vjeç, apo presidentin e Kubës Raúl Castro, 70 vjeç, që të gjithë sundimtarë sipas mënyrës së tyre në vende, ku ka trazira, apo ku ato nuk lejohen sepse shtypen me dhunë.

Popullsia e Shqipërisë, sipas CIA-s amerikane, sipas numërimit të korrikut 2010, shënohet në 2,986,952 banorë. Mosha mesatare e popullsisë është 30 vjeç dhe radhitet ndër vendet me popullsi të re. (shih cia.gov/library/publications/the-world-factbook/geos/al.html)

Ai ua ka “lagur” edhe këtyre sundimtarëve, sepse i ka pasur ethet e pushtetit të përjetshëm edhe kur ishte më i ri më moshë. Sali Berisha ishte 48 vjeç u zgjodh president në prill 1992, me një votë peblishitare nga popullata e sfilitur prej regjimit komunist.

Por në korrik të 1992-it, vetëm pak muaj më vonë, populli do të vononte kundër partisë së tij, PD-së, si përgjigje ndaj reformave të egra dhe antipopullore. Rënia e popullaritetit brenda katër muajsh, nuk u pasua nga asnjë analizë brenda PD-së, përkundrazi, kundërshtarët u flakën jashtë.

Në nëntor të 1994-ës, ai do të dështonte në referendumin për Kushtetutën e re të vendit, që do të zëvendësonte atë komuniste të vitit 1976, që do të bënte një president të plotfuqishëm, por populli e rrëzoi me shumicë votash. As pas këtij dështimi dhe votë antipopullore, Berisha nuk mbajti asnjë përgjegjësi, përkundrazi.

Për të rritur mbështetjen popullore, por edhe për të mbuluar dështimet e shumta të qeverisjes, në vitet 1995-1996 u përhap epidemia e firmave piramidale, aktiviteti i të cilave paralizoi aktivitetin ekonomik të vendit dhe u përkrah fuqimisht nga qeveria e PD-së.

Në zgjedhjet e 26 majit 1996 PD-ja e udhëhequr prej tij fitoi me anë të dhunës në komisionet zgjedhore shumicën absolute të mandateve në Kuvend, zgjedhje që u dënuan ashpër nga OSBE/ODIHR-i, si një maskaradë zgjedhore.

Përkundër protestave të opozitës dhe të popullatës, sidomos në fillim të vitit 1997, pas humbjes së parave në firmat piramidale, Berisha nuk dha dorëheqjen dhe nuk pranoi rikompozimin e qeverisë. Në 3 mars 2007, ndërsa vendi ishte në kaos, ai u rizgjodh si president nga parlamenti vetëm me votat e deputetëve të PD-së.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 29 qershorit 1997, partia e tij u ndëshkua rëndë nga vota e zgjedhësve, por sërish ai nuk pranoi të japë dorëheqjen nga drejtimi i PD-së, edhe pse më gjysmë zëri pranoi përgjegjësinë për krijimin e firmave piramidale.

Pas tetë viteve në opozitë, duke përfituar nga zhgënjimi popullor ndaj korrupsionit qeveritar të ish-kryeministrit Fatos Nano dhe duke premtuar një qeverisje “me duar te pastra”, ai u bë kryeministër.

Edhe pse mes skandalesh të panumërta, siç ishte biznesi kriminal qeveritar në Gërdec që u mori jetën 26 personave të pafajshëm dhe u plagosën 300 të tjerë, Berisha nuk dha dorëheqjen, duke vijuar me të njëjtën qeverisje.

Në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, shumica e votuesve të zhgënjyer nga qeverisja e tij skandaloze, votuan opozitën e majtë, por falë mashtrimeve zgjedhore, klimës së frikës dhe terrorit si dhe numërimit të keq dhe shumë të keq në një të tretën e qendrave të numërimit të votave (raporti i OSBE/ODIHR-it 2009), partia e tij arriti të barazojë me mandate opozitën, PS-në, e cila mbeti sërish në opozitë, pasi LSI bashkoi mandatet me PD-në, duke formuar një shumicë të thjeshtë në Kuvend.

Pas 18 muajve krize të thellë politike, që i kishte rrënjët te manipulimi i zgjedhjeve parlamentare dhe kokëfortësisë për të gjetur konsensusin politik me opozitën, garda e urdhëruar prej tij ishte përgjegjëse për vrasjen e katër demonstruesve para kryeministrisë në 21 janar 2011. Edhe pse, me ndërhyrjen e ndërkombëtare, shpresa është te afrimi i palëve dhe shkuarja te zgjedhjet vendore të 8 majit 2011. Dorëheqje? As që bëhet fjalë. “Zgjedhjet do të jenë në vitin 2013.

Madje do shoh të dielën më të fundit. Që se kam ndërmend zakonisht, se herë i afroj me një apo dy javë”,-shprehej kryeministri Berisha më 28 janar 2011, një javë pas “puçit” me anë të të cilit donin t’i merrnin “karrigen”, aty ku ka thënë se do të jetë deri në 2035.

Rastet e dorëheqjeve të politikanëve shqiptarë

Fatos Nano dhe Ilir Meta u larguan kur e “bënë baltë”

Fatos Nano, sot 59 vjeç ka ndërmend të rikthehet në politikën aktive, duke shpresuar që të rikandidojë për postin e presidentit për të dytën herë. Në korrik të 2007-ës, ai dështoi përballë kandidaturës së ish-nënkryetarit të PD-së, Bamir Topi. Por edhe pse kërkon të mbetet sërish në politikë, z.Nano disa herë e ka njohur dorëheqjen si institucion.

Në korrik 1991-it, ai dha dorëheqjen për herë të parë kur ishte kryeministër i qeverisë së dalë nga zgjedhjet e marsit 1991, të fituara nga PPSH-ja e drejtuar nga ish-presidenti Ramiz Alia. Në fund të shtatorit 1998, pas dështimit të grushtit të shtetit, të drejtuar nga Sali Berisha, i akuzuar për vrasjen e ish-liderit të dhjetorit Azem Hajdarit dhe për braktisje të kryeministrisë, pasi ia mbathi në Maqedoni në 14 shtator, Nano dha dorëheqjen si kryeministër për herë të dytë.

Ai dha dorëheqje edhe nga drejtimi i PS-së në 1999-ën për të rikandiduar në shtator të atij viti. Pas dështimit të PS-së në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, në 1 shtator 2005 Nano dha sërish dorëheqjen nga posti i kryetarit të PS-së, duke pranuar përgjegjësinë për humbjen e të majtës.

Shembulli tjetër vjen po nga e majta. Është ish-zv.kryeministri Ilir Meta, 42 vjeç. Në 22 shkurt 2002, në moshën 33-vjeçare ai dha dorëheqjen nga posti i shefit të Ekzekutivit, pas fushatës së ashpër për “katarsis” të nisur nga Fatos Nano në fund të vitit 2001. Në 18 korrik 2003 ai dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Jashtëm.

Dorëheqjen për herë të fundit z.Meta, kësaj radhe nga posti i ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e dha pak javë më parë, pas publikimit të një videoje nga paraardhësi Dritan Prifti që e implikonte në një eferë korruptive. Dy ditë më parë Kuvendi vendosi t’ia heqë imunitetin për t’u përgjigjur përballë Prokurorisë për këto akuza.

Sundimtarët e botës së shtypur

Shqipëri-kryeministër Sali Berisha, 67 vjeç
Jemen- president Ali Abdullah Saleh, 65 vjeç
Egjipti- president Hosni Mubarak, 83 vjeç (i larguar nga pushteti pak ditë më parë)
Arabia Saudite- mbreti Abdullah bin Abdul-Aziz, 88 vjeç
Algjeri- president Abdelaziz Bouteflika, 74 vjeç
Iran- Lideri Suprem Ayatollah Seyed Ali Hoseyni Khāmene’i, 72 vjeç dhe president Mahmoud Ahmadinejad 55 vjeç.
Tunizi- Zine El Abidine Ben Ali, 75 vjeç, (u arratis nga vendi një muaj më parë)
Korea e Veriut- Kim Jong-il, 70 vjeç
Republika Popullore e Kinës- president Hu Jintao, 69 vjeç
Kubë- Raúl Modesto Castro Ruz 70 vjeç, vëllai i liderit të vërtetë, Fidel Alejandro Castro Ruz, 85 vjeç

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu