Poliagjenti Peci!

0
355

Kur punët marrin ters, kështu disi duken. Si puna jonë me Lulzim Pecin, të parin diplomat ndërlidhës që shkon në Beograd. Atij, që mund të na radhisë ndër rekordet e Guinisit pasi të nesërmen kthehet në skandal diplomatik dhe jep dorëheqje të përcjellë me deklarata të pamatura, madje skandaloze, nga të gjitha anët.

Peci mund të mos jetë treguar diplomati më i përgatitur kosovar, siç e pat cilësuar vetë kryeministri Hashim Thaçi, ish- ambasadorin kosovar në Suedi, kur në konferencën e parë në selinë e BE-së në Beograd, ku është vendosur zyra ndërlidhëse, deklaroi atë që për arsyen e shëndoshë është më se e logjikshme, por që mund të mos jetë fare diplomatike në rrethanat e caktuara.

Kur tha se “normalizimi i marrëdhënieve mund të pritet vetëm kur Serbia ta njohë Republikën e Kosovës”, Peci padyshim ka shprehur mendimin e shumëkujt, por kjo mund të mos jetë e thënë me gjuhën e duhur në kuadër të rolit dhe misionit që ka marrë, jo më si ambasador por si zyrtar ndërlidhës. Megjithatë, ajo që pasoi, reagimet në MPJ dhe kundërpërgjigja e Pecit me dorëheqjen publike duke shkaktuar skandal të panevojshëm, më shumë flasin për atë se diplomacia kosovare ende është në “pelena” dhe se nuk është liruar nga gjuha e inateve e tekeve dhe zhargoni i telefonatave “pronto”.

Me inercionin e fëmijës inatçi, të prekur në sedër, lajmit për dorëheqjen e Pecit i përgjigjet zyrtari qeveritar i cituar të ketë thënë se ai është askush dhe se edhe ashtu do të shkarkohej. Se është kritikuar rreptë dhe është qortuar me masa paralajmëruese për shkarkim që pritej të ndodhte shpejt.

Madje, për ta damkosur, për ta varrosur shtatë pash nën dhe, ai do të shkarkohej për shkak të “takimeve të tij sekrete” me pjesëtarët e shërbimit të inteligjencës t Serbisë. Ai madje, njoftohet opinioni i shokuar, paska bërë “tradhti kombëtare” ngase ka folur në gjuhën serbe, vinin zërat nga radha e kamarilës oborrtare duke rritur grumbullin e gurëve mbi viktimën e radhës.

Si për të mos mjaftuar kjo, MPJ shkon edhe më tej kur thotë se Peci paska pasur dështime edhe në Suedi e tash i tejkaloi kompetencat në Serbi.
Joserioze. E pabesueshme. E palogjikshme.

Nëse ishte ashtu, nëse kishte qenë i dështuar si ambasador në Suedi, pse atëherë e emëruan në milionin e ri në Beograd. Aty ku ishte thënë se do të dërgohej diplomati më i përgatitur!

Kështu diplomati për të cilin ditë më parë vetë kryeministri thoshte se në Beograd do të shkojë “ambasadori më i mirë që e ka Republika e Kosovës”, na bëhet më i madhi tradhtar.

Poliagjenti që s’e paskemi njohur por që, fatbardhësisht, shumë shpejt e zbuloi veten. Ai që paska bërë madje “tradhti kombëtare” në Beograd ku, pse jo, ka mundur të takohej edhe me vetë ish- kryeagjentin serb, Jovica Stanishiqin, i cili ka lënë prapa jo pak “miq” në Kosovë e që tani sorollatet lirshëm nëpër Beograd pasi Gjykata e Hagës e shpalli të pafajshëm.

Se pa u rehatuar mirë në fotelën zyrtarit ndërlidhës paska vrapuar të takohet me shërbimet sekrete serbe dhe qenka personi që e ka rrezikuar sigurinë kombëtare. Renegati numër një. Poliagjenti, që mund të jetë parë vetëm në atë dokumentarin bardh e zi nga byroja politike.

Tash s’ka mbetur tjetër. Më mirë t’ia bëjë si ai nga dokumentari që i dha fund vetes. Nëse gabon e kthehet, gjyqit të popullit s’ka kah i ikën.
Dikush tanimë grumbullin e gurëve e ka bërë gati. Edhe turrën e druve në mes të sheshit. Që më në fund ky popull të ketë me çka të argëtohet!.

 

Shkruan: Ali Cenaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu