Pranga kryekomunarit dhe 7 vartësve për 16 lejet që betonizuan “Shkëmbin e Kavajës”

0
177
  • Krytari i Reshbullit
  • Telefonata për shtesën mbi 10-katësh çon në burg Hysen Gashin dhe anëtarët e KRRT-së së komunës Rrashbull. Zbardhen ndërtimet që betonizuan zonën. Si u tjetërsua projekti i miratuar në 2006 për ndërtimin e zonës Rrashbull-Golem-Karpen

Në dy mbledhje që datojnë marsin dhe shtatorin e 2011-ës, ata kanë vendosur të kryejnë vetë planin e zhvillimit të një prej zonave më turistike të vendit. Kanë mbledhur forcat dhe kanë dhënë plot 16 leje, që në dosjen e hetimit, etiketohen si praktika, duke shndërruar ‘Shkëmbin e Kavajës’, një ndër zonat që pa frikë mund të konsiderohen “masakra urbane”. Zbulimi ka ardhur nga një telefonatë që ka lajmëruar shtesën e një kati mbi një 10-katësh, në afërsi të rërës, ndërsa për këtë skandal, dy ditë më parë gjykata ka vendosur 5 masa arrest me burg dhe 3 masa detyrim paraqitjeje. Një ndër personat që do të shkojë pas hekurave është pikërisht kryekomunari i Rrashbullit, Hysen Gashi, kreu i urbanistikës si dhe gjashtë anëtarë të KRRT-së së komunës. Nga hetimi ka rezultuar se, në të paktën 16 raste, këta zyrtarë kanë dhënë leje për ndërtim objektesh shumëkatëshe në kundërshtim flagrant me ligjin, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në pjesën e rërës, në të cilën nuk lejohet absolutisht ndërtimi, bazuar në vendimet përkatëse të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë (KKRRTSH). Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin në Shkurt 2014, pas një informacioni të referuar nga ana e Drejtorisë së Policisë Qarku Durrës, sipas të cilit ishte konstatuar një kat pa leje në një ndërtim te Shkëmbi i Kavajës. Më pas, nga hetimi, prokuroria arriti të zbulojë se jo vetëm kati, por i gjithë pallati ishte ndërtuar në bazë të një lejeje të kundërligjshme. Po ashtu, u zbulua gjatë hetimit paraprak se, edhe të paktën 15 praktika të tjera të lejeve të ndërtimit, janë dhënë nga komuna Rrashbull në kundërshtim me ligjin. Në përfundim të hetimeve paraprake, prokuroria ka krijuar bindjen e arsyeshme se zyrtarët e komunës Rrashbull kanë konsumuar elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”. Me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, gjykata vendosi masën “arrest në burg” për shtetasit: Hysen Gashi, Kryetar i Komunës Rrashbull (kryetar i KRRT), Viktor Ndreka, Drejtues i Njësisë së Urbanistikës, Vasil Gjoni, anëtar i KRRT, Indrit Hamiti, anëtar i KRRT, Sabri Troci, anëtar i KRRT. Ndërsa me “detyrim paraqitje” janë ndëshkuar: Erifili Theollari, anëtar i KRRT, Nevjana Isufi, anëtar i KRRT si dhe Fatjon Aliaj, anëtar i KRRT.

Dosja 

Më datë 22.09.2013 në sallën operative të Policisë së Durrësit është regjistruar një informacion se në lagjen nr. 13 në Plazh, pikërisht në vendin e quajtur pranë “Shkëmbit të Kavajës” në një objekt 10 kate, po ndërtohej një kat shtesë. Në funksion të këtij njoftimi është këqyrur vendi i ngjarjes dhe ka rezultuar se objekti ishte 10 kate dhe mbi katin e 10 të ndërtesës, në të gjithë hapësirën gjendej një armaturë me skela dhe dërrasa me qëllim ngritjen e katit të 11-të. Gjithashtu mbi katin e 10 të ndërtesës është gjendur dhe një vinç i cili përdorej për ngritjen e materialeve të ndërtimit. Në funksion të këtij fakti është kërkuar informacion pranë Komunës Rashbull, në lidhje me qenien e objektit me leje ndërtimi. Sipas të dhënave të administruara nga Komuna, rezulton se ndërtimi kishte filluar në bazën e vendimit nr. 1 datë 21.03.2011, të KRRT, pranë Komunës Rrashbull, për objektin “Godinë 8 kat (kati përdhe lokal + 7 kate banim) + garazh” në një truall me sipërfaqe 600 m2 me koeficient shfrytëzimi 68.8% në favor të subjektit ndërtues “E.”

Pranë kësaj komune është konstatuar se pa mbaruar akoma ndërtimi i dhënë për lejen e parë dhe pa u marrë në dorëzim objekti, subjekti ka kërkuar pranë KRRT së Komunës ri-kondicionim të sheshit dhe të lejes së ndërtimit duke shtuar sipërfaqen e sheshit dhe të volumit të ndërtimit. KRRT e Komunës në me vendimin nr. 2, datë 28.09.2011 ka lejuar  “Rikondicionim i lejes dhe sheshit të ndërtimit për godinë 8 kat + 1 kat garazh + shtesë anësore, 8 kat + bodrum” në favor të subjektit ndërtues “E.” sh. p. k, duke shtuar sipërfaqen  e sheshit të ndërtimit nga 600 m2 në 800 m2 dhe sipërfaqen e ndërtimit në 621 m2, me koeficient shfrytëzimi të gjithë sipërfaqes së dytë 62 %. Pra, konstatohet se subjekti nuk ka respektuar lejen e dhënë duke shtuar sipërfaqe ndërtimore.

Shkelja 

Sipas tabelës fotografike të vendit të ngjarjes është konstatuar se ndërtimi si ai me leje dhe shtesa për të cilën është dhënë leje rreth 6 muaj më vonë, po kryhej në brezin e rërës. Sa më sipër, bazuar në aktet e administruara rezulton se për dhënien e lejes së ndërtimit në të dy datat, ka pasur shkelje ligjore si në aspektin ligjor të së drejtës për të dhënë leje ndërtimi dhe në aspektin e pranimit dhe më pas administrimit të dokumentacionit, si dhe mbikëqyrjes së fazave të ndërtimit, të cilat konsistojnë: Në zbatim të VKM nr. 88 datë 01.03.1993 të Këshillit të Ministrave, një ndër zonat që kanë përparësi për zhvillimin e turizmit, janë dhe territoret kufizuese të Gjirit të Durrësit në rrethet Durrës e Kavajë, ku bën pjesë dhe zona afër “Shkëmbit të Kavajës” ku ishte dhënë leja e ndërtimit. Zona turistike pranë Shkëmbit të Kavajës, ka një studim urbanistik të kësaj zone të miratuar me vendimin nr. 30 date 17.04.1996 “Për studimin urbanistik pjesor te zonës se Shkëmbit të Kavajës” KRRTRSH. Studimi është konceptuar mbi bazën e parcelave me sipërfaqe 600 m2 (30x20m) për ndërtimin e vilave të pushimit, duke ruajtur një brez rëre me gjerësi 30 m. Rregullorja e zbatimit të studimit, si pjesë e tij përcakton kondicionet urbanistike për këtë zonë. Koeficienti i shfrytëzimit të territorit është parashikuar në masën 45 %, si dhe ne piken 4 të këtij vendimi është parashikuar te ruhen lartësitë e ndërtesave jo me shume se 2-3 kat.

Lejet shkatërruese u firmosën në mars dhe shtator 2011 

Në 15 praktikat e sekuestruara konstatohen të njëjtat shkelje si në rastin e subjektit ”E..” sh.p.k, duke dhënë leje dhe rikondicionuar kushtet e lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit në kundërshtim me ligjin dhe vendimin nr. 2 datë 21.11.2006 i KRRTRSH “Për miratimin e detyrës se projektimit për studimin e integruar te zonës turistike Rrashbull – Golem- Karpen” . Nga analiza e fakteve, konstatohet se gjatë procedurës së miratimit të shesheve për ndërtim dhe dhënies së lejeve të ndërtimit në favor të subjekteve të cituara, nga të gjithë anëtarët e KRRT së Komunës Rashbull që kanë marrë pjesë në mbledhjet e datës 21.03.2011 dhe 28.09.2011, janë konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal. Subjekte të kësaj vepre penale janë shtetasit Hysen Gashi, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Komunës Rrashbull dhe njëkohësisht Kryetar i kësaj komune, bashkë me 7 funksionarë të tjerë të kësaj komune.  Këto shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin duke ditur se nuk kanë të drejtë për të dhënë leje ndërtimi kanë kryer me dashje veprime të paligjshme duke miratuar dhënien e lejeve të ndërtimit  në mos përmbushje të rregullt të detyrës, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtimin e interesave të shtetit duke masivizuar zonën jashtë çdo kriteri ligjor pa një vizion të qartë për një zhvillim të qëndrueshëm turistik dhe urban.

Si u devijua projekti i miratuar në 2006-ën për ‘Rashbull-Golem-Karpen’  

Në zbatim të Vendimit të KRRTSH nr. 4, datë 01.06.2006 është miratuar detyra e projektimit të Zonës për Zhvillimin e Turizimit Rrashbull- Golem- Karpen e mbështetur në aktet ligjore të fushës së urbanistikës. Detyra e projektimit kishte si objektiv që të parashtrojë problematikat dhe të dhënat e nevojshme për të realizuar studimin e integruar të zonës me një vizion të qartë për një zhvillim të qëndrueshëm turistik dhe urban për të përballuar zhvillimin e zonës pa kompromentuar resurset dhe avantazhet e saj.  Në përfundim të studimit është miratuar detyra e projektimit me vendimin nr. 2 datë, 21.11.2006 i KRRTRSH “Për miratimin e detyrës se projektimit për studimin e integruar të zonës turistike Rrashbull – Golem- Karpen”.  Në pikën ”2” të këtij vendimi vendoset: “Të mos parashikohen ndërtime në zonën në anën perëndimore të rrugës nacionale Durrës – Kavajë në zonën e ‘Shkëmbit të Kavajës’ dhe në pikën “5” është vendosur që: Objektet në proces ndërtimi të trajtohen sipas kritereve të përcaktuara në lidhjen nr. 1, pika ”3” e saj  përcaktohet: “Te pezullohet dhënia e lejeve të reja të ndërtimit deri ne miratimin e studimit të ri urbanistik të zonës turistike Rrashbull – Golem – Karpen”.

Dokumentet e abuzimeve

Pas administrimit të dokumentacionit është konstatuar se njësia e urbanistikës kishte detyrimin që të mbante aktet e kontrollit për këto faza të realizimit të punimeve: për piketimin e objektit, përfundimin e themeleve dhe të karabinasë, si dhe arkivon dokumentacionin teknik të objektit dhe dokumentet e tjera.

Nga aktet e administruara ka rezultuar se njësia e urbanistikës  nuk kishte mbajtur asnjë nga aktet e mësipërme të zhvillimit të gjithë fazave të ndërtimit, duke lejuar që ndërtimi të ndërtohej pa u mbikëqyr nga strukturat e urbanistikës së Komunës. Strukturat e urbanistikës nuk kishin asnjë akt në lidhje me fazat e ndërtimit. Nga përfaqësues të INUV-it të komunës, janë mbajtur disa akte, për konstatimin e kateve shtesë mbi lejen e ndërtimit, të cilat janë fiktive pasi asnjë nga këto akte nuk rezulton t’i jenë njoftuar subjektit ndërtues, pasi sipas ligjit njësia e urbanistikës në bashkëpunim dhe me policinë e komunës, nuk duhet të kishin lejuar ndërtimin e kateve pa leje. Në këto kushte është vlerësuar se leja e dhënë për subjektin ”E.” sh.p.k, është në kundërshtim me kriteret ligjore është proceduar me regjistrimin e emrit shtetasit Hysen Gashi në cilësinë e kryetarit të KRRT dhe Viktor Ndreka në cilësinë e Drejtorit të Urbanistikës dhe sekretarit të KRRT, si persona që iu atribuohet vepra penale ”Shpërdorimi i detyrës”. Në vazhdimësi të hetimeve është sekuestruar procesverbali i mbledhjes së KRRT së Komunës Rashbull.  Nga këqyrja e këtij dokumenti është konstatuar se KRRT- ja, e kësaj Komune kishte dhënë dhe leje të tjera në kundërshtim me kriteret ligjore të përshkruara më sipër ku nga ana jonë është proceduar me sekuestrimin e 15 praktikave për dhënie leje për shesh ndërtimi dhe leje ndërtimi për subjekte të ndryshme, për ndërtime në zonën “Shkëmbi Kavajës” Durrës, në anën perëndimore të rrugës nacionale Durrës – Kavajë, pra në zonën e “Shkëmbit të Kavajës”.

Shkeljet, ja 15 ndërtimet abuzive te “Shkëmbi i Kavajës”

1. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit për subjektin “K….K…..” dhënë me vendimin e KRRT Komuna Rrashbull, viti 2011 për objektet 9 kate + papafingo + garazhd, 8 kate + papafingo + garazhd  dhe 7 kate + papafingo + garazhd.

2. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit për subjektin ”D….K……” dhënë me vendimin e KRRT Komuna Rrashbull, viti 2011, për ”Godinë banimi 7 kat + 1 kat njësi shërbimi + papafingo + 1 kat nën tokë” në një truall me sipërfaqe 1070 m2, në pronësi të familjes D…..

3. Praktika e dhënies se lejes se sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit për subjektin ”P….K.” dhënë me vendimin e KRRT Komuna Rrashbull, viti 2011, objekt ‘Godinë banimi dhe shërbimi 9 kate( 1 kat shërbim dhe 8 kate banim) + 1 kat nën tokë, me një koeficient shfrytëzimi 78 %.

4. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit me vendimin e vitit 2011, për subjektin ”K.K”sh.p.k, në truallin me sipërfaqe 600 m2 në pronësi të Sejdi Shuaipi, për objektin ”Godinë shërbimi me funksion hotel 1-6 kat + 1 kat nën tokë”

5. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit me vendimin e vitit 2011, për subjektin ”E…..””sh.p.k, në truallin me sipërfaqe 300 m2, për objektin ”Rikondicionim të sheshit dhe leje ndërtimi për objektin godinë banimi 6 kat + 1 kat shërbime” me koeficient shfrytëzimi 46.7 %.

6. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit me vendimin e vitit 2011, për subjektin ”G.S.”sh.p.k, në truallin me sipërfaqe 1674 m2, për objektin Hotel 7 kat + 1 kat Restorant + 1 kat sallë konferencash + 1 kat nën tokë” me koeficient shfrytëzimi 35.6 %.

7. Praktika e miratimit të sheshit dhe dhënies së lejes së ndërtimit me vendimin e vitit 2011për subjektin “K….K.” sh.p.k në truallin me sipërfaqe me 600 m2, për objektin ”Godinë banimi dhe shërbimesh 8 kat + garazh”.

 8. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit për subjektin ”E.” sh.p.k, për objektin ”shtesë 1 kat mbi objektin 7 kat + garazh” dhënë me vendimin e KRRT, Komuna Rrashbull, viti 2011.

9. Praktika e miratimit të sheshit dhe dhënies së lejes së ndërtimit me vendimin e vitit 2011për subjektin “XH.” sh.p.k në truallin me sipërfaqe me 1900 m2, për objektin “Shtesë 2 kate mbi objektin banesë 4 kat + 1 kat dyqane + papafingo + garazh”.

10. Praktika e miratimit të lejes së ndërtimit me vendimin e vitit 2011 në favor të subjektin “XH..” sh.p.k në truallin me sipërfaqe me 625 m2, për objektin “Rikondicionim i sheshit dhe shtesë 2 kate mbi objektin 5-6 kat”.

11. Praktika e miratimit të lejes së ndërtimit me vendimin e vitit 2011 në favor të subjektin “K.K.” sh.p.k në truallin me sipërfaqe me 300 m2, për objektin ‘Godinë banimi dhe shërbimesh 8 kate + papafingo + 1 kat nën tokë”.

12. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit, dhënë me vendimin e vitit 2011, për subjektin ”E…A…K”  në truallin me sipërfaqe 600 m2, për objektin “Godinë banimi dhe shërbimesh 8 e 9 kat + 1 kat parkim nën tokë”.

13. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit dhënë me vendimin e vitit 2011, për subjektin ”E…A…K”  në truallin me sipërfaqe 600 m2, për objektin “Godinë banimi dhe shërbimesh 8 e 9 kat + 1 kat parkim nën tokë”.

14. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit për subjektin “L.”, me objekt rikondicionimi dhënë me vendimin e KRRT, Komuna Rrashbull, e vitit 2011

15. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit për subjektin R. K. dhënë me vendimin e KRRT, Komuna Rrashbull, viti 2011.

Nga: Nikoleta Kovaçi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu