Protesta deri në rrëzimin e Qeverisë

0
173

VV

Përfaqësuesit e subjekteve opozitare në vend janë shprehur të vendosur për të protestuar deri në rrëzimin e Qeverisë “Mustafa”. Sipas tyre, opozita me përkrahjen e qytetarëve ka arritur që ta ndalë Marrëveshjen për Asociacionin dhe atë për Demarkacionin, ndërsa tani,sipas tyre, do t’ia dalin që ta rrëzojnë Qeverinë. Këto qëndrim opozitarët e kanë shprehur të shtunën në një tubim me qytetarë në Prishtinë.

Ish-kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, është shprehur i bindur se protesta e 17 shkurtit do të jetë edhe më masive sesa ajo e 9 janarit, të cilën ai e quajti si më të madhën që nga paslufta.

“Protesta e 9 janarit ka qenë më e madhja në Kosovën e pasluftës. Ne duhet ta thyejmë këtë rekord më 17 shkurt… Serbia nuk ka hasur në rezistencë nga Qeveria e Kosovës, kjo është fatkeqësia e vendit tonë, por ka hasur në rezistencë vetëm nga opozita e bashkuar. Republikën e Kosovës nuk e mbron Qeveria, madje ajo nuk është as neutrale, ajo po e mbron ‘Zajednicën’ e Serbisë”, ka potencuar Kurti.

Sipas tij, opozita e bashkuar i ka dhënë Serbisë goditje çfarë nuk i ka dhënë asnjë qeveri e Kosovës deri më tani.

“Me peticionin prej mbi 205 mijë qytetarëve, me gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, me aksione simbolike, protesta e manifestime anekënd Kosovës që kulmuan me protestën e 9 janarit, ne i kemi dhënë goditje të fuqishme Qeverisë së Serbisë. Asnjë qeveri e Kosovës në asnjë rast nuk i kanë dhënë goditje Serbisë si i ka dhënë opozita e bashkuar”, ka shtuar deputeti i “Vetëvendosjes”.

Ai madje ka thënë se pasi që kryeministri, Isa Mustafa, dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, e kanë lidhur fatin e tyre me Asociacionin, atëherë duhet të shkojnë edhe ata bashkë me Asociacionin.

“‘Zajednica’ ka rënë, ‘Zajednica’ ka vdekur, por vetëm Mustafa e Thaçi duan që ajo të mbetet, të ngrihet e të ringjallet sepse fatin e tyre e kanë lidhur me ‘Zajednicën’. Meqë u shkëputën nga ‘Zajednica’, nuk e pranuan as tërheqjen e nënshkrimeve e të marrëveshjeve, atëherë le të shkojnë bashkë me ‘Zajednicën’”, ka përfunduar Kurti, duke u kërkuar qytetarëve për pjesëmarrje sa më masive.

Kurse shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se opozita bashkë me qytetarët ia ka arritur që ta ndalë Marrëveshjen për Asociacionin dhe tani bashkë do t’ia dalin që ta rrëzojnë Qeverinë.

“Kur filluam rezistencën kundër së keqes, jo shumë njerëz besonin që ne mund t’ia dalim, kishte shumë skeptikë. Kishte shumë të tillë që dyshonin në veprimet tona në Kuvend, kishte shumë që bezdiseshin nga gazi, por sot gjashtë muaj më pas i gjithë populli u bind se ishte gazi e vetmja mënyrë për ta ndalur ‘Zajednicën’ dhe faljen e tokave të Kosovës. Bashkë ia dolëm për ta ndalur marrëveshjen, por bashkë do t’ia dalim ta rrëzojmë këtë Qeveri”, është shprehur Kadaj-Bujupi.

Ndërsa Shyqyri Bytyqi, anëtar i Kryesisë së “Nismës”, ka thënë se tani kundër marrëveshjeve dhe Qeverisë nuk është vetëm opozita e bashkuar, por janë edhe qytetarët. “Duam t’ia bëjmë me dije Qeverisë se jo vetëm opozita dhe strukturat e tyre, por edhe qytetarët do të dalin më 17 shkurt për ta mbrojtur Republikën”, ka deklaruar Bytyqi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu