Po Kosovën, ku e le?

0
318

Vizita në tokën e premtuar e kryeministrit shqiptar, vjen menjëherë pas asaj në Norvegji. Afërsia në kohë, tenton të krijojë
përshtypjen e një turi ndërkombëtar, për të thyer perceptimin e përgjithshëm të izolimit. Edhe turet e Haxinastos në Amerikën Latine e Lindjen e Largët, kanë të njëjtin qëllim. Por të gjitha janë harxhim parash i taksapaguesve, dhe nuk kanë lidhje me interesat e vendit. Vështirë se dikush në ato rajone nga endet kryeministri dhe zëvendësi i tij, e di ku bie Shqipëria, e as kemi ndonjë volum marrëdhëniesh, që të justifikojë biletat e dietat e ekipeve të tyre. Ndërkohë, europianët dhe SHBA, ngjan se nuk e kanë në axhendë qeverinë tonë.
Prapaskena e vizitës së Berishës në Izrael, nuk duket e vështirë për deshifrim. Në votimin që u bë në OKB, nëse Palestina do ishte anëtare e saj, Shqipëria votoi kundra. Ishte një votë e drejtë. Palestinezët dhe arabët, duhet ta pranojnë realitetin dhe ekzistencën e Izraelit. Është një tokë, për të cilin hebrenjtë kanë tapi Biblën, dhe në kohët moderne, e kanë merituar për zhvillimin që i kanë dhënë, dhe gjakun e derdhur. Palestina mund të pranohet anëtare e OKB-së, kur të qeveriset në mënyrë unike dhe të përgjegjshme. Bëri një vizitë në Tiranë, në kuadër të turit diplomatik për mosvotimin e Palestinës, edhe ministri i jashtëm hebre Lieberman. Në atë kohë, shtypi shkruajti për qëndrimet që duhet të mbante qeveria jonë, ku mbizotëroi mendimi mirëkuptues për Izraelin. Por veçohej se duhej t’i kërkohej Izraelit, njohja e Kosovës. Ishte kjo kërkesë, një detyrë morale e shtetit shqiptar, për t’ia parashtruar mikut.
Izraeli ka një sërë arsyesh që nuk e pranon njohjen e Kosovës, ku arsyetimi diplomatik, është ngjashmëria me rastin palestinez në të drejtën ndërkombëtare, dhe se nuk mund të mbajë dy standarde. Pavarësisht ngjashmërisë sipërfaqësore, argumenti nuk ka themel. Duhen libra për të vënë në pah cektësinë e krahasimit. Shkaku real që nuk pranon Kosovën, është rëndësia që ka në Jerusalem, miqësia me Serbinë. Vetë Millosheviçi, kur ishte në fuqi, investoi shumë në miqësinë me Izraelin, me shpresë se lobi hebre nëpër botë, sidomos në SHBA, do ta ndihmonte. Për fat, skenat e masakrave të Millosheviçit ndaj kosovarëve, hebrenjve iu kujtoi persekutimin nazist, dhe kjo nuk e ndihmoi “kasapin” e Ballkanit. Por pavarësisht linjave zyrtare, është detyra e shtetit shqiptar, t’i kërkojë izraelitëve njohjen e Kosovës. Jo se kjo kërkesë do të zhbllokonte status-quo-në diplomatike, por do ishte një kujtesë, se izraelitët ia kanë një borxh shqiptarëve, pasi ne votuam mosanëtarësimin e Palestinës në OKB. Do ishte borxhi i dytë, pas përkrahjes që iu kemi dhënë gjatë Luftës së Dytë Botërore hebrenjve, që tmerri i pruri në tokën tonë. Dhe kur flasim për borxhe, është një fushë që stërnipërit e Moisiut e njohin mirë.
Kjo nuk ndodhi, sepse kryeministri Berisha, kërkoi realizimin e vizitës në Izrael, për të thyer perceptimin popullor të mospërfilljes që ekziston në perëndim ndaj tij. Diplomacia izraelite, e kuptoi se kjo vizitë nuk kushtonte, përveç ca arançatave të pira në pritje. Në kushtet ndërkombëtare që është Berisha, nuk ka talentin dhe pozicionin që t’u vinte kushte, apo parashtronte kërkesa. Izraeli vetë, nuk ka vizionin e BE-së për standardet demokratike dhe vendet që i ndjekin ato, siç nuk i intereson raporti i personalitetit që i viziton me demokracinë, mjaft që në votimet ndërkombëtare i përkrah. Një tur qokash, ku pihen pije freskuese, dhe haet kosher, si shpërblim për votën në OKB, nuk i kushtonte gjë. Vetë axhenda, e vërtetoi këtë fakt: U fol deri në mërzi, për trajtimin e ujërave, objekt pa kuptim për Shqipërinë; dhe turizmin, fushë pa rezonancë në marrëdhëniet e dy vendeve të shoqërisë së lirë, pasi askush nuk mund të detyrojë izraelitët të vijnë për vizitë në “xhunglën” bregdetare dhe pa kanalizime të Shqipërisë.
Mospërmendja e çështjes së Kosovës gjatë takimeve, tregoi se një ndër kushtet izraelite për të pranuar vizitën, ka qenë pikërisht mospërmendja e problemit kosovar. Kjo së pari, është një tregues, se diplomacia jonë si profesion dhe institucion serioz i shtetit, tanimë është inekzistente, dhe interesat shqiptare në rajon, janë veçse një pazar personal i Berishës për qëndrim në pushtet, pasi çdo diplomat do ta kishte kushtëzuar vizitën, me futjen e kësaj pike në axhendën e takimeve të zhvilluara. Së dyti, mungesa e çështjes kosovare, tregoi se udhëtimi është trajtuar nga vetë kryeministri, dhe çështja kosovare vlen për Berishën, më pak se një vizitë e parëndësishme për interesat e vendit.
Ky farë patrioti, i cili vazhdon të ekzaltojë mendjet e prapambetura andej dhe këndej kufirit, ashtu siç nuk u skuq kur justifikoi trafikun e naftës me Millosheviçin në kohën e embargos; siç kundërshtoi marrëveshjen e Rambujesë; votoi kundra dislokimit në Shqipëri të helikopterëve “Apash” të SHBA-ve gjatë luftës në Kosovë; dhuroi shkolla greke në jug; lejoi tre varreza ushtarësh grekë në vijën e pretenduar të Vorio-Epirit; shiti hapësirën ujore të vendit; ashtu nuk do t’i dridhet qerpiku që nesër të gënjejë dhe të thotë se nuk la gjë pa thënë në Izrael për Kosovën. Por në realitet, çështja kombëtare dhe interesat shqiptare, gjithmonë kanë qenë inekzistente në axhendën e Berishës, dhe ky është fakti i disatë që e vërteton. Për fat të mirë, ai nuk mund të gënjejë historinë.

 

Nga Dritan Hila

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu