Protestë kundër WC-ve publike !

0
269

Me gjithë këmbënguljen e disa banorëve për t’i penguar punimet për ndërtimin e tualeteve publike dhe lokaleve afariste, mu para banesave të tyre, në sheshin “Zahir Pajaziti”, gjegjësisht rrugës “Edit Durham” (ish “Avalla”), punimet dje vazhduan. U desh ndërhyrja e Policisë që buldozeri të vazhdojë punën sepse, siç thonë zyrtarët komunalë punimet do të vazhdojnë sepse ndërtimi po bëhet në pronë publike komunale. Me projektin për ndërtimin e sheshit “Zahir Pajaziti”, është paraparë të ndërtohen tualete publike, por jo edhe lokale afariste siç thonë banorët.

Këta të fundit përmes protestës u shprehën shumë të mllefosur me Komunën e cila, shprehen ata, po vepron vetëm në favor të interesave të veta dhe nuk po konsultohet për asgjë me qytetarët. “Më herët ka qenë këtu gjelbërim, ndërkaq tash para “hundëve”, po duan me na ndërtu tualete publike. Ne do të vazhdojmë me protesta sepse nuk e lejojmë të ndodhë kjo…”, tha Muharrem Miftari, i cili banon mu përballë vendit ku Komuna ka nisur të ndërtojë WC të publike siç quhen me të renë, qenefet e dikurshëm.

Ai i rikujtoi Komunës se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë që fëmijët e tyre të rriten para WC-ve. Njëjtë shprehet edhe Shpend Venhari nga kjo lagje.
“ Komuna nuk po na i përfillë fare kërkesat tona. Në hapësirat e gjelbëruara, pa na konsultuar fare, e pa e marrë pëlqimin tonë, ka vendosur të ndërtojë tualete. Po flitet që ka me pas edhe lokale afariste përmbi to por ne absolutisht nuk do ta lejojmë këtë”, tha Venhari. Sipas tij, në vend që Komuna të japë urdhra, më mirë kishte me qenë të dërgonte dikë që të konsultohet me banorët për të gjetur ndonjë zgjidhje. Banorët thonë se protestën e ndërprerë dje do ta vazhdojnë edhe të mërkurën (sot), para objektit të Komunës.

Ndërkaq lidhur me këtë shqetësim ata kanë protestuar edhe para disa javësh , por Komuna edhe pse i pati ndërprerë për pak kohë punimet, urdhëroi dje kompaninë punëkryerëse “Gërguri”që të vazhdojë me ndërtimin e WC-ve në të njëjtin vend.

Zyrtarët komunalë thonë se po veprojnë në bazë të projektit për ndërtimin e sheshit “Zahir Pajaziti”.

“Ndërtimi i tualeteve publike në sheshin “Zahir Pajaziti” ka qenë i projektuar dhe ka nisur të ndërtohet që nga fillimi i punimeve në këtë shesh. Edhe gjatë debatit me qytetarë është diskutuar për këto tualete dhe nuk ka pasur asnjë kundërshtim “, tha dje Asdren Osaj, zëdhënës komunal, i cili i rikujtoi banorëve se hapësira ku po ndërtohen këto tualete është pronë publike.

Tualetet janë nëntokësorë, thotë Osaj duke mohuar atë që thanë banorët, se aty do të ndërtohet restorante apo lokale afariste. “Tualetet janë mjaft diskrete dhe nuk do të paraqesin pengesë për askënd ”, tha ai .

 

Nga: Lindita Canolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu