Opsionet e “lojës” politike

0
400

KQZ

Shpallja e zgjedhjeve të reja në Kosovë nuk do të mund të bëhet pa konstituimin e Kuvendit të Kosovës, edhe pse ky mbetet opsioni i fundit për dalje nga kriza e formimit të institucioneve. Ky është opionioni i disa analistëve politikë në Kosovë.

Për shpalljen e zgjedhjeve, besohet se do të jetë i nevojshëm që të arrihet fillimisht një konsensus politik, përmes së cilit do të mundësohej konstituimi i Kuvendit me zgjedhjen e një kryetari konsensual dhe më pas të vazhdojnë procedurat e shpërndarjes së Kuvendit, shkruan “Kosova Sot”.

Analisti i Institutit për Politika Zhvillimore, Albert Krasniqi, thotë se opsioni i zgjedhjeve mbetet në lojë si mundësia e fundit, citohet “Radio Europa e Lirë”. Sipas tij, ende nuk janë shterur të gjitha mundësitë e tejkalimit të krizës. Posti i kryetarit të Kuvendit, vijon Krasniqi, nuk parasheh që të çojë vendin në zgjedhje, por nëse situata mbetet e bllokuar, zgjedhjet mund të shpallen përmes një procedure tjetër që kërkon fillimisht konstituimin dhe më pas shpërndarjen e Kuvendit.

“Nëse një opsion i tillë do të shihet si i domosdoshëm nga partitë politike, atëherë kjo nuk do të mund të realizohet pa u konstituuar Kuvendi, për shkak se nuk mund të shpërndahet një Kuvend, i cili ende nuk është konstituuar. Kështu që për t’u bërë shpërndarja e Kuvendit, duhet që formalisht të votohet një kryetar i Kuvendit dhe menjëherë në atë seancë, të bëhet votimi me dy të tretat e votave të deputetëve që të shpërndahet Kuvendi dhe më pastaj presidentja, me anë të një dekreti, t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme”, thekson Krasniqi.

Zgjedhjet e reja janë përmendur si një prej opsioneve që nga thellimi i krizës rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, post ky i cili po e mban peng konstituimin e Kuvendit. Pa konstituimin e Kuvendit, nuk po mund të formohet as qeveria e re. Së fundi, edhe presidentja Atifete Jahjaga u bëri me dije liderëve të partive politike se nëse zgjidhja nuk arrihet, atëherë si opsion i fundit mbetet shpallja e zgjedhjeve. Por, te ky opsion, analisti Albert Krasniqi thotë se presidentja megjithatë nuk do të mund të shpallë zgjedhje, pa u bërë disa hapa të domosdoshme në Kuvend.

“Presidentja nuk ka kompetencë që në mënyrë të njëanshme t’i shpallë zgjedhjet, pasi që është Kuvendi si trup me dy të tretat e deputetëve, që të shpërndahet Kuvendi. Do të thotë se Presidentja nuk mundet vetë t’i shpallë zgjedhjet pa u votuar fillimisht shpërndarja në Kuvend, kurse shpërndarja e Kuvendit nuk mund të bëhet pa u zgjedhur fillimisht kryetari i Kuvendit”, deklaron Krasniqi.

Për opsionin e zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës është shprehur deri më tani e hapur. Kjo parti politike, i ka fituar zgjedhjet e fundit, por nuk ka arritur t’i formojë institucionet pasi që blloku i partive tjera të shumicës ka refuzuar bashkëpunimin me të. Ndërsa nga blloku i partive të koalicionit pas zgjedhor, ku bëjnë pjesë LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, opsioni i zgjedhjeve nuk shihet si zgjidhje e mirë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu