Pronto: Neser Senca per te Akuzuarit

0
104

Seanca fillestare për të akuzuarit në rastin Pronto është caktuar të mbahet nesër. Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti e të tjerët do të deklarohen për fajësinë apo pafajësinë e tyre në këtë rast.

Të akuzuar nga prokuroria janë edhe Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Xhavit Dakaj, Nijazi Kryeziu, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Ismet Neziraj dhe Rexhë Abazi.

Të njëjtit akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi kanë punësuar njerëz në mënyrë të kundërligjshme.

Gjyqtari Shasivar Hoti caktoi 1 tetorin si datë për seancën fillestare në këtë rast, por para kësaj seance të akuzuarit kanë vendosur të heshtin.

Gazeta Insajderi për disa ditë me radhë ka provuar të kontaktojë me shumicën e të akuzuarve në rastin Pronto, por asnjëri nuk kanë pranuar të flasin.

Ai që foli ishte ish zv/ministri i PDK-së, Fatmir Shurdhaj por i cili akuzoi UDB-në dhe Inasjderin për publikimin e këtyre përgjimeve.

“Këto burime janë të spiuneve të UDB-së , edhe mos më thirr! Jam paraqitur në Prokurori për këtë punë nuk ke nevojë me më thirrë”, ka thënë Shurdhaj.

Heshtjen e ka zgjedhur edhe Nijazi Kryeziu, aktualisht këshilltar i Kadri Veselit.

Por përderisa të akuzuarit kanë vendosur të mos flasin, në pafajësinë e tyre po besojnë avokatët mbrojtës.

Florent Latifaj, avokat i Adem Grabovcit në një prononcim për Insajderin është shprehur i bindur se gjykata nuk ka prova për ta dënuar klientin e tij.

“Në seancën e parë do të lexohet aktakuza, konfirmohet a kemi pranuar të dhënat nga prokuroria, klienti deklarohet a e ka pranuar apo jo fajësinë. Sigurisht që ne kemi prova të mjaftueshme, dhe besojmë që deri në fund të seancave, Gjykata do të merr vendim për aktgjykim lirues”, ka thënë Latifi për Gazetën Insajderi.

I bindur në pafajësinë e klientit të tij është shprehur edhe avokati i Besim Beqajt.

Avokati Besnik Berisha ka thënë se këtë proces e pret dështimi qysh në start.

“Seanca e caktuar për datën 1 tetor, në rast se ka kushte për t’u mbajtur, konsiderohet si shqyrtim fillestar në të cilin klienti im dhe të tjerët do të kenë mundësinë për t’u deklaruar lidhur me pretendimet kundër tyre në aktakuzë. Personalisht mendoj se është një proces që e pret dështimi që në start, por në rastin më të keq mund të vazhdojë gjykimi i cili, së paku për z. Beqaj do të përfundoj me aktgjykim lirues”, ka deklaruar Berisha për Insajderin.

Gazeta Insajderi kohë më parë ka publikuar përgjimet ku dëgjohen Grabovci dhe të tjerët duke diskutuar për punësimin e njerëzve në bazë të preferencave partiake.

Në mesin e tyre ishte emërimi i prokurorit Bahri Hyseni si anëtar i KOST-it, pa asnjë kriter.

Njëjtë kishin vepruar edhe në përzgjedhjen e anëtarëve të bordit në Ujësjellësin e Prizrenit, ku kriteri i vetëm për Grabovcin e Nijazi Kryeziun ishte partia politike.

Nga këto përgjime doli se edhen kryeprokurori Sylë Hoxha ishte zgjedhur nga PDK-ja.

Përplasje për emërime në Agjencinë e Kosovës për Akreditim kishte pasur ndërmjet Adem Grabovcit e Ramë Bujës.

Buja e kishte ndarë pozitën për Fatmir Arifin të cilin e kishte sjell nga Amerika, derisa Grabovci donte që në këtë pozitë të sistemohej, Ramadan Gashi, ish-kryetar i Komunës së Skenderajt.

Nga përgjimet vërtetohej kontrolli i plotë i zyrtarëve të PDK-së në ndërmarrjet publike.

Adem Grabovci e Besim Beqaj kishin marrë kompetenca të plota nga Hashim Thaçi, që në krye të tri ndërmarrjeve publike, PTK, Infrakos dhe Traikos të vendoseshin njerëzit që përfaqësonin interesat e tyre. Një seri përgjimesh telefonike të Grabovcit dhe Beqajt dëshmojnë këto plane që ishin finalizuar me emërime.

Dy vite pasi u publikuan këto përgjime, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj 11 personave të përfshirë në rastin Pronto.

Në bazë të ligjit, të akuzuarit e këtij rasti mund të dënohen prej gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu