Pse historia e një organizate politike, e jo historia e OMLK-së?!

0
389

Se si vetvetiu titulli i librit të Mhemet Hajrizit “Historia e një organizate politik…” me shkaktoi një ndiesi keqardhjeje për Mehmetin, që është ndie i detyruar ta fsheh emrin e OMLK-së në kopertinë të librit të tij, edhe pse ajo ishte Organizatë aq e famshme! Por, nuk po kuptoi nëse e ka fsheh vetëm për shkak të gjuetisë se shtrigave nga titistët dhe pjella e tyre bastarde, mirë e orkestruar, apo për shkak të ndërgjegjësimit të tij ideopolitik, se kanë qenë taktikisht të gabueshme, në kohë dhe hapësirë?

Nuk e di si u ndodh të tjerëve, por mua, për të shkruar pa asnjë përfitim material, herë me nxit egoizmi i “natyrshëm”, që nuk po e definoj dot, por më shpesh frymëzimi (muza) dhe inati, të cilat po me ngjajnë si më konkrete. Kësaj radhe është inati që po më nxit të të shfaq opinionin kritik për këtë libër. Dhe ky inat është i vjetër, sa edhe “njohja” e parë me kuadrin e saj të spikatur ideologjik, Hihajet Hysenin. Duhet të ketë qenë fundi i vitit 1978, apo viti 1979, kur njeriu që nuk e dija se kush ishte, më vizitoi në konviktin e studentëve në Bochum (Gjermani Perëndimore). Pa u prezantuar fare, por duke më rrëfyer për njohjen me Vëllain, Zenelin, më drokiti në derë të dhomës së konviktit. U befasova si me gjeti. Por, kërkoi të bisedonim në dhomë të ndonjë studenti tjetër, duke arsyetuar se në dhomë time mund të kishte përgjues. Me kritikoi brutalish për shfaqjet e mija mikroborxheze, frizurën, framerkat, sjelljet, me këshilloj të korrigjohesha e diciplinohesh, që të bëhem i devotshëm për t’u anëtarësuar në OMLK…
Kur e përcolla, pash se Hasan Malen e kishte lënë të priste në auto në parking të konviktit.
Deri sa ndej me mua, ndoshta rreth dy orë, sikur më hipnotizoi me oratorinë e tij. Pastaj ia mora inat vetes, përse e kisha duruar aq gjatë njeriun që të futet në shtëpi, e nuk të prezantohet cili është.
Njohja me Kadri Zeken ishte pak më ndryshe. Unë shkova ta gjeja ate në Zvicër, më 3 prill 1981, nëse e kam mbajt mend, me porosi të Jusuf Gërvallës, meqë unë nuk dija të ekzistonte një njeri me atë emër. Por, Jusufi nuk kishte adresë konkrete të Kadriut, kishte vetëm një adresë kontaktuese: Libraria e zviceranit Beat Schafer në Biel/Bienne të Zvicrës. Me atë adresë i ishte dërguar “Liria”, organi i OMLK-së. Për herë të parë u informova nga Jusufi për “Lirinë”. Shfaqi mrekullinë që i kishte shkaktuar përmbajtja e saj, shprehi keqardhje për formë, meqë Jusufi preferonte shumë përsosmërinë teknike e grafike të publikimeve, qoftë ai vetëm trakt.
Kur arrita në atë adresë pash se ishte vetëm librari. Beati qehresuz, siç e kishte paraqitjen, me priti tepër i rezervuar, duke më thënë se nuk njihte njeri me emrin “Zeqa”. Në librari kishte literaturë e shtyp nga Tirana dhe qëndrova aty duke i shfletuar, me shpresë se Beati do me ndihmonte ta kontaktoja Zeqen. Dikur nxora edhe pasaportën për identifikim dhe i tregova kush me kishte dërguar. U hap pjesërisht, duke më informuar se duhej të prisja deri sa vet Zeqa të vinte aty për të pa nëse kanë dërgesa postare. Në mbrëmje me përgatiti një krevat portal të flija në librari. Dy ditë pritje. Erdhi të dielën. U njohëm shpejt, meqë ai dinte shumë për mua, sigurisht edhe nga rrëfimi i Hydajetit që ma kishte bërë atë vizirë aq “revolucionare”.
Kadriu u prezantua tepër modës, i mirësjellshëm. Nuk thuhet kot, gjysma e njohjes ndodh në shikim e përshëndetje të parë. U morëm vesh për të filluar me demonstrata dhe bashkëpunimi ishte si të kishim qenë të bashkorganizuar në një subjekt, prej shumë vitesh.
U ktheva të Jusufi, i rrëfeva. Ai më detyroi të udhëtoja për në Vjenë, të pyesja në Ambasadën e Shqipërisë, nëse duhej të bënim demonstrata. Vet Jusufi nuk mund të udhëtonte, meqë gjermanët, edhe pas një viti e gjysmë, nuk ia kishin miratuar lutjen për azil politik, për rrjedhojë, nuk kishte dokument udhëtimi jashtë Gjermanisë. Përtova të shkoj, meqë nuk po me shonin mbarë bisedat me “diplomatet” shqiptarë. Megjithatë shkova. Dhe atje na plasi një grindje edhe fizike me një sigurims thatim, i cili me diskualifiki për provokator, kur i tregova se me kishte dërguar Jusufi të pyesja, nëse duhet apo dëmtojmë me fillim të demonstratave. Fatmirësisht Ambasadori Idriz Bardhi na ndau që njëri nga ne të mos përfundonte në spital…
por nuk janë vetëm inatet e vjetra, por edhe aktuale – meqë ish-pjesëtarët e OMLK-së vazhdojnë të jenë fodull e sektarë, të vetë-pëlqyer, sikur ishin më të dijshmit dhe më revolucionarët, prandaj anashkalojnë debatin me ata të dorës se dytë…

***
Kur i ngutet njeriut, nuk shkruan dot shkurt, sepse për të shkruar shkurt e qartë i duhet kohë e gjatë. Kështu më ndodhi me këtë hyrje. Por nuk prish punë, meqë prioritet pat “zbrazja” ime e jo vullneti i atyre që do ta lexojnë.

Pata shkruar më 13 mars, se vërtet ju pata gëzuar konstatimit të Mehmetit qysh në kapitullin e dytë të librit, të titulluar, si rëndom, “hyrje”, për bashkimin që vendosem më 17 Janarit 1982 në Untergruppenbach të Gjermanisë. Nuk prita ta lexoj librin, por menjëherë e citova atë konstatim, duke e afishuar si tematikë, të shoqëruar me një sqarim të natyrës “teknike”. Po e ricitoj edhe tani, sepse është tejet informativ, përmbajtjesor, korrekt:

“Natën e 17 janarit 1982 në Untergruppenbach të Gjermanisë kanë ndodhur tri ngjarje historike për Kosovën: Në bazë të Tezave të Frontit Popullor për Republikën e Kosovës, u arrit marrëveshja e bashkimit të tri organizatave çlirimtare shqiptare, u vranë tre sendërtuesit e atij bashkimi dhe pushoi së vepruari në formën organizative dhe me emrin e deriatëhershëm, Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës (OMLK), e cila po mbushte dymbëdhjetë vjet veprimi të pandërprerë në shërbim të lirisë së Kosovës.”

Fatkeqësisht në brendi të librit, kur po numëroheshin meritat e OMLK-së dhe kuadrove të saj, në stil tepër propagandistik, hasa edhe në konstatimin që binte ndesh me konstatimin e sipërcituar. Po e risjell edhe ate, sepse nuk mund të kapërcehet e madhërohet një “histori” që përmban qëndrime kaq të kundërta:

“Xhafer Shatri, njëri nga udhëheqësit e GRK-së, në dimrin e vitit 1982 arratiset nga burgu dhe u bashkëngjitet radhëve të Organizatës në Zvicër. I autorizuar nga OMLK, ai vazhdon bisedimet për bashkim me organizata të tjera të Lëvizjes, si LNÇKVSHJ, PKMLSH etj., që rezulton me formimin në maj të vitit 1982 të frontit të përbashkët, të quajtur Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi.”

Fatkeqësisht vuaj nga sindroma e dyshimit, se çfarëdo që ka bërë Xhafer Shatri, qysh kur ishte në shkollë të mesme, respektivisht qysh kur duhet të ketë krijuar “grup” në vitin 1968 në Vrellë të Istogut (sipas informimit edhe të Binak Ulajt), duhet të ketë qenë komplotistë. Këtë dyshim e bazoj në përvojën nga bashkëveprimtaria që kishim nga maji 1982 deri sa ai iku nga Lëvizja, në vitin 1986. Në vitin 1982, kur kërkoja sqarime kush e kishte autorizuar Xhaferin për ta përfaqësuar OMLK-në, tashmë inekzistente, me thuhej se e kishte bërë Hasan Malaj, ish-shoferi i Hydajetit e Kadriut, që nuk e anëtarësuan asnjëherë në OMLK, për shkak se nuk kishte përgatitje marksiste-leniniste!

Dhe meqë jemi të ky Hasan Mala, ja ca mashtrime “stilistike” të Mehmet Hajrizit, në këtë “histori”:

“…dega e OMLK-së (në Zvicër), e udhëhequr fillimisht nga Hasan Malaj…”

OMLK-ja nuk e posedonte në statutin e saj (nuk di nëse kishte, meqë nuk më ka rastis të lexoj program as statut), nuk e përdorte emërtimin “degë”. Ky emërim ishte përdorim i parë që e kishte në Statut Lëvizja (popullore). OMLK-ja në Zvicër nuk kishte ndonjë strukturë të oragnizuar. Ishte vetëm Kadriu, nga viti 1978, që e vizitonin herë pas herë kuadro të tjerë. Kadriu duhet të kishte angazhuar 5-6 veta si “kandidatë”, ndoshta pas prillit 1981, meqë i duheshin për organizim të demonstratave, por ata nuk ishin anëtarë (nëse e kam kuptuar informimin e tij).
Edhe nëse do të kishte “degë” OMLK-ja, ajo ishte zhbë në Kosovë qysh me arrestimit e prillit e të majit 1981, ndërsa në emigracion, duhej të ishte “shkri” në bashkimin e 17 Janarit 1981. Prandaj, pas kësaj date, nuk ishte askush kompetent, as Hasan Mala, ta autorizonte Xhafer Shatrin të përfaqësonte OMLK-në, në “bashkimin” (komplotin) e 9 majit 1992.

Më poshtë Mehmet Hajrizi prezanton Hasan Malajn:

“ishte organizuar në radhët e Lëvizjes patriotike që nga viti 1974. Në mërgim ka qenë aktivist i çështjes kombëtare nga viti 1978 dhe anëtar i udhëheqjes së LRSSHJ nga viti 1982, kurse nga 1985-1990 ishte kryetar i LPRK-së.”

Tani mungon informimi që ka bërë më herët: “dega e OMLK-së (në Zvicër), e udhëhequr fillimisht nga Hasan Malaj”. Në cilën rast e ka thënë të vërtetën “historike”? Apo në fillim të librit e ka cituar sa për taktikë Ciceronin: “Ligji i parë i historisë është të mos thuash kurrë asgjë të rreme dhe të mos kesh frikë të pohosh tërë të vërtetën.”

Hasan Malaj nuk ishte as kryetar i LPRK-së gjatë viteve 1985-1990!

Mehmeti mashtron edhe kur shkruan: “Xhafer Shatri, njëri nga udhëheqësit e GRK-së, në dimrin e vitit 1982 arratiset nga burgu dhe u bashkëngjitet radhëve të Organizatës në Zvicër.”

Ndoshta më e saktë është të thuhet ua arratis në fund të shkurtit apo fillim të marsit 1982, por nuk kishte ju ka bashkuar dot OMLK-së, tashmë inekzistene, meqë ajo ishte “shkri” në bashkimin e 17 Janarit 1982.

Ja si e prezanton Mehmet Hajrizi bashkëveprimtarin, më sakt vartësin e tij, Jakup Krasniqi:

“Në fillim të viteve ’70, si nxënës në Normalen e Prishtinës (1971/72), ishte simpatizant i Organizatës Revolucionare për Çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.
Më 1973 hyn në radhët e GRK-së, ku fillimisht mëson për teorinë dhe praktikën revolucionare të traditës kombëtare e asaj ndërkombëtare dhe përcjell zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, lexon literaturë politike atdhetare e marksiste-leniniste të të gjitha zhanreve, duke e komentuar me shokët e celulës dhe të organeve drejtuese.”

Ku e gjeti Mehmeti “Organizatën Revolucionare për Çlirimin e Kosovës”? Nuk di të ketë ekzistuar ndonjë organizatë me këtë emërtim. Por, meqë Mehmetit më shumë duhet t’i ketë interesuar stili letrar, se sa paraqitja historike, mund që tolerohen edhe këto gjetje letrare!

Për këtë prezantim që i bënë Mehmeti, sigurisht që Jakupi duhet ta kundërshpërblente me vlerësimin që i ka bërë këtij libri të Mehmetit:

“Libri i Mehmet Hajrizit është maja më e lartë e të gjithë librave që janë shkruar deri më tani për atë periudhë të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Është maja e tyre si për nga shtrimi e gjerësia e temës, për trajtimin shkencor që i bën asaj, për nga shumanshmërinë e çështjeve që shtjellon, për shumëllojshmërinë e burimeve që shqyrton, për analizën dhe përfundimet që i arrin në fund, përfundime dhe vlerësime të matura në peshore argjendari.”

Mund që Baca Jakup tani e ndryshon këtë vlerësim, aspak profesional, meqë atëherë ishte vetëm magjistër historie, ndërsa tani është doktor shkencor?

[vijon / pa redaktim e korrektim drejtshkrimor ]

______________________

*Askush në Revista Drini nuk e njef problematikën për të cilën shkruan Ibrahim Kelmendi, apo më mirë të thuhet se nuk e njef këtë pjesë të historisë sonë “të fshehur”, ashtu sic do të duhej të njihej ajo. Por, megjithatë, e shohim të arsyeshme që ta publikojmë shkrimin e dërguar prej tij. Revista Drini është e hapur që t’i botoj të gjitha replikat e mundshme të atyre që përmenden në analizën e Kelmendit, njërit ndër aktivistët e njohur të cështjes kombëtare në mërgatë.

***

Vazhdon debati;

Bardhyl Mahmuti : Pas nxjerrjes së shkoklave, e bëre skllotë!
Ibrahim,
Lidhur me reagimin e parë të dhashë mendimin tim dhe të thash se konkluzionet tua ishin si rezultat i leximit vertikal të librave, që është karakteristikë e leximit tënd. Madje të sugjerova që të mos nxjerrësh shkokla, siç thotë ajo shprehja popullore.
Me postimin e fundit më ke bindur se as vertikalisht nuk e lexon çdo faqe të librit.
Më duket hipokrizi mënyra jote e veprimit që duke hapur pseudo probleme të mësosh të vërtetën për përmbajtjen e librit. Komentin nuk e bëj për ty, por për ata që mund të krijojnë përshtypje të gabuar për librin e Mehmet Hajrizit nga leximi i publikimeve tua. (Edhe pse nga ky koment do mësosh edhe ti!).
Çdo kush që lexon librin në fjalë e kupton se kemi të bëjmë me historinë e një organizate politike e jo historinë e OMLK-së. Në libër sqarohet shumë mirë ajo që është e domosdoshme për t’u kuptuar se në cilat rrethana krijohet Grupi Revolucionar i Kosovës, në cilin kontekst botohet organi i saj teorik me emrin “Zëri i Kosovës”, pse ndryshohet emri nga Grup Revolucionar i Kosovës në Grup Marksist- Leninist, pse ndryshohet emri i organit teorik nga “Zëri i Kosovës”, në “Pararoja”, kur shndërrohet Grup Marksist- Leninist në Organizatë Marksiste-Leniniste, kur vendoset që “Pararoja” të ndërrojë emrin në “Liria” dhe shumë çështje të tjera të mundësojnë arsyet pse libri i Mehmet Hajrizit është titulluar historinë e një organizate politike e jo si do të kishte pëlqyer ty!
Po e përsëris se është libër që jep informacione me shumë vlerë për periudhën historike që trajton dhe përkundër mendimeve të mia që dallojnë rreth disa nocioneve që përdoren në këtë libër, libri i Mehmet Hajrizit është libër i pashmangshëm për çdo studiues që dëshiron të trajtojë këtë periudhë historike të historisë sonë.
Shëndet

Ibrahim Kelmendi: Bardhyl, e kopjova këtë reagim Tëndin që ta ruaj, nga droja se mund ta fshish edhe Ti, siç e paska fshi Baca Jakupkomentin e tij që pat bërë mbrëmë.

Tepër e vërtet se shumë libra nuk i lexoj horizontalisht, meqë nuk kam kohë. Sidomos kur me duken se janë propagandistik dhe përmbajnë edhe dezinformomë të qëllimshme.

Tani, mua po më rezulton që Ti as titullin e librit nuk po e lexon dot horizontalisht, por vertikalisht. Unë ia kam qëlluar, se Mehmeti qëllimisht nuk e ka vënë “historia e OMLK-së”. Uroj për shkak të ndërgjegjësimit racional, dhe jo për taktikë.
Pyet ndonjërin që mund të ketë njohuri më të madhe gjuhësore, se përdorimi i shprehjes “një organizatë politike” është nënvlerësues për organizatën përkatëse. Dhe, njëjtë si në titull, është edhe teksti i librit, përmban piçmaninë e Mhmetit, pse atëherë kishte koncepte të tilla sektariste. Nëse është bërë piçman, është vlerë, sepse është reflektim racional. Por, nëse vazhdon me taktizime, është dëshmi se ka vazhduar me mbet sektarist, nëse nuk ka qenë e nuk është hileçar.
GRK/GMLK/OMLK nuk ishte organizatë politike, ishte sekte që simulonte marksizëm-leninizmin, si dogmë. Po ta njihnin si teori, nuk do të vepronin, siç kanë vepruar. Dhe si mund ta njihnim ne, në atë moshë të re, që nga kishte përfshi revolucionariteti adoleshent?
Më vonë e kam kuptuar pjesërisht atë teori, se në vende të pushtuara, kolonialiste, fillimisht duhet bërë luftë nacional-çlirimtare, pastaj revolucion proletar, socialist, për barazi sociale, që të mos ketë plaçkitës si Behxhet Pacolli, e të plaçkitur skllevërit e tij dhe Shteti i Kosovës. Nuk e thash qëllimisht, se e kisha kuptuar goxha herët, sapo munda të konsultoj literaturën përkatëse në gjuhë gjermane, sepse do më keqkuptoje. Prandaj kisha telashe me sektarist si Jusuf Gërvalla, Hydajet Hyseni, pjesërisht edhe Kadri Zeka, por ky i fundit nuk ishte aq sektarist, sa Jusufi dhe Hydajeti. Mehmetin nuk e njihja atëherë. Ky paskësh qenë akoma më sektarist. Më vonë kisha telashe edhe me sektaristë të llojit Hajdin Abazi, Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli

Më kupto, të lutëm, torturuese është të durosh e të mos kritikosh ish-bashkëveprimtarin, mikun shokun, nga ndrojtja se mos po të hidhërohet. Akoma më keq, sepse do të vazhdosh ta mbash “ilegale”, më saktësisht, të fshehur atë bashkëveprimtar, gjegjësisht atë bashkëfajësi.
Që të mos keqkuptohemi, nuk duhet të ketë pas shqiptar më patriotë veprues e më të guximshëm, se sa pjesëtarët e OMLK-së, por ne tani po diskutojmë librin. Ju jeni shumë që e keni propaganduar e madhëruar librin, më duroni vetëm mua që po e kritikoj, sepse është në interes të Mehmetit, të bashkëveprimtarëve dhe të pasqyrimit real të atyre zhvillimeve.

Përse nuk po konretizohesh fare të shembujt konkretizues që kam ofruar, për të dëshmuar kundërthëniet dhe dezinformimet? Sepse i druhesh hidhërimit të Mehmetit dhe sektarëve si ai?

Meqë preferoj ndonjë konkretizim për ato që shpreh, po marrë kësaj radhe prezantimin që i ka bërë Rexhep Malës, në kapitull e shtatë, “shënime për veprimtarët”. Edhe këtu është shpërdor taktika, për të prezantuar anëtarët e OMLK-së si veprimtarë, që të mos dekonspirohen se ishin komunist, marksistë-leninistë, enveristë, meqë tani nuk është moda, janë duke i persekutuar komunistët titistë dhe pjella e tyre bastarde.
Edhe Rexhepit i ka bërë një prezantim letrar: “Jeta dhe vepra e Rexhep Malajt mund të studiohet vetëm në kontekst më të gjerë, sepse ato nuk ishin aspak individuale dhe të shkëputura nga një veprimtari masive, e organizuar mirë dhe me një sistem të përpunuar politik, kombëtar e organizativ, siç ishte GRK, më vonë i quajtur OMLK. (…) Rexhep Malaj, në veprën e tij “Qëndresa” pasqyron gjendjen e të burgosurve shqiptarë në kazamatet jugosllave, qëndresën heroike të tyre…”

Nuk me besohet se Mehmeti nuk e dinte që Rexhepi është vra në fazën kur ishte angazhuar të realizonte urdhrin nga komplotisti Xhafer Shatri, për të realizuar formimin e Partisë së Luftës! Ishte në burg Mehmeti atëherë, por atë informatë duhej ta kishte lexuar në librin “Qëndresa”, të cilin e ka përmend në këtë prezantim. Parathënien e pat shkrua Xhafer Shatri, duke bërë informim konkret se ishte vra në krye të angazhimit për të realizuar Partinë e Luftës. Përse, pra, e ka anashkaluar Mehmeti këtë fragment të Biografisë së Rexhepit, kur e ka prezantuar Rexhepin, meqë Rexhepi ishte REXHEP, edhe pas shuarjes së OMLK-së, sepse deri në frymimin e tij të fundit, kur e vrau Njësia speciale policore e Kosovës, e komanduar nga komandanti i saj, Tahir Zemaj, ishte Patriot i shquar, Trim, Hero?!

Uroj të mos e kem zgjat teprueshëm, për të shkaktuar nervozë.
Uroj të paktën të drejt-kuptohem, nëse jam “problematik” dhe prandaj nuk mund të mirëkuptohem.

🤣

Ditë sa më të mbarë të gjithve (ekstra atyre që po e lexojnë e nuk po guxojnë me e përqye).

Nga : Ibrahim Kelmendi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu