Procesi gjyqësor ndaj “Syrit të Popullit”, drejt fundit

0
237

Gjykimi i filluar në mars të vitit të kaluar ndaj të pjesëtarëve të organizatës së ashtuquajtur, “Syri i Popullit”, pritet të përfundojë këtë vit. Në fund të vitit që lamë pas, pjesë e këtij procesi gjyqësor u bënë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët dëshmuan në këtë rast.

Të dy këta liderë të Kosovës, së bashku me shumë ish-drejtues tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishin në listën e personave që kjo organizatë i konsideronte tradhtarë dhe planifikonte t’i likuidonte.

Ishte marsi të vitit 2017, u krye edhe tentim-vrasja e parë. I pari në listë për t’u vrarë ishte Azem Vllasi, i cili u plagos mëngjesin e 13 marsit të këtij viti.

Pas kësaj tentim vrasje, ishin arrestuar, Murat Jashari dhe Avni Llumnica, si pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”, që mori përgjegjësinë për këtë rast.

Vala e arrestimeve të mëvonshme përfshiu edhe persona tjerë, si Bajrush Konjusha, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, që organizatën “Syri i Popullit”, e cilëson si terroriste, pjesëtarët e saj akuzohen se po planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Në aktakuzë thuhet se në listë për t’u vrarë nga kjo organizatë ishin edhe shumë emra të tjerë, si Isa Mustafa, Fatmir Limaj, Xhavit Haliti, që nga kjo organizatë konsideroheshin tradhtarë.

Në aktakuzën afër 80 faqe, thuhet se kjo organizatë ka pasur edhe dy grupe; “Grupet Guerile” dhe “Grupi i Dajakut”. Aktakuza e Prokurorisë Speciale, shpjegon se kjo organizatë kishte logon, emblemën, vulat dhe betimet, të cilat kryheshin para flamurit kombëtar dhe fotografive të Adem Jasharit, i cili në Kosovë njihet si “komandanti legjendar i UÇK-së”.

Po ashtu në aktakuzë thuhet se pas fillimit të aksioneve, “Grupi Gueril” dhe “Grupi i Dajakut”, si dhe veprimtarët do të kishin rroga mujore, derisa financimi do të bëhej nga afaristët vendorë kur të krijoheshin rrethanat, si dhe nga mërgata.

Edhe në librin e Jasharit, të titulluar “Lufta e Pambaruar”, të botuar më 2016, që përmbante pyetje të shumta dërguar ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Murat Jashari akuzonte ata për tradhti të vendit.

Por, pavarësisht aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, avokatja e Murat Jasharit, Fehmije Gashi-Bytyçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se klienti i saj, i cili është në paraburgim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, nuk e ka vendin në sallën e gjykatës.

“Konsideroj se ende është duke u bërë një shkelje tejet e madhe e të drejtave dhe lirive të tij, sepse është absurde një person me paaftësi mendore të jetë në bankën e të akuzuarve, sepse relevanca e tij nuk është aspak e rëndësishme për gjykatën. Personi me paaftësi mendore mund të jetë prezent kudo, por të jetë prezent në sallën e gjykimit, në bankën e të akuzuarit, besoj që kjo është një praktikë që po ndodhë për herë të parë në Kosovë, sepse është një proces mjaftë i rëndë”, thotë avokatja e Murat Jasharit.

Kurse, avokati mbrojtës i të akuzuarit tjetër, Sadri Ramabaja, Ramiz Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Prokuroria Speciale, nuk ka asnjë provë kundër klientit të tij. Ramabaja sipas aktakuzës, akuzohet “për përgatitjen e veprave penale terroriste, të kryera ndaj funksionarëve të lartë të Republikës së Kosovës”.

“Asnjë provë e vetme nuk qëndron në këtë që e thotë prokurori. Krejt çfarë mund të thuhet për “veprimet kriminale” të Sadri Ramabajës, është fakti se i njëjti e ka bërë redaktuarën e librit të Murat Jasharit “Lufta e pambaruar”. Me gjasë Prokuroria, nuk mund të bëjë dallimin në mes të autorit të librit dhe personit që e ka bërë redaktuarën e librit”, thotë avokati Krasniqi.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 25 janar, ku pritet të dëshmojë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe gazetari Berat Buzhala, emra këta që po ashtu ishin në listën e personave për likuidim nga “Syri i Popullit”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu