Qeveria e re, në duart e ndërkombëtarëve

0
344
Thaqi ne pritje te Qertifikimit te Zgjedhjeve
Thaqi ne pritje te Qertifikimit te Zgjedhjeve

Njohësit e çështjeve politike janë të ndarë sa i përket tejkalimit të situatës së krijuar pas arritjes së marrëveshjes në mes të LDK-së, AAK-së dhe NISMËS për Kosovën.

Behxhet Shala, njohës i rrethanave politike, ka thënë për “Epokën e re” se të drejtën për ta krijuar qeverinë e re e ka Hashim Thaçi si fitues i zgjedhjeve parlamentare. “Në këtë situatë të krijuar nuk kanë të drejtë dy palët. Këtu ka të drejtë pala e cila i ka fituar zgjedhjet. Pra, koalicioni parazgjedhor është ai që do të mandatohet nga presidentja për ta formuar qeverinë. Në qoftë se në herën e parë, as në herën e dytë nuk arrin ta formojnë qeverinë, atëherë shkohet në zgjedhje të parakohshme”, ka deklaruar Shala.
Ai ka vlerësuar se po të kishte Kosova sistem mazhoritar dhe nëse partia fituese do të dështonte ta formonte qeverinë atëherë, sipas tij, do të vinte në shprehje opozita apo partia e dytë për ta formuar qeverinë. “Në këtë drejtim Kosova ka sistem proporcional dhe në të dy rastet, për formimin e Qeverisë, i takon partisë apo koalicionit i cili i ka fituar zgjedhjet. Ajo çfarë mund të bëjë koalicioni opozitar është që, nëse i ka numrat, të votojë kundër qeverisë që do të shkojë në Kuvend. Mendoj se kjo çështje do të zgjidhjet pa pasur nevojë të shkohet në zgjedhje të parakohshme sepse do të gjendet ndonjë model, pasi ende nuk janë certifikuar zgjedhjet nga KQZ-ja”, ka deklaruar Shala.
Sipas Shalës, pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga ana e KQZ-së do të vijë në shprehje faktori ndërkombëtar, i cili do ta krijonte qeverinë e re. “As në familje tënde nuk mund të bësh diçka pa ndërhyrje të faktorit ndërkombëtar. Edhe darkën kur ta shtrosh në shtëpi faktori ndërkombëtar është i pranishëm. Ndonëse faktori ndërkombëtar është duke thënë se nuk do të ndërhyjë në këtë çështje, mendoj se është një formulim krejtësisht diplomatik dhe në rregull, por ata do të ndërhyjnë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor”, ka deklaruar Shala.
Ai ka thënë se me marrëveshjen e opozitës lideri i AAK-së do ta ketë të pamundur të bëhet kryeministër. “Ramush Haradinaj me këtë koalicion që ka barë nuk ka gjasa të bëhet kryeministër, sepse ky koalicion është i panatyrshëm dhe këto subjekte deri dje kanë bërë përpjekje t’ia nxjerrin sytë njëra-tjetrës. Dhe tani për një interes politik e kanë gjetur një pajtueshmëri, gjë që është në rregull, mirëpo këta i kanë programet e kundërta dhe nuk kanë asnjë pikë të përbashkët programore. Ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje! po rrinë anash, po bën sehir dhe e ka lënë anësh opozitën si në arenën e gladiatorëve. Ajo është duke pritur të ‘vriten’ mes vete në mënyrë që të hyjë në arenë si triumfuese dhe t’i marrë pozitat”, ka thënë Shala, duke shtuar se kjo marrëveshje nuk prodhon kurrfarë konsekuence juridike. “Kjo komunikatë që është bërë nga opozita nuk ka asnjë detyrim dhe asnjë efekt juridik. Do të ishte shumë më mirë që këta që e kanë bërë këtë marrëveshje mos ta bëjnë aq të madhe në këtë fazë, por kur do të shkonin në Kuvend ta zinin partinë fituese në befasi dhe ta rrëzonin”, është shprehur Shala.
Ai ka thënë se është e pandershme që në këtë fazë të ndahen postet qeveritare. “Lideri i LDK-së e ka ndërmarrë këtë veprim për ta zhvendosur vëmendjen nga debati brenda partisë për shkak të humbjes se dy palë zgjedhjeve. Për momentin është një lloj shpëtimi për Isa Mustafën nëse ky skenar realizohet. Edhe Ramushi e ka një ambicie për t’u bërë kryeministër dhe ka vlerësuar se kjo është mënyra e cila ia mundëson që me një procedurë të përshpejtuar të bëhet kryeministër. Këtë nuk e besoj. NISMA, në qoftë se nesër hyn në zgjedhje eventuale, do ta humbet elektoratin sepse elektorati i saj është kryesisht i krahut të luftës. Ky elektorat nuk do të pranojë të hyhet në pazare me dikë si Isa Mustafa, i cili ka thënë se, nëse fitojnë, do ta ndryshojnë Ligjin për Veteranët e UÇK-së dhe simbolet”, ka theksuar Shala.
Kelmendi: PDK-ja dhe Thaçi duhet të lëshojnë pe
Ndërkaq njohësi tjetër i proceseve politike, Adriatik Kelmendi, ka thënë për “Epokën e re” se fillimisht duhet të pritet nëse do ta respektojnë liderët opozitarë marrëveshjen që kanë arritur për koalicion qeverisës. “Nuk mund të thuhet me qartësi se si do të zhvillohet situata saktësisht tash pas marrëveshjes Mustafa – Haradinaj – Limaj për koalicion të ri. Edhe diçka që duhet pasur kujdes është se këtë marrëveshje ende nuk e ka nënshkruar Albin Kurti i Vetëvendosje!-s, ndonëse e ka përkrahur. Kështu që, së pari duhet të shihet se si do të funksionojë kjo përkrahje dhe sa do të jenë të vendosur të shkojnë deri në fund liderët opozitarë për ta respektuar marrëveshjen e tyre”, ka deklaruar Kelmendi.
Kelmendi ka thënë se nuk beson se ndonjëri për liderëve opozitarë do ta bishtnojë këtë marrëveshje. Ai ka numëruar disa nga arsyet që, sipas tij, Hashim Thaçi nuk mund të jetë kryeministër edhe për një mandat. “Besoj se nuk është puna e kryer, por në të gjitha variantet ky bashkim nuk do t’i krijojë mundësi Hashim Thaçit të jetë edhe një mandat kryeministër për shkak të disa arsyeve. Së pari, PDK-ja e pranon si akt të kryer koalicionin opozitar dhe pranon të dalë në opozitë vetë. E dyta, PDK-ja nuk e pranon koalicionin e opozitës dhe kërkon interpretim të Gjykatës Kushtetuese, e cila mund t’i japë të drejtë opozitës dhe të vazhdohet tutje. Dhe skenari i tretë, PDK-ja nuk e pranon këtë koalicion dhe kërkon interpretim e Gjykatës Kushtetuese dhe e njëjta i jep të drejtë PDK-së, por nëse mbesin të bashkuar liderët opozitarë, e ka të pamundur t’i sigurojë 61 vota, e cila pastaj do ta çonte vendin në zgjedhje të reja, ku një koalicion parazgjedhor i opozitës i ka gjasat gati absolute të fitonte dhe ta formonte qeverinë”, ka deklaruar Kelmendi, duke shtuar se opozita e ka kuptuar se Hashim Thaçi nuk mund të mposhtë pa u bashkuar. “Besoj se elektoratet e të gjitha partive që dolën jo të parat në këto zgjedhje, pra LDK-ja, AAK-ja dhe Vetëvendosje!, e kanë kuptuar se nuk mund ta mposhtin PDK-në, por janë të bashkuar me idenë se nuk duhet lejuar PDK-së dhe Thaçit edhe një mandat. Në këtë drejtim për ta do të ishte shumë më e pranueshme të shkojnë bashkë për ta mundur Thaçin sesa të shkojnë ndaras dhe të mposhten përsëri”, ka thënë Kelmendi.
Për t’u tejkaluar situata e krijuar pas marrëveshjes opozitare, Kelmendi ka deklaruar se PDK-ja dhe Hashim Thaçi duhet të lëshojnë pe. “Pasi kemi një shumicë e cila është në anën e opozitës, zgjidhja më e mirë do të ishte që PDK-ja të lëshojë pe dhe vendi mos të shkojë në zgjedhje të reja dhe mos të komplikohet situata. Në asnjë rast nuk e shoh se mund të ndryshojë situata në favor të PDK-së, nëse opozita mbetet e bashkuar. Faktori ndërkombëtar deri më tani ka qenë shumë i kujdesshëm dhe ka thënë se kushdo që arrin ta formojë qeverinë do të bashkëpunojnë me ta”, është shprehur Kelmendi. Sipas marrëveshjes së 10 qershorit e arritur në mes të LDK-së, AAK-së dhe NISMËS për Kosovën, Ramush Haradinaj është kandidat i opozitës për kryeministër. Posti i presidentit dhe kryeparlamentarit do t’i takojë LDK-së, ndërkaq ai i zëvendëskryeministrit NISMËS për Kosovën.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu