Protesta e 28 janarit në Tiranë, dhuna ndaj policisë dhe deklarata e Meksit se vlonjatët do djegin edhe detin

0
69
(Vijon nga numri i kaluar)

Nuk më zuri më gjumi dhe raportet e “Zërit të Amerikës” i dëgjova pa fjetur ende. Gjysma e emisionit ishte me raportet e mia nga Berati dhe intervista me Meksin. Më dukej sikur nuk kisha fjetur kurrë gjithë javën. Dhe sapo mbaruan lajmet, më kishte zënë gjumi deri në mesditë.

Kur u zgjova, në Kuvend po fliste sërish Aleksandër Meksi. Po detajonte planin për shpërndarjen e parave, pra atë që kishte thënë në mëngjes në intervistën për “Zërin e Amerikës”. Po fliste shumë ashpër. Akuzat kryesore drejtoheshin ndaj atyre që po digjnin institucionet dhe kishte parasysh Beratin dhe Lushnjën.

Sipas tij, “synimi i tyre është djegia e gjithçkaje në Shqipëri për të nënshtruar demokracinë shqiptare”. Dhe më pas një gjysmë kërcënimi: “Ne nuk do t’i tolerojmë të djegin pronat e shtetit dhe, kur them nuk do t’i tolerojmë, nuk do t’i tolerojmë dhe, po të jetë nevoja, të kapërcejnë mbi trupat tanë”.

Por tonet e larta të kryeministrit në Kuvend nuk frikësuan askënd veç të vetëve. Partia Socialiste dukej se po përfshihej në spiralen e protestave popullore, duke i kombinuar ato me objektivin e saj politik.

Si një gjetje simbolike, protestuesit e mbledhur më 28 janar pranë stadiumit “Dinamo”, shpërthyen në duartrokitje – “‘Lushnja, Lushnja.!” sapo mes turmës u shfaqën disa të rinj të irrituar që tundnin presh në ajër.

Simboli i poshtërimit të zëvendëskryeministrit po bëhej kështu një simbol i pafuqisë së pushtetit dhe dominimit të turmave mbi të. Preshët që vinin e shtoheshin mes turmave, në të vërtetë përbënin dhe anën komike të atij irritimi popullor. Ato ishin “trofeu” i parë që protesta kishte mundur t’i merrte pushtetit. Dhe nuk ishin pak.

Pas disa fjalimeve pa shumë protokoll, Arben Imami ndezi turmën. I sapokthyer nga një mungesë e gjatë në Tiranë, qysh nga dhuna e 28 majit, Imami ishte i egër dhe fjalët e tij përpiheshin nga turma. Njerëz të SHIK-ut kishin zaptuar sheshin në çdo cep të tij, por turma ishte aq kompakte dhe aq politike, sa asnjë përpjekje e tyre për të provokuar nuk shkonte.

Pati më pas polemika nëse ishin ata që e drejtuan turmën drejt sheshit “Skënderbej” apo ajo u kujtua vetiu. Në të vërtetë, po të dëgjoje fjalimin e Arben Imamit, gjysmën e retorikës e kishte për zaptimin e sheshit nga Sali Berisha. “Të kujt janë sheshet, – këlthiti Arben Imami, – kush është ky njeri që nuk na lë të shkelim në sheshet e lirisë?” Pas kësaj, vetiu thirrjet “Te sheshi, te sheshi!” u bënë popullore dhe urdhëruese për secilin njëkohësisht.

Së bashku me grupin e gazetarëve, u përpoqëm t’i shoqëronim. Rruga nga stadiumi “Dinamo” deri në shesh ishte një ferr i vërtetë. Pasi arritën të dilnim nga drejtime të ndryshme në buzë të Lanës, turma me një pararojë agresive po çante rrugën drejt sheshit. Postblloqet e policisë, që shfaqeshin thuajse në çdo urë buzë Lanës, zbytheshin nën breshërinë e gurëve të pararojës, e cila çau rrugën deri në sheshin “Skëndërbej”.

Pika më e dobët e policisë ishte se ajo nuk bënte më dallim mes turmës së protestuesve të opozitës dhe kalimtarëve të rastit, të cilët në atë orë të ditës ishin të shumtë. Kështu, krejt pa shkak, viktima të dhunës së forcave të policisë nuk u bënë vetëm demonstruesit, por edhe kalimtarët e rastit.

Nga ana tjetër, policia nuk ishte në gjendje të bënte dallimin mes atyre që ishin organizatorët dhe nxitësit e turmës së njerëzve, duke ushtruar dhunë mbi të gjithë kalimtarët, sidomos mbi pleqtë.

Rastet më flagrante të dhunës ishin ato në urën e Lanës, në bulevardin kryesor të Tiranës, si dhe në një pikë tjetër, pranë pallateve “Agimi”. Forcat e policisë, që ishin vendosur në këto pika, nuk kursyen asgjë për ta penguar me çdo mjet masën e njerëzve që synonte sheshin “Skënderbej”.

Reagimi i policisë nuk bëri gjë tjetër veçse e nxiti edhe më shumë turmën, e cila, edhe nën thirrjet e drejtuesve të saj politikë, ia arriti që t’i afrohej sheshit “Skënderbej”.
Nuk dihet se kush e dha urdhrin absurd që protestuesit të mos lejoheshin në asnjë mënyrë të protestonin në sheshin “Skënderbej”.

Por ashpërsia me të cilën policia ruante çdo lloj hyrjeje në atë shesh e bënte më se të qartë që një urdhër i tillë ishte dhënë. Sidoqoftë, vetëm një pjesë e vogël e masës së madhe të demonstruesve që ishin te stadiumi “Dinamo” arriti pranë sheshit “Skënderbej”.

Drejtuesit e opozitës arritën thuajse bashkë me turmën dhe zunë vend në shkallët e Pallatit të Kulturës, në atë që ndërkaq ishte bërë tribuna e improvizuar e protestës.
Por pas fjalimeve të tyre të shkurtra dhe përpjekjeve të policisë për t’i penguar, nisën gurët në drejtim të policëve, të cilët, në përpjekje për t’u fshehur pas kolonave të Pallatit të Kulturës, e ndollën turmën që të qëllonte mbi ta dhe natyrisht mbi xhamat e katit të parë të Pallatit të Kulturës.

Filluan kështu shkatërrimet e para. Unë kisha në krah Apollon Baçen, publicistin emblematik të asaj kohe për gazetën modeste “Dita Informacion”, një luftëtar konsekuent kundër fajdeve në shtypin e kompromentuar të asaj kohe.

-Janë shumë, – më tha Apolloni. – Duhet ta ketë pisk qeveria…
– Me siguri do të bëjë zgjedhje Berisha, – i thashë unë.
Apoloni u bë menjëherë i vëmendshëm dhe filloi të më shihte nëse po tallesha. Në të vërtetë, kisha parasysh atë që kisha dëgjuar si provokim nga goja e tij tri net më parë, pas ngjarjeve të Beratit.

– Nuk bën kurrë zgjedhje ai, – tha, – por diçka duhet të bëjë.
-Mendoj se janë shumë dhe tepër agresivë për t’i nënvleftësuar, – i thashë. – Diçka do të bëjë.

Ndërsa diskutoja me Apolonin kotësitë e reagimit të Berishës, turma po ngjishej drejt shkallëve. Beteja e gurëve ndaj policëve që rrinin pas kolonave dhe e disa atë tjerëve që vazhdonin të pengonin pleq apo qytetarë kurajozë t’i bashkoheshin protestës, vazhdoi më tej. Gurët nuk dihej mbi kë qëllonin.

Adoleshentë iu turrën shkallëve të Pallatit të Kulturës, thyenin pllaka dhe qëllonin. Mbi 50 vetë ishin plagosur, nga të cilët rreth 30 protestues, ndërsa rreth 20 të plagosur u përkisnin forcave të rendit. Ndërsa dëmet e shkaktuara nga shkatërrimet e ndodhura në mjediset e Pallatit të Kulturës askush nuk mori mundimin t’i llogariste.

Në sheshin e braktisur pas mitingut një makinë me targa italiane vërtitej me tërsëllimë mbi gurët dhe sendet e hedhura përtokë.

Në vend të parë ishte Shkëlzen Berisha, i shoqëruar nga disa djem që rrinin tek lokali “Lirëza”. I shqetësuar i thashë Berishës në mbrëmje të bënte kujdes me Shkëlzenin se hipte në makina me targa të huaja. Më pyeti se ku e kisha parë dhe i tregova skenën e Sheshit Skënderbej.

U qetësua menjëherë. Ishte me djalin e Komandantit të Gardës dhe një tjetër që mbahej si nip i Agim Shehut, që quhej Rrahman.

Pas përfundimit të protestës, disa prej përfaqësuesve të opozitës dolën në një konferencë të përbashkët shtypi, thelbi i së cilës ishte kërkesa për dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë Meksi., si dhe “distancimi” nga aktet e dhunës së ushtruar nga protestuesit kundër policisë dhe institucioneve.

Në masën e madhe të deklaratave të lëshuara nga përfaqësuesit e opozitës në atë kohë, ishin dhe dy pjesë deklaratash që të bënin përshtypje, jo dhe aq për përmbajtjen, sesa për të ato që do të vërtetoheshin në të ardhmen.

Njëra ishte ajo e anëtarit të kryesisë së PAD-së, Blendi Gonxhe, i cili deklaroi se “punonjës të policisë kanë provokuar turmën dhe se përgjegjëse për djegiet është qeveria shqiptare.”

Pjesë e kësaj deklarate qe edhe shprehja “profetike” e Gonxhes: “Aleanca Demokratike shpreh bindjen se, për sa kohë qeveria e PD-së dhe presidenti i saj, bashkë me rosinantët e tyre Godo, Selfo dhe Melo, do të vazhdojnë konfliktin me popullin protestues, Shqipëria do të përjetojë vetëm shkatërrime e djegie të tjera”.

Kjo ishte shprehja e korrigjuar për publikun e majtë e Gonxhes, i cili gjatë konferencës së shtypit kishte deklaruar që, nëse qeveria nuk do të jepte dorëheqjen, në vend do të vazhdonin shkatërrimet dhe djegiet.

Deklarata tjetër qe ajo që u lëshua po atë ditë nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Rexhep Mejdani, i cili, duke folur mbi një koment të bërë në edicionin e lajmeve të ditës së nesërme në TVSH, deklaroi se “në atë koment ogurzi, pasi i bëhet një përmbledhje tërë arsenalit të shpifjeve, të etiketimeve, të sulmeve mashtruese propagandistike të PD-së kundër PS-së, duke e identifikuar atë me PPSH-në dhe duke e lidhur veprimtarinë e saj me ngjarjet fatkeqe të 2 prillit 1991 në Shkodër, me djegiet e shkatërrimet që ndodhën gjatë viteve 1991-92 në mbarë Shqipërinë, me nxitjen e propagandës së PD-së për ‘çrrënjosjen’ e komunizmit dhe për arritjen e ‘nivelit zero’, bëhet thirrje për të linçuar socialistët, se gjoja ata luftuakan për të kthyer të kaluarën dhe për të rivendosur diktaturën”.

Pas dy ditësh i telefonova Meksit për një intervistë me një gazetar të shërbimit të “Zërit të Amerikës”, që ishte në Tiranë. Ndërkohë e pyeta se ç’kishte ndonjë gjë të re për lekët dhe a janë të vërtetë zërat për Vlorën.

– Nuk e di, – tha. – Fola me Fred Zijain, që e kam mik, dhe më tha se do të bëhet nami. E kanë marrë vesh, – shtoi, – që ata e kanë ndarë pasurinë me njëri-tjetrin dhe po ia mbathin. – Dhe e mbylli prapë duke cituar Fred Zijain: – Vlonjatët kanë thënë se “do të djegin edhe detin”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu