Prapa Skenës së Filmit “Shqipe” me regjizoren e shquar të Hollivudit Vilma Zenelaj

0
111

vilma zenelajVilma Zenelaj është një emër i njohur në Hollivud, si aktore, skenariste, producente dhe regjizore. Vilma ka marrë pjesë në 11 festivale filmash në Amerikë, Kanada dhe Shqipëri, ku fitoi katër çmime për aftësitë dhe talentin e saj. Ka lindur në Shqipëri dhe emigroi në SH.B.A., bashkë me motrën e saj, Gretën (aktore e merituar, skenariste dhe producente e njohur) për të ndjekur ëndrrën e saj të kinematografisë. Në vitin 2008 dy motrat Zenelaj themeluan kompaninë e parë filmike shqiptare në Hollivud, me emër “Colored Films” (“Filma me Ngjyra”).

Suksesi erdhi në 2008-ën me filmin e parë të suksesshëm të kompanisë “Filma me Ngjyra”, me titull “Çfarë do të bëj tani?” Filmi u shkrua, prodhua dhe drejtua nga Vilma, ku ajo luajti dhe vetë një rol të vogël. Filmi fitoi çmimin “Komedia më e mirë” në festivalin internacional të filmit 2009 në Nju Jork.

“Të jesh shkrimtare, regjizore dhe producente është një sfidë e madhe, për role që përshtaten me personalitetin tim. Më pëlqejnë vështirësitë, sepse ato të zhvillojnë më tej si person dhe në karrierë, të japin përvojë, dhe kështu fiton aftësi për të zgjidhur probleme, zotësi të cilat janë thelbësore në kinematografi,” tha Vilma Zenelaj.

Filmi i dytë i suksesshëm me titull “In The Woods” (“Në pyll”), u realizua në vitin 2010, me skenar nga Vilma, e cila ishte producentja dhe regjizorja e filmit. Filmi u xhirua në Los Anxheles, brenda 10 ditëve. Ai u bë një sukses internacional me pjesëmarrje në festivale prestigjioze filmash në mbarë botën. Filmi “Në pyll” fitoi dy çmime “Silver Ace Award” (Çmimi i Njëshit të Argjendtë) në festivalin e filmit 2011-të në Las Vegas dhe “Best Feature” (Filmi më i mirë me Metrazh të gjatë) në Detroit.
Greta Zenelaj, e cila luan rolin e Evës, fitoi çmimin “Aktorja më e mirë” në festivalin internacional të filmit në Nju Jork, në vitin 2011-të.

Në korrik 2012-të, regjizorja Vilma Zenelaj xhiroi pjesë të filmit të tretë “Eagle” (“Shqipe”) në Shkodër. Filmi rrëfen historinë e një nëneje beqare, ‘Helenës’ që largohet nga Shqipëria për në Amerikë, gjatë kohës së demonstrimeve të dhunshme të 2 prillit 1991 për të rrëzuar sistemin komunist në vend. Helena, që luhet nga aktorja e talentuar Greta Zenelaj, rekrutohet nga agjencia sekrete e CIA-s, si spiune e një komuniteti mysliman shqiptar në SH.B.A., në shkëmbim për të marrë lejeqëndrimin e përhershëm.

Trupa e filmit “Eagle” (“Shqipe”) përmban aktorët më të shquar të Shqipërisë, si Ndriçim Xhepa, Zyliha Miloti dhe Agron Dizdari. Këta emra, mjaft të famshëm në rolet klasike të kinematografisë shqiptare, ishin zgjedhjet e para të regjizores. Filmi “Shqipe” prezanton edhe talente të tjerë si Seljon Lami,Graciela Kroni, Jozefina Delia, që aspirojnë të bëjnë karrierë në aktrim.

 

I jam shumë mirënjohës regjizores Vilma Zenelaj dhe producentes Greta Zenelaj, që më përfshinë edhe mua në familjen e ‘Shqipes’. Kam mësuar shumë nga të dyja motrat e talentura gjatë bashkëpunimit në film. Janë shumë profesionale, të  përzemërta dhë më frymëzojnë të punoj më shumë që të arrij ëndrrën si aktor. Aktrimin e kam pasion të madh dhe roli i ‘Edmondit’ në filmin ‘Shqipe’ ishte një përvojë e paharruar për mua. Sidomos, me shumë rëndësi është përkujtimi dhe vlerësimi i atyre vajzave dhe djemve që dhanë jetën për liri dhe demokraci në Shqipëri, temë që ceket në film”, shprehet aktori Seljon Lami.

“Ishte kënaqësi të luaj rolin e ‘Helenës’ në filmin ‘Shqipe’. Qëllimi ynë në kompaninë “Filma me Ngjyra” është që gjatë xhirimit e gjithë trupa të ndjehet si familje dhe si një ekip i bashkuar. Kisha dëshirë të takohesha dhe bisedoja me të gjithë, dhe të përkujdesem për trupën. Në këtë mënyrë, ne të gjithë tregojmë vlerat më të mira, dhe me të vërtetë bie në sy. Në veçanti, më pëlqeu xhirimi i filmit në Shkodër, sepse më dha rastin të luaj rolin e një femre shqiptare, dhe të flas në gjuhën time, shqip. Të gjithë kanë punuar shumë dhe na kanë përkrahur jashtë mase,” tha aktorja dhe producentja Greta Zenelaj për “Prishtina Press”.

 

 

Intervistë me regjizoren Vilma Zenelaj: Xhirimi i filmit ‘Shqipe’ në Shqipëri

Intervistoi Gazetari Ilir Berisha, 2 shtator 2012, Hollivud, Kaliforni.

 

Vilma, si ishte përvoja e xhirimit të filmit ‘Shqipe’ në Shqipëri? Cilat ishit kufizimet dhe avantazhet si regjizore gjatë xhirimit në Shqipëri në krahasim me Amerikën?

Vilma, si ishte përvoja e xhirimit të filmit ‘Shqipe’ në Shqipëri? Cilat ishit kufizimet dhe avantazhet si regjizore gjatë xhirimit në Shqipëri në krahasim me Amerikën?

Vilma Zenelaj: Përvoja ishte mjaft ndryshe nga xhirimi në Amerikë, sidomos në Los Anxheles. Të dy filmat e mi të parë, “What do I do now?” dhe “In the woods” u xhiruan në Los Angeles. E mira e filmimit në Hollivud është se 90% e njerëzve që jetojnë këtu janë të përfshirë në biznesin e artit. Kështu që është e lehtë të gjesh aktorë dhe pajisje me çmim të lirë, pa vënë në kompromis cilësinë e filmit, nëse di se çfarë po bën.

 

Megjithatë, Hollivudi nuk e ka atë përkujdesje dhe pasion që unë gjeta në Shqipëri. Trupa filmike dhe aktorët në Amerikë e konsiderojnë filmin tënd si një projekt tjetër, dhe nuk vënë aq shumë përpjekje, përkujdesje ose pasion në film. Në Shqipëri, meqenëse industria e filmit nuk është edhe aq mbizotëruese sa Televizori, aktorët shqiptarë janë më natyralë.

 

Më ka lënë shumë mbresa fakti se sa pasionues dhe aktorë të mirë ishin amatorët. Vetëm i dhashë dy udhëzime gjatë xhirimit të filmit ‘Shqipe’ dhe të gjithë e kanë luajtur rolin në mënyrë të përkryer, duke i dhënë jetë personazhit, sipas vizionit tim. Ishte me të vërtetë e mrekullueshme të punosh me talente të tilla. Kësi lloj talentesh nuk mund t’i gjesh dot në Amerikë, sepse në Shqipëri mendoj që aktorët janë të etur të tregojnë talentin e tyre në film.

Foto: Regjizorja Vilma Zenelaj, me aktorin Seljon Lami, i cili luan rolin e “Edmondit”, në filmin ‘Shqipe’, Shkodër, Shqipvri (Korrik 2012)  www.shqipethemovie.com

 

 

Foto: Regjizorja Vilma Zenelaj me aktorët kryesorë të filmit “Në Pyll”, Greta Zenelaj dhe David Landry gjatë xhirimit të filmit në Los Angeles. Filmi “In The Woods” është fitues i çmimit ‘Silver Ace Award’ në festivalin 2011 Las Vegas Film Festival si dhe fitoi çmimin ‘Best Feature’ tek Detroit Windsor Film Fest (2011). Greta Zenelaj është fituese e çmimit “Aktorja më e mire” (Best Actress Award in Feature Film) për rolin “Eva” në filmin “Në Pyll”. Ndërsa aktori David Landry, i cili luajti rolin kryersor në këtë film, ka një karrierë të suksesshme si aktor, i famshëm në seritë: Law and Order: LA, Criminal Minds, Goldilocs, Luck, etj.  www.inthewoodsmovie.com

 

Vilma, cila është pjesa juaj më e preferuar gjatë realizimit të një filmi? Çfarë ju pëlqen më shumë?

 

Vilma Zenelaj: Nuk ka ndonjë pjesë që nuk e pëlqej gjatë realizimit të filmit, dhe të them të drejtën, nëse nuk të pëlqen puna që bën, karriera jote në filmatografi ka për të pësuar rëndë si regjizore/producente. Kjo nuk do të thotë që nuk ka momente pa buzëqeshje në fytyrën time, kur gjërat janë të komplikuara. Besoj se duhet patur durim, deri sa ta kryesh projektin deri në fund.

 

Më është dashur t’i mësoj të gjitha gjërat vetë, me vështirësi, me mundin tim, sepse askush nuk më jepte shansin në Amerikë. Kështu ‘e kapa demin prej bringave’ dhe ia arrita me vullnetin tim. Mësova vetë ato që duhet dhe nuk duhet të bësh para prodhimit të filmit, gjatë prodhimit (kjo është mjaft e vështirë, nëse je producent dhe drejtues në të njëjtën kohë, pasi duhet të kujdesesh për grupin e punës dhe aktorët) dhe pas prodhimit të filmit, ku kalon sesione orësh të gjata në dhomat e errëta të montazhit apo në studiot e zërit, ngjyrës dhe muzikës. Kështu me pak fjalë, mua më pëlqen gjithçka që ka të bëjë me kinematografinë që nga një ide që më vjen, përpunimi i saj në skenar, deri në filmin e përfunduar që shfaqet në ekranin e madh.

 

Foto: Skenë nga filmi “What Do I Do Now?” (Po tani ç’do bëj) xhiruar në Los Anxheles, fim të cilin Vilma Zenelaj, e ka drejtuar, prodhuar dhe shkruar skenarin, si dhe luajti një rrol. Filmi “What Do I Do Now?” është fitues i çmimit komedia më e mirë “Best Comedy Feature” tek festivali në New York (NY International Independent Film and Video Festival) në 2011. www.whatdoidonowmovie.com


Vilma, na tregoni rreth skenarit të filmit ‘Shqipe’ të cilin ju e keni shkruar vetë. Cili është mesazhi juaj për publikun shqiptar dhe atë amerikan?

Vilma Zenelaj: Skenari i filmit është një histori përjetuar nga shumë shqiptarë gjatë viteve 90-të. Unë vetëm dua të shpjegoj që edhe pse shqiptarët ëndërrojnë të vijnë në Amerikë dhe kanë paramenduar një ide se si është vendi dhe jeta në Amerikë, e vërteta është se kur lëvizin këtu në Amerikë, nuk është një surprizë e këndshme, siç e kishin imagjinuar.

 

Gjithashtu, mendoj se ka një ndryshim të madh të jesh shqiptar nga Shqipëria, të jesh shqiptaro-amerikan i lindur në Amerikë, dhe të jesh shqiptaro-amerikan, ku jeton gjysmën e jetës në Shqipëri dhe gjysmën tjetër në Amerikë, siç jam edhe unë. Ndryshimet midis këtyre grupeve janë me të vërtetë të habitshme, që nga vlerat, mentaliteti dhe traditat. Në filmin tim ‘Shqipe’, dua t’i tregoj këto ndryshime, që edhe pse jemi të gjithë shqiptarë, disa herë është vështirë të vendosim lidhje midis njëri-tjetrit për shkak të mënyrës, apo vendit ku jemi rritur, apo për shkak të kokëfortësisë sonë.

 

 

Aktorja e shquar, Greta Zenelaj, duke luajtur rolin “Helena” dhe Graciela Kroni në rolin “Lola” në filmin Eagle/Shqipe

 

Skenë nga xhirimi i filmit ‘Shqipe” në Shqipëri  www.shqipethemovie.com

 

Çfarë debati shpresoni që filmi ‘Shqipe’ të stimulojë tek publiku?

 

Vilma Zenelaj: Unë nuk dua që të krijoj ndonjë lloj debati, edhe pse pres që mund të ngrihet një debat (në fund të fundit, nuk mund t’i kënaqësh të gjithë). Siç thashë në përgjigjen e mëparshme, thjesht dua të vë një reflektim apo ndërgjegje, tek çdo shqiptar që jeton në Shqipëri apo jashtë shtetit dhe se nuk duhet të gjykojmë njëri-tjetrin për ato fjalë/thashetheme që dëgjojmë dhe më duhet të them se si kulturë ne vuajmë shumë nga kjo, por në të kundërt ne duhet ta përkrahim dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin, fillimisht si qënie njerëzore pastaj si shqiptarë.

Vilma, si drejtuese çfarë shikon tek një aktor kur bën ndarjen e roleve?

 

Vilma Zenelaj: Gjëja e parë është se si përshtatet ky aktor fizikisht me atë që kisha në mendje (dhe kjo gati nuk ndodh asnjëherë, ka më tepër të ngjarë që roli t’i jepet për arsyen e dytë).

 

E dyta dhe gjëja më e rëndësishme për mua është se si e ndjek dhe e zbaton drejtimin tim një aktor, si janë aftësitë e tij/saj të dëgjimit (a më kushton ai mua vëmendje ose aktorëve të tjerë, apo është ai tepër i përqendruar në ato që do të thotë më tutje – që nuk është mirë), dhe a ka ai/ajo besim tek unë si drejtuese (kjo ndihmon në zhvillimin e personazhit në mënyrë të kënaqshme për të dy ne, atë dhe mua, dhe kur jemi duke xhiruar a shikon aktori veten e tij, që nuk është mirë gjithashtu, apo ka besim tek unë, duke ditur që unë dua më të mirën nga ai/ajo). Gjithashtu ka dhe disa gjëra të tjera, si p.sh., a është aktori i gatshëm të ndryshojë paraqitjen e tij/saj dhe të bëjë gjëra të caktuara për rolin që ka.

 

Por gjëja më kryesore për mua është besimi dhe komunikimi. Nëse i kam këto, atëherë unë e di që do të krijojmë një personazh të mrekullueshëm dhe të kënaqshëm për të dy ne.

 

 

 

Shkruan: Ilir Berisha, Prishtinë, Kosovë

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu