Protestat ndalen kur të bjerë Qeveria

0
296

Opozita ne Sheshin S

Partitë opozitare (Lëvizja ‘Vetëvendosje’, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe ‘Nisma për Kosovën’), nuk do t’i ndalin protestat pa dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa dhe rënien e kësaj Qeverie. Në një konferencë për media, të mbajtur të dielën, tre liderët e partive opozitare, duke falënderuar pjesëmarrësit në protestën e së shtunës, thanë se qytetarët i treguan kësaj Qeverie se nuk e duan më dhe se duhet të shkojë në shtëpi.

Lideri i LVV-së, Visar Ymeri, ka thënë se qytetarët, përmes protestës masive kanë dëshmuar se janë kundër kësaj Qeverie dhe se ajo duhet të japë dorëheqje sa më parë. “Kjo Qeveri nuk ka as legjitimitet demokratik, as legalitet institucional që të vazhdojë më tutje. Protesta e së dielës tregon se Qeveria e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa e Hashim Thaçi më nuk janë as kryeministër, as ministër”, ka thënë Ymeri.
Ai theksoi se protesta është përmbyllur si protestë masive me një kërkesë të qartë që shkelësit e Kushtetutës dhe ata që dëmtuan sovranitetin dhe integritetin territorial nuk mund të mbesin në krye të vendit. “Ajo i tregoi Qeverisë, edhe bashkësisë ndërkombëtare se populli më nuk e do këtë Qeveri. Kjo Qeveri që insiston të mbetet në pushtet, përkundër asaj që populli nuk e do, nuk mund të jetë Qeveri e një vendi demokratik”, është shprehur ai.
Ndërsa, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është ndier i emocionuar me pjesëmarrjen e një numri aq të madh të qytetarëve në protestën e së shtunës, derisa, siç ka thënë ai, ka ardhur koha që kjo Qeveri të japë dorëheqje. “Kjo Qeveri jo vetëm që ka udhëhequr gabim, por ka marrë vendime që janë të rrezikshme për vendin. Qytetarët kanë kërkuar që qeverisja Mustafa të shkojë. Tani ora ka filluar, koha numëron që këta të reflektojnë”, ka deklaruar Haradinaj.
Kryetari i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, theksoi se një protestë të tillë, me mesazhe të qarta, madhështore e paqësore, nuk mund ta zbehë askush dhe asgjë.
Limaj u shpreh se qytetarët e Kosovës të të gjitha moshave, pa dallim, të shtunën në sheshet e Prishtinës çuan dy mesazhe. “E para se Kosova është aktive dhe nuk pranon të qeveriset nga një Qeveri që e ka shkelur Kushtetutën, dhe se populli nuk i beson më kësaj Qeverie. Kërkojmë dorëheqjen e kësaj Qeverie. Të dalim nga kjo krizë politike dhe vendi të shkojë në zgjedhje, e kështu të bien të dy këto marrëveshje që janë kundërkushtetuese dhe kundër interesave të Republikës së Kosovës”, ka thënë Limaj. Sipas tij, ajo që kanë parë në protestën e së shtunës, mjaftueshëm tregon se kjo Qeveri ka humbur mbështetjen popullore dhe legjitimitetin. Limaj ka thënë se pavarësisht propagandës, shpifjeve, tendencës për frikësimin, askush nuk mund t’i ndalë qytetarët.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu