Pranvera kryengritëse shqiptare

0
206

Pranvera shqiptare e vitit 1981 është vlerësuar me kute të ndryshme shkencore, politike, ideologjike, shoqërore e kombëtare. Pavarësisht nga këndi i trajtimit, nga motivet, gjithnjë ka mbizotëruar pikëpamja se këto zhvillime shënojnë një kthesë në historinë e Kosovës dhe rreth kësaj janë pajtuar si ata që i dënonin, duke i konsideruar si veprime armiqësore, ashtu edhe ata që më shpesh në heshtje dhe më rrallë zëshëm i mbronin ato.

Pranverën e 81-shit shumica e kategorizonte si demonstratë studentore. Nëse e shohim me syrin distancës kohore dhe në kontekstin e definimit terminologjik të demonstratës do të bindemi se Pranvera shqiptare e 81-shit ka qenë shumë më shumë sesa një demonstratë e zakonshme.

Fjalori shpjegues i gjuhës shqipe e definon demonstratën si manifestim i masave të gjera punonjëse nëpër rrugë e sheshe, që bëhet për të shprehur haptas një kërkesë politike, ekonomike a shoqërore, për të kundërshtuar një padrejtësi etj. Duke i njohur përmasat e kundërshtimit të robërisë nga vrulli rinor shqiptar i etur për liri, vendosmërinë për t’i dhënë njëherë e mirë fund robërisë, pastaj intensitetin e ndërhyrjes brutale ushtarake e policore të ish-RSFJ-së, mekanizmat e teknikës ushtarake që u përdorën për ta shtypur zërin kryengritës të shqiptarëve në Kosovë, gjakun e derdhur, dhunën e egër, më të vrazhdën të bërë në hapësirat e Evropës së asokohshme, del e qartë se pranvera shqiptare e 81-shit kishte elemente të shumta të kryengritjes popullore, ngase nuk protestohej thjesht për një të drejtë që mund të korrigjohej brenda veprimit institucional të sistemit të kohës, por, përkundrazi, goditja popullore ishte drejtuar për të rrëzuar sundimin dhe sistemin e huaj shtetëror, pikërisht sikundër edhe definohet qartazi kryengritja në fjalorin e gjuhës sonë, si luftë e armatosur e masave popullore për t’u çliruar nga zgjedha e huaj a për të përmbysur regjimet shtypëse në fuqi. Shpreh bindjen se në këtë rast gjithçka flet në favor të një kryengritjeje në embrion, e cila më vonë më 1989 do të rishfaqej me një intensitet edhe më të madh për t’u bërë në vitet e fundit të shekullit të kaluar, nëpërmjet luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rruga e vetme e ecjes drejt realizimit të aspiratave kombëtare shqiptare.

Në vijim do të përpiqem të zë ngoje disa nga argumentet kryesore që e dëshmojnë përmasën historike të Pranverës së vitit 1981 si kryengritje popullore kundër pushtuesit.

Së pari, sikundër e dimë, parulla kryesore, sinteza e kërkesave programatike të shprehura gjithandej viseve shqiptare nën ish-Jugosllavi ishte Republikë, kushtetutë, ja me hatër ja me luftë. Lufta si koncept nuk përfshihet si element definues i demonstratës. Demonstrata, më parë se ndryshimin e gjendjes së përgjithshme shoqërore, ka për qëllim shprehjen e qëndrimit kundërshtues, protestues, pra pakënaqësinë me gjendjen. Demonstrata është vullneti për të kërkuar ndryshimin; lufta, nga ana tjetër, është vetë ndryshimi i gjendjes së caktuar shoqërore. Pra, fjala e fundit dhe më e besueshme e kësaj parulle ishte lufta si mjet për ta ndryshuar statusin nga një komb i robëruar në një komb të lirë e të përparuar, ishte besimi i atdhedashësve se po piqeshin kushtet, jo vetëm për ta kërkuar lirinë, por edhe për ta marrë atë, pavarësisht se çfarë mendojnë të tjerët dhe pavarësisht nga çmimi i saj.

Së dyti, pjesëmarrësit e pranverës shqiptare nuk dolën në rrugë dhe në sheshe për t’ua kumtuar forcave okupatore sllave faktin se ishin të padëshirueshme në tokën tonë etnike, por dolën me bindjen se ato do t’i largonin që aty njëherë e përgjithmonë. Si mund të shpjegohet ndryshe fakti i përleshjes me këto forca, sulja e të rinjve shqiptarë mbi tanke dhe deri edhe përballja e armatosur me një armik shumëfish më të fortë në pajisje ushtarake. Dëshmi konkrete e vizionit të atdhetarëve shqiptarë për një kryengritje të armatosur kundër pushtuesit është edhe qëndresa heroike e organizuar para 30 vjetësh në Besi, duke pamundësuar për një kohë depërtimin e falangave vrastare jugosllave drejt Prishtinës. Pra, këta trima nuk po mbronin pragun e shtëpisë, sikurse paraqitet shpeshherë e shtrembëruar rezistenca e armatosur shqiptare, ngase ata kishin konceptin e qartë të mbrojtjes së atdheut, të mbrojtjes së kryeqytetit të Kosovës. Besia, në këtë mënyrë, u shndërrua në Termopilen e parë moderne të rezistencës shqiptare. Kjo ngjarje ishte dëshmi bindëse dhe larghedhëse në kohë, ngaqë e bindi opinionin se forcat ushtarake policore serbe-jugosllave jo që nuk do të mund t’i dilnin zot Kosovës dhe tokave të pushtuara shqiptare, por në këtë hapësirë s’do të arrinin ta mbronin as veten dhe armatimet e tyre. Dëshmi tjetër se kryengritja shqiptare po lëshonte rrënjë qysh në këtë fazë ishte edhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës e bërë në Prekaz më 13 maj të vitit 1981. Madje, edhe Jugosllavia e atëhershme po e kuptonte se Kosova nuk do të mund të mbahej për kohë të gjatë në një shtypje të heshtur, ndaj edhe i intensifikoi proceset e njëpasnjëshme të demonizimit të shqiptarëve në sy të botës, me qëllim që ta krijonte një alibi për ndërhyrje përfundimtare e vrastare mbi një popull të tërë.

Së treti, RSFJ-ja kishte angazhuar potenciale ushtarake e policore, të cilat, kundruar nga aspekti numerik dhe nga arsenali teknik ushtarak, ishin të tilla që të mund të bënin një luftë përmasash të mëdha. Se nuk ishte fjala për demonstrata, por për një kryengritje popullore, dëshmon edhe fakti se përballë shqiptarëve kryengritës, krahas policisë, u vu ushtria jugosllave me të gjitha pajisjet luftarake, e cila, sikurse dihet, nuk ngurroi që t’i përdorte ato duke vrarë e plagosur shumë nga pjesëmarrësit në manifestimet kryengritëse.

Së katërti, vlerësimet e nomenklaturës politike jugosllave lidhur me Pranverën shqiptare të 81-shit, të bëra atëbotë e pastaj në vijimësi, flasin për kundërrevolucion, për rrënim të rendit kushtetues etj. Ndërkaq, është krejt e qartë se ndryshimet e këtilla rrënjësore, përkatësisht kundërrevolucioni dhe rrënimi i rendit kushtetues, siç e quanin ata, nuk mund të arrihen me demonstrata, ngase për to kërkohen vendosmëria dhe sakrifica kryengritëse. Natyrisht, vlerësimet e tilla nuk kishin për qëllim njohjen e realitetit të krijuar kryengritës në Kosovë, por ekskluzivisht ishin vënë në funksion të arsyetimit të ndërmarrjes së masave drakoniane mbi popullsinë shqiptare. Është interesant se të njëjtat nomenklatura politike, në diskutimet me faktorët e brengosur ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut, zhvillimet e pranverës së vitit 1981 i quanin vetëm si trazira, duke bërë përpjekje që ta relativizonin e ta minimizonin qëndresën heroike të një kombi që s’e duronte më robërinë. Vlerësimi i Pranverës shqiptare të 81-shit si trazirë, përveç minimizimit të përmasës e të efekteve të saj, kishte synim esencial edhe paraqitjen e kësaj kryengritjeje të mirorganizuar nga grupet atdhetare shqiptare dhe të qartë në synimet politike si një zhvillim të paorganizuar e kaotik që lidhej me pakënaqësinë sociale.

Së pesti, kryengritja shqiptare e vitit 1981 krijoi efekte të papara për vetëdijesimin kombëtar të shqiptarëve nën ish-Jugosllavinë. Mashtrimet sllave për një barazi ndërmjet kombeve dhe kombësive në të ashtuquajturën bashkësi federative më nuk pinin ujë. Gjysmëliria nuk ishte e pranueshme në asnjë trajtë për rininë shqiptare, ndërsa nuk bënin punë as proceset e shumta gjyqësore-politike që zhvilloheshin gjithandej Kosovës dhe ish-Jugosllavisë. Në fakt e gjithë kjo dhunë nuk i prodhoi efektet e pritura; shqiptarët vetëm sa u bindën se nuk mund të ishin në asnjë mënyrë pjesë e një shteti që i shkelte, i shtypte dhe i cenonte në të gjitha sferat e jetës. Zgjidhja e vetme për shqiptarët ishte ngritja krye kundër këtij shteti robërues, pavarësisht sakrificave që duheshin bërë. Nëse, për arsye të njohura, në jetën tonë nuk kemi arritur të krijojmë breza intelektualësh, është krejt e padiskutueshme se gjatë historisë sonë të okupimit sllav kemi krijuar breza të atdhetarëve dhe modele të kryengritësve çlirimtarë. Megjithatë, 81-shi vetëdijesoi si kurrë më parë masat e gjera popullore për mashtrimet e pushtetit okupator dhe krijoi premisat e mirëfillta për lirinë si rrugë të vetme të ecjes përpara.

Pranvera shqiptare e 81-shit duhet të vlerësohet drejt dhe në kontekst të gjerë të rrjedhojave të saj. Pa dyshim se ishte kryengritje në embrion, e cila i pati efektet e saj në disa plane:

Së pari, vetëdijesoi masat e gjera shqiptare se jeta pa liri nuk kishte asnjë kuptim, ndaj duhej punuar edhe me më shumë përkushtim e sakrificë për të;

Së dyti, vetëdijesoi faktorin ndërkombëtar për faktin se në zemër të Evropës po shtypej, me masa të tmerrshme të dhunës, një komb në trojet e veta etnike; dhe

Së treti, shënoi nismën e procesin të vështirë e të gjatë të vetëdijesimit edhe të pushtuesve tanë, duke ua bërë përfundimisht të qartë se tanimë nuk kishin të bënin me një strukturë amorfe etnike, por me një komb të organizuar që e aspironte lirinë e vet.

Përfundimisht, mbështetur në argumentet e mësipërme, që pa dyshim nuk janë shteruese në këtë plan, them se Pranvera shqiptare e 1981-shit nuk ishte kurrfarë trazire e as hallakame, as protestë dhe as demonstratë, përtej kësaj ishte zgjimi ynë që po lindte mendësinë kryengritëse në luftën vendimtare për çlirimin kombëtar.
Në historinë dhe në jetën e shqiptarëve pranvera është stina e kryengritjeve.

Prof. dr. Hysen Matoshi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu