Publiku është keqinformuar, Vetëvendosje nuk i ka detyrime askujt

0
336

VVLëvizja VETËVENDOSJE! e ndjen të nevojshme të sqarojë publikun si dhe disa media në lidhje me një lajm të shpërndarë nëpër disa portale, sipas të cilit gjykatat kanë vendosur se Lëvizja VETËVENDOSJE! duhet t’i paguajë fonde një subjekti të njohur si LB – Lëvizja për Bashkim.

E çuditshme për ne është botimi i lajmit bashkë me faksimilet e vendimit të gjykatës, por pa u shqetësuar që dikush t’i lexojë rreshtat e shkruara në vendimin e gjykatës.

Po të lexohej vendimi i gjykatës, siç edhe do ta kërkonte etika e informimit publik dhe e gazetarisë profesioniste do të kuptohej se para se të gjithash, “Lëvizja për Bashkim” si parashtruese e padisë dhe si paditëse në këtë proces të konfliktit administrativ në këtë proces specifik, nuk ka kërkuar nga Gjykata që të vendosë për çështjen e së drejtës për mjetet financiare që i dedikohen subjekteve politike të përfaqësuara ne Kuvendin e Kosovës. Në propozimin që i është bërë Gjykatës nga ana e palës paditëse, respektivisht LB-së, është kërkuar qartësisht vetëm anulimi i shkresës të lëshuar më parë nga KQZ-ja, e cila e ka emëruar atë shkresë si “përgjigje”.

Pra, në këtë vendim gjykate nuk është palë Lëvizja VETËVENDOSJE!, as e akuzuar e as akuzuese, dhe nuk është gjykuar e drejta mbi fondet që shpërndan KQZ-ja. Vetëm një sy tepër tendencioz dhe dashakeq mund të lexojë në vendimin e gjykatës atë çka nuk është shkruar – dhe kjo i bën dëm medies që duhet të jetë e paanshme, por sidomos publikut i cili bie pre e keqinformimit.

Nga vendimet e gjykatës mësojmë se subjekti politik LB, me padinë e parashtruar në Gjykatë, ka kërkuar prej Gjykatës thjesht anulimin e dy përgjigjeve që ky subjekt i ka marrë nga KQZ në datat 17.10.2012 dhe 27.07.2012, si dhe në këtë mënyrë ka kërkuar që të detyrohet KQZ-ja ta nxjerrë një vendim për këtë çështje. Pra, thënë me terma juridikë, LB-ja ka kërkuar që çështja të kthehet edhe një herë në gjendje të mëparshme (para se të merrte përgjigje nga KQZ-ja), situatë që përndryshe njihet si maksimë juridike – restitutio in integrum (kthim në gjendje të mëparshme).

Duhet pasur parasysh se në vendimin e Gjykatës shumë qartë është theksuar se e njëjta konsideron se përgjigja e dhënë nga ana KQZ-së nuk i ka përmbushur kriteret ligjore të cilat duhet përmbushen me rastin e vendosjes për një çështje administrative. Pra Gjykata ka konstatuar se nga ana e KQZ-së nuk është nxjerrë nje vendim që përmbush prezumimet ligjore lidhur me formën e tij. Gjykata pra, me vendimin e saj, ka kërkuar nga KQZ-ja ta nxjerrë një vendim, por askund në tekstin e vendimit të Gjykatës nuk gjejmë ndërhyrje apo paragjykim sa i përket përmbajtjes së vendimit që detyrohet të nxjerrë KQZ-ja, vendim i cili do të plotësonte kriteret formale të një vendimi administrativ.

Duhet sqaruar se vetëm KQZ-së i lihet në kompetencë dhe diskrecion që të vendosë se a i takojnë apo jo subjektit politik LB mjetet financiare apo të dedikuara për subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Ky vendim gjyqësor nuk prodhon asnjë efekt juridik për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe etiketimi i saj në këtë kontest administrativ është i qëllimshëm, keqinformues, në rastin më të mirë joprofesional, e në rastin më të keq, dyshojmë se mund të ketë motive të ulëta politike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu