Politikanët e korruptuar po rrezikojnë shtetin e Kosovës

0
82

Korrupcioni

Në Kosovë zotimi publik i pambajtur i zyrtarëve të lartë të shtetit, një dekadë e gjysmë me radhë se në top-prioritetin e tyre do të jetë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sipas vlerësimeve politike të opozitës aktuale, por edhe të njohësve të ligjit, po e sjellin në pikëpyetje serioze besimin në aftësinë shtetndërtuese të kosovarëve, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Vetëm javëve të fundit, mediet evropiane kanë raportuar për dështimin e Kosovës për të vendosur sundimin e ligjit, për të reformuar administratën dhe për ta luftuar korrupsionin.

Kryetarja e komisionit të ligjeve, deputetja Albulena Haxhiu, tha se krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk mund të luftohet nga qeveritarët, të cilët janë të zhytur në korrupsion. “Sot krimi i organizuar dhe korrupsioni ka lëshuar rrënjët nga niveli qendror e deri tek ai lokal dhe deri më tani nuk e kemi as edhe një rast të vetëm, kur zyrtarë qeveritarë të korruptuar janë duke u hetuar ose iu ka konfiskuar pasuria e paligjshme”, tha për “Kosova Sot”, kryetarja Haxhiu.

Haxhiu ka pohuar se koalicioni aktual në krye me LDK-në nuk po jep shpresë të ndryshimeve pozitive.

“Në fakt me këtë njerëz që po udhëheqin institucionet dhe me këtë dorën e padukshme të Qeverisë në sistemin e drejtësisë nuk presim që do të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni. Edhe deklaratat publike të Mustafës janë sa për t’i hedhur hi syve të qytetarëve”, tha ajo. “Mirëpo për një gjë jemi të sigurt, që gjithë këta zyrtarë të korruptuar një ditë do të hetohen dhe do të japin përgjegjësi për gjithë çfarë kanë bërë, në kurriz të qytetarëve të varfër të cilët po luftojnë për minimumin jetik”, tha Haxhiu për “Kosova Sot”.

Se është koha që politikanët e korruptuar duhet të lirojnë rrugë, të dalin para drejtësisë, shpreh qëndrimin e vet të prerë edhe deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu. “Neve si parti politike opozitare na mbetet vetëm për të treguar se ka korrupsion në këtë vend, dhe roli i jonë si deputetë nuk është që të marrim paga pa bërë asgjë, por së paku që t’u tregojmë të gjithëve se çka ka dhe çka po ndodh në Kosovë”, tha Haxhiu për “Kosova Sot”. Ajo ka shtuar se janë edhe shumë mekanizma ndërkombëtarë që e thonë, që vazhdimisht e verifikojnë se në Kosovë ka prani të madhe të korrupsionit, që mbrohet dhe nuk luftohet nga institucionet. (INA)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu