Pse është i rëndësishëm konflikti në Kobane?

0
125

TURKEY-SYRIA-CONFLICT-KURDS

Ndërmjet forcave kurde dhe ushtarëve të Shtetit Islamik ka nisur një betejë për kontrollin e qytetit sirian të Kobanes. Grupi xhihadist i Shtetit Islamik i njohur ndryshe edhe si IS, ISIS apo ISIL, e ka pushtuar pjesërisht qytetin megjithë përpjekjet nga ajri të koalicionit aleat që kërkon t’i largojë ata prej qytetit. Të mërkurën, Uashingtoni konfirmoi atë që luftëtarët lokalë kurdë tashmë e dinin: sulmi nga ajri nuk do të jetë i mjaftueshëm për të parandaluar pushtimin e qytetit.

Vëzhgues të ndryshëm besojnë se pushtimi i Kobanes nuk do të ketë ndikim të madh në prishjen e balancave të rajonit, duke qenë se tashmë ISIS kontrollon një pjesë të kufirit turko-sirian dhe një sërë pikash të tjera kufitare. Për më tepër fuqia ushtarake e kurdëve nuk do të dobësohej shumë nëse ata e humbin qytetin. Prandaj ngrihet pyetja se pse Kobane është shndërruar në një fushëbetejë kaq të rëndësishme?

Shumë kohë përpara luftës civile në Siri dhe avancimit të xhihadistëve në Irak gjatë këtij viti, qyteti ishte një trofe simbolik i lakmuar si prej kurdëve etnikë ashtu edhe prej turqve e arabëve në krahun tjetër. Kobane është edhe vendlindja e shumë prej liderëve dhe luftëtarëve kurdë pjesëtarë të Partisë së Punës së Kurdistanit (PKK), e cila ka qenë edhe në krye të lëvizjes separatist kundër Ankarasë për shumë dekada. Kobane mbetet zemra e aspiratave kurde për autonomi. Teksa trupat besnike të presidentit Bashar al-Assad janë fokusuar në zona të tjera të Sirisë, kurdët e kanë konsoliduar fuqinë e tyre në Kobane. Për më tepër, në këtë qytet, kurdët kanë shijuar dhe zhvilluar më tëj idenë e autonomisë së dëshiruar nga Siria dhe Turqia. Në këtë kontekst, nuk është më surprizë fakti se pse ata po e mbrojnë me kaq forcë qytetin që shpresojnë se një ditë do të jetë vatra e pavarësisë së tyre.

ISIS e kupton mirë rezultatin simbolik të mposhtjes së mundshme të kurdëve në Kobane. Xhihadistët e shohin betejën e Kobanes edhe si një luftë ndaj “ nacionalizmit laik” kurd. Ditët e fundit ISIS është përpjekur të nxjerrë në pah edhe kurdët etnikë që luftojnë në radhët e veta. Përmes lenteve të ekstremistëve fetarë, beteja në Kobane nuk shihet si një betejë ndaj kurdëve, por si një betejë ndaj rrezikut të laicizmit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu